Ilir Meta: Çorovoda do të jetë qendër e rëndësishme turistike

Ilir Meta: Çorovoda do të jetë qendër e rëndësishme turistike

ilirmeta20032013

Lideri i LSI-së dhe deputeti i Qarkut Berat, Nasip Naço, inaugurojnë lulishten kryesore të qytetit pas përfundimit të punimeve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Qarkun e Beratit, Nasip Naço, si dhe kryetari i Bashkisë së Çorovodës, Nesim Spahiu, ka marrë pjesë sot në shpalljen e nismës “Çorovoda, qyteti më i pastër”. Në një aktivitetzhvilluar në pallatin e kulturës të këtij qyteti z. Meta përshëndeti nismën e Bashkisë së Çorovodës, një nismë e cila sipas tij është shumë kuptimplotë, një nismë shumë e mençur dhe me vizion për të ardhmen e këtij qyteti dhe të gjithë komunitetit, nismën “Çorovoda, qyteti më i pastër”. “Nuk mund të kishte nismë më të bukur dhe më domethënëse për të sotmen dhe për të ardhmen e këtij qyteti dhe të këtij komuniteti”, tha z. Meta.

Duke folur për investimin shumë të rëndësishëm që pritet të përfundojë në muajt në vazhdim, rruga që të çon tek kanionet e Osumit, z. Meta tha se kjo rrugë do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për shndërrimin e Çorovodës në një qendër të rëndësishme turistike. “Ne tashmë jemi dëshmitarë të faktit që rruga e cila na çon tek kanionet e mrekullueshme të Osumit është drejt përfundimit dhe brenda pak muajsh ajo do të inaugurohet, një rrugë e re, e standardeve evropiane nga Çorovoda deri në fund të kanioneve. Kjo rruga natyrisht do të vazhdojë për në Përmet. Kjo rrugë e re është jo vetëm një mundësi e shkëlqyer por është edhe një sfidë e madhe për të gjithë banorët e këtij qyteti dhe të gjithë komunitetit sepse unë jam i bindur që ajo do të rrisë në mënyrë të menjëhershme numrin e vizitorëve, numrin e turistëve, numrin e të gjithë atyre që janë të pasionuar pas natyrës, pas kanioneve, dhe natyrisht edhe pas sportit nga më të ri të ushtruar tashmë në Shqipëri, falë kanioneve të Osumit, atij të Raftingut.

Ndaj është e domosdoshme që ky qytet, ky komunitetit, të përgatitet për këtë etapë të re, e cila do të shndërrojë Çorovodën në një qendër të rëndësishme turistike”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai tha se natyra e ka vendosur Çorovodën në një situatë mjaft të lakmueshme, e rrethuar nga malet, nga kodrat dhe nga lumenjtë e kulluar të maleve të Skraparit.

“Është e rëndësishme që ne t’i përgjigjemi të gjithë kësaj iniciative të Bashkisë së Çorovodës, në mënyrë që Çorovoda të jetë qyteti më i pastër, në mënyrë që Çorovoda të jetë qyteti më i gjelbër, në mënyrë që të realizojë çdo ditë një masterplan që do të transformojë krejtësisht këtë qytet brenda 4-5 viteve të ardhshme për të bërë një nga qytetet më të dëshiruara turistike në vendin tonë, për ta bërë një nga qytetet më mikpritëse, ashtu sikurse është në traditën historike të skraparllinjve. Për ta bërë një nga qytetet më atraktive, në mënyrë që të gjitha këto resurse dhe mundësi të investohen për të mirën e këtij komuniteti, për të ardhmen e fëmijëve tuaj”, tha z. Meta.

Duke përfunduar Lideri i LSI-së tha se “ne të gjithë së bashku do të bëjmë më të mirën që të gjithë djemtë dhe vajzat e mrekullueshëm të këtij vendi kudo që janë të ndihen pjesë e këtij komuniteti dhe të përfshihen duke kontribuar në këtë iniciativë të jashtëzakonshme dhe kuptimplotë. Jam i bindur se Çorovoda do të jetë qyteti më i pastër, jo vetëm në Shqipëri, por do të jetë një shembull kudo, sepse pastërtia buron nga vetë shpirti i skraparllinjve”.