Fjalimi i Kryetarit, Ilir Meta në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë: Shqipëria u përket të Rinjve!

Fjalimi i Kryetarit, Ilir Meta në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë: Shqipëria u përket të Rinjve!

29 tetor 2022

 

dashur delegate dhe delegatë!

Mirëseerdhët në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë.

Papa Françesku ka thenë “Liria nuk është e drejta për të bërë çfarë kemi dëshirë, por mundësia për të bërë gjënë e duhur”.

Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë të gjithë së bashku të bëjmë gjënë e duhur për të mbrojtur lirinë e çdo qytetari dhe të gjithë shoqërisë tonë nga ‘burgosja’ e saj.

Partia e Lirisë është alternativa e shpresës për të zgjuar guximin qytetar dhe patriotik të çdo shqiptari.

Misioni ynë është t’u japim shqiptarëve lirinë e grabitur tinëzisht dhe me dhunë, e njëkohësisht të rikthejmë mundësitë e mohuara për të jetuar me dinjitet dhe të lirë në Atdheun e tyre.

Misioni ynë është që Shqipëria t’u përkasë të rinjve.

Ndaj ne do të bëjmë çdo sakrificë dhe politikë, për të ndaluar shpopullimin, këtë hemorragji që po vret vitalitetin, energjinë e Shqipërisë, që po largon të rinjtë dhe profesionistët, që po kërcënon identitetin, ekzistencën dhe të ardhmen e kombit dhe familjeve tona.

Vetëm për shkak të “Rilindjes”, Shqipëria, vendi me moshën e popullsisë më të re në Europë deri para 10  vitesh, është sot vendi me shpopullimin më dramatik në Europë.

Vetëm për shkak të “Rilindjes”, qytetarë të pafajshëm, të rinj dhe fëmijë, vriten në mënyrë të përsëritur nga dora e policisë së patronazishtëve dhe askush nuk dënohet e jep llogari.

Vetëm për shkak të “Rilindjes”, sot jemi vendi më i varfër në Europë, me pagat dhe pensionet më të ulëta edhe në rajonin tonë, por kemi edhe çmimet më të larta të karburantit, ushqimeve, ilaçeve dhe shërbimit të arsimimit, të qirave të banesave, etj… pra të kostove bazike të jetesës.

Ashtu, siç kemi edhe taksat më të larta në rajon!

Sot, së pari qytetarët presin prej Partisë së Lirisë heqjen e prangave dhe shembjen e burgut ku po jetojnë.

Dhe ne do ta shembim!

Ky është borxhi më i madh, që u kemi qytetarëve tanë qysh pas rrëzimit së diktaturës komuniste në fillim të viteve 90’.

E kurrë të mos harrojmë, se një popull që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë, ndaj Referendumi është mjeti ynë magjik dhe ky popull s’ka për të fjetur më.

Sfida reale e opozitës nuk është vetëm të denoncojë kush është e keqja e këtij vendi, por sesi ta mundim atë, sepse të gjithë qytetarët tashmë e dinë dhe po e përjetojnë në shpinën e tyre çdo ditë dhe më tepër.

Si ai kryefamiljari që përlotet bashkë me fëmijët e tij tek pragu i shtëpisë së shkatërruar nga fadroma e qeverisëdhe policisë bashkiake.

Si ajo nëna me foshnje, që del përdhunshëm nga shtëpia,pasi hidhet gazi lotues që t’i rrëmbejnë shtëpinë për të bërë kullat e oligarkëve.

Si ai pensionisti që nuk ka mundësi të blejë ilaçet.

Si ai punëtori i krahut që nuk ngop dot familjen me bukë thatë.

Si ai biznesi i vogël që nuk mbijeton dot nga taksidarët patronazhistë që i rrijnë tek dera.

Si ai i riu që luan me vdekjen për të ikur me gomone në Angli e kështu me rradhë.

Pra, për shumicën e shqiptarëve jeta është kthyer në një dramë dhe tmerr pa fund, ndërsa për disa të privilegjuar është një parajsë ku mund të luhet bixhoz me jetën e gjithsecilit dhe me pasurinë tonë kombëtare dhe me interesat tona kombëtare.

Koha nuk pret më!

Koha është tani, që Partia e Lirisë dhe Opozita e Bashkuar t’i japi fund sundimit të regjimit që u ka rrëmbyer liritë tinëzisht shqiptarëve.

Ndaj Partia e Lirisë angazhohet solemnisht, t’i japë fund sundimit të regjimit, për të vendosur sundimin e ligjit!

Sundimi i ligjit do të garantohet:

Nga rivendosja e shtetit të së drejtës dhe kushtetutshmëria;

Nga rivendosja e institucioneve të forta dhe të pavarura;

Nga llogaridhënia dhe ndëshkueshmëria;

Nga mirëqeverisja dhe meritokracia;

Nga liria ekonomike dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm;

Nga punësimi me paga dinjitoze që mbulojnë kostot e larta të jetesës;

Nga lufta kundër varfërisë dhe mbështetja sociale për shtresat më të prekura të shoqërisë tonë.

Koha është tani për një “Marrëveshje të Re Sociale dhe Patriotike”, për të ndalur shpopullimin dhe emigracionin masiv të të rinjve tanë.

Shqipëria do t’i përkasë të rinjve, sepse një shoqëri dhe një popull pa rini është si një trup pa shpirt apo si një familje pa fëmijë.

Është kjo bindje e palëkundur, që duhet të mbajë gjallë frymën dhe kauzën madhore të Partisë së Lirisë dhe Opozitës së Bashkuar.

Prandaj në këtë Konventë Zgjedhore të Partisë së Lirisë ne do të shpalosim Programin tonë politik, strategjinë, zgjidhjet tona, aksionin, ekipin e ri drejtues dhe mobilizimin jo vetëm opozitar por mbarëkombëtar.

