Ilir Meta: Më 23 qershor Bulqiza do të ndëshkojë harresën dhe neglizhencën

Ilir Meta: Më 23 qershor Bulqiza do të ndëshkojë harresën dhe neglizhencën

ilirmeta04062013

Pas takimit madhështor të zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, takim në të cilin u prezantuan kandidatët për deputet në Qarkun e Dibrës, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u ndaj në një takim në qytetin e Bulqizës. Në fjalën e tij para mijërave qytetarëve të Bulqizës, z. Meta deklaroi se Bulqiza është një qendër shumë e rëndësishme për të gjithë vendin që si pjesë e Qarkut të Dibrës, janë më të harruarit dhe të më neglizhuarit nga qeveria aktuale. “Prandaj më 23 qershor, me votën tuaj ju do të ndëshkoni këtë harresë, këtë neglizhencë. Ju nuk i keni asnjë borxh Partisë Demokratike. Përkundrazi, është ajo që ka detyrime pa fund ndaj popullit tuaj. Ju bë kaq kohë që çdo dy vjet sa herë ka zgjedhje lokale apo zgjedhje parlamentare. Premtohet rruga e Arbrit dhe hidhet një grusht asfalt elektoral”, tha ndër të tjera z. Meta.

Fjala e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në takimin e zhvilluar në Bulqizë

Të dashur motra dhe vëllezër të Bulqizës! Unë jam krenar që jam sot në qytetin e Bulqizës për të përkrahur përpara të gjithë popullit të qytetit të Bulziqës dhe të rrethit të Bulqizës, djalin e Bulqizës, njeriun tuaj, shokun tuaj, vëllanë tuaj, Përparim Spahiun. Edhe unë si puna juaj kam një njohje të hershme me Përparimin. Kemi qenë të dy studentë në fakultetin e Ekonomisë dhe kam për të konsideratën më të lartë edhe si ekonomist, edhe si bankier, si një njeri i aftë dhe profesionist, i cili ka qenë gjithmonë i aftë për të treguar vlerat e tij në çdo punë dhe në çdo profesion. Por, ajo që unë e çmoj më shumë Përparim Spahiun është vendimi i tij për t’iu përkushtuar përfaqësimit të Bulqizës, Maqellarës, Dibrës dhe gjithë qarkut tuaj duke lënë komoditetin e tij dhe duke përveshur mëngët prej më shumë se një viti, jo për t’u njohur me problemet e mprehta që ka Bulqiza por edhe për të bashkëpunuar me ju dhe për të ndërtuar një projekt që vë Bulqizën në punë, një projekt që është pjesë e projektit tonë për të vënë të gjithë Shqipërinë në punë. Bulqiza është një qendër shumë e rëndësishme për të gjithë vendin dhe është njëkohësisht pjesë e qarkut të Dibrës i cili bashkë me Bulqizën janë më të harruarit dhe të më neglizhuarit nga qeveria aktuale.

Prandaj më 23 qershor, me votën tuaj ju do të ndëshkoni këtë harresë, këtë neglizhencë. Ju nuk i keni asnjë borxh Partisë Demokratike. Përkundrazi, është ajo që ka detyrime pa fund ndaj popullit tuaj. Ju bë kaq kohë që çdo dy vjet sa herë ka zgjedhje lokale apo zgjedhje parlamentare. Premtohet rruga e Arbrit dhe hidhet një grusht asfalt elektoral. Po ju e dini shumë mirë se po të vazhdohet me këto ritme do të duhet nja 80 vjet për të përfunduar rrugën e Arbrit. Pranvera vjen çdo vit, por rinia vjen vetëm një herë. Jam i bindur se populli i Bulqizës e sidomos të rinjtë dhe të rejat e Bulqizës, Peshkopisë, Maqellarës, Matit, Klosit, nuk do të pranojnë më të mashtrohen nga premtimet boshe të Berishës. Por të gjithë së bashku do të votojmë që Bulqiza dhe i gjithë qarku i Dibrës më 23 qershor të bashkohen me rrotacionin e sigurt, me ndryshimin e sigurt në mënyrë që të ecim më shpejt drejt Shqipërisë evropiane. Jam i bindur se ju do të bashkoheni me programin tonë për punësimin.

