07 Nov Intervistë ekskluzive e Presidentit Meta për “Syri. net”: Shteti ka dalë me fitim dhe jo me humbje nga DIA!
Intervistë ekskluzive e Presidentit Meta për “Syri. net”: Shteti ka dalë me fitim dhe jo me humbje nga DIA!
Z. Meta, si e vlerësoni Raportin e Komisionit Europian?
Kontradiktor, të dyfishtë dhe jokoherent në tërësinë e tij. Thjesht një dëshirë e Komisionit Europian për të parë çerekun e gotës plot se nuk bëhet fjalë për gjysmën e gotës në rastin tonë.
Të gjitha raportet serioze ndërkombëtare lidhur me treguesit e konvergjencës së vendeve të Ballkanit Perëndimor e renditin Shqipërinë të fundit, madje në përkeqësim të ndjeshëm lidhur me klimën e biznesit, tregut e infrastrukturës dhe çdo aspekt.
Mjafton të përmend raportin e fundit të OECD nën kujdesin e Presidencës polake të Bashkimit Europian, bazuar në të dhënat e EUROSTAT-it kryesisht.
Por fakti që pranohet mosfunksionimi i Kuvendit dhe pamundësia e tij për kontrollin e qeverisë është kuptimplotë për të kuptuar se nuk ekziston as llogaridhënia, as transparenca që janë jetike për mirëqeverisjen.
Po kështu, citimi i disa konkluzioneve kyç të OSBE-ODIHR se zgjedhjet ishin të pabarabarta, tregon gjëndjen e rëndë të demokracisë dhe legjimitetit të institucioneve dhe vetë Kuvendit e Qeverisë.
Po vlerësimet e tyre pozitive për SPAK si i shikon?
Ju mos prisni që ata të pranojnë dështimin e tyre me Reformën në Drejtësi, përfshirë dhe SPAK-un në veçanti?
Nëse do ta pranonin këtë, shumë prej zyrtarëve të BE në Bruksel e Tiranë duhej të gjykoheshin për ndërhyrjet e tyre manipulative e të paligjshme për t’ia dhënë drejtësinë në dorë Edi Ramës si armë politike për të kapur shtetin e luftuar kundërshtarët politikë. Kush do mbante përgjegjësi për qindra milionë euro?
Tentakulat e Sorosit në BE, në Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian janë shumë të forta, madje ndikimi i tij ka qenë edhe në EPP.
Kjo është shprehur edhe në kontradiktat e tyre me Hungarinë e Viktor Orban dhe jo vetëm.
Sepse Orban ka qenë kundërshtari i parë i Sorosit dhe ndikimeve puçiste të tij në politikën e vendeve të ndryshme.
Ndaj edhe BE ka standarde të ndryshme për vende të ndryshme.
Në Maqedoninë e Veriut insistuan për të futur në Kushtetutë e ligj organizimin e zgjedhjeve të lira nga qeveri teknike, ndërsa për Shqipërinë ku gjendja është shumë më e rëndë, përpiqen ta relativizojnë me klishe boshe.
Por është detyra e Opozitës të demonstrojë më fort gjendjen reale të vendit dhe përshkallëzojë reagimin e saj.
Ëorld Justice Project në raportin e fundit tregoi më së miri përkeqësimin e indekseve për drejtësinë në vendin tonë, krahasuar me 2015.
Të jesh shumë vende pas Vietnamit komunist ishte e turpshme, por edhe e vërtetë fatkeqësisht.
Plus, konsideratat e tyre për SPAK kanë një dozë të dukshme hipokrizie.
Ata konstatojnë se Shqipëria nuk është gati për të zhbllokuar IPARD-in që u bllokua prej dy vitesh për shkak të korrupsionit, por a nuk u bën përshtypje atyre që ky SPAK-u i “mrekullueshëm” i tyre ka dy vjet që fle mbi dosjet e OLAF-it dhe ndërkohë çdo vit fermerët shqiptarë humbasin 115 milionë euro.
Kjo është efiçenca e hetimit të SPAK-ut kur bëhet fjalë edhe për fondet e BE?