Ne jemi të vetëdijshëm, që në udhëkryqin e rrezikshëm ku ndodhet Shqipëria, lufta e vërtetë dhe e pakompromis e qytetarëve dhe e patriotëve është të zgjedhin mes diktaturës dhe lirisë, mes dëshpërimit dhe shpresës, mes varfërisë së tejskajshme dhe zhvillimit, mes skllavërimit modern për bukën e gojës dhe punësimit dinjitoz.

Kur të gjithë bëhemi bashkë nuk ka diktaturë dhe Qeveri pakice që i mbijeton zemërimit dhe verdiktit popullor.

Prandaj, për Partinë e Lirisë, referendumi është manifestimi më sublim i demokracisë direkte dhe vullnetit të sovranit!

Kur pushteti autokratik vjedh votën e lirë, përdhos demokracinë dhe Kushtetutën e vendit, atëhere Referendumi mbetet arma e vetme në dorën e sovranit!

Ne do ta rivendosim demokracinë dhe çlirojmë institucionet e grabitura, duke i rikthyer në shërbim të qytetarëve.

Nuk do të ketë kauza të mëdha dhe vendime strategjike për të ardhmen e vendit pa ushtrimin e vullnetit të sovranit përmes Referendumit!

Të dashur motra dhe vëllezër!

Jetojmë në kohë krize të shumëfishtë ekonomike, sociale, energjetike, ushqimore dhe inflacioniste, që po varfëron shqiptarët çdo ditë e më shumë.

Qytetarët tashmë e kanë kuptuar që kjo Qeveri është vetë problemi dhe jo zgjidhja e kësaj krize.

Kujtojmë, se gjatë pandemisë dhjetra mijëra qytetarë humbën vendin e punës dhe mijëra biznese falimentuan, perveçse shumë të tjerë humbën dhe jetën nga pakujdesia dhe mosmbështetja e Qeverisë.

Ndërsa Qeveritë e tjera mbështetën ekonomitë, qytetarët dhe bizneset e tyre me prioritet të lartë, me gati 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, “Rilindja” u mjaftua vetëm me paketat e lëmoshës që në total nuk arritën as 1% e PBB-së, ndërkohë që edhe fondet që dhanë për pandeminë u përpoqën t’i përdorin për të vjedhur përmes tenderave sekretë.

KRIZA ENERGJETIKE

Kriza energjetike është krizë korrupsioni dhe administrimi mafioz nga “Rilindja” e sistemit të energjisë elektrike.

Është fakt që HEC-et në vend kanë prodhuar më shumë energji elektrike sesa kanë pasur nevojë konsumi vendas gjatë vitit 2021.

Është fakt që për një dekadë të tërë kjo Qeveri nuk ka inaguruar asnjë vepër energjetike të nisur në kohën e saj.

Është fakt që mbi dhjetëra kërkesa për autorizime dhe leje për ndërtimin e parqeve solare me kapacitete instalues në total mbi 1000 Mega, që kjo Qeveri i ka bllokuar qëllimisht për arsye korruptive,  për më shumë se 3 vite.

Është fakt që janë investuar nga privati 1.2 miliardë euro në fushën e prodhimit të energjisë dhe Edi Rama kërkon t’i falimentojë megjithëse ata e shesin energjinë shtatë herë më pak se çmimi që e blen banda e “Rilindjes” në tregjet e jashtme.

Është fakt investimi i rreth 1 miliard euro për të ulur humbjet teknike dhe niveli i tyre mbetet po i njëjti, në masën 20%.

Është fakt që 1.3 miliardë euro, është borxhi i ndërsjelltë i ndërmarrjeve të energjisë elektrike, ku vetëm ujësjellsat kanë mbi 220 milionë euro borxh për energji elektrike të papaguar.

Përgjegjësia për krizën energjetike dhe çmimet e larta të energjisë për konsumatorët kanë vetëm një emër, atë të Edi Ramës që në 10 vjet si Kryeministër është kujdesur vetëm për të mbushur xhepat e tij duke zbrazur xhepat e familjeve shqiptare dhe duke i kthyer kompanitë shtetërore, KESH, OSSEE,OST etj., në kompani korruptive dhe elektorale.

Partia e Lirisë ka depozituar dy iniciativa ligjore në Kuvendin e Shqipërisë për të liberalizuar urgjent investimet për impiantet fotovoltaike me qëllim nxitjen e qytetarëve dhe bizneseve për ta zgjidhur vetë prodhimin e energjisë me panele diellore dhe për të injektuar energjinë e tepërt të tyre elektrike, në sistemin kombëtar të energjisë.

Partia e Lirisë do të mbështesë fuqishëm të gjithë ata që do të investojnë për të rritur prodhimin vendas të energjisë, duke i hequr të gjitha pengesat burokratike, administrative dhe korruptive të regjimit aktual.

Ndërsa Qeveria e Edi Ramës ka dështuar totalisht në menaxhimin e sistemit të energjisë elektrike, nga ana tjetër, kërkon t’u vërë taksë të jashtëzakonshme prodhuesve privatë të energjisë elektrike, të cilët vetëm në vitin e fundit, i kanë kursyer shtetit dhe qytetarëve shqiptarë mbi 250 milionë euro, me energjinë e prodhuar prej tyre.

Dështim flagrant përbën edhe mosgazifikimi i vendit pas ndërtimit të gazësjellësit strategjik të TAP-it, meritë që s’ka lidhje fare me këtë Qeveri. Ky gazsjellës, që ka nisur operimin që në vitin 2020, për fat të keq nuk mund të na ndihmojë për gazifkimin e vendit për arsye se ka patur zero projekte dhe zero investim nga Rilindja në këtë drejtim.

Dështim përbën mos vendosja në punë e TEC-it të Vlorës.

Ne mbështesim propozimin e Konfindustrias si shumë të drejtë, për zgjerimin e fashës deri në 1200 KW, pasi fasha aktuale e Qeverisë prek rreth 90-130 mijë familje shqiptare të shtresës së mesme.

