13 Feb Deklaratë e Liderit të LSI
Deklaratë e Liderit të LSI z.Ilir Meta
Meta: Brenda kësaj jave të gjitha forcat politike parlamentare të ulen dhe me mirëkuptim dhe me përgjegjësi të plotë për zgjedhjet që i takojnë të gjithë shqiptarëve dhe jo thjesht partive politike të arrijnë me konsensus për disa standarte duke zgjedhur në radhë të parë edhe çështjen e kartave të identitetit
—
Është për të ardhur keq që çështja e kartave të identitetit po kthehet në një çështje të diskutimit të së drejtës kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të votuar ose jo.
Është për t’u tronditur që çështja e kartave të identitetit po minon rrezikshëm përditë dhe më shumë të gjithë klimën parazgjedhore duke cënuar standartet e pritshme nga zgjedhjet e 28 Qershorit që janë shumë të rëndësishme jo vetëm për stabilitetin politik për vendin tonë por dhe për atë ekonomik. Njëkohësisht janë shumë të rëndësishme për të konfirmuar drejtësinë e Aleancës së NATO-s në pranimin që i bëri Shqipërisë si vendi më i ri anëtar vetëm pak javë më parë dhe njëkohësisht për të vijuar rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për të patur sukses në aplikimin e pritshëm si një vend për t’u bërë anëtar në BE.
Në këto kushte ku duket qartë se çështja e kartave të identitetit po shndërrohet në një rrezik tepër serioz dhe madhor për standardet e zgjedhjeve të ardhshme dhe për stabilitetin politik në vend unë do të kërkoja që brenda kësaj jave të gjitha forcat politike parlamentare të ulen dhe me mirëkuptim dhe me përgjegjësi të plotë për zgjedhjet që i takojnë të gjithë shqiptarëve dhe jo thjesht partive politike të arrijnë me konsensus që të bien dakord për disa standarte duke zgjedhur në radhë të parë edhe çështjen e kartave të identitetit.
Besoj se çdo vonesë përtej kësaj jave vetëm do të vështirësojë mundësitë për të shmangur një krizë të pritshme zgjedhore që jo vetëm do të dëmtojë imazhin e vendit tonë do të dëmtojë imazhin e partnerëve tanë dhe në radhë të parë të NATO-s por dhe do të kishte pasoja tepër serioze për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë përsa i takon anëtarësimit në BE.
Ndaj do t’i ftoja të gjitha forcat politike parlamentare që të evitohen takimet dhe komunikimet në distancë të evitohen replikat e panevojshme që nuk ofrojnë zgjidhje dhe urgjentisht brenda kësaj jave t’i japim një zgjidhje në mënyrë që qytetarët jo vetëm të shkojnë dhe të realizojnë kartat e identitetit në kohë por njëkohësisht dhe të krijojnë një klimë pozitive të një gare demokratike në një vend demokratik vërtetë anëtar i NATO-s. Përndryshe ne do të bëhemi gazi i botës dhe kjo do të ishte një turp jo vetëm për politikën shqiptare sepse është mësuar me turpe të tilla por do të ishte një turp për të gjithë vendin tonë dhe kombin tonë.
Z.Meta përveç këtij propozimi a mendoni se ka mundësi të tjera për t’u zgjidhur ky ngërç i kartave të identitetit?
Unë nuk jam ekspert i këtyre çështjeve por jam i bindur që pavarësisht se jemi në limite kritike kohore përsëri në rast se ekziston vullneti politik nga të gjithë palët dhe në radhë të parë nga Qeveria kjo çështje mund të zgjidhet. Ndaj dhe një takim i tillë mund të realizonte që me konsensus të gjitha ato shtresa për arsye të varfërisë duhet ta marrin kartën falas ta marrin në këtë mënyrë dhe jo t’i jepet si shpërblim nga një takim në tjetrin që bën Berisha apo qeveritarë të tjerë.
Së dyti një variant tjetër mund të ishte që gjitha ato shtresa të cilat nuk janë në gjendje të vështirë ekonomike mund të bëheshin lehtësira apo pagesa e kartave të bëhej brenda disa viteve në mënyrë që të kemi mundësinë që sa më shpejt të gjithë të pajisen me karta dhe që të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 Qershorit. Pra nëse ekziston një vullnet i mirë nga të gjitha palët padyshim dhe kjo çështje zgjidhet.
Z.Meta Partia Demokratike ka kërkuar një Komision Hetimor për të hetuar Kryetarin e Bashkisë së Tiranës për çështjen e lejeve të ndërtimit. Ju do të merrni pjesë në këtë komision?
Nuk është koha për komisione hetimore të cilat nuk zgjidhin asgjë në një vend kur parlamenti shkon drejt mbylljes dhe qytetarët pregatiten për të zgjedhur parlamentin e ri. Është koha që ky parlament i cili dështoi në bërjen e një Reforme Zgjedhore dhe të një Kodi zgjedhor të standarteve evropiane të mos e mbyllë mandatin e tij pa zgjidhur çështjen e kartave sepse e theksoj dhe njëherë se do bëhemi gazi i botës. Do të bëhemi i vetmi vend në Aleancën e NATO-s i cili si shpërblim të vlerësimit që aleanca i bën popullit shqiptar i jep një njollë pra prishjen e zgjedhjeve.
Jemi në kohë për të shpëtuar reputacionin e Shqipërisë jemi në kohë për të shpëtuar zgjedhjet dhe stabilitetin politik në vend. Ndaj komisionet hetimore janë krejtësisht të pakuptimta sepse kanë mbetur vetëm pak javë që ky parlament të zgjidhë çështjen e kartave dhe problemin e zgjedhjeve në Shqipëri.
0x323030392d30342d3230 Kryetari i LSI z.Meta ne nje deklarate per mediat.jpg 17:4)