Deklarata e Kryetarit të LSI-së

Deklarata e Kryetarit të LSI-së

” Deklarata e Kryetarit të LSI-së z. Ilir Meta

Do të doja ta filloja me një urim. Gëzuar këtë ditë të parë pa viza për të gjithë qytetarët shqiptarë! Është një ditë lirie dinjiteti dhe krenarie për çdo qytetar të këtij vendi të vendit më të izoluar në Evropë 20 vjet më parë. Ndaj unë dua të shpreh lumturinë time dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për arritjet e kësaj dite të madhe për të gjithë qytetarët e vendit tonë në mënyrë të veçantë për të gjithë të rinjtë e vendit tonë dhe pas 20 vitesh ndihem vërtetë shumë i lumtur që një ndër qëllimet kryesore edhe të Lëvizjes së Dhjetorit tashmë është realizuar dhe kjo veç na motivon për të plotësuar më tej të gjitha aspiratat evropiane të qytetarëve tanë dhe të vendit tonë. 
Është një ditë e lumtur për Lëvizjen Socialiste për Integrim sepse heqja e vizave ka qenë një premtim dhe një angazhim madhor i kësaj lëvizjeje ka qenë një nga arsyet përse ajo është krijuar pra për të realizuar këto hapësira lirie dhe evropianizimi për Shqipërinë dhe qytetarët tanë dhe njëkohësisht ka qenë një nga arsyet kryesore të formimit të Koalicionit të Integrimit pas zgjedhjeve të fundit të qershorit të vitit 2009. Me këtë rast dua t’u shpreh mirënjohjen të gjithë atyre që punuan që sakrifikuan për arritjen e kësaj dite të madhe. 
Shqipëria kishte para 20 viteve shumë radha që nga radha e qumështit që nga radha e mollëve që nga radha e peshkut e kështu me radhë. Këto radhët u hoqën dhe e vetmja që kishte mbetur ishte ajo e rropatjes nëpër ambasada dhe plotësimit të atyre formularëve që shpesh refuzoheshin ndaj edhe radha e fundit u hoq.
Z. Meta a mendoni se qeveria duhet të vazhdojë përpjekjet për të përmbushur edhe ato kritere që duhen për të marrë statusin kandidat për në BE dhe të arrijë anëtarësimin?
Qeveria i ka përmbushur dhe do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj. Ju e dini që qeveria përveçse arriti në një kohë rekord të plotësojë të gjitha detyrimet prej disa qindrash të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave kjo është arsyeja që të gjithë evropianët thonë se heqja e vizave është e merituar dhe nuk është një dhuratë. 
Njëkohësisht qeveria gjatë kësaj periudhe përmbushi të gjitha detyrimet që saj i takonin për të ecur përpara drejt statusit të vendit kandidat. Plotësimi i pyetësorit nga administrata u bë në një kohë rekord dhe me një cilësi shumë të mirë dhe të gjitha detyrimet e tjera. 
Natyrisht që pjekurinë politike të opozitës nuk e ka në dorë qeveria dhe natyrisht që jam i bindur mazhoranca do të mbetet e hapur për të bashkëpunuar në këtë drejtim ashtu sikurse mund t’ju them me bindje të plotë se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë një proces i natyrshëm duhet të jetë sa më i shpejtë që të jetë e mundur por kurrsesi një proces i sforcuar dhe në këtë drejtim kërkon pjekurinë e të gjithë elementëve të shoqërisë sonë”.

0x323031302d31322d3135 14:18)”