“Rilindja”, ashtu sikurse me energjinë elektrike, ka ndjekur të njëjtën politikë mafioze edhe me çmimin e karburanteve, duke thelluar varfërimin e shqiptarëve.

Megjithëse Shqipëria është e pasur në karburante të prodhimit vendas, shqiptarët paguajnë karburantin më shtrenjtë se kudo në Europë.

Më shumë se edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi, të cilët nuk janë prodhues nafte.

Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvend ligjin për heqjen e taksës së qarkullimit mbi naftën, si një taksë absurde që rëndon xhepat e gjithë qytetarëve, përfshirë edhe pensionistëve, për shkak se çmimi i lartë i karburantit ka rritur kostot e prodhimit qoftë edhe të bukës.

Vetëm falë rritjes së çmimeve, Qeveria ka mbledhur qindra milionë euro nga djersa dhe sakrificat e qytetarëve shqiptarë dhe familjeve të tyre, pa u dhënë atyre asnjë mbështetje, megjithëse këto para janë krijuar prej vetë shqiptarëve.

dashur delegate dhe delegatë,

Të dashur qytetarë,

Sot do të miratojmë një Program që ofron zgjidhje konkrete për hallet e njerëzve.

Krizat e jashtëzakonshme, kërkojnë lidership politik të vendosur dhe zgjidhje të jashtëzakonshme.

Rama ka ndërtuar një model qeverisës korruptiv, arrogant, grabitqar dhe shtypës.

Ne ofrojmë një program politik dhe model qeverisës që bazohet tek llogaridhënia, bashkëpunimi, demokracia, kushtetutshmëria dhe referendumi.

Partia e Lirisë angazhohet për rivendosjen e sigurisë juridike në vend, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe biznesit, që të mos u tjetërsohet prona private për arsye klienteliste, të mos u mbyllet biznesi në mënyrë abritrare për shkak se nuk paguajnë gjobën ndaj taksidarëve patronazhistë, të mos ikin investitorët e huaj për shkak të monopolizimit të tregut dhe ekonomisë nga interesat korruptive të Qeverisë.

Ne angazhohemi për një model ekonomik, që stimulon iniciativën dhe tregun e lirë, konkurrueshmërisë dhe mirëqenie për të gjithë.

Përveç një pakete masash konkrete me “amortizatorë socialë” për zgjidhjen e krizës ekonomike, energjetike, ushqimore dhe inflacioniste, duhet urgjentisht të përballim edhe krizën demografike, shpopullimin, mplakjen dhe largimin e trurit dhe emigracionin masiv të rinisë shqiptare.

ARSIMI

Për ne, Arsimi është prioritet i prioriteteve kombëtare dhe do të jetë prioriteti i parë sa herë diskutohet dhe të vendoset për Buxhetin e Shtetit.

Partia e Lirisë ka një program të shkëlqyer për arsimin, sepse për shkak të Rilindjes, arsimi sot është më i braktisur, më i politizuar dhe më i rrënuar se kurrë.

Braktisja e arsimit tregohet qartasi me mbështetjen buxhetore për arsimin, e tregon mbështetja përkushtet dhe pagat e mësuesve, të pedagogëve dhe sidomos për kërkimin shkencor.

Sipas Bashkimit Europian, mësuesit në Shqipëri janë më të keqpaguarit në Europë dhe rajon.

Dy herë më shumë paguhet një mësues matanë Bunës sesa këtej Bunës, në Malin e Zi se në Shqipëri. A ka kjo llogjikë? Kurrën e kurrës, e papranueshme.

Ndërsa pedagogët tanë, ndaj të cilëve shpreh edhe njëherë solidaritetin tonë dhe mbështetjen tonë më të plotë jo vetëm sot në opozitë por edhe nesër në qeverisjen e vendit, janë prej javësh në një grevë legjitime, sepse ata kërkojnë përveç shumë kërkesave të tjera të karakterit akademik dhe universitar, që brenda dy vitesh, pagat e tyre të jenë sa ato të Kosovës.

Dikush mund të thotë se është e lehtë t’i kërkosh Kryeministrit kur je ne opozitë, por, unë kam qënë Kryeministër 30 vjeç në vitin 2000, është bërë grevë, janë rritur pagat e pedagogëve me një vendim, 58% shtesë.

Qeveria ka prioritete, por, të kesh prioritet inceneratorin që nuk egziston dhe qindra milionë euro të shqiptarëve t’i çosh atje, sigurisht nuk ke sesi të gjesh fonde për të mbështetur arsimin.

Por, përveç të tjerave nuk është vetëm arsye financiare, “Rilindja” ka një urrejtje të jashtëzakonshme për intelektualët e pavarur dhe për mendimin kritik.

“Rilindja” ka një urrejtje të paparë për gjuhën shqipe, që gjuha është themel i një kombi.

Mos harroni kurrë se çfarë tha: “Le të ikin shqiptarët, të vijnë punëtorë nga Bangladeshi, madje dhe ata mbas vitit të parë kur të fillojnë të mësojnë shqip,i largojmë të marrim ca që nuk dinë gjuhe shqipe”.

Nuk është shaka, është një filozofi, është një zbatim në kohët moderne nga një shpirtshitur dhe gjakprishur i tezave të Çubrilloviçit.

“Rilindja” e di se një popull i edukuar dhe një rini e mirëarsimuar kurrë nuk nënshtrohet.

Prandaj dhe nuk e mbështet arsimin, prandaj dhe nuk i mbështet pedagogët, prandaj dhe nuk i mbështet mësuesit, prandaj dhe nuk i mbështet studentët, që kërkon të na i zëvëndësojë edhe studentët tanë me studentë nga Bangladeshi.

PUNËSIMI I TË RINJVE

Shqipëria u përket të rinjve, ndaj ne nuk do të kursehemi për të financuar fuqimisht arsimin cilësor në të gjithë nivelet e tij, për t’i dhënë rinisë shqiptare aftësitë e duhura për të konkurruar në tregun e punës.

Një arsim cilësor që përkthehet në treg pune profesional me paga të mirëpaguara.

