Lideri i LSI-së, z. Meta ka zhvilluar takime në Përmet dhe në Tepelenë

Lideri i LSI-së, z. Meta ka zhvilluar takime në Përmet dhe në Tepelenë

metatepelenepermettakime

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Qarkun e  Gjirokastrës, Vangjel Tavo, dhe nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka zhvilluar takime të ndryshme me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në Qarkun e Gjirokastrës. Fillimisht z. Meta është ndalur në mëngjes në qytetin  Përmet, më pas në Tepelenë. Në takimin e zhvilluar në Përmet 200 anëtarë të rinj i janë shtuar radhëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në fjalën e tij në takimin e Përmetit z. Meta është shprehur se pjesëmarrja e gjithë gjeneratave në LSI tregon vlerat që LSI mbart.

Sipas tij Lëvizja Socialiste për Integrim është në një proces hapjeje, forcimi dhe dinamizmi.  “LSI është forca e së ardhmes dhe këtë e ka treguar me shpirtin dhe idetë e saj evropiane gjithmonë, por do të jetë atje ku e meriton LSI-ja dhe shpirti i saj evropian me votën e përmetarëve dhe gjithë shqiptarëve më 23 qershor në mënyrë që të kemi një përfaqësim shumë më të fuqishëm  në Parlamentin e ardhshëm, një rol shumë më të fuqishëm në qeverisjen e ardhshme sepse të gjitha këto do të shkojnë në interes të atyre që votojnë LSI-në dhe në interes të atyre që votojnë LSI-në dhe në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

 Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, pasi Përmeti dhe zona të tilla larg Tiranës dhe qendrave të mëdha urbane kanë vuajtur nga fakti që kanë zgjedhur ata që ia kanë ditur për nder partisë por jo popullit dhe qytetarëve”, u shpreh z. Meta. Lideri i LSI-së tha se vota e 23 qershorit për LSI-në është për një Shqipëri që ecën më shpejt. Sipas tij LSI është partia e njerëzve të lirë, që duan të ecin më shpejt në rrugën e integrimit. “Unë jam i sigurt se më 23 qershor Përmeti dhe i gjithë Qarku i Gjirokastrës do të votojnë për ata që do t’ia dinë për nder qytetarëve dhe që do t’u shërbejnë me përkushtim dhe jo që do të takohen dhe komunikojnë një herë në katër vjet, kur vijnë zgjedhjet. Konventa e fundit e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të gjithë ata që ishin pjesëmarrës ata, por edhe për të gjitha ata të cilët e ndoqën përmes medieve ishte një tregues i qartë i fuqisë së LSI-së që vjen nga demokracia dhe gjithë-përfshirja e saj. Për herë të parë u realizua votimi elektronik dhe për herë të parë sapo votoi delegat u printuan në prani të kamerave të gjitha rezultatet në mënyrë transparente sepse kur ka vullnet politik bëhen zgjedhje perfekte dhe respektohet edhe vota e qytetarit edhe anëtarit të partisë në mënyrë të drejtë dhe të ndershme.

LSI do të vazhdojë të jetë një forcë e tillë e hapur. LSI është një forcë politike që u ka dhënë dhe u jep mundësi të gjithëve të kontribuojnë, por kurrsesi të shpërdorojnë besimin, të sillen si kapadai, të jenë arrogantë me anëtarët e LSI-së, me qytetarët sepse këto nuk janë në natyrën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI është parti e njerëzve me vullnet, me pasion, me kërkesa ndaj vetes për të kontribuar për të ardhmen. Ne mbështetemi në mënyrë të veçantë tek rinia sepse duam që të ecim më shpejt. Ky nuk është thjesht slogani ynë, kjo është sfida jonë. Është sfida e të gjithë qytetarëve shqiptarë”, vijoi ai.

Për procesin e integrimi evropian z. Meta apeloi nga Përmeti që klasa politike të ngrihet në nivelin e qytetarëve, të mos bllokojë integrimin evropian të vendit për interesa të afërta elektorale.

