19 Sep Meta: Aktgjykimi ndaj 4 krerëve të UÇK provoi se Prokuroria dhe Gjykata speciale ishin shkrirë në një ndërmarrje të vetme me dashje
Pyetje: Z. Meta, si e pritët aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK?
Përgjigje: Edhe pse pretenca e Prokurorisë dhe kërkesat e saj për dënimet ishin skandaloze, që besoj se edhe vetë prokurorët e Serbisë nuk do kishin guxuar t’i kërkonin aq të larta, përsëri doja të besoja se dëshmia publike e Komandantit të NATO-s, Gjeneralin Wesley Clark dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë ndërkombëtarë do të merrnin peshën e duhur për një gjykim objektiv, në radhë të parë për Z. Hashim Thaçi, si protagonist kryesor i Rambujesë, por dhe interlokutori kryesor deri në ditën e marrëveshjes me NATO-n për dorëzimin e armëve nga UÇK.
Ndaj aktgjykimi dhe sidomos rrëfimi se 4 drejtuesit e UÇK, dhe jo vetëm ata, kishin vepruar me dashje si ndërmarrje kriminale e madje se më shumë dukej sikur u kishte interesuar lufta për pushtet në Kosovë se sa çlirimi i saj nga regjimi genocidial i Millosheviçit ishte diabolic dhe jashtë kontekstit të ngjarjeve tre dekada më parë. Cila palë e firmosi Marrëveshjen e Rambujesë dhe cila palë e refuzoi atë? Dihet se pala shqiptare e firmosi Marrëveshjen dhe Serbia e refuzoi atë.
Po kështu, dihet se faktori kyç i palës shqiptare në Rambuje ishte Hashim Thaçi për shkak se ai përfaqësonte UÇK, që kishte marrë armët si vetëmbrojtje nga mizoritë e pushtuesit.
Njëkohësisht dihet se Thaçi nuk e firmosi menjëherë marrëveshjen pasi kërkoi kohë që të bindte komandantët e UÇK në terren, pasi UÇK ishte një lëvizje çlirimtare e decentralizuar më shumë se sa e mirëorganizuar në mënyrë vertikale.
Dhe pas konsultimeve ai e nënshkroi duke pranuar paqen edhe pse ajo mund të mos garantonte pavarësinë e sigurtë të Kosovës.
Natyrisht kjo u bë për të parandaluar përshkallëzimin e luftës dhe gjakderdhjes nga të dyja palët.
Ndërsa Millosheviçi e refuzoi Marrëveshjen e Rambujesë sepse ai kishte një plan të qartë të shpërnguljes dhe shfarosjes së shqiptarëve nga Kosova, siç edhe ndodhi në Mars-Qershor 1999.
Ishte ky refuzim dhe genocid që e detyroi NATO-n të ndërhynte jashtë dëshirës së saj.
Këtë e them sot me bindje të plotë.
Në qershor 1998, në cilësinë time si Sekretar Shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme kam qenë në takimin e ish-Kryeministrit Nano me Komandantin e NATO-s, Gjeneralin Wesley Clark.
Ishte koha kur disa qindra mijëra shqiptarë të Kosovës ishin shpërngulur në Tropojë për shkak të dhunës nga ushtria e paramilitarët serbë.
Kur Nano i tha Gjeneralit Clark se vetëm ndërhyrja e NATO-s mund t’i jepte fund konfliktit në Kosovë, Gjenerali në mënyrë të papritur rriti shkallën e përqëndrimit, vendosi parakrahët e tij në tryezë dhe ia nguli ata sytë e tij aq depërtues Nanos duke i thënë me një ton dramatik: “Ju lutem bëni çdo përpjekje politike dhe diplomatike, që të mos hyjmë ne (pra NATO) sepse po të hyjmë ne (NATO) do të jetë shumë e dhimbshme për të gjithë.
Dhe ai e përsëriti tre herë: “Shumë e dhimbshme për të gjithë pa përjashtim”.
Pra NATO nuk e synonte ndërhyrjen ushtarake, por Millosheviçi me marrëzinë e tij e provokoi edhe NATO-n deri në fund dhe duke e bërë të pashmangshëm nisjen e bombardimeve ajrore ndaj objektivave ushtarakë.
Millosheviçi u tërhoq pas disa muajsh i raskapitur nga goditjet ajrore dhe kur u bind se do të vinte edhe ndërhyrja tokësore e NATO-s.
