14 Sep Deklarata e Kryetarit të Parlamentit, z. Ilir Meta në nderim të Liderit të Lëvizjes së Dhjetorit 90’, Azem Hajdari.
Të nderuara zonja dhe zotërinj deputetë,
Dy ditë më parë ne përkujtuam liderin e Lëvizjes së Dhjetorit ’90, Azem Hajdarin, dhe e përcollëm me nderim të merituar në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, me rastin e 15-vjetorit të ndarjes nga jeta.
Si Kryetar i Kuvendit dua të falënderoj gjithë qytetarët dhe personalitetet që morën pjesë në këto homazhe. Një falënderim të veçantë dua t’i bëj sot nga Kuvendi i Shqipërisë kongresmenit të shquar Eliot Engell, i cili pak ditë më parë, më 10 shtator, nderoi në Kongresin Amerikan me një deklaratë të veçantë emrin dhe kontributin e Azem Hajdarit, si udhëheqës historik i lëvizjes demokratike në Shqipëri.
Për të gjithë bashkëkombësit tanë, por sidomos për ne bashkëkohësit e tij, Azem Hajdari është një emër që do të na kujtojë gjithmonë ndryshimin epokal të nisur në dhjetor 1990. Emri i Azem Hajdarit do të na kujtojë gjithmonë guximin, kurajën e jashtëzakonshme dhe sakrificën më sublime në emër të së ardhmes. Jam i bindur se duke punuar të gjithë së bashku për të përmbushur ëndrrën e tij dhe të gjeneratës që përfaqësoi, për ta bërë Shqipërinë sa më parë anëtare të denjë të BE-së, do t’i bëjmë nderimin më të merituar emrit të Azem Hajdarit dhe idealeve të lëvizjes historike të dhjetorit të vitit 1990, që ai udhëhoqi.