Deklaratë e kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili

Deklaratë e kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili

PetritVasili11.04.2014

Vasili: Kjo çështje duhet të ndiqet deri në fund dhe në mënyrë përfundimtare 

Vasili: Vlerësojmë qëndrimin tepër të kujdesshëm dhe të shpejtë të dy akseve qeveritare, të Athinës dhe të Tiranës

Vasili: Në etapën në të cilën ndodhet situata dhe për rrethanat shumë të rënda që ajo ka ndodhur, do të kërkonte një shpejtim dhe një intensifikim të dhënies sa më shpejt të një përgjigje përfundimtare

Vasili: Një ndjekje intensive dhe e vazhdueshme duhet të shoqërojë po kështu dhe Shqipërinë dhe pjesë të saj të hetimit që ajo ka ndërmarrë këtu, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë greke

Jemi në këtë komunikim së bashku për një problem tepër delikat i cili me shumë të drejtë ka përcjellë një shqetësim dhe një sensibilitet tepër të lartë njerëzor dhe human dhe që ka të bëjë me vdekjen e të burgosurit shqiptar Ilia Kareli në burgjet e Greqisë pas ushtrimit të një dhune të jashtëzakonshme mbi të, tashmë të evidentuar.

Lidhur me këtë ngjarje, që është nga më të rëndat e ndodhura në këto dhjetëvjeçarë dhe për mënyrën se si u prodhua ajo, kemi konstatuar që roli, në mënyrë të veçantë i medieve greke në këtë çështje, ka qenë një rol profesional dhe tepër objektiv duke ndihmuar në hedhjen dritë mbi çështjen dhe kësisoj në evidentimin e të vërtetave të saj.

Por njëkohësisht do të vlerësohej edhe qëndrimi tepër i kujdesshëm, i vëmendshëm, por dhe i shpejtë i të dy akseve qeveritare, të Athinës dhe të Tiranës, sepse siç e dimë, drejtësia greke hapur një çështje dhe ka bërë ndalimet për arrestimet e duhura dhe po e ndjek atë me përparësi. Po kështu, vlerësojmë edhe qëndrimin e ambasadorit grek.

Po me të njëjtën gjatësi vale kanë qenë edhe reagimet e Ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë, z.Nasip Naço, Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, por dhe të Prokurorisë shqiptare që ka hapur çështjen e saj. Në këtë mënyrë konstatohet që vëmendja, përqendrimi dhe intensiteti i vlerësimit të çështjes ka qenë pozitiv.

Njëkohësisht, ne do të nënvizonim që në etapën në të cilën ndodhet situata dhe për sensibilitetin shumë të lartë njerëzor që ajo me shumë të drejtë shkakton, për rrethanat jashtëzakonisht të rënda që ajo ka ndodhur, do të kërkonte një shpejtim dhe një intensifikim të dhënies sa më shpejt të një përgjigje përfundimtare, sepse në këtë mënyrë do të kishim një qasje e cila çonte në vend të gjithë drejtësinë e domosdoshme në këtë rast dhe do t’i shërbente atij qëndrimi pozitiv të verifikuar deri më tani.

Qëndrim, të cilin do ta nënvizoja, ka bërë të dekurajohen të gjitha llojet e ekstremizmave, kudo që ato shfaqen, shpesh herë fiktive dhe të pavend.

Dhe ky qëndrim serioz ndërqeveritar, ndihmon pikërisht që e vërteta dhe drejtësia të shkojnë në vend, por njëkohësisht të eliminohen dhe shfaqjet e panevojshme dhe të dëmshme të ekstremizmit.

Ndaj, duke qenë që të dy prokuroritë e të dy shteteve kanë punuar, kanë hedhur mjaft dritë mbi ngjarjen, njëkohësisht dhe sensibliteti mediatik ka qenë aty, pozitiv dhe objektiv për ta pasqyruar atë, do të inkurajonim për një përfundim sa më të shpejtë të fazës së hetimeve dhe të verifikimeve të tjera, në mënyrë që fajtorët sa më parë të dalin para drejtësisë dhe të merrnin dënimin e merituar dhe në këtë mënyrë të vendosej një standard i tolerancës zero për çdo lloj sjellje dhe demonstrim dhune dhe trajtimi çnjerëzor në burgje.

Dhe në këtë mënyrë do të demonstrohej qartë dhe ai standard evropian që duhet të karakterizojë raportet midis të dënuarve dhe sistemit penintenciar.

Duke konkluduar deklaratën tonë, do të thoshim që një ndjekje intensive dhe e vazhdueshme duhet të shoqërojë po kështu dhe Shqipërinë dhe pjesë të saj të hetimit që ajo ka ndërmarrë këtu, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë greke, në mënyrë që kjo çështje, së bashku me zbardhjen, mbylljen dhe dënimin e saj, të shënonte përfundimisht dhe mbylljen dhe ndarjen nga një standard i trajtimit çnjerëzor të çdo të burgosuri në burgjet greke dhe aq më shumë të çdo të burgosuri i cili është shqiptar.

Në këtë frymë dhe mbi këtë konstruktivitet dhe mbi këtë ritëm, kjo çështje duhet të ndiqet deri në fund dhe në këtë mënyrë ne do të jemi të gjithë më të qetë që kjo çështje, do të thosha e shëmtuar, mori përgjigjen e merituar dhe mori pikërisht dhe trajtimin tepër serioz dhe të vëmendshëm, të merituar që e kërkonte për rrethanat shumë të rënda në të cilat ajo ndodhi.

Ju faleminderit!