Sa herë që gabimisht goditej nga avionë të NATO-s edhe ndonjë objektiv jo ushtarak më kujtohej se çfarë na kishte thënë Gjenerali Clark në qershor ’98.
Pra ju lutem bëni çdo përpjekje politike dhe diplomatike që të mos hyjmë ne (NATO) se do të jetë e dhimbshme për të gjithë.
Por ishte Millosheviçi, ai që kishte zgjedhur luftën dhe shfarosjen e shqiptarëve nga Kosova, pavarësisht edhe nga përpjekjet e vazhdueshme të diplomacisë amerikane dhe europiane, përfshirë këtu edhe takimet e fundit të Holbrooke dhe Gjeneralit Clark me të.
Tani dëgjojmë një aktgjykimi, që kërkon të fajësojë Hashim Thaçin për atë çfarë ndodhi sidomos pas Konferencës së Rambujesë, të cilën Thaçi dhe shqiptarët e nënshkruan edhe pse të palumtur, vetëm për hir të paqes dhe shmangies së mijëra e mijëra viktimave të cilat nuk mund t’i dhimbseshin kasapit të provuar të Ballkanit, i cili kishte dhënë prova të panumërta më parë edhe në Kroaci apo në Bosnjë.
Jo vetëm kaq, por në aktgjykim dëgjojmë në mënyrë të përsëritur edhe Shqipërinë e sidomos dy rrethe të saj në Veri, si vendngjarje krimesh të pretenduara nga Gjykata dhe Prokuroria Speciale, që e obligon tani Shqipërinë të mos reagojë vetëm me një deklaratë të Parlamentit, por të ndërmarrë përgjigjë të mirëstudiuara, së pari ligjore, për të pastruar edhe Shqipërinë nga ky aktgjykim implikues dhe i pabesë.
Pra tani duhen mobilizuar në mënyrë transparente nga shteti shqiptar ekipe ligjore dhe mjete financiare për të pastruar imazhin e cënuar nga kjo gjykatë edhe të vetë Shqipërisë drejtpërdrejt.
Në dijeninë time si Zv/Kryeministër i Qeverisë shqiptare, nga tetori i ’98 deri në qershor ’99, kur hyri NATO në Kosovë, Shqipëria bëri çdo përpjekje për të parandaluar konfliktin dhe gjakderdhjen në Kosovë.
Po kështu, Shqipëria bëri çdo përpjekje politike dhe diplomatike, që delegacioni shqiptar në Rambuje dhe sidomos përfaqësuesit e UÇK të firmosnin marrëveshjen edhe pse jo të lumtur me përmbajtjen e saj, vetëm për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe gjakderdhjes dhe në interes të paqes.
Si Zv/Kryeministër i Qeverisë së Shqipërisë, i zhvendosur në Kukës pas 24 marsit 1999 kur NATO nisi ndërhyrjen e saj me qëllim koordinimin e operacionit humanitar për përballimin e asaj emergjence humanitare të pabesueshme, që e pa e gjithë bota demokratike, Shqipëria u detyrua të priste qindra mijëra shqiptarë të zhvendosur me dhunë nga shtëpitë e tyre.
Kurrë nuk dëgjuam për qendra torturash apo burgosjesh në Shqipëri.
Nuk dëgjuam as nga gazetarët e huaj, që “përmbytën” Kukësin, as nga diplomatët apo shërbimet e vendeve partnere në atë kohë.
Natyrisht, dëgjuam nga Serbia, Dick Marty apo Karla Del Ponte më vonë si ajo historia e Shtëpisë së Verdhë, ku bëhej trafik i organeve, që u provua si një mashtrim i paskrupullt.
Ndaj shteti shqiptar duhet të ndërmarrë jo vetëm veprimtarinë e duhur diplomatike në çdo forum europian dhe botëror, por edhe të ndërmarrë hapat e duhur ligjorë duke koordinuar edhe me shtetin e Kosovës dhe ekipet mbrojtëse të të akuzuarve me qëllim çmontimin e këtyre akuzave politike, që synojnë të dëmtojnë shtetin e Kosovës, legjitimitetin e tij dhe të luftës çlirimtare, por edhe besueshmërinë e Shqipërisë dhe të faktorit shqiptar në rajon, si faktor konstruktiv dhe paqedashës.
Si shpjegohet që Komandanti i NATO-s, Gjenerali Clark në atë kohë nuk dinte asgjë për këto 12 qendra të supozuara në Kosovë dhe 2 qendrat e supozuara në Shqipëri?
