Ilir Meta: Forcat politike të mos rrëmbehen nga ankthi për fitoren apo humben më 23 qershor

Ilir Meta: Forcat politike të mos rrëmbehen nga ankthi për fitoren apo humben më 23 qershor

ilirmeta09032013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Qarkun e Durrësit, Lefter Koka, ka marrë pjesë sot në një takim mjaft entuziast të organizuar me strukturat e Lëvizjes Rinore për Integrim në qytetin e Durrësit. Në këtë aktivitet, ku merrnin pjesë mijëra anëtarë dhe simpatizantë të LRI-së në Durrës, janë anëtarësuar rishtas në Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe 1500 anëtarë të rinj, një pjesë të të cilëve Lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë.

Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke i falënderuar të gjithë të rinjtë për praninë e tyre deklaroi se LSI është krenare për të rinjtë tanë sepse sipas z. Meta ato janë e sotmja e Durrësit dhe e gjithë Shqipërisë dhe këtë do ta tregojnë edhe më 23 qershor. “Ishte një surprizë shumë e këndshme për mua që të shoh këto vajza dhe këta djem të veshur si marinarë. Cilido që do të donte të bënte një pyetje se përse janë veshur kështu? Sepse të rinjtë dhe të reja e Durrësit duan të ankorojnë sa më shpejt këtë vend atje ku e meriton, në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Lideri i LSI-së deklaroi se  të rinjtë dhe të rejat e Durrësit nuk mund të tolerojnë më këto vonesa dhe këtë stanjacion në rrugën e integrimit evropian dhe se LSI-ja është distancuar dhe distancohet nga çfarëdolloj konflikti politik që i bëhet barrikadë ecjes më të shpejtë të vendit, drejt integrimit evropian. “Vetëm përmes bashkëpunimit Durrësi dhe e gjithë Shqipëria do të ecë përpara më shpejt në rrugën e integrimit dhe në rrugën e zhvillimit, sepse ne nuk duam që Shqipëria të vazhdojë të regjistrojë shanse të humbura. Sepse ne nuk duam të humbasim trenin e radhës drejt Bashkimit Evropian, sepse ne nuk duam që vendi të humbasë projekte të tëra dhe financime të cilat do të hapnin mijëra vende pune për të rinjtë në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë”, tha z. Meta.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, apeloi edhe një herë nga Durrësi që të përshpejtohet procesi i integrimit evropian.  “Ndaj apeli i përshpejtimit të procesit të integrimit evropian vjen më shumë se asnjëherë tjetër sot edhe nga qyteti i Shqipërisë, simbol i lidhjeve të hershme me perëndimin, nga qyteti i Durrësit. Ndaj dhe ne si LSI shprehim edhe një herë tjetër vendosmërinë tonë dhe u bëjmë apel të gjitha forcave politike parlamentare për të gjetur sa më shpejt rrugën e konsensusit dhe të kompromisit për të miratuar dy ligjet dhe rregulloren që do ta ndihmojë Shqipërinë të fitojë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, në mënyrë që të çelet një perspektivë më e mirë dhe më e shpejtë për të gjithë ju”, deklaroi z. Meta.

