Fjala e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në mbledhjen e Kryesisë së LSI-së

Fjala e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në mbledhjen e Kryesisë së LSI-së

kryesia07012013

Përshëndetje të gjithëve! Është kënaqësi që të zhvillojmë sot mbledhjen e parë të Kryesisë së re të zgjedhur pas konventës pikërisht në këtë fillim të vitit të ri 2013. Me këtë rast dua të shpreh besimin tim se kjo Kryesi e zgjedhur nga konventa e fundit e LSI-së, e cili ishte një demonstrim kuptimplotë dhe mjaft shpresëdhënës për një politikë më të mbarë, me konstruktive dhe më alternative për vendin, do të jetë në nivelin e përgjegjësive që vendosi kjo konventë për të ardhmen e kësaj force politike dhe ajo çfarë është më e rëndësishme për perspektivën e të gjithë zhvillimeve politike dhe demokratike në vend.

Ndaj me këtë rast, duke iu uruar të gjithëve ju dhe përmes jush të gjithë anëtarë dhe simpatizantët tanë por edhe të gjithë qytetarët tanë dua të shpreh, besoj edhe në emrin tuaj dhe të gjithë anëtarësisë sonë, angazhimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për t’i shërbyer stabilitetit të vendit, për t’i shërbyer forcimit të institucioneve dhe reformimit të mëtejshëm të tyre, për t’i shërbyer integrimin europian si mundësia e vetme dhe e padiskutueshme për të garantuar prosperitet për të gjithë shqiptarët. Në këtë kontekst dua të nënvizoj vendosmërinë tonë për të mos u bërë palë me askënd dhe kundër kurrkujt të çdo lloj konflikti absurd dhe politik, por për të qenë gjithmonë një alternativë me kërkesa më të larta ndaj vetes dhe njëkohësisht me kërkesa më të larta për perspektivën e vendit dhe të mbarë qytetarëve tanë. Ne do të jemi të angazhuar për të rritur standardet e komunikimit publik dhe politik dhe për ta orientuar politikën drejt zgjidhjes së problemeve dhe jo drejt krijimit të problemeve të reja apo riaktivizimit të plagëve të vjetra të politikës shqiptare.

Sepse vetëm përmes politikës së bashkëpunimit, frymës së bashkëpunimit shoqëria jonë do të ecë përpara dhe politika shqiptare do ti përgjigjet kërkesave të shoqërisë sonë. Politika mbetet deficitare në raport me kërkesat e opinionit publik, me pretendimet e tij dhe mendoj që ky hendek mund të kapërcehet vetëm përmes urave të bashkëpunimit dhe jo të mureve të ndarjes dhe të konfliktit absurd. Duke qenë dhe mbledhja e parë e kryesisë së re të Lëvizjes Socialiste për Integrim, unë do të uroja të gjithë ato që janë zgjedhur, por në mënyrë të veçantë do të uroja anëtarët dhe anëtaret më të reja të kryesisë. Është një kryesi me një moshë mesatare jashtëzakonisht të re dhe premtuese, aq sa po të kishim në konsideratë dhe moshën reale të z. Braho, do të ishte kryesia më e re në botë.

Ndaj është detyra jonë si lidershipi i ri i LSI ti përgjigjemi gjithë atij entuziazmi pozitiv që solli Konventa e LSI dhe të punojmë për objektivat e kësaj konvente. Natyrisht që ky është një vit elektoral. Është një vit që tashmë dihet data e zgjedhjeve që është 23 qershori dhe në këtë kuadër unë dua të shpreh vendosmërinë e LSI për të mos u mbërthyer nga ethet elektorale në mënyrë të parakohshme. Përkundrazi. Unë besoj se në rast se politika shqiptare do të gjejë forcë dhe kurajë, që duhet ta gjejë patjetër për hir të vendit dhe respektit që duhet të tregojë ndaj aspiratës së gjithë qytetarëve për integrimin evropian. Për këtë arsye, duhet të miratohen dy ligjet dhe rregullorja që një frymë bashkëpunimi të rivendoset për çështje të rëndësishme, dhe që të bëhet një përpjekje për të fituar statusin e vendit kandidat brenda pranverës. Pra, përpara se të fillojë gara elektorale sepse përndryshe çështja e statusit mund të shtyhet në një mënyrë jo të drejtë dhe do të ishte një vonesë historike dhe e pafalshme për të gjithë ne.

Ndaj e gjej këtë mundësi në këtë takim të parë publik për të apeluar edhe ndaj të gjithë forcave të tjera politike parlamentare, veçanërisht ndaj dy forcave kryesore aktuale në Parlament, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të bërë gjithçka që mundet për të maksimalizuar të gjitha energjitë pozitive që kanë për t’i dhënë mundësi vendit të ketë statusin e vendit kandidat përpara këtyre zgjedhjeve. Ne do të bëjmë gjithçka që mundet nga ana jonë por duhet që edhe secili të marrë përgjegjësitë e tij sepse është koha për të marrë përgjegjësi dhe është koha për të mundësuar që vendi të bëjë një hap të madh përpara sepse e ka merituar prej kohësh shoqëria jonë dhe shqiptarët tanë.