“Duhet me kohë ta kishim fituar statusin e vendit kandidat që prej vitesh. Është mungesë e vullnetit politik që ka sjellë këtë ngërç të pamerituar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqiptarët treguan si askush tjetër që janë në nivelin e marrjes së përgjegjësive dhe të respektimit të marrëveshjeve që bëhen me Europën. E treguan më së miri me liberalizimin e vizave. Nëse sot ka shqetësime në Bashkimin Europian për qytetarët e vendeve të caktuara të Ballkanit që nuk i respektojnë këto detyrime, këto nuk janë për qytetarët shqiptarë, këto janë për qytetarët e vendeve të tjera. Është momenti që klasa politike të ngrihet në nivelin e qytetarëve tanë, të mos bllokojë integrimin evropian të vendit për interesa të afërta elektorale. Shqiptarët do të dinë të vlerësojnë kontributin që jep gjithsecili për zhvillimin dhe progresin e vendit, do të dinë, edhe të ndëshkojnë pengesat që gjithsecili vendos në mënyrë të padrejtë ndaj vendit dhe gjithë qytetarëve tanë”, tha Kryetari i i LSI-së.

 Duke përfunduar fjalën e tij në qytetin e Përmet, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se LSI di të ecë më shpejt dhe ajo do ta ndihmojë Shqipërinë të ecë më shpejt pas 23 qershorit. “Ne jemi të bindur se zgjedhjet e 23 qershorit do të konfirmojnë vullnetin e popullit të Përmetit dhe popullit shqiptar për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian , në rrugën e zhvillimit që sjell mirëqenie për të gjithë, që sjell daljen nga varfëria, të një shtresë të mirë të shoqërisë sonë, që sjell një vëmendje më të madhe ndaj rretheve të tilla si Përmeti, që mund të themi pa frikë që janë lënë pas dore dhe ne si LSI-së jemi gati që Përmeti të ecë më shpejt dhe jam i bindur se edhe pjesëmarrja juaj tregon këtë vullnet, këtë mirëkuptim nga populli i Përmetit. Duke shprehur bindjen time në mençurinë dhe nacionalitetin e të gjithë përmetarëve njëherësh dua të shpreh keqardhjen time për anashkalimin që iu bë në këtë 100-vjetor të pavarësisë tre vëllezërve Frashëri, tre prej kontributeve për Rilindjen për shpëtimin kombëtar që çuan tek  Pavarësia e Shqipërisë. Kjo është një traditë që Përmeti do ta vazhdojë dhe do të japë kontributin e padiskutueshëm që Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e integrimit evropian dhe të progresit, që politika të zbresë nga kullat e protagonizmit të vjetër,që nuk sjell asgjë të re dhe të prekshme përveç konflikteve të përsëritura që shterojnë energjitë  pozitive të përmetarëve dhe të të gjithë shqiptarëve. LSI është energji e re. LSI është një forcë e re. LSI di të ecë vetë më shpejt. LSI do të ndihmojë të gjithë Përmetin dhe Shqipërinë të ecë më shpejt pas 23 qershorit”, tha ndër të tjera z. Meta në takimin e Përmetit.

Takimi në Tepelenë, Meta: Patriotizëm do të thotë të shpejtosh proceset integruese.

Ndërkohë që në takimin që u zhvillua në qytetin e Tepelenës, z. Meta deklaroi se  Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike e cila luan rol konstruktiv për çtensionimin e situatës politike. Sipas tij ngërçi politik është një ndihmë për ata që nuk kanë çfarë t’i ofrojnë qytetarëve. “Ne jemi një forcë e cila nuk synon të kujdeset për qytetarët vetëm në periudhë zgjedhjesh por në mënyrë të vazhdueshme sepse jemi një forcë e cila e gjen fuqinë e saj tek shpirti i komunitetit dhe ky është një shpirt që sendërtohet çdo ditë në raporte konkrete dhe njerëzore.

