
04 Jul Intervistë e Presidentit Meta dhënë gazetares Neta Fero për “Politiko . al”
Intervistë e Presidentit Meta dhënë gazetares Neta Fero për “Politiko . al”
Pyetje: Zoti Meta, për herë të parë në 30 vite nuk jeni as President, as Kryeministër, as deputet, dhe ndodheni në burg. A është ky fundi i një epoke për Ilir Metën?
Përgjigje: Është vetëm fillimi i një epoke të re. Po të lexoni Çurçillin e shkruar nga Boris Johnson, ka një moment të bukur kur ai thotë se vetëm pak kohë para se të zgjidhesha Kryeministër, të gjithë mendonin se koha ime kishte mbaruar, pasi ai kishte qenë në Qeveri prej gati katër dekadash dhe kishte ndërruar nja dy herë parti. As unë nuk e dija se e gjithë ajo periudhë 40–vjeçare vetëm kishte qenë trajnim për një epokë të re, siç ndodhi. Kështu që nuk ndalojmë njeri të gëzohet para kohe. Por vërtet këto 30 vite po i konsideroj një përvojë shumë të çmuar për të ardhmen.
Pyetje: A ndiheni i tradhtuar nga njerëzit tuaj më të afërt, ata që u pasuruan politikisht dhe tani që jeni në burg, heshtin?
Përgjigje: Ata që kanë arsye të heshtin, më mirë të mos flasin se nuk më ndihmojnë as mua, përveçse rëndojnë veten. Ata që janë të lirë nuk duhet të heshtin, për dinjitetin e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Pyetje: Nëse drejtësia provon fajësinë tuaj, do ta pranoni verdiktin?
Përgjigje: Nga “Ramaforma” nuk presim Drejtësi dhe kjo betejë finale do të jetë në Strasburg. Nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston asnjë fakt apo provë penale për Ilir Metën në 30 vite aktivitet publik. Rrëmbimi dhe pengmarrja ime janë pjesë e një projekti për asgjësimin e sovranitetit të popullit shqiptar dhe shtetit tonë. Ndaj edhe kauzat e mia janë shumë të mëdha dhe do të triumfojnë.
Pyetje: Ju keni thënë shpesh se keni luftuar për demokracinë, për liritë dhe të drejtat e qytetarëve. A mendoni se ajo që po ndodh sot me ju është pjesë e një përplasjeje më të madhe me sistemin që po tenton të kontrollojë çdo pushtet?
Përgjigje: Përplasja ime ka nisur kundër kapjes të plotë të shtetit dhe drejtësisë që në Janar 2017, siç e shpjegova te intervista ime si Autointervistë para pak ditësh. Pra në momentin kur në Kuvend u hodh shorti i parë për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Çdo gjë u bë perfekte dhe transparente gjatë gjithë procesit parapërgatitor dhe atë ditë dhe me prezencën e EURALIUS dhe OPDAT- it, kur ditën tjetër Rama, i mërzitur nga emrat që nxori shorti, keqpërdori Ambasadorin Lu për të bërë një deklaratë publike bazuar mbi gënjeshtra, siç e pranoi vetë më vonë.
Kështu u dogj shorti i parë e kështu edhe nja tre herë të tjera duke përdorur ambasadorë e McGonigalë, deri në kapjen totale të Prokurorisë (me 69 vota) dhe gjithë gjykatat, përfshi edhe atë Kushtetuese.
Dikur, në Greqi, kishim një Juntë kolonelësh, tani kemi një juntë Prokurorësh të komanduar nga Rama me regji të plotë dhe me mbështetjen e mafies ndërkombëtare që e përdor Shqipërinë edhe si lavatriçe për pastrim parash edhe si bazë logjistike për trafiqet e kokainës, heroinës etj.
Pyetje: Monika Kryemadhi ka qenë bashkëshorte dhe bashkëluftëtare në politikë. A keni një mesazh për të sot, në këtë situatë të veçantë?
Përgjigje: Tani është koha për t’u përqëndruar te e Ardhmja, se fajet e së shkuarës, e sidomos djegia e 19 mandateve të LSI, ç’ekuilibruan gjithë garancitë që ekzistonin dhe lehtësuan kapjen totale të shtetit.
