Ilir Meta: Grante dhe rimbursim automatik i TVSH-se për stimulimin e eksporteve “Made in Albania”

Ilir Meta: Grante dhe rimbursim automatik i TVSH-se për stimulimin e eksporteve “Made in Albania”

ilirmeta20022013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vizitoi sot një kompani mjaft të suksesshme të produkteve të përpunuara të peshkut, prodhime këto që eksportohen në tregjet e huaja, sidomos në ato evropiane. I shoqëruar nga Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, dhe nga anëtarja e Kryesisë, Nora Malaj, Z. Meta ka vizituar kompaninë “Mare Adriatic” në Vaun e Dejës në Shkodër, në të cilën punojnë rreth 100 punonjës dhe që prodhon konserva peshku për eksport.

Në një prononcim për mediat e pranishme Lideri i LSI-së duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë në një kompani të tillë kaq të suksesshme deklaroi se ky biznes jo vetëm afirmon markën shqiptare në tregjet ndërkombëtare por edhe jep një mesazh të të perspektivës së industrisë së përpunimit të peshkut në vendin tonë, e cila sipas z. Meta do të jetë më e suksesshme në bazë të politikave edhe më nxitëse për eksportet dhe njëkohësisht edhe përmes stimulimit të sektorit të peshkimit në vendin tonë, i cili ka nevojë për një mbështetje më të madhe në mënyrë që ët rinovohet flota e peshkimit dhe të krijohen mundësitë për të siguruar lëndën e parë në vend.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se një mbështetje e tillë jo vetëm që do të shtonte vende të reja pune por njëkohësisht edhe do të krijonte mundësinë për të rritur eksportet si domosdoshmëri për të kompensuar tashmë humbjen në ekonominë shqiptare nga dërgesat e emigrantëve por edhe si një garanci për një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe për të shtuar mundësinë e futjes së valutës së huaj në ekonominë tonë.

Sipas tij janë të domosdoshme edhe shumë lehtësira të tjera si rimbursimi automatik i TVSH-së, grante dhe kredi të buta për makineritë e prodhimit, lehtësime këto që do ta ndihmojnë këtë biznes që jo vetëm të krijojë vende të reja pune por edhe ta bëjë ekonominë shqiptare më konkurruese. “Besoj se shumë lehtësira të tjera janë të domosdoshme, sidomos për sa i takon rimbursimit automatik të TVSH-së për sa i takon të gjithë bizneseve të cilat eksportojnë pasi çdo pengesë, çdo vonesë, çdo kosto dobëson aftësitë konkurruese të kompanive shqiptare dhe nuk krijon mundësi për të konsoliduar këto eksporte në tregjet e huaja dhe për t’i shtuar ato në të ardhmen. Përveç kësaj besoj se mjaft e rëndësishme është të mbështetet me grante dhe kredi të buta për të ardhmen industria jonë e peshkimit dhe njëkohësisht edhe vetë e gjithë industria e përpunimit në vendin tonë sidomos për sa i takon makinerive dhe pajisjeve.

Sot punojnë rreth 2000 mijë punëtorë në industrinë e përpunimit të peshkut por mundësitë janë disa herë për më shumë dhe natyrisht që të gjitha këto janë avantazhe, jo vetëm sociale për komunitetin por janë edhe avantazhe shumë të rëndësishme dhe afatgjata për konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë dhe rritjen tonë ekonomike”, tha ndër të tjera nga Vau i Dejës, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.