Ilir Meta: Biznesi fason, realizuam premtimet e “Planit për Veprim” të vitit 2009

Ilir Meta: Biznesi fason, realizuam premtimet e “Planit për Veprim” të vitit 2009

ilirmeta11022013

Lideri i LSI-së takim në një biznes fason në qytetin e Durrësit.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vizitoi sot një fabrike të prodhimeve fasone në qytetin e Durrësit. I shoqëruar nga Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, z. Meta ka vizituar fabrikën e“Kristal 2001 SHPK”, e cila prodhon uniformave të punës kryesisht për eksport drejt tregut italian, fabrikë në të cilën janë të punësuara qindra gra dhe vajza. Në një prononcim për mediat e pranishme, Lideri i LSI-së është shprehur se Lëvizja Socialiste për Integrim ka realizuar premtimet e bërë në vitin 2009 lidhur me lehtësimet fiskale për biznesin fason.

“Mbështetja e industrisë fason është një prioritet shumë i rëndësishëm për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe ka qenë e tillë prej kohësh. Në “Planin tonë për Veprim” ne kemi pasur disa angazhime të rëndësishme në mbështetje të biznesit fason në vendin tonë, i cili është biznesi që ka numrin më të madh të të punësuarve dhe në këtë drejtim unë dua të shpreh kënaqësinë për disa masa të cilat janë të realizuara dhe të tjera që janë në proces, që ndihmojnë që ky biznes të ulë kostot e tij dhe njëkohësisht të përballojë konkurrencën e fortë edhe rajonale edhe ndërkombëtare.

Të ruajë vendet aktuale të punës por edhe të zgjerojë aktivitetet e tij në të ardhmen. Një nga këto masa, e cila është e realizuar prej dy vitesh ka qenë zerimi i taksës së importit për lëndët e para, pra nga 12 për qind në 0 për qind, e cila është një realitet”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nga Durrësi. Z. Meta deklaroi se është realizuar deri më tani edhe heqja tatimit mbi fitimin për pagat e ulëta. Sipas tij heqja e taksës së importit dhe TVSH-së për makineritë prodhuese ishte një tjetër arritje e deritanishme. Duke përfunduar Lideri i LSI-së tha se LSI ka një objektiv tepër të rëndësishëm i cili lidhet me faktin e të pasurit një cikël të mbyllur te produktit final brenda vendit, gjë që sipas tij do të bëjë të mundur rritjen e prodhimit vendas akoma dhe më tej, stimulimin e eksporteve dhe krijimin e markave “Made in Albania”.

“Një tjetër premtim është heqja e TVSH-së për makineritë prodhuese për të cilën njëkohësisht edhe biznesi fason është mjaft i interesuar dhe shpresoj që shumë shpejt kjo masë të fillojë zbatimin e saj. Dhe njëkohësisht një tjetër masë e rëndësishme besoj është heqja e tatimit për të ardhurat personale për pagat deri në 30 mijë lekë të reja që do të thotë që kjo është një fashë kur pothuajse të gjithë punonjësit në këtë sektor do të kenë mundësi të përfitojnë në një kuptim më të thjeshtë një pagë të 13-të në vit.

Një objektiv i rëndësishëm për ne është përsa i takon industrisë fason për të pasur një cikël të mbyllur brenda vendit, gjë që do të bëjë të mundur rritjen e prodhimit vendas akoma dhe më tej, stimulimin e eksporteve dhe krijimin e markave Made in Albania. Ky është një objektiv shumë i rëndësishëm dhe strategjik që do ti japë një hov tjetër industrisë fason dhe do shtojë vendet e reja të punës”, tha ndër të tjera Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim në takimin e zhvilluar në një biznes fason në qytetin e Durrësit.