Kryetari

Kryetari

Kryetari

Ilir Meta ka lindur me 24 Mars 1969 në rrethin e Skraparit. I diplomuar për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranes, Ilir Meta ka përfunduar studimet pasuniversitare në po të njëjtën fushë. Aktualisht, Ilir Meta, është deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, President i Bordit të Institutit për Paqe, Zhvillim dhe Integrim, si dhe është anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin.

Z. Meta ka një aktivitet shumë intensiv politik, duke filluar që nga viti 1990, si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore e cila bëri të mundur përmbysjen e regjimit komunist. Nga viti 1992 e në vazhdim, Ilir Meta, është zgjedhur pa ndërprerje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë, në të cilin ka qenë anëtar i disa komisioneve parlamentare ndërkohë që gjatë periudhës 1996-1997 ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme.

Ilir Meta është një ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESH) në Partinë Socialiste, duke dhënë kontributin e tij për anëtarësimin e Forumit në Internacionalen e Rinisë Socialiste. Gjate viteve të anëtarësisë së tij në FRESH, Ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Nënkryetar (1992-1995) dhe Kryetar (1995-2001).

Aktiviteti politik i Ilir Metës në strukturat e Partisë Socialiste është i ngjeshur. Ai ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nga Kongresi i Qershorit të vitit 1992 dhe anëtar i Kryesisë së partisë nga viti 1993, deri në periudhën kur dha dorëheqjen nga Kryesia e PS-së (Korrik 2003), pas problemeve që ngriti pranë strukturave drejtuese të PS-së mbi mungesën e transparencës në drejtimin e qeverisë dhe partisë prej Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë, Fatos Nano. Gjatë periudhës 1997-1998, Ilir Meta ka qenë Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës. Në periudhën 1993-1996, Ilir Meta ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe nga 1994-1996 edhe atë të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, periudhë gjatë së cilës u vendosen marrëdhëniet me shumë parti socialiste dhe socialdemokrate të Europës, si dhe Partine Socialiste Europiane dhe Internacionalen Socialiste.

Ilir Meta, pas përpjekjeve brenda strukturave drejtuese të PS-së, për ndryshimin e funksionimit dhe demokracisë së brendshme në këtë force politike, më 6 shtator 2004, së bashku me 500 personalitete të tjerë dhe intelektualë të të gjitha fushave, themeluan një forcë të re politike në Shqipëri, Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Ilir Meta u zgjodh në krye të LSI në prill të vitit 2005, i zgjedhur sipas parimit “Një anëtar, një vote”, duke u bërë lideri i parë në politikën shqiptare i zgjedhur nën këtë parim demokratik. Z. Meta është rikonfirmuar në krye të LSI, në zgjedhjet e fundit brenda kësaj force politike më 20 tetor 2012 ku mbi 31 mijë anëtarë të LSI-së votuan për kryetarin e tyre, sipas parimit “Një anëtar, një votë”.

Për sa i përket posteve të rëndësishme ekzekutive aktiviteti politik i Ilir Metës përfshin edhe një periudhë të suksesshme të drejtimit në qeveri. Ai ka shërbyer si Kryeministër i vendit gjatë periudhës nëntor 1999-shtator 2001 dhe pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të verës së vitit 2001 u rimandatua si Kryeministër, post të cilin e mbajti gjatë periudhës shator 2001-shkurt 2002. Gjatë kësaj periudhe u shënuan arritjet më të mëdha të qeverisjes së vendit për periudhën e tranzicionit duke përfshirë këtu stabilizimin e parametrave makro-ekonomik, përmirësimin e ndjeshëm të rrjetit rrugor në vend, privatizimin e suksesshëm të disa prej sektorëve strategjikë të ekonomisë, vendosjen dhe funksionimin e ligjit në të gjithë teritorin e vendit, etj. Në Shkurt të vitit 2002, për të shmangur krizën brenda maxhorances politike dhe qeverisëse të asaj kohe z. Meta dha dorëheqjen nga detyra e Kryeministrit. Gjithashtu, Ilir Meta ka shërbyer edhe si Zv. Kryeministër dhe ministër i Koordinimit Qeveritar gjate periudhës tetor 1998-tetor 1999, Sekretar Shteti për Integrimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme mars-tetor 1998, Zv. Kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme gjatë periudhave korrik 2002-korrik 2003 dhe shtator 2009-shtator 2010, dhe së fundmi si Zv. Kryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës gjatë periudhës shtator 2010-janar 2011. Në janar të vitit 2011 Ilir Meta dha dorëheqjen nga postet qeveritare, duke vazhduar të jetë anëtar i Parlamentit të Shqipërisë, në legjislaturën aktuale, si dhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i rizgjedhur në zgjedhjet e mbajtura në 20 tetor 2012, sipas parimit “Një anëtar, një votë”

Ilir Meta është zgjedhur anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, komision i cili drejtohet nga ish Kryeministri i Italisë, Xhuliano Amato, në përbërje të të cilit janë mjaft personalitete të njohura nga Bashkimi Europian, rajoni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përveç aktivitetit politik, Ilir Meta ka dhënë leksione në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, si dhe në disa akademi dhe universitete në Europë dhe SHBA, akademi të tilla si Akademia Europiane e Berlinit apo Universiteti i Harvardit.

Ilir Meta është i martuar me Monika Kryemadhin dhe kane tre fëmijë, Borën, Besarin dhe Erën.

Flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe atë italiane.