Greqia para pak ditësh njoftoi arrestimin e 37 zyrtarëve për abuzim me fondet e BE për bujqësinë dhe sekuestrimin e 22 milionë eurove.
Sa miliona euro ka sekuestruar ky SPAK-u i tyre nga 38 milionë euro të vjedhura e abuzuara nga banda e Edi Ramës nga fondet IPARD?
Ndërkohë, s’duhet të harrojmë se BE dhe vendet anëtare janë të detyruara të bashkëpunojnë me SPAK për shkak të përmasave të frikshme të krimit të organizuar shqiptar në vendet e tyre.
Ndaj dhe ndonjë fjalë të mirë do e thonë se ua do interesi i bashkëpunimit për hallet e tyre në rradhë të parë.
Por edhe ata e dinë se 250 urdhër-arreste të firmosura “flenë” në sirtarët e SPAK-ut, se personat në kërkim janë lajmëruar në kohën e duhur.
Një gjë është e sigurt, se BE nuk mund t’ia rekomandojë asnjë vendi tjetër Reformën shqiptare se të gjithë e dinë se ishte dështim në zbatim dhe përfundoi në Ramaformë nga kapja antikushtetuese që ndodhi edhe me ndihmën e disa zyrtarëve europianë.
Rama lobon fort e paguan shumë për të marrë deklarata mbështetëse për SPAK-un, armën e tij kryesore politike që i ka mbetur për të garantuar pandëshkueshmërinë e tij dhe mosprekjen e kollonave që e mbajnë në pushtet, që janë krimi elektoral, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave që e ka rrëzuar përdhe euron dhe dollarin, por edhe industrinë dhe bujqësinë.
Z. Meta, si e gjykoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Veliajn?
Qëndrimi i Opozitës ka qenë shumë i drejtë për këtë çështje dhe kjo u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese.
Ky vendim nuk e bën as Gjykatën Kushtetuese të pavarur nga Rama dhe as Z. Veliaj të pafajshëm.
Rama është mësuar t’i nxjerrë gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve.
Ndaj keqpërdori këshilltarët e tij në Bashkinë e Tiranës duke bërë një process të parregullt ligjor.
Nëse Ramës i dhimbset Tirana që e ka betonizuar dhe tjetërsuar, ai bashkë me Veliajn mund ta shkarkojë në mënyrë ligjore.
Mjafton firma e Veliajt në emër të Këshillit Bashkiak për t’i hapur rrugë aferës së inceneratorëve, që Këshilli i Ministrave ta shkarkojë Z. Veliaj.
Ose mjafton prishja e paligjshme e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që kjo çështje ishte në Gjykatë Kushtetuese dhe “padurimi” i tij për të mos i lënë qytetarët e Tiranës pa kryetar do zgjidhej.
Por edhe në kushtet aktuale, nëse Rama dëshiron që Veliaj të përmbushë sa më shumë detyrat e tij, mund të krijojë kushte të përshtatshme në burg që ai të komunikojë me vartësit e tij, me Këshillin Bashkiak si në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke e lejuar të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit, por edhe on-line.
Konkluzionet e Komisionit të Venecias kundër paraburgimit të kryetarëve të bashkive ishin të qarta.
Nëse Gjykata Kushtetuese do vepronte ndryshe, do krijonte precedentin që çdo Qeveri të shkarkonte çdo kryetar të zgjedhur bashkie nga qytetarët duke përdorur drejtësinë për realizimin e paraburgimit të padëshiruerve politikisht.
Shpesh hiqen paralele midis rastit tuaj dhe atij të Z. Veliaj. A shihni ju një lidhje?
E vetmja lidhje është se të dyja kanë një prapavijë politike, por qëllime të ndryshme.
Arrestimi im u urdhërua publikisht nga Edi Rama, se ai donte të terrorizonte opozitën dhe qytetarët para zgjedhjeve që të grabiste zgjedhjet, sic edhe ndodhi, ndërsa Erjon Velaij u arrestua nga Nesti Angoni, i cili është vetë Edi Rama.
Arsyeja ishte oreksi i Veliajt për t’u bërë pasues i Ramës.