Modeli i shkollës “Peter Mahringer” në Shkodër, i mbështetur nga Qeveria Austriake, do të jetë për ne dhe për Qeverinë tonë shembulli i shkëlqyer, që duhet të implementojmë për realizimin e shkollave profesionale në të gjitha qytetet kryesore të vendit.

Arsimi cilësor profesional dhe jo fiktiv është vendimtar për suksesin e të rinjve tanë në tregun e punës, për paga të mirëpaguara.

Të rinjtë dhe të rejat shqiptarë kanë treguar qartë aftësitë e tyre në fushën informatike, gjë kjo që krijon mundësi reale për një punësim të mirëpaguar.

Ne do të mbështesim fort arsimimin në fushat e Teknologjisë së Informacionit, që në arsimin më të hershëm, por edhe për ata që kanë një profesion aktualisht dhe kërkojnë të riaftësohen.

Ne do të propozojmë Zonat e Lira Dixhitale, ku mijëra të rinj mund të zhvillojnë biznesin vetë si sipërmarrës, duke i ofruar taksa shumë të ulëta, por do të krijohen edhe mundësi të gjera punësimime paga të larta.

Kjo do të zhvillonte nje interesim masiv të të rinjve dhe do të krijonte një potencial ekonomik dixhital shumë atraktiv edhe në mbështetje të bizneseve të tjera të ndërsjellta.

Ne do të implementojmë në Shqipëri eksperiencat më të mira, të suksesshme të cilat janë të pranishme dhe në Ballkan, si përshembull në Kroaci.

MODELI EKONOMIK

Ne kemi një model ekonomik shumë të qartë në programin e Partisë së Lirisë.

Modeli ynë ekonomik do të balancojë rritjen e prodhimit me rritjen e konsumit.

Rritja e prodhimit do të mbështetet nga rritja e investimeve publike produktive, dhe nga rritja e investimeve private.

Modeli ekonomik do të mbështetet në përdorimin me efektivitet të fondeve publike, duke rritur investimet dhe shpenzimet sociale me qëllim themelor rritjen e mirëqenies së qytetarëve të të gjitha shtresave.

Modeli ynë ekonomik nuk do të lejojë kurrë marrjen e borxheve për investime fasadë të cilat kanë ulur në pikiatë produktivitetin e borxhit gjatë kohës së “Rilindjes”.

“Rilindja” në periudhën 2013-2021 ka marrë mbi 3 miliardë euro borxh dhe qytetarët nuk kanë parë asgjë, asnjë investim apo shërbim të përmirësuar apo të ri ndaj tyre, përveçse borxhit që rëndon mbi familjet shqiptare sot dhe për gjenerata me radhë. (për çdo 100 lekë të marrë borxh, vlera e ekonomisëështë shtuar vetëm 84 lekë,as 100 lekë nuk është shtuar, në nivel më të ulët se niveli i borxhit.)

Merr borxh për “rrush e kumbulla”, nuk merr borxh për të zhvilluar bujqësinë, për të mbështetur prodhimin, për të futur njerëzit në punë.

Mos harroni në vitet 2000-2005, për çdo 100 lekë të marrë borxh, vlera e ekonomisë është shtuar 193 lekë.

Rënia pikiatë e produktivitetit të borxhit, se borxhet i paguani ju, i paguajnë gjithë shqiptarët është treguesi më i mirë se rritja e borxhit i ka shërbyer vetëm Ramës dhe “Rilindjes” për të ekzekutuar vjedhje marramëndëse, me projekte publike të fryra disa fish.

Sipas statistikave europiane një kilometër rrugë në Shqipëri kushton gjashtë herë më shumë sesa në Serbi.

Por rritja e borxhit nuk i ka shërbyer qytetarëve, sepse nuk i ka shërbyer prodhimit, hapjes së vendeve të reja të punës dhe mirëqenies së tyre.

Ndërkohë, kosto e borxhit është dyfishuar dhe këtë e paguajnë qytetarët e Shqipërisë.

Ndërkohë, raporti i borxhit publik kundrejt eksporteve të mallrave në vitin e kaluar ishte 12.8 për Shqipërinë dhe 1.1 për Maqedoninë e Veriut, 1.3 për Bosnjën dhe 1.7 për Serbinë.

Pra nëse Maqedonia e Veriut e shlyen borxhin e saj me 1 vit eksporte, ne e shlyejmë me 13 vite eksporte. Ky është produktiviteti dhe konkurrueshmëria e ekonomisë nën drejtimin e “Rilindjes” me fqinjët.

Një ekonomi jo konkurruese nuk prodhon as të ardhme, as punë, as siguri.

Prandaj për 1000 banorë, ikën një nga Serbia edhe ikin më shumë se 10 nga Shqipëria, prandaj shumë investitorë tanët dhe të huaj në Shqipëri, ikin në Maqedoninë e Veriut, apo vende të tjera. 

Dhjetë vjetë më parë borxhi publik për frymë ka qenë 2890 dollarë, ndërsa sot në vitin e 10 të Qeverisë Rama, është mbi 4500 dollarë dhe askush nuk e di sesi do të shkojë me faturat e arbitrazheve që Qeveria po humbet jashtë për shkak të korrupsionit dhe të arbitraritetit të saj këtu në vend.

Ndaj, modeli ekonomik i Partisë së Lirisë vendos në qendër qytetarin si përfitues të rritjes ekonomike, të përfitimit nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, të përfitimit nga investimet publike dhe nga të ardhurat e taksave që ata vetë paguajnë.

Rritja e punësimit dhe e mirëqenies, dhe ulja e kostos së jetesës do të jetë në qendër të politikës ekonomike dhe përgjigja më e fortë ndaj varfërisë.

Ne do të çmontojmë modelin mafioz “rilindas” të ekonomisë, bazuar në paranë e pisët, trafiqet, informalitetin dhe korrupsionin.

