Deklaratat e Ramës për vaksinat, Kryemadhi: Nëse do të kishte sistem drejtësie, do të ishte shkarkuar dhe do procedohej për ‘Shpërdorim Detyre’

Deklaratat e Ramës për vaksinat, Kryemadhi: Nëse do të kishte sistem drejtësie, do të ishte shkarkuar dhe do procedohej për ‘Shpërdorim Detyre’

E ftuar në emisionin ‘Tempora’, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka folur mbi deklaratat e kryeministrit Edi Rama nga Lezha për çështjen e vaksinës. Ajo i cilësoi deklaratat e kryeministrit si të turpshme. Nëse do të kishte sistem drejtësie do të shkarkohej për shpërdorim detyre dhe do të arrestohej se po kërcënon shqiptarët se nëse nuk fiton ai do t’i lërë qytetarët të vdesin nga COVID. Pas 25 prillit, tha Kryemadhi drejtësia do të veprojë ndaj Edi Ramës dhe të gjithë zyrtarëve të tij që kanë abuzuar.

‘Sa më vjen për të qeshur, për nivelin fillestar, edhe një fëmijë kopështi parashkollor dhe sa herë dëgjoj deklaratat e tij, më kujtohet filmi shqiptar ‘Mëngjese lufte’, ku ai fëmija i beut thotë ‘topi është i imi, penalltinë e gjuaj unë’. Edhe ky thotë, vaksinat i solla unë, do ti bëj unë, edhe infermier mund të bëhet ai. Ka një problem në të gjithë këtë që thotë. Në një vend normal, në raste të tilla nëse do të kishte një sistem drejtësie, automatikisht jo vetëm që do të ishte shkarkuar. Është shpërdorim detyre dhe shkelje e Kushtetutës. Ai është një kryeministër në periudhën e fushatës. E mbani mend në 2017, kur u tha policëve hidhni kapelet dhe dilni e mblidhni vota për PS. Ishte një shkelje flagrante e kushtetutës, ishte shpërdorim detyre me Policinë e Shtetit dhe këtë rast është shpërdorim detyre me pandeminë.

Ky njeri përveç se ka shpërdorimin e detyrës, por ushtron shantazh, intimidon, presionin dhe përveç se shantazhit ky kërcënon qytetarët me vaksinën. Është njëlloj si ligji për agjitacion e propagandë, i cili thoshte se nëse bën agjitacion e propagandë kundër partisë në pushtet, dënoheshe nga me burg deri në varje. Ky thotë nëse ju nuk votoni PS unë do të ju lë të vdisni nga Covid. Sepse deri sot ky ka fshehur 9 mijë vdekje dhe asnjë institucion nuk merret me 9 mijë vdekjet që ka fshehur Ministria e Shëndetësisë me në krye infermierin Edi Rama.

Më pas vazhdojmë me gjithë procesion e pandemisë. A ju kujtohet procesi i Vlorës që 70 ditë ishte në morg dhe nuk i tregohej dhe nuk jepej familjes trupi. Në këtë rast, zotëria ka kërcënuar me jetë qytetarët shqiptarë. Përveç shpërdorimit të detyrës, këtu hyn edhe kërcënimi me vdekje sepse ky zotëria kërcënon me vdekje qytetarët shqiptarë. Kush është ky që kërcënon se nëse nuk më votoni mua, unë nuk do të ju bëj vaksinën. Në çdo vend të botës do t’i kishin vënë prangat. Sepse një njeri o është i metë nga trutë e kokës ose është kriminel. Prokuroria do t’i ketë duart e lira pas 25 prillit. Mos pretendoni se prokurorët e Ulsi Manjas të veprojnë. Pas 25 prillit, ata do të thonë se nuk na ka lënë Edi Rama. Ajo që është miratuar në parlamentin shqiptar me 140 vota është ajo dhe është tjetërsuar rrugës, që me zgjedhjen e kryeprokurorit’.