Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama, merr pjesë në aktivitetin përkujtimor të organizuar nga Organizata e Veteranëve të L.A.N.Ç-it në nder të çlirimit të Tiranës.

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama, merr pjesë në aktivitetin përkujtimor të organizuar nga Organizata e Veteranëve të L.A.N.Ç-it në nder të çlirimit të Tiranës.

luanRama.17.11.2014

Rama: Historia nuk shkruhet, historia bëhet dhe historinë e kanë bërë partizanët shqiptarë, historinë e kanë bërë ata që falën gjakun dhe dhanë jetën e tyre për çlirimin e atdheut

Rama: Askush nuk do të mund as të errësojë, as të zvogëlojë dhe aq më pak të mohojë rolin dhe kontributin e atyre.

Rama: Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare është më e lavdishmja sepse u kurorëzua me çlirimin e atdheut.

Rama: Të nderojmë dhe të trashëgojmë heroizmin partizan si një vlerë të çmuar pa të cilën nuk do të ishte Shqipëria evropiane që ne jetojmë sot sepse antifashizmi është në themel të Evropës së Bashkuar.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama me ftesë të Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare mori pjesë në aktivitetin përkujtimor të organizuar nga kjo organizatë në nder të çlirimit të Tiranës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama vlerësoi rolin dhe kontributin e partizanëve dhe të popullit në luftën kundër pushtuesve nazifashist.

“Historia nuk shkruhet, historia bëhet. Dhe historinë e kanë bërë partizanët shqiptarë, historinë e kanë bërë ata që falën gjakun dhe dhanë jetën e tyre për çlirimin e atdheut dhe askush nuk do të mund as të errësojë, as të zvogëlojë dhe aq më pak të mohojë rolin dhe kontributin atyre. Por ne nuk jemi nga ata që nderojmë një pjesë të historisë dhe të mohojmë apo më keq akoma të anatemojmë pjesën tjetër të historisë.

Sigurisht Shqipëria quhet antifashiste për shkak të luftës që bëri, por luftën e bënë partizanët, nuk e bënë as ballistët, as zogistët, as bashibuzukët e tjerë të cilët edhe në kulmin e luftës dhe të sakrificave të popullit, bënin llogari pushteti”, theksoi z. Luan Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama u shpreh se data e sotme shënon dhe kurorëzimin e luftës më të lavdishme dhe më heroike që ka bërë populli shqiptar gjatë gjithë historisë së vet të mbushur me luftëra dhe me sakrifica.

“Sot është një ditë vërtet e veçantë, ashtu siç është 70 vjetori i çlirimit një ditë e veçantë për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë sepse qe kurorëzimi i luftës më të lavdishme dhe më heroike që ka bërë populli shqiptar gjatë gjithë historisë së vet të mbushur me luftëra dhe me sakrifica. Por Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare është më e lavdishmja sepse u kurorëzua me çlirimin e atdheut.

U kurorëzua me lirinë e popullit që i hapi rrugën më pas zhvillimit të gjithanshëm të shoqërisë shqiptare për të mbërritur tek Shqipëria që ne kemi sot”, tha z. Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim vlerësoi sakrificën e bërë nga populli shqiptar që e renditi vendin në krah të aleatëve të mëdhenj në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.

“Të nderojmë dhe të trashëgojmë heroizmin partizan si një vlerë të çmuar pa të cilën nuk do të ishte Shqipëria evropiane që ne jetojmë sot sepse antifashizmi është në themel të Evropës së Bashkuar”, tha z. Rama.

Z. Luan Rama theksoi se falë sakrificës së bërë nga partizanët dhe nga populli që zgjodhi të fitojë lirinë përmes luftës, Shqipëria evropiane është në panteonin e nderit të të gjithë atyre që luftuan dhe fituan mbi nazifashizmin.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të L.A.N.Ç, z. Rustem Peçi, vlerësoi sakrificën e popullit të Tiranës në mbështetje të luftës dhe të forcave partizane në betejën heroike për çlirimin e kryeqytetit.

“Lufta e Tiranës, një ndër operacionet më të mëdha, më të rëndësishme dhe më të suksesshme që kanë zhvilluar njësitë e Ushtrisë Nacional Çlirimtare kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë, u përgatit dhe u zhvillua në kuadër të mësymjes së përgjithshme të ushtrisë për çlirimin e plotë të vendit dhe beteja për çlirimin e Tiranës, ishte vazhdimi dhe kulmi i kësaj mësymjeje të përgjithshme.

Në këtë luftë një kontribut të rëndësishëm dha populli i Tiranës në të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër rrugë dhe të gjithë të ndjehemi krenar, krenari të ligjshme, sepse Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që u çlirua nga forcat e veta”, theksoi z. Peçi.

Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama mori pjesë edhe në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në Vorë në kuadër të 70 vjetorit të çlirimit të vendit.