Pyetje: A është ky një moment reflektimi për të ardhmen e Partisë së Lirisë? E shihni ende këtë forcë si një aktor të rëndësishëm në mbrojtje të pluralizmit dhe të lirive themelore në vend?
Përgjigje: Padyshim! Reflektimi nisi që me Konventën e 27 Prillit 2024, që ç’rrënjosi nepotizmin, i cili u kthye në mallkim për ish–LSI. Po kështu edhe me programin tonë shumë të qartë, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus.
Nuk mund të ketë rivendosje të lirive themelore në vend, të demokracisë e llogaridhënies pa fuqizimin e Partisë së Lirisë.
Mos harroni se pa LSI nuk do kishin ndodhur dy rotacionet paqësore e demokratike në 2005 dhe në 2013.
Ndaj duhej eleminuar LSI, për ta kthyer jetën politike nga 3 polare në “One man show”.
Pyetje: Çfarë ju motivon sot të qëndroni i palëkundur, përballë një goditjeje kaq të fortë politike e personale?
Përgjigje: Kjo ka të bëjë me bindjet e mia, por edhe me karakterin. Goditjet e forta, e sidomos të pabesa, të zgjojnë energji edhe më motivuese. Pa goditjen e pabesë në Pearl Harbour, SHBA kurrë, ndoshta, nuk do ishte fuqizuar aq shumë.
Pyetje: Nëse do të kishit një mesazh për shqiptarët që besojnë tek ju – çfarë do t’u thoshit sot, nga vendi ku ndodheni?
Përgjigje: Jam më i motivuar se kurrë për të mbrojtur të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre në vendin tonë, që duhet ta mbrojmë me çdo cmim. Ata të jenë të sigurt se rasti kur rrethanat thyejnë njerëzit, nuk ka lidhje me Ilir Metën.
Fare shkurt do u thosha: Malet tona më të larta.
Pyetje: Zoti Meta, në momente të vështira politike, keni bashkëpunuar shpesh me Sali Berishën. A vazhdon ky raport besimi edhe sot?
Përgjigje: Padyshim që bashkëpunimi me Z. Berisha është bërë gjithmonë në shërbim të vendit dhe kauzave të mia. Në 2005 ishte një bashkëpunim indirekt, pasi Nano kishte bllokuar integrimin europian të vendit dhe duhej rotacion. Në 2009 u bë koalicioni që garantoi liberalizimin e vizave, veç të tjerave. Edhe sot, bashkëpunojmë kundër Narkoregjimit që është kërcënim për çdo shqiptar që ka arsye dhe dinjitet.
Industria shkon pikiatë, bujqësia pikiatë dhe vetëm rrokaqiejt ecin përpjetë dhe resortet që do shtohen, sidomos pas shumë zjarreve të rëna këtë verë.
Pyetje: A është aleanca Meta-Berisha më shumë se një marrëveshje politike? A e konsideroni Berishën një aleat strategjik për të mbrojtur demokracinë, apo një partner përballë një sistemi që po përqëndron pushtetin?
Përgjigje: Cilido që del në vijën e parë kundër Narkoregjimit, është aleati dhe partneri ynë.
Pyetje: Nëse nesër opozita do të duhej të bashkohej përballë qeverisë, a do të ishit ju dhe Berisha gati të udhëhiqnit një front të përbashkët, pavarësisht sfidave personale dhe goditjeve institucionale?
Përgjigje: Goditjet mafioze të Ramaformë të diktuara nga tribuna e Partisë Socialiste ndaj SPAK-ut, janë arsye më të forta për të qëndruar në krye të kësaj beteje që kërkon sakrifica ekstreme, e jo opozitë part – time dhe me zë të mekur.
Pyetje: Kohët e fundit, janë shënuar disa largime nga Partia e Lirisë. Si i shihni këto lëvizje? Janë pastrim natyral i radhëve apo sinjal i një përçarjeje më të thellë?
Përgjigje: Nuk i quaj largime, por vetëpastrim, pasi këta kanë qenë të korruptuar në forma të ndryshme nga regjimi për të rrëmbyer drejtimin e PL-së pas rrëmbimit tim, kur këto skenarë dështuan edhe këta nuk kishin ç’të bënin, se kur gëlltit një lugë çorbë të prishur do vjellësh tërë jetën.