Lëvizja Socialiste për Integrim rritet çdo ditë dhe fuqizohet pikërisht sepse mban lidhje të tilla me njerëzit, pikërisht sepse krijon hapësira pa fund për gr
atë, për të rinte, për të gjithë sepse është një forcë politike që u jep mundësinë të gjithëve të tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre, sepse është një forcë politike e cila në plan të parë vë interesat e vendit. këtë e ka bërë edhe kur ka qenë në opozitë, e bënë edhe sot në qeverisjen e vendit. Është një forcë që synon t’i kontribuojë stabilitetit të vendit dhe njëkohësisht të përshpejtojë të gjitha reformat, ato që lidhen me integrimin evropian por edhe ata që lidhen edhe me përmirësimin e standardeve të jetës së përditshme të të gjithë qytetarëve tanë.

Ne do të vazhdojmë të jemi të tillë sepse ne parimin “Një anëtar, një votë” nuk e kemi për demagogji. Shumë prej jush kanë marrë pjesë edhe në zgjedhjet për kryetarin e LSI-së të cilat u bënë në mënyrën më të hapur dhe më demokratike dhe me kandidatë alternativë. Megjithatë ne kemi treguar se garën dhe konkurrencën e kemi pjesën tonë organike, është pjesë e gjithë kulturës sonë demokratike por është dhe një formë dhe një mënyrë për të ecur më shpejt përpara të gjithë së bashku duke qenë të hapur ndaj kritikave, ndaj përmirësimeve sepse nuk mund të arrijmë stade më të larta pa qenë më kërkues në radhë të parë ndaj vetes sonë. Ne kemi luajtur një rol të rëndësishëm për të çtensionuar jetën politike në vend. Jemi distancuar nga sjelljet dhe veprimet ekstremiste të politikanëve, të lidershipeve të ndryshme sepse nuk duam që politika të vijojë me frymën e vjetër konfliktuale e cila në fakt u shërben atyre që nuk kanë ide të reja, që nuk kanë ide konkrete për të ofruar alternativa më të mira por që kërkojnë ta mbulojnë këtë mangësi me protagonizëm konfliktual që sjell regres dhe jo progres”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ndërkohë që Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat për shkak të kokëfortësisë dhe kapriçove politike të një lidershipi vërtet jashtë realitet”, vijoi fjalën e tij në qytetin e Tepelenës, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Sipas tij destinacioni i Shqipërisë, anëtarësimi i saj në BE, është i pashmangshëm. “Ky është vullneti i gjithë qytetarëve të Tepelenës, i gjithë qytetarëve shqiptarë kudo ku ndodhen. Kjo do të ndodhë ndaj edhe fuqizimi i LSI-së forcon kërkesën për dialog, për bashkëpunim midis gjithë forcave politike në interes të vendit, në interes të qytetarëve.

Nuk ka përse të humben projekte të rëndësishme, nuk ka përse të shpërdorohet koha që është më e çmuar se çdo gjë tjetër kur çdo gjë është e qartë se çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë”, tha z. Meta. Ashtu siç bëri edhe në takimin e zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës, Lideri i LSI-së foli edhe mbi deklaratat e fundit nacionaliste të bërë nga politikanë të ndryshëm shqiptarë. Z. Meta tha se patriotizëm do të thotë të ngrihesh mbi interesat e tua për interesat e vendit dhe do të thotë të ndihmosh shpejtimin  proceseve integruese të vendit sepse ky është interes i gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë rajonin. Sipas tij avancimi i Shqipërisë drejt BE-së ndihmon dhe inkurajon edhe Kosovën, edhe shqiptarët kudo ku ndodhen për një pozitë më të mirë që do ta fitojnë nëpërmjet avancimit të këtyre procese në vendet ku ata jetojnë.

