13 Feb Deklarate e perbashket e LSi-se dhe PDS-se
” Deklarate e perbashket e LSi-se dhe PDS-se Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) z.Ilir Meta së bashku me Kryetarin e Partisë Demokracia Socialie (PDS) dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp menjëherë pas përfundimit të tryezës së partive politike të thirrur nga Presidenti i Republikës z.Alfred Moisiu për Reformën Zgjedhore. Thirrja e kësaj tryeze ka qenë kërkesë e LSI-së që para disa muajsh e cila gjatë një takimi për Reformën Zgjedhore me Presidentin Moisiu i paraqiti atij edhe platformën e LSI për Reformën Zgjedhore:
Ilir Meta-Deklarata
Edhe njëherë dua të shpreh vlerësimet për Presidentin e Republikës për thirrjen e tryezës politike për të insticionalizuar edhe njëherë Reformën Zgjedhore në vend në mënyrë që të garantohen zgjedhje të lira dhe plotësisht të ndershme si përsa u takon atyre vendore të vitit të ardhshëm ashtu edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në këtë drejtim ne çmojmë rolin e Presidentit edhe në këtë moment por edhe përpara zgjedhjeve të 3 Korrikut ku qëndrimi i tij ka qenë gjithmonë një qëndrim i paanshëm në shërbim të një klime sa më pozitive dhe sa më të ndershme zgjedhore duke i ftuar të gjithë aktorët politikë për të treguar përgjegjësi për të respektuar Kushtetutën për të evituar fenomenin e Dushkut dhe kështu me rradhë. Njëkohësisht vlerësojmë edhe angazhimin e tij të menjëhershëm pas takimeve të bëra me forca të ndryshme politike në vend lidhur me këtë çështje por edhe pas daljes së raportit përfundimtar dhe rekomandimeve të OSBE-së- ODIHR-it lidhur me problemet dhe shqetësimet e zgjedhjeve të 3 Korrikut.
Me këtë rast unë dua të shpreh edhe njëherë tjetër vullnetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të kontribuar në komisionin parlamentar për Reformën Zgjedhore në mënyrë që ai të arrijë të gjitha ato objektivat të cilat duhet të përputhen me realizimin e detyrimeve që vijnë jo vetëm nga mangësitë e zgjedhjeve të 3 Korrikut që janë mjaft serioze në veçanti fenomeni i Megadushkut por edhe nga të gjitha ato kërkesa që ka Bashkimi Europian lidhur me çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Mund t’ju bëj të ditur se Këshilli i Çështjeve të Përgjithshmëve të Bashkimit Europian në diskutimin e fundit që sapo ka bërë në lidhje me Shqipërinë ka kërkuar dhe ka vlerësuar si të domosdoshme jo thjesht si të nevojshme apo si të dëshirueshme që të plotësohen të gjitha rekomandimet e OSBE-së ODIHR-it me zgjedhjet. Ajo që unë dua të theksoj në veçanti është se të gjithë forcat politike pjesëmarrëse u distancuan nga tradita e shëmtuar e komisionit bipartizan të deritanishëm i cili më shumë ka qenë një komsion dy partiak: PS- PD dhe që ka refletuar një mungesë transparence dhe ndershmërie në hartimin e reformës zgjedhore. Mendoj se është hedhur një hap shumë i rëndësishëm përpara në drejtim të rritjes së transparencës dhe të angazhimit të të gjitha forcave politike parlamentare në këtë proçes. Njëkohësisht edhe afati i vendosur që ky Komision të krijohet brenda muajit dhjetor është për t’u përshëndetur pasi në këtë mënyrë do të kemi kohën e duhur që të gjitha reformat të bëhen në kohë në mënyrë që zgjedhjet vendore por edhe ato të përgjithshme të realizojnë standartet e kërkuara.
Deklaratë -Paskal Milo
Unë bashkohem me vlerësimet pozitive për rolin e presidentit të Republikës në inicimin e kësaj tryeze të 12 partive politike parlamentare. Është një risi e presidentit të Republikës dhe në mënyrë të veçantë në rrethanat aktuale ajo merr një rëndësi të veçantë. Për herë të parë u diskutua një çështje e cila është shumë e rëndësishme për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Mund t’ju them sikurse u shpreh edhe z.Meta që sot është vendosur në mënyrë transparente ngritja e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe për herë të parë është shprehur shumë qartë se nuk do të ketë më komision bipartizan por do të jetë një komision i gjerë me prezencën e 12 partive politike parlamentare.
