06 Feb Blushi: Bashkia e Tiranës hoqi fondet për arsimin dhe emergjencat për të paguar inceneratorin që nuk ekziston. Drejtësia të veprojë
Të nderuar qytetarë. Sot faktojmë me dokument zyrtar atë që kemi denoncuar më herët, se Erion Veliaj i ka hequr së fundmi rreth 6 milionë Euro nga buxheti i Bashkisë për arsimin dhe emergjencat civile për t’i kaluar tek inceneratori fantazëm dhe nën sekuestro i Tiranës.
E vendosur me shpatulla pas muri nga kërkesa zyrtare për transparencë dhe llogaridhënie e Partisë së Lirisë pohon nëpërmjet këtij dokumenti zyrtar se ka prekur fondet për çerdhet, për kopshtet, për shkollat dhe për përmbytjet për të vijuar pagesat për inceneratorin.
Në përgjigjen e saj zyrtare, Bashkia e Tiranës pohon me arrogancë se për të mbuluar pagesat e fondeve për inceneratorin janë hequr 2.5 milionë Euro nga buxheti për arsimin parashkollor, 1.7 milionë Euro nga buxheti për arsimin e mesëm dhe 1.8 milionë Euro nga fondi rezervë.
Ky pohim kriminal që bëhet në këtë dokument zyrtar që Bashkia e Tiranës i ka sjellë Partisë së Lirisë duhet administruar urgjentisht nga SPAK sepse është një tjetër provë që Erion Veliaj është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës.
Është një tjetër provë se përse sot në Tiranë nuk ndërtohen shkolla dhe çerdhë të reja, pse vijon mësimi me dy turne dhe një tjetër provë se përse mungon sot ngrohja dhe kushtet më minimale të edukimit dhe të mësimdhënies.
Është kjo arsyeja pse sot Tirana përmbytet pas çdo rrebeshi shiu dhe thahet për ujë të pijshëm në të katër stinët e vitit dhe se pse nga qendra deri në periferi sot e kësaj dite ende nuk ka ujë të pijshëm 24 orë, ndërkohë që sistemi i ujësjellës-kanalizimeve është tejet i amortizuar.
Për Erion Veliaj, pronarit faktik të inceneratorit të Tiranës, interesi i tij personal dhe vijimi i kësaj afere kriminale korruptive, qartazi prevalon mbi interesin qytetar duke sfiduar hapur edhe organet e tjera të Drejtësisë, që bëjnë sikur nuk i shohin këto prova të reja dhe fakte skandaloze.
Vendimi për të vazhduar vjedhjen dhe shpërdorimin e taksave për shkollat, çerdhet dhe përmbytjet rrëzon jo vetëm propagandën e gënjeshtërt për investime në arsim dhe në emergjencat civile nga Bashkia e Tiranës, por ky është poshtërimi i radhës i Erion Veliajt ndaj SPAK-ut, që në vend ta marrë një orë e më parë të pandehur, mbyll sytë duke lejuar vijimin e pagesave për inceneratorin inekzistent.
Ndërkohë që Drejtësia e Re, i ka bllokuar llogaritë bankare Ish-Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj në arrati, përse e lejon Bashkinë e Tiranës të vijojë pagesat për inceneratorin?
Përse këto dy standarde, kur gjithmonë e më shumë provohet se Erion Veliaj jo vetëm e ideoi, i hapi udhën dhe është përfituesi direkt i kësaj afere, jo vetëm shkeli ligjin duke anashkaluar Këshillin Bashkiak, por i dha edhe 15 hektarë tokë ndërtim pa leje inceneratorit, jo vetëm i zhyti banorët e Tiranës në borxh për 30 vite, por edhe u ka hequr atyre të drejtën bazike për të patur ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre dhe një sistem arsimor dinjitoz ku mund të edukohen fëmijët e qytetarëve të Tiranës.
Ndaj i bëjmë thirrje SPAK të administrojë urgjentisht edhe këtë shkresë të Bashkisë së Tiranës dhe të marrë urgjentisht të pandehur pronarin faktik të Inceneratorit fantazëm Erion Veliaj.
Partia e Lirisë është e vendosur të faktojë me prova dhe dokumenta siç ka bërë edhe në të kaluarën, dhe jo me propagandë dhe hamendje, të gjitha aferat kriminale të Rilindjes si dhe të faktojë të gjithë korrupsionin e kësaj qeveria dhe maxhorance, si në nivel vendor, ashtu edhe në atë qendrore, sidomos përsa i përket zhvatjes dhe rrjepjes përditë të qytetarëve shqiptarë.
Në dritën e këtyre provave, qytetarët presin prej kohësh që pandëshkueshmëria të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Drejtësi me regji qendrore në Bashki dhe në Kryeministri do të thotë bashkëfajësi