“Lidhur me nacionalizmin, patriotizmin dhe çështje të tjera si këto nuk dua të flas gjatë këtu sepse tepelenasit e kanë treguar në të gjithë historinë e Shqipërisë patriotizmin e tyre që është i rrallë dhe që ka qenë një vlerë e jashtëzakonshme jo thjesht për këtë krahinë por për mbarë vendin dhe për mbarë kombin tonë. Sot patriotizëm do të thotë të ngrihesh mbi interesat e tua për interesat e vendit. Sot patriotizëm do të thotë të ndihmosh shpejtimin  proceseve integruese të vendit sepse ky është interes i gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë rajonin. Avancimi i Shqipërisë drejt BE-së ndihmon dhe inkurajon edhe Kosovën, edhe shqiptarët kudo ku ndodhen për një pozitë më të mirë që do ta fitojnë nëpërmjet avancimit të këtyre procese në vendet ku ata jetojnë. Një Shqipëri me një status tjetër në Bashkimin Europian është një Shqipëri më e respektuar se sa sot nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë, i dëgjohet më shumë zëri sesa sot. Jo vetëm kaq por është një Shqipëri më e sigurt dhe më tërheqëse për investitorët evropianë dhe më gjerë. Njëkohësisht është një Shqipëri që frymëzon më shumë të rinjtë tanë jo vetëm për të jetuar në Shqipëri por për ta parë të ardhmen e tyre si të ardhme evropiane në vendin e tyre. Ndaj ne do të vazhdojmë me këtë mesazh.

Kjo është rruga që Shqipëria të ecë më shpejt. Patriotizmi tregohet me vepra dhe jo me fjalë. Sot kjo është sfida e Shqipërisë dhe e gjithë shqiptarëve që të miratojmë ligjet dhe t’i bëjmë më të mira, t’i zbatojmë ligjet në interes të qytetarëve, të përballojmë këtë situatë të vështirë ekonomike përmes bashkëpunimit dhe përmes ideve të reja, përmes hapjes së vendeve të punës, përmes bashkëpunimit të qeverisë qendrore me qeveritë vendore, bashkëpunimit me sipërmarrjen e lirë, dhe jo të krijojmë një konfliktuale tërësisht jashtë realitetit në të cilin ne jetojmë”, tha z. Meta. Duke folur mbi suksesin e votimit elektronik në Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI-së, Z. Meta deklaroi se çështja e zgjedhjeve dhe standardit të tyre është çështje e vullnetit politik. “Ne zhvilluam një konventë ku shumë prej jush kanë qenë edhe delegatë por edhe të tjerë mund ta kenë ndjekur nga mediat. Për herë të parë në Shqipëri u zhvillua një votim elektronik i mbi 2 mijë delegatëve.

 Në momentin që votoi edhe delegati i fundit në prani të kamerave u printuan të gjithë rezultatet. Kjo ndodhi edhe më pas kur zgjodhëm nga Komiteti Drejtues Kombëtar Kryesinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. e përmenda këtë sepse dua të theksoj që edhe çështja e zgjedhjeve dhe standardit të tyre është çështje e vullnetit politik. Nuk janë kaq të vështira zgjedhjet sepse kur dalin në Brazil me 200 milionë votues brenda një dite rezultatet nuk ka arsye përse në të bëjmë akoma shembullin e keq për një kuti diku e për një kuti tjetër diku tjetër. Ndaj unë apeloj të gjithë forcat politike që të mos e agravojnë në mënyrë të pandershme situatën paraelektorale sepse jam i bindur që shqiptarët nuk do të votojnë ata që shajnë më shumë dhe ata që bërtasin më shumë por do të votojnë ata të cilët bashkëpunojnë më shumë dhe sillen në mënyrë evropiane. E ardhmja jonë është në Bashkimin Europian dhe kjo kërkon nga ne të kemi një vizion të tillë por edhe të sillemi në mënyrë evropiane, jo vetëm me europianë por në radhë të parë me njëri-tjetrin”, përfundoi fjalën e tij në takimin me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në qytetin e Tepelenës, Lideri i LSI-së, Ilir Meta.