Ne do të çmontojmë modelin që e mbyti Shqipërinë me miliarda euro borxh, të cilat i shërbyen korrupsionit të “Rilindjes” dhe kurrë qytetarit shqiptar.

Modeli ynë ekonomik mbështetet tek nxitja e prodhimit, tek eksportet, tek ekonomia e dijes, tek liria dhe klima miqësore ndaj biznesit, si e vetmja mënyrë për thithjen e investimeve të huaja, tek ulja e barrës fiskale dhe formalizimi i ekonomisë,  tek kualifikimi i burimeve njerëzore për paga të jetueshme, tek garantimi i të ardhurave jetike për shtresat në nevojë, tek zgjerimi dhe konsolidimi i shtresës së mesme të shoqërisë së cilës “Rilindja” i ka shpallur luftë, sepse shtresa e mesme e shoqërisë, forcimi i saj, zgjerimi i bazës së saj është garante e një zhvillimi të qëndrueshëm të vendit dhe shoqërisë, por edhe vetë mbrojtjes së demokracisë.

Prandaj nuk i rrit pagat e pedagogëve dhe të mësuesve.

Për të arritur këto objektiva, modeli ynë ekonomik do të synojë mbledhjen e të ardhurave publike në nivelet me vendet e rajonit.

Se me të drejtë kushdo mund të pyesë: Po ju ku do t’i gjeni lekët?Ja ku do t’i gjejmë lekët.

Ndërsa Shqipëria për shkak te korrupsionit galopant të “Rilindjes”, që është ndër vendet e para në botë, se në Europë s’ka shoqe “Rilindja”, dhe në rajon mbledh të ardhura 27% të PBB, Bosnja ka mbledhur 42.3% të PBB, 42.8% të PBB ka mbledhur Malii i Zi, dhe 43.3% të PBB Serbia.

27% e PBB së Shqipërisë = 3.7 miliardë uuro. Kjo diferencë siç e shikoni ju, 15% apo 16% me këto tre vende, që janë këtu në rajon në raport me prodhimin tone i bie që, nëse Rilindja nuk do të vidhte këtë 15%, nuk po themi të arrijë standarte më të larta se Bosnja ose Serbia e Mali i Zi, i bie që të ardhurat tona të shkonin gati 6 miliardë euro.

Pra mbi 2 miliardë euro do të fitojë Shqipëria dhe shqiptarët nga administrimi i ndershëm dhe i përgjegjshëm me profesionistë të ekonomisë.

Me 2 miliardë euro shtesë në vit dhe për katër vite 8 miliardë euro, çdo gjë bëhet në Shqipëri dhe do të bëhet se s’bën.

Këto miliarda euro nuk do të shkojnë më për inceneratorë, nuk do të shkojnë më për rrugë të florinjta me 5-fishin dhe me gjashtë-fishin e vlerës, nuk do të shkojnë më për arbitrazhe dhe shpenzime luksi.

Ky objektiv i rritjes së të ardhurave do të arrihet:

1.Ndërtimin e një sistemi fiskal gjithëpërfshirës dhe të drejtë për të siguruar që të gjithë paguajnë një barrë të drejtë tatimore sipas parimit që ai që fiton më shumë, paguan më shumë.

  1. Sistemi fiskal pa diferencime dhe pa përjashtime jo standarde do të lejojë funksionimin e tregut me rregulla dhe do të gjenerojë të ardhura suplementare.
  2. Një sistem fiskal me një numër sa më të vogël të taksave dhe të jetë i qëndrueshëm për të ulur kostot dhe rritur investimet e biznesit.
  3. Rivendosjen e taksimit të sheshtë dhe ulur shkallët tatimore me qëllim formalizimin e ekonomisë dhe të përmirësimit të administrimit fiskal.
  4. Ulja e informalitetit në ekonomi në të gjitha format dhe veçanërisht të punësimit do të jetë prioriteti ynë për të rritur të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të ardhurave personale.
  5. Përmirësim në menaxhimin e borxhit publik dhe uljen e kostos së shërbimit të tij.
  6. Rishikim ligjor të kontratave të Koncesioneve dhe PPP-ve, me auditim ndërkombëtar.
  7. Konfiskimin e aseteve të krijuara nëpërmjet veprimtarive korruptive e kriminale, si incerenatorët etj.

OLGARKIA/KONCESIONET/ANTIKORRUPSIONI

Ne do të thyjmë monopolet për të çliruar ekonominë, sipërmarrjen dhe tregun e lirë, për të rritur konkurrencën dhe thithur investimet e huaja.

Ne do t’i japim fund koncesioneve korruptive të inceneratorëve apo çdo kontrate tjetër që fut dorën në arkën e shtetit për ta përvetësuar në xhepin e vet.

Partia e Lirisë do të garantojë realisht hapjen e tregut kundër monopolizimit dhe oligopolizimit aktual të tij, për krijimin e një ekonomie konkurruese dhe mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimi me çmimet.

Do të konfiskojmë asetet e krijuara nëpërmjet veprimtarive korruptive dhe kriminale, si inceneratorët dhe të tjera si këto, e me këto para do të mbështesim financiarisht arsimin, punësimin e rinisë dhe familjet e reja.

PAGA E JETESËS

Ne synojmë të kemi një zhvillim ekonomik, që përkthehet në rritjet e pagave aktuale të shumicës së shqiptarëve, që janë paga mbijetese, sa për të mbajtur frymën gjallë, për t’i kthyer ato, në “paga të jetesës” që garanton mbulimin e kostove të jetesës dhe një mirëqënie të familjeve shqiptare.

Për një jetë cilësore dhe me dinjitet në vendin e tyre.

Ne do të miratojmë ligjin që e kemi depozituar në Kuvend që në fillim të shtatorit për indeksimin e pagave në raport me inflacionin dhe rritjen ekonomike, rritje e pagave që do të realizohet çdo vit dhe të gjithë qytetarët e vendit të përfitojnë nga rritja ekonomike e vendit.