Veliaj nuk u arrestua apo akuzua për kallëzimet e bëra nga opozita dhe shoqëria civile, si ato për inceneratorin apo Teatrin Kombëtar, se aty preket direkt Edi Rama si vendimmarrës dhe urdhërues.
Por ai u akuzua për çështje sekondare nga Nesti Angoni.
Po kështu, në dosjen e fabrikuar kundër meje nuk ekziston asnjë akt, urdhër, vendim, shkresë ku mund të jetë shkelur ligji apo cënuar interesi publik.
Aty ka vetëm mashtrime dhe hamendësime të shkruara nga Rama e firmosura nga tre prokurorët symbyllur.
Po kështu, ish-bashkëshortja ime nuk ka përfituar asnjëherë nga asnjë vendimmarrje e imja.
Po kështu, mua s’më kanë sekuestruar dot as një qindarkë apo metër katror.
Njëkohësisht akuzat për lobim s’kanë asnjë lidhje me mua.
Kontrata e LSI me GSIS, ka qenë shumë e qartë dhe asgjëkundi nuk ekziston firma ime apo autorizimi im për pagesa apo dijenia ime se dikush ka bërë pagesa të paligjshme në kundërshtim me kontratën e firmosur nga LSI dhe GSIS.
Nëse GSIS ka pranuar pagesa të paligjshme kjo e kthen atë në subjekt të drejtësisë amerikane.
Të gjitha letërporositë e SPAK-ut, me qëllim mbulimin e të vërtetës dhe jo zbulimin e saj, do i bëjmë publike pas seancës paraprake në respekt të ligjit.
Akuzohet vetëm Ilir Meta për lobimin me GSIS që s’ka asnjë firmë dhe asnjë autorizim dhe asnjë dijeni për veprime të parregullta, ndërsa ata që kanë firmosur pagesa janë bërë rilindësa falë “zemërgjerësisë” të SPAK-ut.
Altin Dumani nuk mban asnjë përgjegjësi që urdhri që ai firmos për arrestimin e Ilir Metës dhunohet publikisht nga Narkopolicia, ndërsa Ilir Meta duhet të mbajë përgjegjësi për firmat e të tjerëve se kështu i thotë rradakja Altin Dumanit që telekomandohet nga Edi Rama, kryekorruptuesi i McGonigalit, që i falte pasuritë natyrore të Shqipërisë për të ndërtuar procese shantazhuese në emër të FBI për të shuar opozitarizmin dhe demokracinë në Shqipëri.
Edhe në rastin e DIA me CEZ, është shumë e qartë se lidhjen e Kastriot Islamit me Cez e ka bërë ajo partnerja amerikane e tij për shkak të lidhjeve që kishte më parë në Pragë.
Këtë e ka konfirmuar në një intervistë publike edhe bashkëshortja e Kastriot Ismailit.
Është po kjo zonjë amerikane, e cila në fund u regjistrua si drejtuese e DIA-s me ndihmën e Dumanit dhe Ramës dhe doli kundër Z. Ismaili në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë për interesat e saj.
Por SPAK-ut nuk i intereson e vërteta, se po të ishte kështu do kishte hetuar për kallëzimin e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për faljen e gati 500 milion euro që Rama e Gjiknuri i bënë CEZ-it që i takonin shtetit shqiptar edhe sipas kompanisë ndërkombëtare që bëri auditimin.
I gjithë dëmi që Gjykata e Lartë ka vlerësuar që ka bërë DIA e Z. Ismaili është 6 milionë euro, nga të cilat vetëm 24% është dëmi i interesave të shtetit shqiptar, ndërsa 76% është dëmi që ka pësuar CEZ sipas Gjykatës.
Pra efektivisht dëmi i qytetarëve shqiptarë është 1.5 milionë euro. Ndërkohë këta i kanë konfiskuar Z. Ismaili mbi 4 milion euro. Pra shteti ka dalë me fitim dhe jo me humbje nga DIA!
