Anëtarja e kryesisë së Partisë së Partisë së Lirisë, Anisa Ibraj: Ja si Rilindja mashtroi për Rindërtimin në Durrës

Anëtarja e kryesisë së Partisë së Partisë së Lirisë, Anisa Ibraj: Ja si Rilindja mashtroi për Rindërtimin në Durrës

A mund të quhet ‘sukses’ Rindërtimi nga Bashkia e Durrësit?!!!

Turpshëm, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit përsërit refrenin se, procesi i Rindërtimit për banorët dhe ndërtesat e dëmtuara nga Tërmeti i Nëntorit 2019 ka qenë një “sukses” i administrimit të fondeve dhe familjet e prekura janë dëmshpërblyer, kur në fakt:

– prej 11 muajsh familjet e pastreha të klasifikuara ds 3 dhe ds 4 nuk marrin bonusin e qirasë;
– Dhjetra pallate dhe shtëpi private janë ende të parikonstruktuara;
– Qindra familje janë të pastreha dhe protestojnë herë pas here përpara Bashkisë, ku e vetmja përgjigje që marrin është se ‘Ministria e Financave ka bllokuar fondet’.

Shpesh në protestat e tyre gjatë këtyre viteve por edhe në takimet me to kemi dëgjuar se, nëse Bashkia nuk merr masa do të hyjnë të jetojnë në pallatet e dëmtuara pasi pamundësia ekonomike e mungesa e bonusit të qirasë i ka thelluar në borxhe…
Dhe në fakt, mbi 100 familje janë kthyer në pallatet e shpallura të pabanueshëm dhe për t’u shembur.

Gati 5 vjet pas tërmetit, shtëpitë e tyre nuk u riparuan, banorët mbetën pa bonus qiraje prej muajit Mars 2023 dhe shumë prej tyre në lagjen 17 të qytetit kanë zgjedhur të rikthehen në gërmadha, të ndërgjegjshëm se po rrezikojnë jetën e tyre.

Edhe dhjetra familje të tjera në lagjen 5 dhe 12 kanë marrë vendim të rikthehen në pallatet të shpallura për shëmbje nga Insitituti i Ndërtimit, mjedise tejet kërcënuese dhe të rrezikshme.

Në këto kushte alarmante për qindra banorë, indiferenca e Bashkisë Durrës i kalon kufijtë e zvarritjes së këtij procesi, i cili me shumë gjasa edhe pse është premtuar se do të përfundojë në vitin 2024, me këtë ritëm do të zgjasë jo më pak se 2 vite të tjerë(sipas parashikimeve në buxhet).
Shtrirja në kohë kaq të gjatë do të sjellë pasoja negative humbje në ekonominë e familjeve dhe bizneseve te kateve të para të këtyre pallateve të cilët kanë ndërprerë aktivitetin prej shumë kohësh.

Përgjigjet zyrtare të Bashkisë nuk përcaktojnë afate përfundimi, por përcjellin justifikime, zvarritje dhe ‘lojë ping-pong’ mes tyre edhe Qeverisë. Ndësa banorët e taksapaguesit e Durrësit sakrifikojnë duke rrezikuar një tragjedi të dytë në gërmadhat e shtëpive ku janë rikthyer për të jetuar pa çati e dritare!