Kjo jep shanse edhe shpresa që mund të kemi realisht një bashkëpunim efektiv për të realizuar një reformë të thellë dhe të plotë zgjedhore me qëllim që të mbyllet njëherë e mirë kapitulli i zgjedhjeve të dyshimta të diskutueshme dhe të manipuluara që kanë ndodhur shpesh herë në këto 15 vjet të tranzicionit demokratik në Shqipëri. Sigurisht ky është vetëm një hap i parë dhe vullneti politik që u shpreh sot nga partitë politike prezente në tryezën e Presidentit të Republikës do t’u mbetet që tu qëndrojë provave të kohës. Sepse hapi i parë është për një rrugë të gjatë dhe ne ende do të duam në të ardhmen e afërt që të kemi siguri të tjera që dy partitë e mëdha politike do të jenë vërtet transparente dhe do të kenë frymën e bashkëpunimit të prodhuar jo vetëm në një dokument zgjedhor të paanshëm dhe transparent por edhe për një zbatim korrekt të tij në praktikë kur të vijë momenti i zgjedhjeve qofshin ato për zgjedhjet vendore apo ato parlamentare. Ne sikurse u shpreh edhe z.Meta edhe në emër të Partisë Demokracia Sociale do të mbështesim këtë nismë dhe do të jemi pjesëmarrës aktivë për ti dhënë vendit përfundimisht një Kod Zgjedhor të denjë për Shqipërinë e Shekullit 21 për Shqipërinë që pretendon dhe po ecën në rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike.
Pyetje:
A kishte sugjerime paraprake që Presidenti j’u vendosi për mënyrën se si duhej të bëhej reforma apo ranë dakord të gjitha partitë që do të kryhet ky komision në parlament për ta kryer këtë reformë?
Përgjigje:Ilir Meta
Lidhur me çështjet konkrete sigurisht që u shprehën mendime të ndryshme nga përfaqësuesit e forcave politike por nuk ka qenë objektivi dhe detyra e kësaj tryeze për të hyrë në çështje konkrete. Objek
tivi i tryezës së mbledhur nga Presidenti i Republikës mendoj se është realizuar. Të gjitha forcat politike kanë shprehur vullnetin e tyre politik që reformat të fillojnë menjëherë dhe prandaj Komisioni është nënshkruar nga të gjithë që do të fillojë brenda muajit dhjetor. Dhe kjo është një arritje sepse gjithmonë komisionet për Reformën Zgjedhore janë bërë vetëm në prag të zgjedhjeve gjë që ka dëmtuar cilësinë dhe transparencën e rezultateve të reformave të mëparshme. Për herë të parë është rënë dakord që ky komision mos të ketë frymën PD-PS pavarësisht nga fakti që roli i tyre padyshim është një rol i rëndësishëm dhe nuk duhet konsideruar si një komision bipartizan si komisionet e mëparshme të dështuara por si një komision i gjerë dhe gjithëpërfaqësues parlamentar pra me të gjitha forcat politike. Ky komision rrit transparencën rrit rolin e gjithë forcave politike parlamentare rrit kredibilitetin por edhe cilësinë e reformës zgjedhore që do të iniciohet. Sigurisht që të gjitha partitë në përgjithësi me ndonjë përjashtim të vogël janë distancuar nga problemi kryesor i zgjedhjeve të 3 Korrikut nga fenomeni i Dushkut. Në këtë drejtim do të vlerësoja edhe distancimin e qartë edhe të kryetarit të Partisë Socialiste të zotit Rama çka është një gjë për t’u vlerësuar dhe që ne dëshirojmë që të jetë një qëndrim institucional i vetë Partisë Socialiste. Po kështu pati edhe mendime të tjera për çështje të rëndësishme por mendoj se objektivat e kësaj tryeze të ftuar nga Presidenti i Republikës janë realizuar plotësisht për momentin. Më pas koha do të provojë vullnetin e të gjitha forcave politike lidhur me ecurinë dhe lidhur me ato reforma që duhen bërë e plotësuar në mënyrë të domosdoshme sikurse referon tashmë edhe Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian dhe rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-it.
Pyetje 2
Zoti Rama ka deklaruar se LSI është në kërkim të identitetit të saj duke iu referuar kështu përçarjes të fundit pas votimit të ligjit të KLD-së. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë deklaratë?
LSI e ka patur identitetin e saj që në fillimet e veta. Janë të tjerë që janë në kërkim të identitetit të tyre dhe mesa duket se vështirë se mund ta gjejnë. Nuk ka rëndësi se çfarë ka thënë zoti Rama për çështje të tjera ne këtu jemi për problemin e zgjedhjeve. Ajo çka unë vlerësova është se zoti Rama si kryetari i Partisë Socialiste e cila theksoj se ka qenë forca politike e cila inicioi Megadushkun në zgjedhjet e fundit u distancua këtë herë nga fenomeni i Dushkut dhe kjo është për ne një gjë shumë pozitive sepse kuptohet që Partia Socialiste ka një rol shumë të rëndëishëm për të luajtur edhe në këtë proçes. Dëshirojmë që ky të mos jetë një qëndrim i tij thjesht personal apo qoftë si kryetar por të jetë një qëndrim i gjithë strukturës dhe forumeve të kësaj force politike. Kjo ka rëndësi për ne. Për çështjet e tjera diskutojmë më vonë.
0x323030352d31322d3037 ”