06 Apr Ilir Meta: LSI, forca që i bashkon të gjithë të rinjtë dhe të rejat
300 të rinj e të reja i janë shtuar radhëve të Lëvizjes Rinore për Integrim në një aktivitet festiv të organizuar nga LRI e Njësisë nr. 2 në Tiranë. I pranishëm ka qenë edhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj, kryetari i LSI për Njësinë nr. 2, Elez Gjoza, si dhe kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari. Lideri i LSI-së në fjalën e tij përshëndetëse ka deklaruar se LSI është një forcë politike e cila i bashkon të gjithë shqiptarët, sidomos të rinjtë dhe të rejat e vendit. Sipas tij LSI sjell shpresë, mesazhe pozitive, mesazhin e një ndryshimi konstruktiv, i cili do ta afrojë më shpejt Shqipërinë me Evropë.
“Është kënaqësi të shoh kaq të reja dhe të rinj së bashku, njëkohësisht kaq të bashkuar dhe kaq optimist. LSI është një forcë që i bashkon shqiptarët dhe mbi të gjitha është një forcë që i bashkon të rinjtë. Është një forcë që i bashkon të rinjtë për ndryshim, për një perspektivë më të mirë, dhe për të krijuar mundësi të reja për të gjithë vendin dhe në radhë të parë për veten e tyre për më të rinjtë. Radhët e LSI dhe LRI shtohen në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse LSI sjell shpresë, mesazhe pozitive, mesazhin e një ndryshimi konstruktiv, i cili do ta afrojë më shpejt Shqipërinë me Evropën dhe i cili do të krijojë më shumë mundësi për të gjithë të rinjtë për një edukim më të mirë dhe në veçanti për një punësim të qëndrueshëm dhe dinjitoz në vendin tonë”, tha ndër të tjera Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Pas fjalës së tij z. Meta shpërndau për një pjesë të anëtarëve të rinj edhe dokumentet e anëtarësimit. Ndërkohë që në fjalën e tij para të rinjve kryetari i LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj, deklaroi se LSI i mbështet të rinjtë dhe mbështetet tek ritmi i saj. “Programin tonë qeverisës, pjesa intelektuale, punësimi i të gjithë atyre të rinjve përbën edhe shtyllën themelore të programit tonë të LSI-së. E themi këtë, sepse LSI-a në qendër të vëmendjes së saj ka të rinjtë. Ajo mbështet të rinjtë, mbështetet te ritmi i saj, sepse dhe në krye të saj ka liderin më të ri, më vital, i cili është i aftë të marrë masa dhe të hedh hapa shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, tha ai. Nga ana e tij kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari, i falënderoi të gjithë të pranishmit për këtë takim “Jemi shumë të bindur që po të jemi të gjithë së bashku ne sot, do ecim më shpejt, pasi LSI është forca e të rinjve, është forca e shpresës për çdo shqiptar, është forca e shpresës për çdo të ri. LSI është forca që sjell stabilitet politik dhe mirëqenie për të gjithë, pasi të gjithë ne jemi të rinj, udhëhiqemi nga një lider i ri dhe jam i bindur që të gjithë së bashku me këtë energji pozitive do vazhdojmë të ecim më shpejt”, u shpreh Braimllari. Ndërkohë që Kryetari i LSI-së për Njësinë nr.2, Elez Gjoza, tha se LRI është vendimmarrëse dhe “ne kemi fatin shumë të madh, unë dhe ju së bashku që kemi një kryetar si Ilir Meta, i cili i ka dhënë vendin e merituar rinisë”. Aktiviteti festiv i LRI-së së Njësisë nr. 2 ka vazhduar për orë të tëra ku të rinjtë dhe të rejat kanë festuar dhe janë argëtuar së bashku.