TAKSIMI I PANDERSHËM

A ka taksim më të pandershëm mbi kapitalin njerëzor sesa taksimi që bën “Rilindja” mbi talentin, arsimin, energjinë dhe djersën e shqiptarve dhe profesionistëve më të kualifikuar për punë?

Sistemi i taksimit korruptiv të “Rilindjes” ka vendosur në mënyrë antikushtetuese Tatim Mbi Dividentin në masën 8%, ndërsa do taksojë profesionistët e rinj, të vetëpunësuarit, që janë shtylla kurrizore e shoqërisë dhe ekonomisë, me 23% të fitimit.

Në kushtet e krizës ekonomike aktuale ne propozojmë të ulim barrën fiskale për individët dhe bizneset, për të formalizuar ekonominë, për të ulur çmimet, për të stimuluar konsumin dhe prodhimin vendas.

Ne angazhohemi për një ADMINISTRATË PUBLIKE:

Me Profesionistë dhe jo Patronazhistë.

Kur flas për patronazhistët kjo nuk ka lidhje me të gjithë punonjësit që gëzojnë statusin në administratë pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake ose jo.

Ne synojmë meritokracinë në administratën publike si e vetmja garanci për suksesin e të gjitha reformave institucionale dhe qeverisëse.

Duhet të bëjmë çmos për të mbajtur dhe rekrutuar profesionistët e rinj me ambicie dhe vizion, për të ecur përpara me reformat institucionale dhe për të kapur kohën e humbur me integrimin europian.

Një prioritet i rëndësishëm për ne, është rikthimi i shërbimeve publike më të domosdoshme pranë qyteteve dhe bashkive, që po shkretohen me shpejtësi marramendëse, për shkak të heqjes së qëllimshme të këtyre shërbimeve nga “Rilindja”.

Kjo është edhe një nga arsyet kryesore të shpopullimit të shumicës së qyteteve dhe trevave tona, pasi largimi i detyruar i intelektualëve nga këto zona, si dhe largimi i shërbimeve, i ka bërë të pamundura këto shërbime për t’u përfituar nga qytetarët, për shkak të kostove shumë të larta të udhëtimit dhe burokracive.

Partia e Lirisë mbështet fuqishëm garantimin e votës për Diasporën, por njëkohësisht edhe angazhohemi fuqimisht që do të hapim dyert për profesionistët e diasporës shqiptare kudo ku ndodhen, që të vijnë të kontribuojnë dhe investojnë në Shqipëri dhe të jenë pjesë e qeverisjes së vendit.

ZONAT E LIRA EKONOMIKE

Për Partinë e Lirisë, një prioritet imediat është krijimi i Zonave të Lira Ekonomike në Shqipëri. Shqipëria duhet të kthehet në qendrën rajonale të industrisë prodhuese dhe manifakturës në Europë.

Prandaj ne propozojmë një sistem fiskal dhe doganor favorizues për krijimin e zonave të lira ekonomike dhe teknologjike, me potencialin për të thithur investitorë të huaj serioz dhe të fuqishëm.

Sot për shkak të mungesës së një strategjie dhe politikës industriale, ne po humbasim tregjet europiane, e ndërkohë që duhet të ishim liderë të Ballkanit në këtë aspekt.

Prej më shumë se një dekadë, Maqedonia e Veriut, është një shembull shumë i suksesshëm në këtë drejtim.

Janë ndërruar shumë qeveri në Maqedoninë e Veriut, por një gjë kurrë nuk është ndërruar në këto 15 vite, në vlerësimet e doing biznes për klimën e biznesit dhe të investimeve ka qënë gjithmonë nga vendi i shtatë ne botë deri në vend të pesëmbëdhjetë të shtatëmbëdhjetë. Ne kemi qënë para dy vitesh 84, nuk e di se ku kemi përfunduar tani, por nuk është rastësi, dhe pse në Maqedoninë e Veriut nuk ndërrohet Kushtetuta, nuk betohet asnjë gjykatës tek lana, nuk ndodhin marrëzira të tilla, nuk ndërrohen ligjet për ekonominë, për investimet sipas dëshirës,nuk bëhen paketat fiskale si vizatime kalamajsh, nuk kërcënohen investitorët me tatime speciale të jashtëzakonshme, ku i vetmi problem në këtë vend është korrupsioni i jashtëzakonshëm dhe marramendës i “Rilindjes”, përkundrazi qeveritë ndërrohen, por rregullat e lojës për sipërmarrjen për investitorët nuk ndërrohen.

Kjo është arsyeja që ata janë lider ne rajon për tërheqjen e investitorëve të huaj.

Në katalogun e “Invest in Macedonia”, ftesa që u bëhet investitorëve, është që ata të investojnë atje, sepse porti i Durrësit është vetëm 200 km larg. Ndërsa Shqipëria që e ka Portin e Durrësit, nuk ka asnjë Zonë të Lirë Ekonomike.

Këto pra janë shanse të humbura për Shqipërinë, vende pune të humbura, eksporte të humbura, zhvillim ekonomik i munguar, varfëri dhe dëshpërim që detyron të rinjtë shqiptarë të ikin nga vendi.

Partia e Lirisë ka propozime konkrete për përkujdesjen ndaj shtresave në nevojë.

Ne do të mbështesim familjet që gjenden sot në një vështirësi ekstreme ekonomike duke ngritur në nivel dinjitoz ndihmën ekonomike ndaj tyre, për të realizuar daljen e tyre nga varfëria.

Vetëm për shkak të “Rilindjes” dhe politikës së saj të pashpirt, shqiptarët janë gjetur të vetëm, e të pandihmuar përballë krizave të njëpasnjëshme, si ajo e pandemisë, kriza ekonomike, kriza energjetike, ndërkohë, që të gjitha vendet e rajonit, kanë dhënë mbështetje shumë serioze financiare qytetarëve të tyre.

Vetëm së fundmi, Qeveria e Kosovës për të zbutur efektet e inflacionit, po u jep nga 100 euro shtesë, në muaj, pensionistëve dhe studentëve.

