14 Feb Fjala e mbajtur sot në Kuvend nga deputeti i LSI-së
Fjala e mbajtur sot në Kuvend nga deputeti i LSI-së z.Dritan Prifti Prifti: Unë nuk e kuptoj se ku është baza e mburrjes së kësaj qeverie sepse këta as detyrën nuk e kanë bërë
Detyrohem që në fillim t’ju kujtoj kolegëve deputetë por edhe mediave që na ndjekin që 100% e fjalës së Kryeministrit Berisha dhe 80% e fjalës së Ministrit të Financave Bode ishte jashtë temës së diskutimit. Gjatë gjithë kësaj kohe u fol këtu për buxhetin u fol për investime u fol për çmimin e energjisë elektrike për pensione dhe për çfarë nuk u fol përveçse nuk u fol për ato projektligje që janë pjesë e asaj që quhet paketa fiskale.
Personalisht shpreh bindjen se nuk kanë pse duhet të fryhet kaq shumë ky moment pse duhet të krenohen kaq shumë kryeministri dhe ministri i Financës. Flitet se ka një tejkalim të të ardhurave me një vit më parë dhe flitet me shifra të ndryshme kryeministri thotë 350 milion euro ndërsa Ministri i Financave Ridvan Bode thotë rreth 50 milion ndërsa punonjësit e doganave flasin për shifra krejtësisht të ndryshme me këto të sipërpërmendurat. Doja të vija në vëmendjen e deputetëve vetëm një fakt nuk janë realizuar të ardhurat as 1 % më shumë sesa plani nuk janë realizuar të ardhurat 101% pra janë më pak se sa 100% realizimi i të ardhurave nga kjo qeveri. Unë nuk e kuptoj se ku është baza e kësaj mburrjeje sepse këta as detyrën nuk e kanë bërë kanë për detyrë të realizojnë planin 100%. Nuk kanë për detyrë të krahasohen me qeveritë e mëparshme për të cilat ne kemi folur për problemet dhe të metat e tyre. Këta kanë për detyrë që përpara atyre që i kanë votuar por edhe para kolegëve deputetë të thonë e kanë realizuar apo jo planin. Nuk kanë bërë as 1% më shumë sesa plani. Kanë bërë më shumë sesa nga qeveria e mëparshme sigurisht por kanë bërë vetëm detyrën për atë që janë zgjedhur dhe paguhen.
Z. Kryeministër foli pak më parë për investimet që janë bërë në zonën tonë elektorale. Lëvizja Socialiste për Integrim ka vetëm një deputet të zgjedhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë që është Z.Ilir Meta. Po ju them ju të dashur kolegë që një rrugë që lidh Skraparin dhe Beratin kishte filluar tenderi për t’u bërë dhe vetëm një ditë pas mitingut që bëri opozita në qendër të Tiranës ai tender u anullua. Pra kur flasim për investime në zonat elektorale ju lutem shumë të jemi konkrektë dhe transparentë. Foli kryeministri për çmimin e energjisë elektrike që është ulur me 30-40%. Unë flas me një një ndërgjegjie të pastër dhe me një përgjegjësi dhe theksoj se çmimi i energjisë elektrike për familjet e varfëra është rritur 55% ata që konsumojnë nga 0 deri në 200 Kë/h në muaj. Nuk kemi pse të mburremi për këtë fakt. Flitet për investime të gjithanshme gjithandej dhe të na thotë ministri respektiv a janë realizuar investimet deri tani më shumë se 50% pra nuk janë realizuar as ato për të cilat ju paguheni. Para se të vija në këtë foltore të nderuar me kontaktuan nga zona ime elektorale dhe më vunë në dijeni për rritjen e pensionit vetëm me 300 lekë në muaj. Pra për çfarë rritjesh bëhet fjalë përçfarë duhet të mburreni? Keni dorëzuar pesë projektligje pjesë e asaj që ju e quani paketë të re fiskale një pjesë e tyre është vazhdimësia e reformave të mëparshme. Ulen tarifat doganore sepse ne kemi disa angazhime me Organizatën Botrore të Tregëtisë por edhe nga MSA-ja. Keni sjellë një projekt-ligj për rritjen e akcizave për kafen alkolin dhe cigaret. Kam mendimin se do ishte më mirë të konsolidohej mbledhja e taksave për mallrat me akcizë pavarësisht se ka vend për tu vlerësuar për shkak të rritjes së ndjeshme të mallrave të zhdoganuara por përsëri nuk ka arritur në një stabilitet dhe të kërkojmë menjëherë rritjen e akcizave. Unë mendoj se kjo rritje do të sjellë probleme mbase do të stimulojë kontrabandën sepse ka një diferencë të ndjeshme në mes të akcizës që duhet të paguhet për duhanin në Shqipëri dhe në Malin e Zi. Dhe ju e dini shumë mirë se kontrabanda më e madhe e cigareve në Shqipëri bëhet me Malin e Zi. Përsëri akcizat që do të jenë në fuqi pas kësaj rritje do të favorizojnë këtë lloj kontrabande.
Dua të përshëndes faktin që është kërkuar një ulje për kontributin e sigurimeve shoqërore për punëdhënësin dhe shpresoj që kjo masë të përkthehet në efekte pozitive në rritjen e punësimit. Në kontaktet që kemi pasur me biznesin e vogël dhe të mesëm kemi konstatuar se në këtë lloj biznesi ka frikë sepse ka shumë raste të ushtrimit të dhunës së administratës fiskale mbi këto biznese. Une kam frikë se elementi i frikës dhe i dhunës fiskale mbi këto biznese pra elementi negativ do të jetë më i lartë nga elementi pozitiv që do të vijë nga ulja e tarifës së sigurimeve shoqërore. Është folur shumë dhe ka teori të ndryshme për reformat fiskale dhe të gjitha këto teori arrin në konkluzionin që ndonjëherë është më e rëndësishme administrimi fiskal sesa vetë reforma ligjore fiskale. Mbetet për t’u parë nëse këto ulje taksash do të kenë apo nuk do të kenë efektet e pritura në buxhetin e shtetit. Në mënyrën sesi po qeveriset unë nuk jam shumë optimist.
0x323030362d30372d3231 FJALIME 13:16)