Blushi: Dimri po afron, 37% e qytetarëve nuk kanë mundësi të ngrohen. Qeveria të subvencionojë shtresat në nevojë

Blushi: Dimri po afron, 37% e qytetarëve nuk kanë mundësi të ngrohen. Qeveria të subvencionojë shtresat në nevojë

Me afrimin e stinës së ftohtë të dimrit, 37% e qytetarëve shqiptarë rezultojnë se nuk kanë mundësi financiare të ngrohin dot banesat e tyre.
Të dhënat i përkasin një vlerësimi të realizuar nga Komuniteti i Energjisë së Europës, të bëra së fundmi publike gjatë konferencës mbi Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, të organizuar nga Qendra Eden.

Në kushtet kur 67% e popullsisë jeton me të ardhura më pak ose deri në 5.5 dollarë/ditë, mbështesim plotësisht thirrjen e Komunitetit të Energjisë drejtuar Qeverisë për domosdoshmërinë e rishikimit të politikave të subvencionimit për energjinë elektrike për kategoritë më në nevojë, veçanërisht për familjet me ndihmë ekonomike dhe për pensionistët.
Politikat antisociale të “Rilindjes” që po zbaton pa mëshirë OSHEE duke dënuar njerëzit e varfër të ngrijnë nga i ftohti, si dhe arbitrariteti i zbatimit verbal të ligjit që shkon deri aty sa të ndërpresë energjinë elektrike për të gjithë ata që jetojnë të vetëm dhe pa të ardhura ekonomike janë të papranueshme.
I bëjmë thirrje Qeverisë të ndërhyjë menjëherë për uljen e çmimit të lëndëve drusore që përdoren për ngrohje në zonat malore dhe më të ftohta të vendit, nga Korça në Kukës, si dhe të heqë monopolet në këtë sektor që kanë dyfishuar çmimin e druve të zjarrit duke e bërë akoma edhe më të pamundur përballimin e kostove.
Heqja menjëherë dorë nga vendimi arbitrar për shntrejtimin e energjisë elektrike për fashën mbi 800 kwh, i hyrë në fuqi nga 1 nëntori, dhe që godet në mënyrë të konsiderueshme rreth 90.000 deri në 130.000 familje shqiptare, kryesisht ato të shtresës së mesme, do të ishte një tjetër masë efektive.
Në kushtet e rritjes të çmimeve të naftës, produkteve të shportës dhe çdo shërbimi, është e pavend të rëndohen edhe më tej buxhetet familjare.
Është koha për të mbështetur familjet shqiptare dhe jo për t’i zhvatur ato, me para që përfundojnë për inceneratorët, koncensionet dhe tenderat sekretë.
Ndaj 12 Nëntori është dita e protestës kombëtare kundër vjedhjeve monstruoze të “Rilindjes” në energji dhe kundër rrënimit të familjeve shqiptare dhe bizneseve.