Një kauzë madhore e Partisë së Lirisë mbetet mbështetja e gruas dhe familjes.

Ne do të mbështesim gratë kryefamiljare me politika sociale dhe do të fuqizojmë ekonomikisht gruan, përmes nxitjes së Start-Upeve nga vajzat dhe gratë, duke i stimuluar me grante dhe duke i riaftësuar për një treg pune më të kualifikuar dhe për paga më të larta.

Familjeve të reja do t’i sigurojmë strehim me kredi të buta, ndërkohë ne propozojmë rritje progresive të bonuseve për fëmijën e dytë dhe të tretë, si një politikë për të nxitur lindshmërinë.

Mbështetja e kësaj politike është jetike dhe shpëtimtare për të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë.

dashur delegatë dhe delegate të Konventës Kombëtare!

Programi ynë është shumë i gjerë dhe e kam të vështirë që të ndalem hollësisht apo gjerësisht në të gjitha prioritetet tona. Për më tepër që do t’u lë vendin edhe kolegëve tanë pak më vonë për çështje të caktuara.

Që të flas tani unë për çështjen e bujqësisë, kam folur kaq kohë për bujqësinë duke folur për shpopullimin dhe të gjithë e dimë situatën në të cilën është, por një gjë do t’u them të gjithë bujqëve, të gjithë sipërmarrësve në fushën e bujqësisë dhe të ushqimit në Shqipëri që ne do të marrim më të mirat e modelit maqedonas për të mbështetur bujqësinë, fermerët dhe blegtorinë në mënyrë që të mos na përgjysmohet blegtoria këtu vit pas viti siç jeni dëshmitarë të gjithë ju këtu që vini nga Kolonja, nga Përmeti, nga Skrapari dhe nga të gjitha trevat e Shqipërisë që merren me këtë aktivitet e që të na marri malli për qingja vendi.

80%te e qingjave Maqedonia e Veriut i eksporton në vendet e Bashkimit Europian.

Ka mbi tre herë më shumë eksporte se Shqipëria edhe pse është një vend mëi vogël sesa Shqipëria.

Pra është e mundshme, por kur ti ke prioritet shpopullimin e Shqipërisë sigurisht do t’i vësh kazmën bujqësisë dhe vete dhe i kërkon llogari pse nuk punojnë tokat, ndërkohë qëi ke larguar fëmijët e tyre nga vendi sepse nuk i ke mbështetur, dhe e bën këtë sepse tani u kujtove ti, të qan shpirti ty për tokat që kanë mbetur djerrë.

Qeveria synon që tani tokat e tyre për një copë bukë t’ja japin oligarkëve dhe klientëve të “Rilindjes”.

Por kjo nuk ka për të ndodhur, prandaj ne do të mbështesim modelin shumë të suksesshëm dhe të provuar të Maqedonisë së Veriut edhe në këtë drejtim dhe do të jemi shumë transparentë me çdo fermer, me çdo blegtor, me çdo sipërmarrës në këtë fushë kaq të rëndësishme dhe kaq jetike për ekonominë tonë, por edhe për kombin tonë, për identitetin tonë dhe për traditen tonë dhe për turizmin në të ardhmen.

Dy fjalë për reformën në drejtësi.

Kam folur shumë unë për këtë çështje.

E para, ne i qëndrojmë të palëkundur votimit historik në 22 korrik 2016 të ndryshimeve Kushtetuese.

Ne gjithashtu denoncojmë shndërrimin e asaj reforme nga e cila e prisnin shumë shqiptarët, në Ramaformë, në instrumentin kryesor të garantimit të pandëshkueshmërisë ndaj bandës së “Rilindjes” që në gjashtë vite të zbatimit të kësaj reforme e zbriti Shqipërinë 26 vende përsa i takon përkeqësimit të korrupsionit në Transparency International.

Dhe shikojeni kudo, shikoni dhe rezultatin më të fundit të World Justice Program tani para tre ditësh, që ku shkon Kosova, ecën dhe përmirësohet sepse përmirësohet demokracia, përmirësohet zbatimi i ligjit dhe shikoni sesi vazhdon pikiata e Shqipërisë.

Ndaj ne duke i qëndruar besnikë asaj reforme dhe pritshmërive të qytetarëve shqiptarë shumë të zhgënjyer garantojmë se me vullnetin e ri politik, ne do ta zbatojmë ashtu sikurse u vendos në Parlamentin e Shqipërisë që të ketë një drejtësi të pavarur, që të ketë një drejtësi llogaridhënëse dhe që drejtësia të mos jetë një bisht i “Rilindjes” që e dredh ajo sipas qejfit të saj. Drejtësia i takon popullit dhe askujt tjetër.

Për politikën e jashtme: Do të përmbushim çdo detyrim ndaj NATO-s me besnikëri të plotë, aq më tepër në këto kohë kaq sfidante.

Së dyti: Me Partinë e Lirisë ritmi i proçeseve integruese do të jetë marramendës siç ka qenë me Kryeministër Ilir Metën në vitet 2000-2001.

Së treti: Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara do përmbushet me të gjithë elementët e vet dhe me të gjithë partnerët e tjerë Europianë.

Së katërti: Shqipëria do të jetë faktori kryesor i stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe do të punojë ngushtësisht me të gjithë vendet e Rajonit, përfshirë edhe Serbinë pa asnjë paragjykim, për të ardhmen e përbashkët europiane dhe Shqipëria do të jetë një mbështetëse e parë e forcimit të shtetësisë së Kosovës, e forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare dhe njëkohësisht e marrëdhënieve më të mira, më miqësore dhe më të ndershme me të gjithë fqinjët tanë.

Të dashur qytetarë!

Përballë kemi një sfidë tepër të rëndësishme politike dhe elektorale, siç janë zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Është fakt që pluralizmi në pushtetin vendor nuk ekziston dhe kontrolli dhe llogaridhënia është zero.

