14 Feb Fjala e mbajtur në Kuvend nga Kryetari i LSI-së z.Ilir Meta për zgjidhjen e situatës së bllokuar të zgjedhjeve
” Fjala e mbajtur në Kuvend nga Kryetari i LSI-së z.Ilir Meta për zgjidhjen e situatës së bllokuar të zgjedhjeve Më vjen keq që në përgjithësi duket sikur ne jemi përsëri në Korrik apo në Gusht dhe harrojmë se jemi në një pikë kritike ku të gjithë i kanë sytë te ky parlament nëse ai do të jetë i aftë t'u garantojë qetësinë dhe sigurinë për të ardhmen dhe që të paktën të mos u prishë edhe atmosferën e festave të fundvitit. Njëkohësisht jam i bindur se sytë tek ky parlament dhe tek këto forca politike i kanë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët e gjykojnë përparimin e mëtejshëm si në Bashkimin Europian ashtu edhe në NATO nëpërmjet stabilitetit dhe standarteve që do të mund të arrijë vendi edhe nëpërmjet këtyre zgjedhjeve. Do të ishte gjëja më e lehtë që secila palë të mbronte me stoicizëm qëndrimet e deritanishme që do të thotë se nuk mund të ketë asnjë zgjidhje dhe është gjëja më e lehtë që t'i bëjmë gjyqin njëri-tjetrit. Dhe kështu anëtarët simpatizantët dhe militantët e secilës palë do të na vlerësojnë në kuadrin e ngushtë partiak por zgjedhjet nuk janë tonat dhe ne këtë duhet ta kuptojmë një herë e mire. Zgjedhjet nuk janë as thjesht të anëtarëve dhe militantëve tanë të cilët të gjithë së bashku janë në pakicë në raport me qytetarët e Shqipërisë në raport me interesat e vendit. Duhet të ngrihemi mbi këto interesa të ngushta dhe me vullnet të mirë dhe me përgjegjësi të plotë të gjejmë pa humbur më kohë zgjidhjen e cila do të na çojë drejt një procesi i cili do të ndihmojë forcimin e stabilitetit dhe do të avancojë më tej axhendën tonë euro-atlantike. Ne nuk jemi këtu për të bërë tërheqje litari për datën 20 Janar ne duhet të shprehim të gjithë vullnetin për të garantuar ato standarte të cilat i ka përcaktuar mjaft qartë raporti i OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet e kaluara. Në rast se kemi vullnetin për të plotësuar ato standarte që i dimë të gjithë shumë mirë dhe që janë minimale për të garantuar ndershmërinë e këtij procesi atëherë unë jam i bindur se ne zgjidhjen e gjejmë shumë shpejt. Në rast ne mund të bindemi si opozitë që ato standarte që kanë të bëjnë me saktësimin e listave që kanë të bëjnë me sigurinë e dokumentave të identifikimit dhe njëkohësisht paketa e domosdoshme ligjore të gjitha së bashku mund të realizohen më 20 Janar s'ka asnjë problem që zgjedhjet t'i bëjmë më 20 Janar në rast se realizohen më 31 Dhjetor le të bëhën edhe më 31 dhjetor por qëndrimi me kokëfortësi i secilit tek një date e caktuar për të pranuar ose për të mos e kundërshtuar mendoj se shpreh mungesën e vullnetit për të dhënë një zgjidhje. Ndaj ne duhet ta gjejmë këtë zgjidhje pa u vonuar pa e përhapur më tej krizën dhe pasojat e mundshme të saj sepse unë besoj që jemi ende në kohë në rast se nuk do të vazhdojmë me debate të pakuptimta. Ngrihet me të drejtë nga ana e mazhorancës aktuale problemi i ruajtjes së afateve kushtetuese dhe kjo është parimore dhe unë nuk jam për të shkelur kushtetutën dhe për ta kthyer përjashtimin në rregull. Por njëkohësisht ne të gjithë e dimë se