19 Mar Deklarata për shtyp e NënKryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ylli Manjani
Manjani: E majta e bashkuar, një projekt i cili të gjithë votuesit e majtë, por në përgjithësi opinioni publik e ka kërkuar prej kohësh.
Manjani : Ky është një projekt i arritur, pavarësisht ulje-ngritjeve individuale, e theksoj, individuale, asgjë s’është institucionale
Përshëndetje, e thirrëm këtë komunikim me ju për të paraqitur qëndrimin zyrtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim në lidhje me zhvillimet e ditëve të fundit, qëndrime të cilat sigurisht na bëjnë që të jemi të qartë, të prerë dhe unik në atë që të përshëndesim një herë në radhë të parë vendimet e marra deri tani, kryesisht të Partisë Socialiste për t’u ndarë një herë e mirë nga shantazhi si mënyrë për të bërë politikë.
Është një vendim që sigurisht duhet përshëndetur dhe ne shprehim qëndrimin tonë, që shantazhi si mënyrë e të bërit politikë mbetet për Lëvizjen Socialiste për Integrim si gjithmonë, mënyra më e papranueshme.
Sigurisht ne nuk hyjmë të bëjmë dot analizat e shantazhuesve në çaste të caktuara të cilët na rezulton për fat të keq që komprometojnë parimet e përfaqësimit politik me interesa fare bajate, herë interesa biznesi dhe herë interesa bajate.
Nuk e bëjmë dot këtë analizë, por jemi këtu për të siguruar opinionin publik, sigurisht në radhë të parë mbështetësit tanë politik, por jo vetëm, që politika e shantazhit është e papranueshme dhe më vjen mirë që këtë e konstatojmë në shumicën e faktorëve politik që është dhe mbetet një mënyrë e papranueshme.
Sigurisht që ne kemi vendosur që të realizojmë projektin tonë politik. Më herë, jo sot, por të paktën 2 vite më parë, ta realizojmë në bashkëpunim me Partinë Socialiste si një entitet politik i përbashkët, që quhet ndryshe e majta e bashkuar. E majta e bashkuar, një projekt i cili të gjithë votuesit e majtë, por në përgjithësi opinioni publik e ka kërkuar prej kohësh.
Ky është një projekt i arritur, pavarësisht ulje-ngritjeve individuale, e theksoj, individuale, asgjë s’është institucionale. Sidoqoftë ky mbetet projekti më i rëndësishëm për ne për të realizuat të gjithë projekte politike për të cilat ne jemi votuar dhe është e sigurt që do të votohemi në shumicë siç është votuar gjithmonë nga e majta shqiptare, LSI-ja, Partia Socialiste e kështu me radhë të gjithë partitë tona që e përbëjnë këtë unitet politik.
Jam këtu sot për të mbështetur gjithashtu edhe qëndrimin e prerë, të qartë dhe si asnjë herë tjetër më parë, të dhënë apo të emetuar dje nëpërmjet përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian ku mbështet kjo vendimmarrje politike shqiptare për t’u ndarë, e theksoj, në tekst duke cituar, nga krimi dhe persona të inkriminuar.
Fjalë këto që vijnë nga deklarata e këtyre qëndrimeve me të cilat ne jemi 100% dakord. Jemi, kemi qenë dhe do të mbetemi në anën e partnerëve ndërkombëtarë.
Sigurisht na vjen keq që nuk gjejmë dot një unitet në të gjithë radhët e partive politike në këtë vend, që në vend që të jemi sot, sot duhet të ishim në anën e antikrimit, në anën e partnerëve euroatlantik, sot gjendemi në histori thashethemesh, në vorbulla mediatike, që stisen për interesa të caktuara, kryesisht sponsorizohen nga ish-drejtues apo drejtues të Partisë Demokratike, të cilët cila në vite ka mbijetuar në pushtet për fatin e keq pa vota, por me përçarje dhe kjo është ajo që ka ndodhur.
