Ilir Meta LRI, alternativë e të rinjve shqiptarë, përfaqësim në Kuvendin e ardhshëm

Ilir Meta LRI, alternativë e të rinjve shqiptarë, përfaqësim në Kuvendin e ardhshëm

ilirmeta23022013

Lëvizja Socialiste për Integrim ka organizuar sot një takim me qindra të rinj të Lëvizjes Rinore për Integrim në qytetin e Lushnjes. I pranishëm në këtë takim ishte dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, Sekretari për Çështjet Ligjore, Spartak Braho, si dhe Prefekti i Qarkut Fier, Robert Bitri. Në fjalën e tij Lideri i LSI-së, Ilir Meta, duke falënderuar të gjithë të ekipin drejtues për punën shumë të mirë të bërë deklaroi se LRI është alternativa kryesore e rinisë në Lushnje.  “Jam vërtetë i lumtur të jem sot këtu në këtë ambient ky kam qenë shumë herë gjatë këtyre 20 viteve por që asnjëherë nuk ka qenë më i bukur, më i ngrohtë, më entuziast dhe më domethënës sesa sot. Ndaj unë dua të përshëndes të gjithë ekipin drejtues të LRI-së në qytetin e Lushnjes për punën e shkëlqyer që ju keni bërë duke e kthyer LRI-në në forcën kryesore, në alternativën kryesore të rinisë së Lushnjes.

Një falënderim të veçantë, dhe do të doja edhe një duartrokitje të veçantë nga ju për kryetarin e LRI-së, Endritin, për punën e madhe që ai ka bërë këtu së bashku me ju dhe për dashurinë e madhe që ai ka mbjellë këtu me aq përkushtim për LRI-në. Ne sot, falë kësaj pune të mrekullueshme që ju keni bërë, kemi një bashkim të jashtëzakonshëm të të gjithë këtyre djemve dhe vajzave, keni një besim të madh që ju përçoni tek njëri-tjetri, tek i gjithë qyteti e komuniteti juaj. Keni një shpresë të madhe për të ardhmen që Lushnja të jetë një qytet plot jetë, që Lushnja të jetë një qytet ku të rinjtë besojnë se mund të jetojnë të sigurt, se mund të gjejnë një punë e cila tu garantojë të ardhmen dhe dinjitetin e tyre, sepse Lushnja i ka të gjitha potencialet, ka një popull të mrekullueshëm, ka tradita të shkëlqyera, ka një rini të jashtëzakonshme, por ka edhe potenciale e resurse të jashtëzakonshme”, tha z. Meta. Ai u shpreh se Lushnja dhe Myzeqeja i kanë të gjitha mundësitë që të jenë në krye të rritjes ekonomike të mbarë vendit, të jenë në krye të modernizimit të ekonomisë shqiptare, të bujqësisë, të industrisë agropërpunuese, të asaj tekstile në mënyrë që të gjithë të rinjtë e Lushnjes të kenë një vend pune të sigurt në një të ardhme të shpejtë. “Në mënyrë që Lushnja të jetë një nga rrethet kryesore që prodhojnë dhe që eksportojnë produktet ‘Made in Albania’. Kjo është sfida më e madhe për një vend që kërkon të ecë më shpejt përpara, për një vend që kërkon të reduktojë borxhin dhe deficitin, për një vend i cili ka një ndër popullsitë më të reja në Europë dhe ka një rini që e do aq shumë vendin e saj dhe që kërkon të ardhmen pikërisht këtu në Lushnje”, vijoi fjalën e tij kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai tha se LSI është krenare që ka kontribuar për ndryshimin e politikës shqiptare, për emancipimin e saj për të kapërcyer tabu të së kaluarës në emër të një të ardhmeje që e ka bazën tek bashkëpunimi dhe tek një politikë konstruktive që çliron energjitë më pozitive, jo vetëm të të gjithë të rinjve, por të të gjithë gjeneratave së bashku.

