LRI mbush simbolikisht gropat e rrugëve të bulevardit të Tiranës

LRI mbush simbolikisht gropat e rrugëve të bulevardit të Tiranës

” LRI mbush simbolikisht gropat e rrugëve të bulevardit të Tiranës për të kujtuar qeverinë dhe bashkinë se po harrojnë problemet dhe shqetësimet e njerëzve Anëtarë të Lëvizjes Rinore për Integrim të Tiranës së bashku me Kryetarin e LSI për Tiranën Ilir Dashi dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi kanë gjetur dje një mënyrë origjinale dhe simbolike për të protestuar ndaj anashkalimit që politika shqiptare po u bën problemeve më jetike që shqetësojnë banorët e kryeqytetit.
Ata kanë mbushur gropat e lëna pezull dhe për një kohë të gjatë pikërisht në sheshin kryesor të Tiranës në sheshin Skënderbej. Dhjetëra anëtarë të LRI- së Tiranës me lopata dhe bazën materiale u kanë kujtuar si Qeverisë ashtu edhe  PS dhe kryetarit të Bashkisë por edhe të gjithë parlamentarëve që të lënë mënjanë sherret dhe grindjet e tyre në parlament por të fillojnë nga puna për rregullimin e rrugëve dhe problemeve të tjera që shqetësojnë komunitetin e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë. I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Tiranën Ilir Dashi i cili ka vlerësuar gjestin e të rinjve të LSI ndërkohë që ka shpjeguar edhe mesazhin që nisma e tyre mbarte.
“Ky është një gjest i të rinjve të LSI së Tiranës për ti bërë thirrje qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për të mos u marrë me gjëra të parëndësishme por me interesat më thelbësore të qytetarëve. Nuk është çështje thjesht e mbushjes së gropave skandaloze që lihen shpeshherë dhe në mes të kryeqytetit për një kohë të gjatë të pariparuara por është çështje më e thellë. Këtu manifestohet vazhdimisht një qëndrim ofendues ndaj qytetarëve ndaj interesave të tyre të përditshme. Prandaj edhe ne si forcë politike LSI mendon dhe u bën thirrje edhe parlamentarëve përveç Bashkisë dhe qeverisë që të fokusohen jo tek sherret dhe grindjet e tyre për vënien e njërit apo tjetrit në krye të parlamentit por të fokusohen te problemet më shqetësuese dhe te çështjet më jetësore që kanë qytetarët sot për të cilat ata i kanë zgjedhur këta parlamentarë. Pyetjes së gazetarëve se a mendoni se Edi Rama pasi ka marrë postin e kryetarit të PS e ka lënë mënjanë punën e nisur si kryebashkiaku i Tiranës Ilir Dashi iu përgjigj se “unë mendoj se ai është vendosur më tepër te qëndrimet partiake gjë për të cilat qytetarëve të Tiranës nuk u intereson aq shumë. Qytetarët e Tiranës nuk u intereson qëndrimi i njërit-apo i tjetrit në krye të Parlamentit siç po bëjnë forcat partiake me në krye liderat e tyre. Atyre u interesojnë çështjet e përditshme dhe problemet që u shqetësojnë. Prandaj ne shohim një zhvendosje jo të drejtë të këtij fokusi politik” tha Ilir Dashi.

0x323030362d30332d3035 11:29)”