Ai u shpreh se të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë janë në qendër të vëmendjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Për ne kujdesi ndaj të rinjve është prioriteti më i madh, më i rëndësishëm, sepse kjo ka të bëjë me të ardhmen e kësaj force politike por kjo ka të bëjë edhe më të ardhmen dhe me një perspektivë të qëndrueshme për të gjithë vendin. Ndaj Lëvizja Rinore për Integrim është e përfaqësuar, si asnjë tjetër forum rinor, në të gjitha forumet vendimmarrëse të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Lëvizja Rinore për Integrim në Durrës, në Tiranë dhe kudo në të gjithë vendin ka qenë shembulli më i mirë, dhe madje frymëzimi ynë, për të vendosur barazinë gjinore në të gjithë forumet e LSI-së në konventën e fundit”, vijoi Lideri i LSI-së. Sipas z. Meta “çelësi i suksesit të LRI-së ndër vite, që nga themelimi e deri më sot, ka qenë dhe mbetet, në mënyrë të veçantë, pjesëmarrja e jashtëzakonshme dhe protagonizmi i vajzave të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë dhe unë do të doja t’i përgëzoja për këtë angazhim të shkëlqyer dhe për këtë shembull emancipimi që ato sjellin” “Pjesëmarrja e tyre jo vetëm që na ndihmon të gjithëve për të qenë akoma më shumë të përgjegjshëm për rolin e jashtëzakonshëm të vajzës, të gruas, të nënës, në familje, në shoqërinë tonë, por edhe për të bërë më shumë për përfaqësimin e tyre dhe për të fituar të drejta plotësisht të barabarta të cilat do të bëjnë shoqërinë tonë dhe vendin tonë një vend të vërtetë evropian”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Duke folur para të rinjve durrsakë për çështjen e punësimit z. Meta tha se për LSI-në   “Arsimimi për punësim” është motoja kryesore e LSI-së  për sa i takon të gjithë reformës në sistemin arsimor. “Për ne mbështetja e të rinjve dhe të rejave për të gjetur vendin e parë të punës në jetën e tyre është mjaft e rëndësishme. Prandaj ne kemi mbështetur iniciativën e jashtëzakonshme të LRI-së për sa i takon praktikave të punës të të gjithë të rinjve dhe do ta mbështesin në mënyrë që jo me qindra siç është sot por më mijëra dhe gjithë të rinjtë të cilët duan të kenë një eksperiencë punë përpara se të diplomohen të kenë mundësi që ta realizojnë këtë. Jo vetëm kaq por mbështetja dhe subvencionimi për të gjithë sipërmarrësit dhe bizneset, të cilët punësojnë për herë të parë një të ri apo të re për një periudhë 3-6 muajt e parë, deri sa të arrihet eksperienca e duhur për të realizuar me sukses një proces pune, do të jetë prioritet kryesor në 4 vitet e ardhshme”, deklaroi ai.

Z. Meta u shpreh se LSI është një forcë politike e cila qëndron gjithmonë me këmbë në tokë, e cila është e ndërgjegjshme për vështirësitë e mëdha ekonomike dhe sociale që kanë qytetarët e Shqipërisë, të cilat sipas tij vijnë në një masë të konsiderueshme për shkak të presionit të krizës financiare e ekonomike evropiane apo botërore. “Është pikërisht kjo situatë e vështirë e cila nuk duhet të bëhet objekt spekulimi i luftës së brendshme politike por e cila duhet të rrisë përgjegjshmërinë e të gjitha forcave politike për të orientuar debatin drejt ekonomisë, drejt punësimit, akoma më tej drejt një ekonomie që prodhon dhe drejt një ekonomie që eksporton. Është e domosdoshme që rënien e valutës nga dërgesat e emigrantëve ta kompensojmë përmes rritjes së eksporteve. Ndaj prioritet i programit të LSI-së është rritja e prodhimit, është rritja e eksporteve dhe sidomos e prodhimeve “Made in Albania”. Vetëm kështu ne mund të garantojmë një ekonomi të qëndrueshme, vende të reja të qëndrueshme të punës, një Shqipëri që konkurron, një Shqipëri e cila garanton të ardhme për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e saj”, tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Ai i siguroi të rinjtë se për LSI-në standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër sepse stabiliteti i vendit dhe qetësia e këtyre zgjedhjeve janë shumë të rëndësishme për të përshpejtuar integrimin evropian të vendit.

“Kur në flasim për stabilitetin janë jo të paktë ata që mund të mendojnë se kjo është thjesht një retorikë por nuk është kështu. Sa herë që vizitoj sipërmarrje apo biznese të ndryshme në vend shpeshherë sipërmarrësit më thonë: “Ky kaparoni i vjetër na u dogj në vitin 1997” apo “Në vitin 1997 pësova një godit
je të rëndë dhe mu desh të harxhoja 500 milionë lekë për ta rikonstruktuar dhe për të filluar punën përsëri”. Këtë e dëgjoj si refren në shumë e shumë biznese dhe sipërmarrje anë e mbanë vendit. E përmenda këtë jo sepse Shqipëria ka rrezik të kthehet pas dhe unë nuk e besoj aspak këtë gjë, përkundrazi sepse shqiptarët dhe durrsakët nuk duan të kthehn pas. E përmenda sepse stabiliteti i vendit është kyç për të minimizuar pasojat e një krize të përgjithshme që ushtron çdo ditë presion edhe ndaj ekonomisë sonë e cila gjithashtu është e integruar deri në një shkallë të caktuar.