Është fakt githashtu që abuzimi dhe korrupsioni me taksat e qytetarëve i ka kthyer bashkitë “Rilindase” në bordero patronazhistësh të cilat po i falimentojnë financiarisht e nuk afrojnë më as shërbimet më bazike për qytetarët.

Në këtë përballje nuk jemi të vetëm, por do të kemi me vete edhe të gjithë socialistët e ndershëm që shohin drejtorët e pangopur të “Rilindjes”, që mbushin xhepat e tyre dhe i kanë harruar socialistët e ndershëm që mezi kalojnë muajin me rrogat dhe pensionet e tyre.

Partia e Lirisë dhe Opozita e Bashkuar e di se ka përballë një regjim totalitar dhe monist që ka uzurpuar të gjitha pushtetet, përveç njërit – pushtetin e lirisë”.

Simboli i asgjesimit të pushtetit lokal, të korrupsionit dhe të shkatërrimit të qytetit për interesat e errëta, siç ishte dhe rasti i shembjes së paligjshme të Teatrit Kombëtar, mbetet Tirana dhe kryetari i Bashkisë së saj.

Tirana është kthyer në një kurth betoni dhe stresi, trafiku dhe humbje kohe pafund, ku korrupsioni vret shëndetin dhe jetën e fëmijëve, të moshuarve dhe të gjithë qytetarëve të Tiranës.

Treguesit e Tiranës janë katastrofikë dhe përkeqësohen dita ditës, që nga ndotja e mjedisit, asgjesimi i gjelbërimit, taksat shumë të larta, furnizimi me ujë të pijshëm, shërbimi shëndetësor, trafiku dhe parkingjet.

Prandaj, sot më shumë se kurrë Tirana ka nevojë për fitoren e opozitës dhe të programit të saj për shpëtimin e Tiranës dhe të gjitha bashkive të vendit, për vendosjen e një llogaridhënie rigoroze dhe për zbardhjen e të gjitha aferave shumë të rënda korruptive që janë bërë në kurriz të qytetarëve nga kryetarët e bashkive dhe Këshillat Bashkiake.

Fitorja e Opozitës është e vetmja mundësi që qytetarët të rimarrin në kontroll qytetet e tyre, të dëgjohen dhe imponojnë vullnetin e tyre në Bashkitë dhe Këshillat Bashkiake, drejtpërdrejtë, por edhe nëpërmjet referendumit.

Sot është emergjencë kombëtare që apatinë kolektive ta kthejmë në qytetari aktive.

Prandaj, me entuziazmin e kësaj salle ne jemi të sigurtë që dalim nga kjo Konventë më të fortë, më të motivuar, më të frymëzuar në misioni tonë historik!

Partia e Lirisë, ashtu siç e ka emrin, është dhe do të mbetet një derë e hapur për këdo, për të rinjtë, për profesionistët, për të moshuarit, për gratë dhe burrat, që të angazhohen si qytetarë të lirë, të kontribuojnë dhe punojnë për Shqipërinë që ëndërrojnë.

Partia e Lirisë do të mbetet një parti për të rinjtë, të cilët t’i realizojnë ëndrrat e tyre në Shqipërinë tonë të bekuar.

Ndaj unë jam i bindur se ne të gjithë së bashku në këtë Konventë të parë të Partisë së Lirisë kemi hedhur një hap shumë të rëndësishëm për triumfin e lirisë shumë shpejt.

Në të gjitha sheshet e Shqipërisë, në të gjitha institucionet e Shqipërisë dhe në të gjitha familjet e Shqipërisë, që të gjithë shqiptarët të ndihen të lirë, të barabartë dhe të bashkuar, në mënyrë që të gjithë shqiptatët njëherë e përgjithmonë të ndahen nga sëmundja më e rrezikshme që ka prekur ndonjëherë kombin tonë, nga sëmundja më e pabesë, nga sëmundja edhe më antishqiptare që është pikërisht “Rilindja”, sepse ne jemi pasardhes të Petro Nini Luarasit, të atyre Rilindasve të vërtetë që dhanë jetën për gjuhën shqipe.

Ndaj të gjithë së bashku nga kjo Konventë të nisemi drejt 12 nëntorit, ditës së protestës kombëtare që na pret.

Per t’i treguar të gjithë Shqiperisë e gjithë botës se ne jemi një popull shqiponjash dhe nuk ka sorrë “Rilindjeje” që i tremb shqiptarët.

Të gjithë së bashku të nisemi drejt 14 majit, ditës së triumfit, të pluralizmit mbi monizmin, të lirisë mbi tiraninë, të zërit dhe të fuqisë së qytetarëve ndaj arrogancës e cila keqtrajtoi jo vetëm qytetarët e Tiranës, por të gjithë qytetarët e Bashkive dhe të qyteteve të Shqipërisë për katër vite me rradhë.

100% pushtet “rilindas” në katër vite në Shqipëri, asnjë këshilltar opozitar që nuk e gjen dot as në vendin më të fundit të Afrikës nuk e gjeni dot këtë pushtet absolut.

Çfarë solli?

Arrogancë absolute, arbitraritet absolut, korrupsion absolut, shpërngulje absolute, ndaj erdhi ora për t’i dhënë ndëshkimin e merituar dhe jam shumë i kënaqur që jemi tashmë të angazhuar të gjithë edhe me Partinë Demokratike si partia kryesore e Opozitës për ta bërë Referendumin një realitet dhe për t’i dhënë mundësinë dhe fuqinë të gjithë qytetarëve të Shqipërisë që njëherë e përgjithmonë të jenë ata zotër të këtij vendi dhe kurrë pushteti i radhës.

Referendumi ka qënë angazhimi kryesor i Partisë së Lirisë nga 25 korriku dhe do të vazhdojë të jetë kryesori dhe për realizimin e tij ne do të bëjmë çdo sakrificë në mënyrë që t’i kthejmë fuqinë popullit dhe Shqipërisë.

 

Rroftë Liria!

Rroftë Shqipëria Europiane!