14 Apr Gjoni: Atentat Kushtetutës dhe Ligjit. Përgjegjësi morale, historike e juridike për ata që shkelin ligjin.
Gjatë një interviste për Ora News, Sekretari Ndërkombëtar i LSI Ralf Gjoni e cilësoi ndërhyrjen politike ndaj përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si një akt të paligjshëm dhe si një atentat që po i bëhet Kushtetutës dhe ligjit në Shqipëri. “Ne presim që Partia Demokratike të tërhiqet që sot nga nisma e tyre e paligjshme për të çuar në Kuvend, shkarkimin e një Anëtari të KQZ, i cili gëzon paanshmëri dhe një mandat 6 vjeçar në detyrë. KQZ është trupi më i lartë kushtetues në Republikën e Shqipërisëqë merret me organizimin, administrimin dhe çertifikimin e zgjedhjeve dhe si i tillë, po pëson një atentat politik” – tha Ralf Gjoni.
Gjoni shtoi gjithashtu se nëse votimi bëhet të hënën duke u prekur KQZ, çdo gjë mund të pritet të ndodhë në Shqipëri. Me këtë logjikë, i bie që nesër koalicioni i ri qeverisës mund të ndërrojë përbërjen e KQZ. Por më rëndë akoma, me këtë logjikë i bie që të gjitha zgjedhjet dhe vendimet që janë bërë në këto katër vite bashkëqeverisje me PD të rrëzohen. Nëse cënohet që tani puna e KQZ, do të thotë që cënohet mbarëvajtja dhe integriteti i tërë procesit zgjedhor dhe vetë çertifikimi i zgjedhjeve apo besueshmëria e votës, do të thotë që gatuhet vjedhja e zgjedhjeve që në këtë moment.
Nuk e kuptoj se përse Kryeministri dëshiron një kontroll kaq të fortë ndaj një institucioni kushtetues të paprekshëm, të paanshëm, apolitik i cili ka një mandat të qartë të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor. Logjika ime çon në një dëshirë sabotimi dhe manipulimi të zgjedhjeve, për sa kohë pretendohet shkarkimi i një anëtari të KQZ përmes një procedure të paligjshme të pambështetur në Kodin Zgjedhor.
Ralf Gjoni tha se deklaratat e ardhura nga faktori ndërkombëtar janë në unison të plotë dhe theksojnë së KQZ është një entitet kushtetues i pavarur, apolitik dhe me anëtarë me një mandat të qartë, i cili duhet të vazhdojë punën e tij në përgatitjen e zgjedhjeve pa asnjë interferencë politike. Dëgjova mbrëmë edhe Shefin e Kabinetit të Kryeministrit Oerd Bylykbashin i cili tentoi të manipulonte në mënyrë të qëllimshme deklaratat e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Mesazhi ndërkombëtar është shumë i qartë: ‘Mos prekni institucionet kushtetuese, ligji duhet respektuar’. Logjika juridike në këtë rast nuk bën sens, dhe nuk mund të kuptohet dot nga ndërkombëtarët, sepse në asnjë vend demokratik të zhvilluar nuk do të ndodhte dot diçka absurde e këtyre parametrave.
Në vendet evropiane, nuk mund të perceptohet dot se si Kryeministri i një vendi, mund të guxojë të anashkalojë kodin elektoral të vendit përkatës dhe të prekë përbërjen e komisionit elektoral. Edhe në Shqipëri, ekziston një rrugë juridike se si një propozim mund t’i kalohet Parlamentit për votim, dhe në rastin konkret është vetëm KQZ që ka të drejtën t’i propozojë Parlamentit shkarkimin e një Anëtari përmes proçedurës së shkruar qartë në Kodin Zgjedhor. Nëse votohet të hënën, kemi të bëjmë me një atentat që po i bëhet Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe ata që e bëjnë këtë do të mbajnë përgjegjësi morale e historike, për të mos shkuar edhe deri në përgjegjësi juridike më vonë nëse kërcënohet integriteti i një institucioni kushtetues siç është KQZ. PODESTA
Pyetjes mbi rolin e kompanisë louese Podesta në Shqipëri, Ralf Gjoni iu përgjigj: Unë kam punuar vetë për një kompani lobimi në Britani dhe e njoh mjaft mirë si fushë, ashtu siç njoh edhe përgjegjësitë kontraktuale që kanë kompanitë e lobimit. Vendet në të gjithë botën kanë nevojë për kompani PR, lobimi dhe marketingu për të promovuar idetë dhe vlerat e tyre. Në këtë rast Republika e Shqipërisë ka një kontratë me një grup privat lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë dhe kjo iniciativë, ky akitivitet lobimi i cili është transparent, edhe i deklaruar përballë institucioneve amerikane dhe gjykatave amerikane, është një aktivitet në funksion të promovimit të aktivitetit të Shqipërisë. Pra, promovim turizmi, lobim për arsye të ndryshme, për sa i përket liberalizimit të vizave që mund të bëhet mjaft mirë, siç është bërë në Bashkimin Evropian, lobim për thithjen e investitorëve në Shqipëri, pasi përdoren fondet publike të taksapaguesve për një qëllim, për një interes publik. Në këtë rast, nëse ajo letër që kemi lexuar në media është e saktë, kemi të bëjmë me një grup lobimi, i cili është në konflikt të qartë interesi përballë jo vetëm klientit të tij që është Republika e Shqipërisë. Përtej konfliktit të interesis, mendoj se është edhe një shkelje e rëndë juridike, duke njohur Kodin e Etikës por edhe ligjin e rregullimit të industrisë së lobimit në SHBA.
Cdo kompani lobimi është e detyruar nga ligji që të japë llogari përballë Ministrisë së Drejtësisë Amerikane për të gjitha aktivitetet dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për aktivitete përfaqësimi të qeverive të huaja, jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse ky aktivitet nuk ushtrohet në funksion të promovimit të Shqipërisë por ndërhyn në teknikalitete të brendshme si KQZ apo balanca e pushteteve, ne jemi të gatshëm të përdorim çdo inciativë ligjore dhe të bashkëpunojmë edhe me partnerët dhe miqtë tanë si mediatikë ashtu edhe juridikë jashtë Shqipërisë për të evidentuar nëse ka shkelje juridike. Janë dhënë mbi 1 milionë dollarë dhe disa rinovime kontratash nga qeveria e Shqipërisë për një aktivitet të caktuar lobimi apo promovimi për Shqipërinë. Nëse kjo kontratë ka disa terma specifikë dhe disa arsye specifike se ku duhet të përqendrohet aktiviteti për këto para të taksapaguesve shqiptarë, nëse ka një thyerje të këtyre termave, atëhere çdo kompani lobimi do të mbante përgjegjësi juridike përballë shtetit të tij. Unë jam në favor të bërjes së transparencës nga qeveria shqiptare. Unë jam i sigurt dhe do kërkoj fort që pas mandatit të kësaj qeverie dhe me qeverisjen e re, të shihen të gjitha kontratat e dyshimta për sa i përket aktiviteteve të lobimit dhe ato para të taksapaguesve që janë përdorur për interesa personale dhe në dëm të Shqipërisë duke detyruar personat që e kanë kryer këtë shkelje me qëllim dhe vetëdije të mbajnë përgjegjësi juridike si në Shqipëri ashtu edhe në SHBA. Ligji duhet të jetë baza dhe rregulli me të cilin duhet të funksionojmë dhe çdo aktivitet lobimi duhet të funksionojë sipas ligjit.