Kjo rritje kërkon një rritje të mëtejshme të përgjegjësisë edhe për sa i takon zgjedhjeve të ardhshme. Kemi dëgjuar të thuhet se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të egra, madje kjo mund të thuhet edhe nga ndonjë diplomat. Unë nuk e kuptoj se përse duhet të jenë të egra zgjedhjet e 23 qershorit! Zgjedhjet e 23 qershorit duhet të jenë demokratike, transparente, të drejta, të ndershme dhe çdo qytetar duhet të votojë në mënyrë të lirë dhe demokratike për alternativën që ai beson se do t’i sigurojë një perspektivë më të mirë. Ndaj unë i ftoj të gjithë kolegët e mi politikanë të mos rrëmbehen nga pasioni për të fituar apo nga ankthi i humbjes, përkundrazi. Për ne është e rëndësishme të fitojnë qytetarët e Shqipërisë, të fitojë vendi, sepse çdo përkeqësim i imazhit të vendit, çdo përkeqësim i situatës politike apo makroekonomike ndikon drejtpërdrejtë negativisht në jetën e qytetarëve tanë”, vijoi Lideri i LSI-së. duke qëndruar tek çështja e zgjedhjeve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se  është shumë e rëndësishme politika të mos jetë pengesë për përmirësimin e jetës së qytetarëve por t’ kontribuojë për shtimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e ekonomisë.  “Ditët e fundit ne kishim zgjedhje në Itali nga të cilat doli një rezultat i cili nuk është aspak premtues për të ndërtuar një qeveri që të vijojë reformat. Ditët e fundit shohim se Italia vlerësohet negativisht nga agjencitë e vlerësimit ndërkombëtar. Është shumë e rëndësishme që ne të vlerësohemi pozitivisht si vend, të krijojmë besim te investitorët e huaj, tek investitorët tanë vendas, në tregjet ndërkombëtare, sepse kjo është rruga dhe mënyra për t’i ndihmuar të gjithë shqiptarët të jetojnë më mirë, të ruajmë vendet aktuale të punës por edhe të shtojmë vende të reja të punës. Politika nuk duhet të vazhdojë të jetë një pengesë për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë. Politika ka për detyrë t’i ndihmojë që ata të jetojnë më mirë, më qetë dhe më të sigurt por kështu ka për detyrë që të japi alternativa të ndryshme në mënyrë konstruktive dhe të qytetëruar që shqiptarët të zgjedhin me qetësi dhe me bindje të plotë”, tha z. Meta.
Duke përfunduar Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u premtoi të rinjve që në listat e LSI-së në zgjedhjet e 23 qershorit do të ketë shum ëtë rinj dhe të reja të Durrësit por edhe të gjithë Shqipërisë.  

“Radhët tona shtohen kudo në mënyrë të jashtëzakonshme, edhe këtu në Durrës dhe është e qartë se ky pallat nuk do të na nxërë më në të ardhmen por jemi edhe me fat sepse po vjen pranvera dhe evenimentet mund t’i zhvillojmë edhe jashtë.  

Tani në fund do të doja tu uroja të gjithëve suksese në rritjen e mëtejshme të LRI-së në të gjithë qytetin dhe qarkun e Durrësit , ti uroja suksese kryesuesit të listës sonë në 23 qershor Lefter Kokës dhe të shpreh besimin tim se ne nuk do të kemi një deputet nga qarku i Durrësit në Parlamentin e ardhshëm si Lëvizje Socialiste për Integrim dhe do të kemi në listat tona të rinj dhe të reja të LRI-së jo vetëm në Durrës por në gjithë Shqipërinë dhe në Parlamentin e ri . Rroftë Lëvizja Rinore për Integrim , rroftë populli i mrekullueshëm i Durrësit , rroftë Shqipëria Evropiane”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar me të rinjtë e LRI-së në qytetin e Durrësit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.