Delegacioni i VVD Hollandeze viziton LSI

Delegacioni i VVD Hollandeze viziton LSI

panaritigjoniverheijen LSI

Një delegacion i Partisë Liberale për Liri dhe Demokraci (VVD) anëtare e koalicionit qeverisës të Vendeve të Ulëta, kryesuar nga Deputeti dhe Zëdhënësi për Çështjet Evropiane z. Mark Verheijen u prit sot në Selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga ish Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Panariti, shoqëruar nga Sekretari Ndërkombëtar i LSI z. Ralf Gjoni.

Z. Panariti dhe z. Verheijen diskutuan mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe mbi axhendën evropiane të Shqipërisë.

Z. Verheijen përcolli urimet e tij për rezultatin e arritur nga LSI dhe vlerësoi se zgjedhjet e fundit ishin një hap përpara për Shqipërinë. Gjithashtu z. Verheijen pasi vuri në dukje vështirësitë e krizës ekonomike në Evropë dhe sfidat e zgjerimit me të cilat përballet sot popullësia e vendeve anëtare, theksoi se Vendet e Ulëta dhe Partia VVD që ai përfaqëson mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë drejtim, ai u shpreh se vendet anëtare të BE presin të shohin rezultate sa më konkrete nga qeveria e re në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, sundimit të ligjit dhe adresimit të prioriteteve të tjera në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Z. Panariti shprehu vlerësimin e tij për mënyrën se si qytetarët votuan në 23 qershor dhe nënvizoi se shqiptarët janë shprehur qartë se vendin e tyre dëshirojnë t’a shohin sa më shpejt në Bashkimin Evropian. Z. Panariti theksoi se pas miratimit të 3 ligjeve dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve, Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në BE, duke vënë në dukje këtu edhe rolin konstruktiv dhe pozitiv që Shqipëria luan në rajon.

Z. Panariti rikonfirmoi se prioriteti kryesor jo vetëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe i qeverisë së re do të jetë avancimi i procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë drejtim, z. Panariti u shpreh se Shqipëria mirëpret një raport pozitiv të Komisionit Evropian në Tetor dhe një miratim nga vendet anëtare për statusin e vendit kandidat brenda këtij viti.