afati i fundit kushtetues është 20 Shkurti nuk është 20 Janari. Presidenti me të drejtë firmosi 20 Janarin sepse ai ishte afati i fundit ligjor jo kushtetues i parashikuar në atë kod të cilin jemi të gjithë të disponuar edhe sipas amendamenteve që janë paraqitur nga të dy palët për ta ndryshuar. Atëherë me një ndryshim që bëhet në kohë ne krijojmë hapësirën për të lëvizur tre apo katër javë të tjera që janë të domosdoshme për t'i zhvilluar zgjedhjet dhe për t'i garantuar standartet në mënyrën më optimale të mundshme. Unë jam i bindur që Presidenti për shkak të përgjegjësisë së detyrës që ka mund të bashkëpunonte me ne pa e shkelur Kushtetutën në rast se ne me koncensusin tonë do t'ia jepnim këtë mundësi nëpërmjet ndryshimeve që do të bënim në kohë. Besoj se i kemi të gjitha mundësitë në rast se egziston vullneti i mirë që ti zgjidhim këto çështje dhe që të mos shkojmë më tej drejt një krize që mund të thellohet. Nuk është vendi për të kujtuar përvojat e të kaluarës nuk është as momenti për tu mburrur me standartet e zgjedhjeve të shëmtuara të 3 Korrikut për tu mburrur me Mega-Dushkun e 3 Korrikut për tu mburrur me listat e 3 Korrikut për tu mburrur me çertifikatat e 3 Korrikut. Unë drejtoj një forcë politike e cila i ka denoncuar çertifikatat si të fallsifikueshme dhe të manipulueshme edhe para 3 Korrikut kur kanë qeverisur të majtët dhe nuk mundet që në këtë moment ne të themi që me ato standarte dhe me ato lista do bëjmë zgjedhje tani që kemi firmosur Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit tani kur të gjithë presin një stad më të lartë edhe të zgjedhjeve edhe të politikës edhe të stabilitetit edhe të të gjithë reformave.
Ndaj të nderuar kolegë deputetë unë dua të shpreh disponibilitetin tim të Lëvizjes Socialiste për Integrim sikurse e përmendi dhe z. Majko edhe gjithë forcat e tjera të opozitës një zgjidhje sa më të shpejtë kësaj situate që nuk nderon asnjërin prej nesh. Ne i kemi mundësitë për këtë gjë mjafton vetëm vullneti i mirë. Zgjidhja më e mirë do të ishte të mbyllnim kamerat dhe të rrinim këtu apo kudo tjetër dhe të gjenim ato zgjidhje që do t'i ndihmonin shqiptarët të jenë më të qetë dhe më të sigurtë për ditët që do të vijnë sepse zgjedhjet nuk janë tonat zgjedhjet janë të shqiptarëve janë të Shqipërisë. Unë kam shpresë sikurse e përmendi edhe z.Rusmajli sepse besoj që Partia Demokratike si partia e parë Demokratike në Shqipëri jo thjesht për shkak të emrit si themeluese e pluralizmit politik në Shqipëri ka meritat e saj dhe që ka përgjegjësitë e saj si çdo forcë politike nuk do të pranonte që të na kthente modelin e viteve para '90 të zgjedhjeve në vendin tonë. Se e besoj këtë gjë jam sot para jush dhe do
t'ju ftoja që të gjithëve të zgjidhim njëherë e mirë çështjen e zgjedhjeve dhe të merremi pas kësaj jo thjesht me rezultatin e tyre se ky nuk është i rëndësishëm po të merremi me ato reforma të cilat e afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe e afrojnë me NATO. Në rast se nuk e zgjidhim çështjen e zgjedhjeve atëherë do të penalizonim vendin dhe ky vend nuk është vetëm i yni por është i gjithë atyre që i kanë sytë sot te ky parlament.
0x323030362d31322d3139 FJALIME 15:55)”