14 Sep Fjala në Kuvend e deputetit të LSI-së për Qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo
Të nderuar kolegë!
Dëshiroj që t’ju uroj të gjithëve suksese në punën tuaj, duke shpresuar që kjo legjislaturë e VIII të jetë një shembull i jashtëzakonshëm i parlamentarizmit dhe të punojë me përkushtim për t’i përfaqësuar sa më mirë qytetarët shqiptarë, të cilët na dhanë besimin e tyre për të punuar në të mirën e vendit. Kjo legjislaturë e re ka edhe shumë kolegë të rinj, ndaj jam i bindur që ndërthurja midis eksperiencës së mençur, të ofruar nga kolegët më me përvojë, dhe energjia dhe filozofia e re që i shtohet këtij parlamenti, është një aset i vyer për mbarëvajtjen e jetës parlamentare dhe politikës në tërësi, në shërbim të bashkëqytetarëve tanë.
Të nderuar kolegë, sot sytë e shqiptarëve janë fokusuar tek ky prezantim mbi programin qeverisës 2013-2017, pasi secili prej tyre shpreson të shikojë një ndryshim të vërtetë, i cili do të përmirësoje jetën e tyre jo vetëm në katër vitet e ardhshme, por do të hedhë themelet për një ndryshim që do të shtrihet edhe në dekadat që do të vijnë. Ky program qeverisës është një program i guximshëm, por edhe inovativ. Është i guximshëm pasi ka pas vetes guximin e 1 milion shqiptarëve të cilët ndryshuan për ndryshimin dhe një kapitull të ri për vendin. Është inovativ në shumë drejtime, dhe ka si mision të tij integrimin e vendit në familjen evropiane. Ky program përmban një filozofi evropiane dhe është i bazuar mbi vlera dhe parime të civilizimit modern evropian, por gjithashtu hartimi i tij ka pasur si qëllim korrigjimin e gabimeve të bëra me qeverisjen e dy dekadave të fundit, nevojat imediate të shqiptarëve, zgjidhjet e problematikave madhore por edhe specifike për mirëqeverisjen e vendit si dhe në stimulin e shoqërisë tonë për tu përshtatur me ritmet e kohës dhe dinamikën globale.
Shqiptarët votuan bindshëm për “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, ndaj kjo aleancë ka bazuar programin e saj qeverisës mbi vlera evropiane të demokracisë dhe administrimit sa më të mirë të pushtetit. Në këtë program është shpalosur një model i ri ekonomik, prioritete mbi një arsim modern, promovim i një turizmi bashkëkohor, krijimi i një shteti me një raport të përpiktë me drejtësinë, dhe një rend që garanton sigurinë e çdo qytetari shqiptarë. Ky program ka në thelb të tij integrimin e vendit duke synuar që t’i japë fund tranzicionit të tejzgjatur, duke iu ofruar të rinjve shqiptarë mundësinë për një jetë ndryshe, duke iu treguar të moshuarve dhe kategorive në nevojë fytyrën e një shteti sociale që tregon përkujdesje dhe solidaritet për nënshtetasit e vet. Ky program dhe qeveria që do e vërë atë në zbatim, nuk do të përdorë më termin ish-pronarë, pasi shqiptarët do të jenë të gjithë pronarë të ligjshëm të pronave të ligjshme. Do t’i jepet mbështetja e duhur bujqësisë dhe do të punohet për një përmirësim të ndjeshëm të mjedisit, duke siguruar standarde më të mira për jetesën e qytetarëve shqiptarë dhe mbrojtjen e pasurive kombëtare dhe natyrore të vendit. Shumë qeveri kanë shkelur mbi besimin e njerëzve të thjeshtë, duke dhunuar raportin demokratik midis qeverisë dhe shoqërisë.
