27 Mar Deklaratë për mediat e Kryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Spartak Braho
Ndodhem për të biseduar me ju për të paraqitur një fakt tjetër rrëqethës i falsifikimit të ri të z. Tom Doshi.
Fakti rrëqethës dhe që duhet të vlerësohet sa më shpejt nga Prokuroria është raporti i fundit i z. Tom Doshi dorëzuar Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, i cili është lëshuar nga mjeku Eduart Shota, i spitalit Privat Hygea. Ky është raporti mjekësor.
Çlidhje ka ky mjek me këtë çështje dhe siç do ta kuptoni shumë lehtë po ju sjellim faktin e mëposhtëm.
Mjeku Eduart Shota, siç rezulton nga certifikata e Gjendjes Civile është i martuar me znj. Aurela Shota.
Kjo është edhe certifikata e Gjendjes Civile.
Sqarojmë se znj. Aurela Shota, siç rezulton nga dokumentet është punonjëse e Profarmës me detyrë nënpunëse e marrëdhënieve me publikun.
Pra me një fjalë, Toma i ka lëshuar raport mjekësor Tomës, ashtu si video e Tomës me Tomën e Durim Bamit, ashtu si edhe dëshmia e Petrit Çinarit të sëmurë që po merrte për dhuratë një apartament nga z. Doshi. Ky është qarku dhe siç e shikoni është shumë i djegur.
Lëshimi i këtij raporti mjekësor është një tjetër fakt rrëqethës falsifikimi dhe sajese të cilën prokuroria ka detyrim ligjor t’i shkojë deri në fund duke zbërthyer këtë proces manipulimi që finalizohet përsëri me këtë raport mjekësor që Toma i lëshon vetes nëpërmjet Tomës, apo burrit të gruas punonjëse e Tomës.
Fakte të tjera rrëqethëse do të keni më pas. Do takohemi përsëri.
Ju faleminderit.