Pyetje: Ka zëra që thonë se Partia e Lirisë po dobësohet, ndërsa ju ndodheni i izoluar. Çfarë i thoni atyre që mendojnë se kjo është fundi i një epoke për PL-në?
Përgjigje: Këtyre zërave u them gëzohuni nëse vërtet e besoni. Sigurisht që Partia e Lirisë do jetë faktor vendimtar për të ardhmen demokratike të Shqipërisë në dy dekadat që vijnë. Pengmarrja ime kriminale nga “Ramaduro”, është tmerri që ata kanë nga potenciali i vërtetë i Partisë së Lirisë dhe fuqia e kauzave të saj madhore.
Pyetje: A do të ketë një rilindje të Partisë së Lirisë pas kësaj periudhe sfiduese? Po mendohet një ristrukturim, hapje ndaj brezit të ri, apo edhe emra të rinj në drejtim?
Përgjigje: Partia e Lirisë rilindi me Konventën në 27 Prill të vitit të kaluar, por këtë janë të paktë sot ata që e kuptojnë. Çlirimi nga nepotizmi ka hapur një perspektivë krejt të re për Partinë e Lirisë.
Pyetje: Nëse nesër nuk do të ishit më në krye të Partisë, çfarë do të dëshironit të mbetej nga vizioni juaj për të? A ka një profil të ri që ju e shihni si të aftë për ta çuar më tej këtë projekt politik?
Përgjigje: Unë nuk u riktheva në LSI apo Partinë e Lirisë se doja patjetër të kthehesha në krye të saj, por se nuk shikoja një tjetër që ta udhëhiqte dhe kuptonte politikën më mirë. Si e mendoni ju? Si mund të digjen 19 mandate deputetësh që vetëm unë e di se me çfarë lufte dh sakrifice janë fituar? Si shpjegohet që asnjëri prej tyre nuk dërgoi një mesazh të pyeste, o zoti President, ne jemi gati t’i lemë këto mandate, po ku do na çojë kjo rrugë?
Askush.
Morën të mirëqenë një mendjelehtësi dhe ja ku jemi sot. Ndaj është beteja e fortë që do testojë dhe prodhojë liderët e së ardhmes.
Elementi i parë që një lider i tillë duhet të ketë, është integriteti dhe të jetë i pakorruptueshëm.
Sidomos në kushtet e një diktature të vërtetë, siç kalon shoqëria jonë sot.
Nuk ka lider të pazëvendësueshëm, as të pavdekshëm, por ka vetëm kauza të përjetshme si Shqipëria e lirë dhe sovrane.
Dikur pyeta vajzën e Kraksit, Stefaninë, e cila është një senatore e shquar, se si shpjegohej që Partia Socialiste Italiane, e cila kishte shumë figura të mëdha si Amato, Marteli, De Mikelis etj, nuk mbijetoi pas azilit të tij politik?
Këtë pyetje, më tha ajo, ia kam bërë edhe unë babait kur shëtisnim në Tunizi dhe ai më tha që edhe unë (pra Kraksi ) mendoja dikur se ishin figura të mëdha, por fatkeqësisht, koha provoi se dukeshin të tillë se rrinin në krahun tim, pasi përndryshe do rezistonin dhe mbijetonin, sepse PS ishte një parti shumë historike.
Pra janë stuhitë ato që i testojnë të gjithë për kualitetin e lidershipit, ku integriteti dhe konsistenca janë vendimtare përveç vizionit dhe largpamësisë.
E meqë përmenda Kraksin, historia mbetet gjykatësi më i pagabueshëm.
“Heroi” Di Pietro, përfundoi në ministër tenderash, ndërsa Italia jo vetëm e nderon Kraksin, por ndjehet edhe e penduar për sjelljen ndaj tij.
Por kjo ishte për Italinë ku u persekutua një lider për atë që bënin të gjithë (tangjentët).
Ndërsa rasti im është ai ku duhet dënuar një lider vetëm pse nuk ka bërë asgjë, që të mbulohet gjithçka e të tjerëve.
Nuk do funksionojë!