Dhe sigurisht që projekti i së majtës së bashkuar është tmerri i këtyre përçarësve që kanë sunduar për fatin e keq pa mbështetjen e elektoratit shqiptar.
Sigurisht që ne jemi këtu për të siguruar që si koha e përçarjes, ashtu edhe koha e përçartjes, kanë marrë fund bashkë me të përçarturit që flasin në tym, në kushtet e paranojës, në kushtet e sëmundjeve të thella psikike, të cilat sa na takon ne si LSI nuk marrim përsipër t’i kurojmë, sepse kemi vendosur të ruajmë rregullat e higjienës mendore, duke mos u marrë me këtë lloj insinuatash paranojake.
Nuk shërojmë dot asnjë paranojak, është e pamundur që ta shërojmë.
Fakt është që ka shumë sot në rrugët e Tiranës dhe të Shqipërisë që marrin përsipër autorësinë e vrasjes së ndonjë deputeti, por fakt është që këta deputetë janë gjallë dhe kjo është një histori që do tirret e do stirret në kuptimin telenovelës politike shqiptare, për të cilat gara ndërmjet kryetarit të Partisë Demokratike dhe ish-Kryetarit të Partisë Demokratike është një garë shumë interesante.
Ju ftojmë që ta ndiqni. Është vërtet një garë që ia vlen të ndiqet me vëmendje, sepse kjo po prodhon një telenovelë fantastike. Sigurisht nuk merret vesh kush është kryetari.
I patë besoj edhe sot që dolën të dy rresht njëri-pas tjetrit, një herë Loli dhe pastaj Coli dhe kështu me radhë. Ky është një sanduiç që nuk merret vesh se ku e ka fillimin dhe fundin, historia është që ka filluar me një kunat dhe do të përfundojë me një kunat.
As Ilir Metës, as të LSI-së, asnjë njeriu tjetër nuk i duhet as koka, as mundi, as djersa e askujt tjetër, përkundrazi secili është i lirë në një shoqëri demokratike të provojë akuzat edhe kur i ka në paranojë, ashtu siç parashikon ligji demokratik, Kushtetuta e vendit.
Sa i takon çështjes në fjalë, e theksoj edhe njëherë se forumet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim mbështesin pa asnjë rezervë dhe pa asnjë ekuivok përfaqësuesit tanë në qeverisje, në Parlamentin e Shqipërisë, duke filluar nga Kryetari i Kuvendit e kështu me radhë tek deputetët, tek ministrat, zv. Ministrat, etj.
Të fokusohen tek punët e përditshme. Këto janë telenovela që kërkojnë ç’fokusim, kërkojnë shkëputjen e vëmendjes së qeverisjes nga problemet e ditës. Për fat të keq kjo u intereson disa partive politike që kërkojnë të na largojnë vëmendjen, se tjetër gjë nuk ka largojnë dot, nga qeverisja, nga punët e ditës dhe mendojnë se do të fitojnë terren elektoral duke treguar skenarë me vrasës, me kunetër që urdhërojnë vrasësit apo me histori të së shkuarës, të cilat na vjen keq, por as kardiologjia nuk i del dot ballë këtyre punëve.
Sugjerojmë që nëse nuk ka zgjidhje nga institucionet e drejtësisë, që janë ekskluzive dhe në fakt ne jemi këtu për t’i nxitur ato, për t’i nxitur, se në fakt duhet të kishin dhënë një përgjigje për hir të së vërtetës, duhet të kishin bërë një hetim. Nëse nuk e kanë bërë ose në qoftë se është bërë dhe s’ka pasur informacion për publikun, duhet të ishte bërë.
Sigurisht që përshëndesim lëvizjen e sotme të Prokurorisë shqiptare për ta riçelë këtë hetim dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe për të gjithë të pakënaqurit nga historitë e paranojës, shëndetësia falas do ta bëjë punën e vet dhe do t’i trajtojë të gjithë paranojat si sëmundje që fatkeqësisht ekzistojnë midis njerëzish dhe duhen shëruar si të tilla.
Ju faleminderit.