Dhe këto i zbuloi Gjykata pas 30 vitesh me ndihmën e fantazisë së sëmurë të Prokurorisë të ushqyer me dizinformacionet e Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Kur flasim për Shqipërinë në Mars-Qershor ’99 duhet të kemi parasysh se Kukësi, Hasi dhe Tropoja ishin plot me përfaqësues diplomatik dhe të shërbimeve të fshehta të vendeve të NATO-s, që monitoronin situatën edhe nga pikëpamja humanitare, por edhe e sigurisë.
Po kështu, edhe kufirin.
Njëkohësisht kishte prezencë të jashtëzakonshme të misioneve të OSBE, UNHCR, etj.
Askush prej tyre nuk e ngriti një pretendim të tillë.
Njëkohësisht gazetarët më të njohur të botës, përfshirë edhe zonjën Amanpour, ishin atje për ditë të tëra dhe askush nuk pyti kurrë për qendra të tilla.
Ndaj ky akt-gjykimi është turpi i drejtësisë ndërkombëtare.
E theksoj se asnjë gjykatës në Serbi nuk do e dënonte sot me 25 vjet burg një 75-vjeçar intelektual, mësues, në gjendje tejet të rëndë shëndetësore dhe si pasojë e 10 viteve burg, që kaloi nga regjimi serb, si Z. Jakup Krasniqi.
Unë kam patur një mik nga Kosova, Haki Morina, që kishte qenë në burgjet e Serbisë.
Të gjithë dhëmbët ia kishin shkulur, nofullat ia kishin deformuar dhe frymë merrte me shumë vështirësi nga torturat, që kishte përjetuar.
Dhe kur unë e kam takuar në janar të 1991, ishte 30-vjeç por dukej shumë më tepër nga torturat dhe vuajtjet e përjetuara në burgjet e Serbisë.
Pyetje: Pra ju jeni të bindur, që akt-gjykimi ishte vetëm politik dhe jo i bazuar në përgjegjësi individuale?
Përgjigje: Kur unë e veçoj Z. Jakup Krasniqi nga tre drejtuesit e tjerë të UÇK e bëj për të thjeshtuar papërgjegjshmërinë e aktgjykimit, pasi dihet që Z. Krasniqi ka qenë zëdhënës i UÇK dhe jo një komandant terreni.
Po kështu, ai ka qenë në një moshë madhore, rreth 50-vjeç atëherë.
Të gjithë që e njohin nga afër e dinë se sa natyrë paqësore dhe njerëzore është ai.
Por masa e dënimeve duke qenë politike është dhënë tërësisht, jo mbi përgjegjësitë individuale, por në përputhje me hierarkinë politike të drejtimit politik dhe përfaqësimit publik të UÇK apo “ndërmarrjes kriminale” të supozuar nga Gjykata dhe Prokuroria.
Ndaj Thaçi dhe Krasniqi dënohen me 25 vjet burg duke patur në konsideratë edhe peshën e tyre publike në institucionet qeverisëse në Kosovë për 20 vite nga çlirimi i saj.
Ndërsa “krimi” i vetëm i Kadri Veselit është se ka koordinuar me shërbimet sekrete të NATO-s në terren për të identifikuar objektivat ushtarake të Serbisë.
Sigurisht, që “krimi” i vetëm që i është provuar Rexhep Selimit është që guxoi të ishte i pari të dilte publikisht me uniformën e UÇK, gjatë varrimit të një mësuesi patriot në kohën e pushtimit.
Si mund të pranonte ai publikisht uniformën dhe stemën e UÇK, që lexuesi i aktgjykimit e quan “ndërmarrje kriminale”?
Pra bilanci i të dënuarve për krime gjatë konfliktit në Kosovë, si pasojë e genocidit serb me ndihmën e kësaj gjykate ia kalon edhe vetë absurdit.
Në 28 vite pas luftës janë dënuar më shumë shqiptarë se sa serbë.
Por më cinikja është se aktgjykimi lexohej në emër të popullit të Kosovës.
Pra kështu ia shpërbleu drejtësia ndërkombëtare Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit vullnetit të tyre, jo vetëm për të votuar një ligj për hetimin e krimeve të pretenduara të një lunatiku si Dick Marty, i sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia, por edhe dorëzimin e tyre vullnetar pranë gjykatës, si edhe bashkëpunimin e tyre për një proces të rregullt ligjor.
