17 Feb Ilir Meta: LSI përshëndet qytetarët e Kosovës me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dëshiroj të shpreh përshëndetjet më të ngrohta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë.
Bashkë me të gjithë shqiptarët kudo që gjenden, sot festojmë një Kosovë të pavarur, një Kosovë të njohur prej 98 shtetesh, një Kosovë më të konsoliduar me institucioneve demokratike, me një shtet që forcohet nga viti në vit, një Kosovë që garanton të drejtat e të gjitha pakicave, një Kosovë konstruktive në rajon, dhe mbi të gjitha një Kosovë me një shoqëri të lirë, multi-etnike dhe evropiane. Kujtojmë dhe përkulemi me nderim të thellë ndaj të gjithë dëshmorëve që luftuan e u flijuan për këtë pavarësi dhe liri që festojmë sot; kujtojmë Adem Jasharin, Zahir Pajazitin e të gjithë luftëtarët e UCK. Kujtojmë ish Presidentin Ibrahim Rrugova për kontributin dhe sakrificën e tij historike. Kujtojmë aleatët tanë SHBA për ndihmën që i kanë dhënë popullit shqiptar, dhe i falenderojmë bashkë me Bashkimin Evropian për kontributin e çmuar që vazhdojnë të japin në konsolidimin e mëtejshëm të të gjitha strukturave të shtetit të Kosovës dhe njohjeve të saj.
Me këtë rast, dua të ripërsëris mbështetjen tonë për dialogun që ka nisur midis Kosovës dhe Serbisë, si një proces tejet i rëndësishëm dhe pozitiv për të ardhmen e qytetarëve të të dy vendeve, njëkohësisht të vlerësoj kurajën dhe përgjegjshmërinë e lartë politike të treguar nga qeveria dhe politikanët në Kosovë.
Normalizimi i marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, do të ndikojë në stabilitetin dhe sigurinë e tërë rajonit, dhe si i tillë ai duhet mbështetur dhe ndihmuar nga të gjithë faktorët e rëndësishëm politikë, si në Shqipëri, në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.
Gjithashtu dëshiroj të theksoj rëndësinë e rezultateve konkrete gjatë këtij procesi, veçanërisht në garantimin e perspektivës evropiane të Kosovës, siç janë liberalizimi i vizave për shtetasit e saj dhe realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.
Shqipëria do vazhdojë t’a mbështesë Kosovën në forcimin e kapaciteteve qeverisëse, në realizimin e njohjeve të mëtejshme drejt anëtarësimit në OKB, dhe në avancimin e axhendës së saj evropiane, së bashku me fqinjët tanë në rajon. Së bashku drejt Evropës – ky është urimi ynë sot.
Gëzuar Miq! Gëzuar 5 vjetorin e Kosovës së lirë e të pavarur!