Ndërsa për 500 milion eurot e falura CEZ-it, SPAK as belbëzon e jo më të flasë dhe hetojë. Edhe pse kallëzimi ka qenë zyrtar dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Po kështu, ndryshe nga rasti i Veliajt unë nuk kam intimiduar asnjë prokuror dhe as dëshmitar për më tepër që në dosjen time nuk ekziston asnjë dëshmitar kundër meje, por të gjithë janë pro meje dhe këtë do e provojë gjykimi në themel.
Cilat janë pritmëritë tuaja nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë?
Që në fillim pritmëritë e mia kanë qenë zero dhe mbeten të tilla nga Gjykatat e Republikës, afërmendsh që komandohen nga Edi Rama.
E kam thënë që në fillim që ne do ta fitojmë këtë betejë në Strasburg ku në këtë rast Shqipëria do lerë pas edhe Rusinë me Navalnin dhe Bjellorusinë.
Por jemi të detyruar të ezaurojmë të gjitha shkallët e gjykimit vendas për të ecur drejt Strasburgut.
Ç’mund të presës nga Gjykatat me postë?
Kjo ishte një nga perlat e Ramaformës bashkë me Dhomën e Këshillimit (Komandimit).
Z.Meta, kjo zgjatje a nuk ju dëmton ju dhe Partinë e Lirisë?
Ky është një process kundër ekzistencës së Partisë së Lirisë (ish-LSI) dhe vetë pluralizmit politik.
Populli thotë i duruari, i fituari. Nelson Mandela duroi mbi 10 mijë ditë në burgjet e aparteiditi dhe doli si kokrra e mollës dhe u bë President.
Për mua është e rëndësishme që çdo ditë të mësoj diçka të re, të bëj një ushtrim të ri, të lexoj një libër të ri apo të sistemoj kujtimet e mia dhe të planifikoj një fillim të ri.
Partia e Lirisë ka një program të shkëlqyer të 5 Prioriteteve, të cilin duhet ta mbrojë dhe pasurojë çdo ditë.
Ajo duhet të bëjë çdo gjë për të mposhtur çensurën ndaj saj. 4 deputetët duhet të jenë në lartësinë e kërkuar të momentit. Po kështu këshilltarët tanë vendor që kanë qëndruar stoikë dhe nuk janë shitur te “Rilindja” për ndonjë vend pune.
Ndërkohë duhet të fillojnë që tani përpjekjet për zgjedhjet vendore dhe përzgjedhjen e kandidatëve më me reputacion në komunitetet e tyre.
Ndërkohë pak ditë më parë u nda nga jeta ish-Kryeministri, Fatos Nano, lideri historik i PS. Si e përjetuat?
Me keqardhje pasi në çdo rast ishte një ikje e parakohshme edhe pse jo e papritur.
Po kështu jeta e tij politike ishte e mbushur me plot drama dhe sfida, përfshirë këtu edhe burgosjen e tij politike.
Por të dëgjoje “palloshin e gjatë” sipas vet burimeve të SPAK-ut, që keqpërdorte një ceremoni mortore për të sulmuar ata që burgosën Fatosin në vitin 1993 dhe të cilët Nano vet i fali ndërkohë që ky pas 30 vitesh ka burgosur, proceduar penalisht e rrëmbyer në mënyrë mafioze drejtuesit e opozitës është vërtetë shumë për të vjellë se deri ku shkon pafytyrësia dhe instrumentalizimi i vdekjes për qëllime ordinere politike.
Dhe kush ishte tronditur kaq shumë?
Ky që i tha Fatosit se ishte bërë si Robert Çamçakizi.
Në raste të tilla duhet të mbizotërojë humanizmi, respekti për të ndjerin dhe familjen, por edhe për institucionet që ka përfaqësuar, shtetërore apo partiake.
Vetëm një njeri i zi, sterrë, si Edi Rama mund të keqpërdorë një ceremony të rëndësishme mortore, që ndodh vetëm njëherë për të provokuar emocione negative.
Ju keni qenë kundërshtari kryesor i tij në PS, gjë që çoi dhe në ndarjen e saj. Cili është vlerësimi juaj për të sot?
Që të jemi korrekt me të vërtetat historike, ndarjen nuk e zgjodha unë por Fatosi, apo akoma më saktë ata që ndikonin më shumë te ai për interesat e tyre dhe jo të Fatosit e PS.
