13 Feb Fjala e Liderit të LSI
Fjala e Liderit të LSI z.Ilir Meta në Kuvendin e Shqipërisë Meta: Qeveria të ndërhyjë menjëherë për të zgjidhur krizën e rëndë në të cilën ndodhet vendi
—
Dua të dënoj gjuhën e dhunës që u përdor ndaj shkollës Marubi dhe ndaj asaj pune të jashtëzakonshme që ka bërë regjisori i njohur Kujtim Çashku dhe mendoj që kjo gjuhë tregon edhe një herë tjetër se kjo është Qeveria e një arrogance që nuk njeh limite dhe është një Qeveri që vetëm për integrimin nuk mund të krenohet.
Së dyti dua të shpreh shqetësimin e thellë për krizën e thellë ekonomike që po përjeton vendi ynë e në përgjithësi bizneset shqiptare sidomos ato biznese të cilat kanë të bëjnë edhe me numrin më të madh të të punësuarve dhe këtu e kam fjalën për ndërmarrjet e prodhimit të veshjeve konfeksioneve të ndryshme me qëllim eksporti. Sot rrezikohet falimentimi i një sërë biznesesh si dhe dalja nga tregu i punës drejt ushtrisë së të papunëve të dhjetëra mijëra qytetarëve e sidomos të vajzave grave dhe nënave që janë të punësuara. Kjo ndodh për arsye se Qeveria ndërkohë që synon në mënyrë shpesh herë edhe arbitrare të mbledhë të gjitha detyrimet e tyre fiskale dhe i kërkon sa më shpejt. Po kështu është një situatë shumë e vështirë financiare sepse Qeveria nuk realizon sipas detyrimit ligjor rimbursimin e TVSH e cila shtyhet gjithnjë për në kalendat greke. Dhe në këtë situatë krize padyshim që rrezikojmë që të shohim me dhjetëra mijëra shqiptarë e sidomos shqiptare që punojnë në këtë sektor i cili ka mbajtur një peshë të madhe të punësimit deri tani.
Ndaj Qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë. Ata kanë bërë dhe disa kërkesa publike. Duhet të dialogojë me ta. Duhet të shikojë të gjitha mundësitë dhe lehtësirat fiskale që mund ta shpëtojnë këtë industri dhe këtë rrjet biznesesh që punësojnë me dhjetëra mijëra qytetarë nga falimentimi. Përndryshe situata do të bëhet edhe më e rëndë dhe nga pikëpamja ekonomike por sidomos nga ajo sociale. Dhe do të ishte e domosdoshme që këtu në Kuvend të diskutohej sa më shpejt me Kryeministrin dhe ministrin e Financave një vlerësim real i gjendjes ekonomike në vend dhe njëkohësisht i masave dhe angazhimeve që merr Qeveria aktuale për të përballuar këtë krizë nga e cila po preken çdo ditë e më shumë pothuajse të gjitha familjet shqiptare.
Shpresoj të ketë një reflektim nga ana e kryeministrit Berisha megjithëse nuk besoj se do të ketë një reflektim të tillë pasi tashmë është mëse e qartë se rritja ekonomike jo vetëm nuk është dyshifrore por edhe ajo pak rritje ekonomike nuk administrohet në atë mënyrë që të ndihmojë shtresat më të varfëra dhe më të nevojshme të shoqërisë që të përballojnë këtë varfëri akute ku po bie e gjithë shoqëria jonë.
0x323030392d30332d3139 FJALIME