11 Mar Presidenti Meta: Ramaforma është kronika e një katastrofe të paralajmëruar
Presidenti Meta: Ramaforma është kronika e një katastrofe të paralajmëruar
Intervistë ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta dhënë për portalin “Syri. net”
Pyetje: Z. Meta, si e vlerësoni qëndrimin e Kryeministrit Rama, lidhur me refuzimin e heqjes së imunitetit të Znj. Balluku?
Si qëndrimin më të sinqertë që ka mbajtur ndonjëherë lidhur me Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Ai u tregua shumë i vërtetë kur shpalosi publikisht devizën e tij se lufta kundër korrupsionit po bëhet më e dëmshme se vetë korrupsioni.
Ky qëndrim nuk ka të bëjë me Znj. Balluku, por me kapjen e tij në flagrancë si paracaktuesi i çdo “tenderi” në Shqipëri.
Ai ka të drejtë të jetë i pakënaqur me SPAK-un e tij, se kur ata mbyllën sytë për firmën zyrtare që ai hodhi duke i dhënë 8% avantazh kompanisë që nuk ekzistonte fare për inceneratorin, përse e bëjnë kaq të madhe kur ky urdhëron marrjen e tenderave në telefon për kompani që ekzistojnë dhe që kanë edhe të punësuar.
Për shembull, pronari i “Prestige Resort”, nuk kishte fare të punësuar kur i hodhën në erë në mënyrë të paligjshme një resort të tërë dhe madje në kulmin e sezonit turistik, kur dhjetra turistë të huaj u lebetitën për gjithë jetën.
As pronarët e shumë bujtinave në Theth nuk kishin asnjë të punësuar, atë moment në të gdhirë, kur investimet e tyre u rrëzuan përdhe, pa vendim gjykate dhe turistët e huaj dolën në rrugë.
Vetëm Biznesmenët dhe bizneset që urdhëron ky të fitojnë tendera kanë të punësuar dhe të drejta.
Pyetje: Çfarë shënon ky hap i Kryeministrit Rama dhe PS për Reformën në Drejtësi?
Shënon fundin e “telenovelës” populiste “Drejtësi me Regji” dhe pengim të hapur edhe të drejtësisë që e kapi vetë në çdo qelizë, natyrisht me përkrahjen e paepur të sorosistëve diplomatë dhe politikanëve në të dy anët e oqeanit Atlantik.
Padyshim edhe me marrëzitë e drejtuesve të opozitës që nga djegia e mandateve dhe pasojat e gjithanshme të këtij vendimi katastrofik edhe për t’i lehtësuar Ramës kapjen e gjithë institucioneve të reja të drejtësisë.
Raporti i fundit i Transparency International, tregon bindshëm përkeqësimin e korrupsionit me 11 vende në renditjen botërore të Shqipërisë gjatë vitit të fundit, aq sa edhe Z. McAllister e theksoi publikisht në Tiranë.
Shqipëria është vendi që shpenzon më shumë nga buxheti i shtetit për investimet publike në infrastrukturë dhe në këtë aspekt është më keq sa i takon kriterit të konvergjencës me BE se para 10 viteve apo në raport me vendet e rajonit.
Po kështu, Shqipëria përfiton më pak fonde nga BE për rrugët, sepse rrugët as nga cilësia fizike dhe as nga kostot e tyre nuk duhet të bëhen sipas standardeve europiane, por sipas standardeve “rilindase”.
Nëse SPAK apo Prokuroria e Korçës do të kishte shkuar menjëherë në vend kur u shemb rruga Korçë-Ersekë para dy vitesh, jam i sigurt se jo vetëm do gjente prova flagrante të krimit dhe korrupsionit, por edhe sot ndoshta një pjesë e rrugëve të reja nuk do ishin shembur.
Çdo vepër publike e shembur apo jofunksionale, si hidrovori i ri i Durrësit, është një skenë krimi dhe korrupsioni.
Përfundimisht, me bllokimin e heqjes së imunitetit të Znj. Balluku, Rama instalon hapur paprekshmërinë e tij dhe u jep siguri të gjithëve që vjedhin për llogari të tij, që ta shtojnë dozën (ma Nalt).
Njëkohësisht, jo vetëm zhbën Reformën në Drejtësi, të miratuar 10 vjet më parë, por e kthen çështjen e imunitetit të zyrtarëve para vitit 2012.
Dy ditë më parë dëgjova Z. Arben Malaj që kujtonte se pas zgjedhjeve të 2009, deputetët e PS në atë kohë, kishin deklaruar heqjen dorë nga imuniteti vullnetarisht.
Regresraporti me Drejtësinë po bëhet gjithmonë e më interesant.