E harruat Kongresin e “kongresmenëve” kur u asgjësuar votimi i fshehtë dhe demokratik dhe jo vetëm unë por edhe shumë personalitete të tjera të PS u fshinë nga KPD.
Për të evituar ndarjen e PS unë kisha rënë dakord me Z. Ruçi, me kërkesë të tij, në një takim që bëmë në Linzë, që unë të mos kandidoja për kryetar të PS, por të kishim një vëzhgues në Komisionin e Votimit, gjë që u pranua në atë takim por nuk u pranua në Kongres nga Nano.
Në Qershor-Korrik 2002 u bë një marrëveshje e madhe midis Nanos, Berishës dhe meje.
Nano donte vetëm një marrëveshje Nano-Meta, e cila ishte e mirëpërcaktuar që në Qershor të bëhej Kongresi i PS ku unë të zgjidhesha Kryetar i PS dhe Kryeministër dhe ai në korrik të zgjidhej President meqënëse kishim 87 vota (bashkë me votat e “Dushkut”).
Unë nuk e pranova këtë marrëveshje pasi kishte dalë rezoluta e Parlamentit Europian, që dënonte fenomenin e “Dushkut” dhe kërkonte një President konsensual për të mos bllokuar procesin e integrimit europian.
Ndaj me insistimin tim u bë ajo zgjidhje politike pas takimit tim me Berishën në Hotel Rogner, ku i propozova Ambasadorin Kuko si President për të cilin ai ra dakord.
E në fund u dakordësuam për Z. Moisiu, pasi Z. Kuko refuzoi dhe sot unë i jap shumë të drejtë atij edhe pse atëherë u mërzita shumë me të.
Ishte kjo zgjidhje politike që bëmë, e cila garantoi çeljen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Por më pas këto negociata gati ngrinë për arsyet që dihen, që nga doganat e korrupsioni e shumë angazhime të pambajtura.
Kjo situatë solli edhe dorëheqjen time nga Zv/Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm.
Është e padiskutueshme se nëse Nano do t’i kishte qëndruar marrëveshjes që bëmë, jo vetëm Shqipëria do ishte bërë me kohë anëtare e BE, por edhe ai natyrshëm do ishte bërë edhe President.
Nuk ishte rastësi që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit u përmbyll dhe u firmos vetëm pas rotacionit të 2005.
Natyrisht ky shpjegim që dhashë nuk hedh poshtë kontributet e tij positive në politikën shqiptare dhe hapjen e PS. Ai kishte një kulturë të gjithanshme dhe një nënë të mrekullueshme nga një familje e shquar si e Shuteriqëve.
Babai im u gëzua shumë kur Nano u bë Kryeministër pasi e njihte nga afër nënën e tij, Marien, sepse kishin qenë mësues në shkollën “Skënderbej” dhe fliste me shumë admirim për të.
Si sot e mbaj mend atë pasdite në të error, kur bashkë me Z. Ruçi shkuam në burgun e Bënçës për t’i dhënë lajmin e ndarjes nga jeta të nënë së tij.
Ne ishim në një gjendje shumë të rënduar sepse deri atëherë nuk ishte dhënë leja që Nano të merrte pjesë ne ceremoninë e përcjelljes së nënës.
Por nata ndonjëherë sjell këshilla të mira dhe Nano të paktën u lejua të përcillte nënën e tij të mrekullueshme por edhe të takohej me të afërmit dhe bashkëpunëtorët.
A shihni ndonjë lidhje midis burgosjes politike të Nanos dhe tuajës?
Absolutisht jo, pasi hetimi kishte nisur në Itali, për qëllime të brendshme të politikës italiane se donin të godisnin Gianni de Michelisin dhe bashkë me të Bettino Craxi dhe kjo u keqpërdor në Shqipëri për Nanon.
Të mos harrojmë se një faktor i rëndësishëm ishte edhe angazhimi i një diplomati shumë të rëndësishëm në Tiranë, i cili sillej si bashkëkryetar i PD në atë kohë dhe bënte thirrje publike për largimin nga puna të socialistëve dhe ishte më ekstremist se Berisha në atë kohë dhe që me të drejtë Fatosi e cilësonte “me thikë në gojë”.