Më 23 qershor ishin 1 milion shqiptarë ata të cilët hodhën hapin e parë në ngritjen e besimit ndaj një mazhorance të re politike, ndaj ne sot kemi detyrimin dhe privilegjin të bëjmë të mundur që të rikthehet besimi i njerëzve të thjeshtë tek Parlamenti dhe qeveria, duke e parë këtë të fundit si administratorja, si mbrojtësja, siguruesja, partnerja dhe jo armikja apo sunduesja e njerëzve të thjeshtë dhe ndrydhësja e ëndrrave dhe aspiratave evropiane. Ky program është një kontratë sociale dhe të një qeverisjeje bazuar mbi votën e lirë dhe dëshirën e paepur të shqiptarëve për t’u integruar në familjen e madhe evropiane. Kjo kontratë politike premton luftë reale ndaj korrupsionit, mbështetje për biznesin e vogël, të mesëm apo të madh, një zhvillim urban dhe rural që i përngjasin vendeve fqinje, një përmirësim të ndjeshëm të rrugëve, të cilësisë dhe sigurisë së transportit publik dhe shumë aspekte të tjera të jetës në vend. Një nga pikat e këtij programi është edhe kujdesi shëndetësor. Duke vlerësuar punën e bërë deri më tani në këtë sektor dhe duke shprehur mirënjohjen time personale për të gjithë bluzat e bardha, të cilët pavarësisht nga qeveritë e ndryshme, pavarësisht nga rotacionet kanë punuar me një përkushtim të pashoq duke dëshmuar se janë “heronjtë” e vërtetë të këtij vendi. Por, sistemi dhe infrastruktura shëndetësore në vend lë akoma shumë për të dëshiruar.
Kjo mazhorancë është e dedikuar tërësisht për të përforcuar besimin e qytetarëve tek shërbimi shëndetësor duke krijuar kushtet e nevojshme që mjekët tanë profesionistë të shërbejnë me cilësi. Ne e konsiderojmë përkujdesjen shëndetësore si një pasuri publike, e cila i rrit vlerat një shoqërie. Shëndeti është i rëndësishëm për mirëqenien e individit dhe shoqërisë si dhe një pasuri ekonomike dhe kontribuuesi kryesor për begatinë e një vendi. Shëndetësia duhet të jetë në qendër të çdo politike. Kjo mazhorancë do të punojë për një standard modern shëndetësor, i cili bazohet mbi politikat bashkëkohore dhe moderne duke garantuar një shërbim shëndetësor për të gjithë popullsinë, i cili në qendër ka qytetarin; aplikimin e barazisë për të gjitha shtresat shoqërore; përmirësim mbi sigurinë shëndetësore të qytetarit; fokusim në segmentet në nevojë të popullsisë; modernizimin e shërbimit shëndetësor; modernizimin e pajisjeve mjekësore; kualifikimin dhe rritjen e kapaciteteve e njerëzore; rritjen e investimeve; përmirësimin e skemës së financimit; uljen e çmimit të barnave në Shqipëri; sigurimin e pajisjeve diagnostikuese dhe mjekuese në të gjithë vendin; uljen e mëtejshme të vdekshmërisë foshnjore; përqendrim në punën e shëndetit publik, reformimin e shëndetit parësor; sigurimin e barnave të sigurta dhe furnizimin me to në të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore të vendit; vaksinimin me përqindje të lartë; promovimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës; forcimin e rolit të mjekut të familjes; zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me shëndetësinë jo publike si komplementare në përmbushjen e qëllimit të kujdesit shëndetësor; forcimi i bashkëpunimit dhe komunikimin me autoritetet vendore; puna me devotshmëri për të arritur dhe bashkëngjitur politikave të Bashkimit Evropian dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë me përmbushj
en e objektivave evropiane dhe ato botërore të 2020.
Asnjë qeveri apo program qeverisës nuk ka dështuar nëse ka pasur si mision qytetarin. Ky program është i bazuar mbi nevojat dhe prioritetet e qytetarëve shqiptarë por edhe mbi ëndrrën e tyre për t’u integruar sa më shpejt mbi familjen evropiane, familje së cilës shqiptarët i përkasin natyrshëm dhe me të drejta të plota, gjeografike, historike dhe mbi bazën e vlerave njerëzore. Ky është një kapitull i ri për historinë e këtij vendi, një rikthim i shpresës për të gjithë shqiptarët si brenda ashtu edhe jashtë vendit, të cilët prej dy dekadash kanë pritur të shohin një Shqipëri moderne dhe të zhvilluar. I uroj suksese qeverisë së re cila do t’i përkushtohet këtij programi ambicioz por të suksesshëm dhe këtij parlamenti që do të shërbejë si zëri dhe vullneti i një populli i cili meriton një të ardhme më të mirë.