Denoncim i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, z.Tedi Blushi

Denoncim i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, z.Tedi Blushi

Partia e Lirisë denoncon procedurën korruptive të shpallur nga Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare lidhur me zhvillimin e projektit të Hidrocentralit të Skavicës.

Sipas kësaj procedure, kopje në miniaturë me procedurën e ndjekur edhe me aferën e inceneratorëve, synohet caktimi i një konsulenti financiaro-ligjor, që do të përcaktojë se kush do të jetë vlera e ndërtimit të HEC Skavicës, si dhe cila do të jetë forma e financimit.

Për shkak se kjo shpallje e KESH nuk fakton gjë tjetër veç dështimit të financimit nga një instititucion ndërkombëtar, siç ishte përcaktuar në ligjin e posaçëm “Bechtel”, Partia e Lirisë i bën thirrje SPAK dhe institucioneve të drejtësisë të nisin menjëherë hetimet se çfarë fshihet pas kërkesës për “Shërbimin e Këshillimit Financiar për financimin e projektit për ndërtimin e HEC SKAVICA”.

Çfarë nevojitet një shoqëri me “përvojë të përshtatshme” financiare-juridike dhe cilës detyrë do duhet t’i japë zgjidhje?

Nëse sipas përshkrimit të qëllimit kryesor të projektit të ndërtimit të HEC SKAVICA, që është rregullimi prurjeve të ujit në rrjedhën e sipërme të HEC-ve ekzistuese dhe nuk ka fokus maksimizimin e prodhimit të energjisë, atëherë si mund të vijojë kjo detyrë projektimi me kosto marramendëse për idenë se duam të shmangim përmbytjet?

Si i përgjigjen tre alternativat teknike që ka përgatitur Bechtel, detyrës kryesore që i paska caktuar KESH dhe Qeveria, atë të shmangies së përmbytjeve nëpërmjet rregullimit të prurjeve, ndërkohë që kontraktori projektues BECHTEL do të gjente dhe institucione financiare për ndërtimin.

Dyshimet e arsyeshme janë se në fakt tre alternativat që ka dorëzuar BECHTEL, për Qeverinë nuk përmbushin dëshirën e “planit të madh” ndaj për këtë arsye po sajohet nevoja për një këshilltar financiar që të propozojë vlerën e synuar.

Pasi nuk gjetën dot një institucion financiar ndërkombëtar që të ndërtonte HEC SKAVICËN, tani Edi Rama dhe KESH po tentojnë të miratojnë variantin e vetëfinancimit apo një PPP-je të re, me kosto shumë të rënda për Buxhetin e Shtetit.

Është koha që drejtësia të reagojë sa më parë lidhur me këtë aferë dhe të mos mbyllë sytë para këtyre procedurave korruptive që nuk synojnë gjë tjetër veç zhvatjes së taksave të shqiptarëve, që në fakt është edhe qëllimi i vetëm i “Rilindjes” dhe Edi Ramës.