Atëherë ai diplomat bashkë me miratimin e arrestimit të Fatosit bënte thirrje edhe për miratimin e reformave, siç ishte e famshmja “Reforma e Plepave”.
Po kështu, Nano u arrestua në Prokurori dhe nuk u rrëmbye në rrugë me maska.
Gjithashtu, Shqipëria atëherë nuk ishte as në Këshillin e Europës dhe as në NATO.
Njëkohësisht më vonë Berisha do të reflektonte dhe pranonte se ai arrestim ishte bërë edhe nga presione të brendshme.
Në shtator 1992 ata donin të më arrestonin mua që isha vetëm 23 vjeç dhe më hoqën imunitetin për një vit derisa arrestuan Nanon.
Nëse nuk u burgosa atëherë kjo ndodhi sepse Prokurori i Përgjithshëm, Z. Maks Haxhia nuk pranoi të firmoste për arrestimin tim dhe po kështu sepse një drejtues politike me shumë integritet në atë kohë si Z. Pashk Tusha, nuk pranoi të firmoste një dëshmi të rreme kundër meje, ndërkohë që një drejtues policie nga Skrapari e kishte bërë një palaçollëk të tillë.
Nuk them se gjithë ajo histori ishte e trilluar nga Berisha, por ministrat e tij të Brendshëm dhe të Mbrojtjes bënë çdo gjë për të më burgosur mua vetëm për poshtërimin që populli i Poliçanit i kishte bërë dhunës së forcave special.
Nano kur ishte në burg tha një fjali kuptimplote se çdo politikan duhet të bëjë burgun e tij dhe unë po e bëj plot vetëbesim për të ardhmen time dhe të vendit tim.
Më mirë këtu në qelinë numër 5 të vendit tim se kudo tjetër në botë.
Atë ëndërr që unë nuk e realizova për vete për të studiuar jashtë e realizova për tre fëmijët e mi. Në moshën e tyre unë isha ose anëtar Qeverie ose Nënkryetar i PS ose në krye të Lëvizjes Studentore, që solli pluralizmin politik.
Unë vetë jam jo vetëm një protagonist i sjelljes së pluralizmit politik, por jam edhe një krijesë politike e tij, ndaj është detyra ime ta mbroj edhe këtu “shtetrrethimin” nga Narkoshteti që kërkon të asgjësojë bashkë me pluralizmin politik edhe familjen shqiptare me ligjin sorosist dhe identitetin tonë kombëtar e kulturor dhe ta shndërrojë Shqipërinë në një territor për pastrimin e parave të mafias ndërkombëtare.
Çdo shtëpi ka një tualet. Ne nuk duhet të pranojmë që Shqipëria të jetë tualeti i askujt.
Kombi ynë ka ekzistuar edhe para formimit të NATO-s edhe përpara themelimit të BE.
Ne do të ekzistojmë edhe në të ardhmen se nuk jeni racë që shuhemi, por që mbijetojmë.
Koha do ta provojë. Me qetësi dhe llogari.
Vasil Laçi ishte një fëmijë jetim kur vuri në vend dinjitetin e një kombi të tërë të poshtëruar nga pushtimi dhe dha jetën në lulen e rinisë për të zgjuar krenarinë dhe rezistencën kombëtare.
Askush nuk i mban mend tërë ata shqiptarëfolës që duartrokisnin pushtuesin atë ditë te rruga e Durrësit.
Por të gjithë do kujtojnë me nderim veprën e Vasil Laçit. Askush më 7 Prill nuk nderon ish-Mbretin Zog edhe pse ai pati meritën të refuzonte pushtimin. Por të gjithë kujtojnë më 7 Prill një oficer të thjeshtë si Mujo Ulqinaku, që shpëtoi nderin e Shqipërisë.
Toka jonë nuk i duron dot çibanët e huaj. Kjo do provohet shumë shpejt.
Unë kam lindur në familje patriotësh të njohur në krahinën e Skraparit dhe jam krenar që eci në rrugën e gjyshërve të mi. Malet tona më të larta.