Ilir Meta- Kredi të buta dhe aplikimi i skemës së granteve për biznesin fason

Ilir Meta- Kredi të buta dhe aplikimi i skemës së granteve për biznesin fason

ilirmeta-16022013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vizitoi një fabrike të prodhimeve fasone në qytetin e Beratit. I shoqëruar nga Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, dhe deputeti i LSI-së për Qarkun e Beratit, Nasip Naço, z. Meta ka vizuar fabrikën e prodhimit intimeve për femra, “Berat Konfeksion”, fabrikë në të cilën janë të punësuara rreth 200 gra dhe vajza. Në një prononcim për mediat e pranishme Z. Meta deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim ka në qendër të vëmendjes çështjen e punësimit dhe në mënyrë të veçantë të mbështetjes së biznesit fason i cili është biznesi kryesor punëdhënës dhe punëofrues në vend në të cilin punojnë rreth 110 mijë gra dhe vajza sot në të gjithë Shqipërinë.

Lideri i LSI-së deklaroi se ky biznes është edhe një ndër faktorët kryesorë të eksporteve shqiptare duke përfaqësuar rreth 600 milionë dollarë eksporte dhe një burim shumë i rëndësishëm jo vetëm për punësimin por edhe për rritjen ekonomike me një impakt të jashtëzakonshëm social. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se dhënia e kredive të buta deri në 3%, për blerjen e makinerive prodhuese me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës dhe në mënyrë të veçantë edhe për aplikimin e një skeme me grante për të gjitha bizneset të cilat do të kenë mundësi për të hapur të paktën 100 vende të reja pune, janë objektiv i rëndësishëm i LSI-së.

“Nuk jam thjesht këtu për të thënë atë që është bërë edhe në sajë edhe të programit edhe të insistimit të LSI-së në këtë drejtim ku dua t theksoj edhe një herë që heqja e taksës së importit për lëndën e parë afër zero është një hap tepër pozitiv. Heqja e TVSH-së për makineritë prodhuese do të ketë një impakt tepër pozitiv për zgjerimin e këtyre aktiviteteve dhe për rritjen e punësimit. Njëkohësisht edhe heqja e taksës për të ardhurat deri në 30 mijë lekë të reja që ndihmon shumë të gjithë të punësuarit në këtë biznes të cilët në një pjesë të mirë kanë përballuar vetë edhe sigurimet shoqërore të punonjësve të tyre deri tani.

Është e rëndësishme të mbështesim më tej biznesin fason. Është tepër pozitiv fakti që 85% e biznesit fason në vendin tonë u takon kompanive shqiptare që do të thotë se fitimet e këtij aktiviteti mbeten në Shqipëri dhe riinvestohen këtu. është në interesin tonë që të zgjerohet më tej aktiviteti i këtij biznesi dhe i çdo biznesi që hap vende të reja pune, në mënyrë të veçantë. Prandaj ne jemi tepër të impenjuar për aplikimin e kredive me interesa tepër të përballueshme, deri në 3%, për blerjen e makinerive prodhuese me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës dhe në mënyrë të veçantë edhe për aplikimin e një skeme me grante për të gjitha bizneset të cilat do të kenë mundësi për të hapur të paktën 100 vende të reja pune. Synimi kryesor është që biznesi fason të realizojë ciklin e mbyllur në vendin tonë dhe në këtë mënyrë ne t’i japim një hov të ri prodhimit në vendin tonë dhe markave “Made in Albania”, u shpreh kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. I pyetur rreth aleancës së LSI-së në zgjedhjet e ardhshme z. Meta tha se për LSI-në është e rëndësishme aleanca me sipërmarrësit që hapin vende të reja pune.

 

“Për ne si LSI është e rëndësishme të bëjmë një aleancë dhe historike me të gjithë sipërmarrësit shqiptarë që marrin përsipër të hapin vende të reja pune. Kjo është aleanca më e madhe që i duhet sot Shqipërisë, shqiptarëve dhe sidomos shqiptareve. Prandaj jemi sot edhe në këtë takim dhe këto angazhime do të konkretizohen sepse LSI e mban fjalën”, tha ndër të tjera në takimin me biznesin fason në Berat, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.