Sot edhe Berisha premton se do të hapë 250 mijë vende të reja pune për 8 vitet që vijnë. Por, gjatë këtyre 8 viteve më shumë vende pune u mbyllën sesa u hapën sepse mungoi vizioni, mungoi politika e mençur dhe e përkushtuar për të hapur vende të reja pune, në Bulqizë dhe kudo në gjithë qarkun tuaj dhe në shumë zona të tilla në të gjithë Shqipërinë. Prandaj, duke votuar për Përparim Spahiun ju keni votuar për veten tuaj, për fëmijët tuaj, ju keni votuar për shkolla më të mira dhe jo që fëmijët tuaj ta bëjnë shkollën siç e bëjnë edhe sot për shkak se nuk investohen as 2 lekë për të rikonstruktuar shkollën e mesme. Ndërkohë që ne angazhohemi që një pjesë e rentës minerare t’i kalojë pushtetit vendor që të ketë mundësi të financojë në të mirë të komunitetit për projekte të ndryshme sociale dhe ekonomike. Ashtu sikurse angazhohemi për t’u dhënë të gjithë minatorëve statusin e minatorit sepse kanë kaluar një jetë me sakrifica, me vuajtje dhe e meritojnë këtë solidaritet nga e gjithë shoqëria.

Vëllezër dhe motra të Bulqizës, duke votuar për LSI-në, ju votoni për një forcë politike, e cila e forcon stabilitetin e vendit dhe rrit shpejtësinë e tij për integrimin evropian. Ju votoni për një forcë politike, e cila ka projekte të qarta për të hapur vende të reja pune në Bulqizë përmes nxitjes dhe stimulimit të gjithë atyre sipërmarrësve të cilët do të marrin një përgjegjësi të tillë dhe për të cilët shteti dhe qeveria do të bëhen garant për të mbështetur dhe për të ulur kostot e këtyre sipërmarrjeve të reja, në mënyrë që ne të arrijmë një objektiv kryesor që është hapja e vendeve të reja të punës. Ne do të mbështesim zhvillimin e formimit profesional, në mënyrë që çdo i ri të ketë mundësi të ketë një zanat, të ketë mundësi të ketë një profesion në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka programin më të qartë për punësimin. Të gjitha politikat tona në të gjitha fushat synojnë rritjen e punësimit, synojnë nxitjen e një ekonomie që prodhon, të një ekonomie që konkurron, të një ekonomie që eksporton. Ne do të nxisim në mënyrë të veçantë fabrikat e pasurimit, në mënyrë që mineralet e Bulqizës dhe të mbarë vendit tonë të mos shkojnë batjava jashtë vendit, por të pasurohen, të përpunohen këtu, vlera e tyre të rritet, të punësohen sa më shumë të rinj e të reja, sa më shumë banorë të Bulqizës dhe gjithë zonave të tjera. Sepse kjo është rruga e progresit dhe e mirëqenies sociale.

Lëvizja Socialiste për Integrim, duke nisur nga 24 qershori, do të fillojë punën së bashku me deputetin e ardhshëm të Bulqizës dhe mbarë Qarkut të Dibrës, Përparim Spahiun, për të mbajtur angazhimet dhe premtimet tona. Dhe njëkohësisht do t’i japim vendin e merituar Bulqizës dhe gjithë Qarkut tuaj në të gjitha nivelet e qeverisjes së vendit.

Falënderoj të gjithë shokët që morën pjesë sot këtu për mesazhet që ata dhanë. Falënderoj Ylli Manjanin, që është një nga kandidatët tanë kryesorë në Tiranë dhe patjetër edhe ai do të jetë edhe përfaqësuesi juaj, së bashku me Përparimin në Kuvendin e ardhshëm. Falënderoj Arditin, një shok i hershëm i idealeve socialiste. Dhe njëkohësisht kërkoj nga të gjithë ju një brohoritje për të gjithë ekipin tonë, të kandidatëve të Qarkut të Dibrës. Motra dhe vëllezër të Bulqizës, era e ndryshimit ka përfshirë të gjithë Shqipërinë. Shqipë
ria ka vendosur të ecë më shpejt. Ju falënderoj për vendosmërinë tuaj për t’i dhënë tonin këtij ritmi të ri të Shqipërisë drejt Evropës. Fitore! Votoni numrin 26! Votoni Përparim Spahiun!