“Ne jemi krenarë që sot ju dhe gjithë qytetarët e Lushnjes mund të lëvizni të lirë pa viza në të gjithë hapësirën Shengen, por ne kemi një qëllim më të madh. Dhe qëllimi ynë është që të rinjtë e Shqipërisë të harrojnë emigracionin si mundësinë më të mirë për të jetuar më mirë, që të rinjtë e Shqipërisë përmes pjesëmarrjes së tyre, përmes vendimmarrjes së tyre të shndërrojnë realitetin, këtu në Lushnje dhe në të gjithë Shqipërinë, në një realitet të prekshëm evropian të niveleve më të përparuara”, tha z. Meta. Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se LRI-ja, kjo alternativë e jashtëzakonshme e të rinjve shqiptarë e cila përfaqësohet kudo dhe që në 23 qershor do të përfaqësohet me siguri të plotë edhe në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë, do të jetë garantuesja më e mirë e realizimit të aspiratave tuaja dhe të gjithë të rinjve të Shqipërisë.

“Ne e dimë se rruga më e mirë drejt progresit, për një ecje më të shpejtë të vendit, drejt mirëqenies dhe në luftën kundër varfërisë është përqendrimi tek problemet ekonomike, tek zgjidhjet dhe jo tek debati për të kaluarën sepse të gjithë ju që jeni këtu në sallë keni lindur pas vitit ’90 dhe Shqipëria duhet të ecë më ritmin tuaj, me ritmin e 20 vjeçarëve, me ritmin e atyre që shohin vetëm drejt një të ardhmeje më të ndritur, dhe kjo e ardhme do të jetë e tillë sepse e energjia juaj, sepse vizioni juaj, sepse organizimi juaj gjithnjë e më i fuqishëm është garanti më i plotë dhe më i sigurt”, tha ai. Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim duke shprehur përkrahjen më të vendosur, për të rinjtë dhe të rejat e Lushnjes për gjithë komunitetin e Lushnjes, z. Meta i siguroi të rinjtë se përmes përkrahjes që ata i japin Lëvizjes Socialiste për Integrim rrisin të gjitha shanset dhe mundësitë që kjo të kthehet në një mbështetje dhe në një investim për të gjithë dhe për të ardhmen e komunitetit të tyre. “Kjo sepse LSI është një forcë pozitive, LSI është një forcë konstruktive, sepse LSI është një forcë që kujdeset për njerëzit e sidomos për të rinjtë dhe të rejat. Ky është themeli i suksesit tonë. Kujdesi për njerëzit, kujdesi për të rinjtë, për të rejat, kujdesi për të treguar solidaritet me ata të cilët  kanë nevojë për t’iu dhënë dorën, për të hedhur një hap më tej përpara, dhe për ta hedhur atë më shpejt. Disa vite më parë ne kemi qenë këtu dhe kemi premtuar se Lushnja do të shndërrohet në një qytet universitar dhe kjo gjë ka ndodhur përmes filialit të Universitetit Bujqësor, ku sot studiojnë disa qindra të rinj dhe të reja”, tha z. Meta.

Duke përfunduar Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim i siguroi të rinjtë se Lushnja do të jetë një qendër shumë e rëndësishme e arsimimit, sidomos atij profesional por edhe një qendër e rëndësishme universitare sepse sipas tij Lushnja ka një rini të jashtëzakonshme, dhe sepse Lushnja ka mundësi të jashtëzakonshme që kjo rini të edukohet këtu dhe kjo rini të punojë këtu. “Duke shprehur edhe një herë tjetër falënderimin tim më të thellë për të gjithë ju dhe për të gjithë ato të rinj dhe të reja, të cilët nuk mund të vinin sot këtu, dua t’ju siguroj se LSI do të vazhdojë të mbetet partia e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, sepse LSI do të vazhdojë t’u japë mundësi të gjithë të rinjve dhe të rejave për të ecur përpara dhe për të ecur më shpejt. LSI është alternativa më e sigurt për të gjithë të rinjtë dhe të rejat”, përfundoi fjalën e tij në takimin me qindra të rinj dhe të reja në qytetin e Lushnjës, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.