Dhe jo vetëm atyre, por të gjithë deputetëve dhe politikanëve, që e votuan atë ligj për t’i hequr një njollë të pamerituar Kosovës, siç ishte trafiku imagjinar i organeve.
Pra Prokuroria dhe Gjykata dolën jashtë objektivit të përcaktuar në ligj pasi i morën peng të katër drejtuesit e UÇK dhe me ndihmën e Serbisë montuan një process tejet të shëmtuar politik.
Pyetje: Si e gjykoni vazhdimin e këtij procesi?
Zhgënjimi dhe zemërimi i shkaktuar nga ky aktgjykimi duhen kthyer në forcë për ta vazhduar këtë betejë së pari duke e apeluar dhe duke e forcuar mbrojtjen ligjore të katër drejtuesve të UÇK.
Për këtë duhet të angazhohen më shumë institucionet e Kosovës, të cilat duhet të jenë më funksionale se kurrë më parë.
Vetë aktgjykimi kishte qartazi një natyrë që synonte të provokonte përçarje të brendshme politike në Kosovë, ndërkohë që Kosova i tejkaloi përçarjet politike menjëherë pas luftës falë vizionit të Presidentit Rugova dhe koalicioneve të tij me PDK dhe AAK, që vinin nga UÇK.
Po kështu, Shqipëria tani është e detyruar të gjejë rrugët direkte dhe indirekte për të kundërshtuar me fakte dhe prova pretendimet e aktgjykimit për krimet e supozuara të ndodhura në territorin e saj.
Për këtë duhet studiuar aktgjykimi konfidencial dhe bashkëpunuar me avokatët e katër drejtuesve të UÇK.
Rrëzimi i “ndërmarrjes kriminale” duhet të jetë një objektiv mbarëkombëtar i mbështetur me ekspertët më të mirë dhe financat e duhura.
Pas këtij aktgjykimi qëndron puna manipuluese prej dy dekadash e Serbisë dhe Rusisë, por edhe e disa shteteve oportuniste në Europë.
Qëllimi i tyre nuk është thjesht hakmarrja ndaj katër drejtuesve të UÇK-së, por përmbysja e historisë për të zhbërë më pas shtetin e Kosovës.
Po kështu, dalja e Prokurorisë dhe Gjykatës, jashtë objektit të ligjit të miratuar duhet denoncuar nga Shqipëria dhe Kosova kudo në çdo institucion ndërkombëtar.
Njëkohësisht duhen krijuar ekipe ekspertësh për të përgatitur raporte profesionale ligjore, që vërtetojnë të gjitha gjetjet e dhunimit të procesit të rregullt ligjor, por edhe sjelljes johumane ndaj katër drejtuesve të UÇK dhe shtetit të Kosovës.
Nuk mund të ketë drejtësi të pavarur kur Prokuroria dhe Gjykata shkrihen në një ndërmarrje të vetme.
Ky aktgjykimi nuk ka cënuar rëndë personalitetin, lirinë, por edhe shëndetin dhe jetën e katër drejtuesve të UÇK dhe shtetit të Kosovës, të cilët e kanë përballuar me shumë dinjitet këtë inkuizicion.
Mbi të gjitha ky aktgjykimi do të investohet nga Serbia dhe aleatët e saj për të përmbysur historinë, fajësuar viktimat dhe glorifikuar kriminelët e përbindshëm, siç ndodhi para pak javësh me kasapin e Srebrenicës.
Dhe objektiv i palëkundur do të mbetet minimi i shtetësisë së Kosovës, si dhe fajësimi i NATO-s, që mbështeti “ndërmarrjen kriminale” në mars-qershor 1999.
Ndërsa eksodin biblik të mbi 1 milion shqiptarëve do na e paraqesin si një shpikje të Hollivudit.
Po kështu, nuk përjashtohet mundësia që masakrën e Reçakut ta paraqesin si inskenim të “ndërmarrjes kriminale”, me qëllim diskreditimin e Serbisë demokratike dhe të pafajshme.
Ndërkohë që publikisht një ministre e Qeverisë së Serbisë e ka fajësuar Millosheviçin, si të paaftë për të zhdukur të gjithë shqiptarët e Kosovës dh ka shprehur keqardhjen se nuk ka qenë ajo atëherë në vend të Millosheviçit se do të kishte zhdukur çdo shqiptar nga Kosova.