13 Mar Presidenti Meta: Ramaforma si afera e shekullit
Intervistë ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta dhënë për portalin “Syri. net”
Pyetje: Z. Meta, si e gjykoni vendimin e djeshëm të shumicës socialiste për bllokimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Znj. Balluku?
Si fillimin e vetëdenoncimit publik të Edi Ramës, si armiku i drejtësisë, por edhe pengmarrësi i saj, që nga zgjedhja antikushtetuese me 69 vota e Prokurores së Përgjithshme dhe deri dje.
Pra drejtësia ishte “e shkëlqyer” derisa zbatonte direktivat politike të Edi Ramës nga tribuna e Asamblesë rilindase për të arrestuar Berishën dhe Metën, që ky ta kishte fushën bosh.
Po kështu, drejtëisa ishte e pranueshme për aq kohë sa “godiste” në marrëveshje me Ramën bashkëpunëtorë të tij për çështje anësore ose sekondare me qëllim prodhimin e statistikave për të balancuar persekutimin e paligjshëm të drejtuesve dhe përfaqësuesve të opozitës, si Berisha, Meta, Mediu, Beleri, Salianji apo edhe Bardh Spahia, që thirrej çdo javë para zgjedhjeve në SPAK, për një çështje fare ordinere, ndërsa i pandehuri Benet Beci, drekonte me prokurorë të SPAK.
Por në momentin, që më shumë nga halli se nga vullneti i drejtësisë, i mbetën në dorë patatet e nxehta të AKSHI-t dhe Zv/Kryeministres, ky u kujtua për degradimin e situatës me paraburgimet dhe i vuri kufirin te thana hetimit “inkuizitor”, që bazohej në gjyqet publike para atyre juridike apo te shpallja e fajtorëve bazuar mbi “thashetheme” telefonash.
U kujtua me ndihmën e Hulsiut se Prof. Stavri Çeço, që unë personalisht kam patur nderin ta kem pedagog, paska thënë se kur prokurorët nuk kanë prova mbushin faqe të tëra me muhabete e trillime për të dënuar viktimat.
Dhe ka të drejtë se për të marrë të pandehur Edi Ramën, do mjaftonte vetëm akti zyrtar me firmën e tij ku shpalli fituese me 8% kompaninë e inceneratorëve, që nuk ishte krijuar akoma.
Ose për të vënë para përgjegjësisë penale Z. Veliaj do mjaftonte akti që ai firmosur para 9 vitesh duke shpërdoruar detyrën dhe përvetësuar kompetencat e Këshillit Bashkiak të Tiranës, për të futur në borxh qytetarët e të gjithë Qarkut të Tiranës për të paguar dhe sot e kësaj dite inceneratorin që nuk ekziston (përveçse në 3D).
Por arkitekti i kësaj afere është vetë Edi Rama, ndaj duheshin mbushur kamiona me fashikuj për Veliajn për çështje anësore e sekondare.
I përmend këto 2 akte se jo vetëm janë shumë të thjeshta për t’u kuptuar edhe nga analfabetë, por mos-hetimi i tyre përveçse thellon çdo ditë dëmin e interesit publik, ka goditur rëndë parimin dhe ndjenjën e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë të çdo zyrtari të shtetit.
Pyetje: Si e vlerësoni reagimin e ndërkombëtarëve dhe injorimin që Rama u bëri paralajmërimeve të tyre?
Kur flasim për ndërkombëtarë kjo është një çështje shumë komplekse apo dinamike.
Them komplekse se kemi ndërkombëtarë të ndryshëm, me interesa të ndryshme apo peshë specifike të ndryshme në institucionet ndërkombëtare.
Për shembull, Z. Rama ishte mërzitur dje që opozitarët flasin në emër të Gjermanisë.
Në fakt, Gjermania flet në emër të Kritereve të Kopenhagenit, të cilat Rama i urren pasi aot kanë të bëjnë me zgjedhje të ndershme, llogaridhënie, Parlament funksional, ndarje pushtetesh dhe barazi para ligjit.
Nuk është hera e parë që Gjermania i kujton Shqipërisë standardet që duhet të plotësojë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
A nuk e bëri këtë me shumë passion dhe dashamirësi edhe në vitin 2019? I harruam kushtetet e Bundestagut? Apo kushtet e Parlamentit Europian? Mosplotësimi i tyre i qëllimshëm nga Rama vetëm për të kapur çdo pushtet minoi çeljen e negociatave për Shqipërinë në tetor 2019.
Ndryshimet gjeopolitike (lufta në Ukrainë) rikthyen vëmendjen pozitivisht për Shqipërinë.
Ndaj dhe kemi një aktivizim të shtuar pozitiv të Gjermanisë për ta ndihmuar Shqipërinë, por është një minimum standardish që Gjermania (dhe jo vetëm) nuk i tolerojnë dot, jo se nuk na duan ne, por se duan të mbrojnë standardet e tyre.
Të bëhesh pjesë aktive e “China club” është shumë e thjeshtë se mjafton të kesh para dhe të jesh dorëlëshuar. Por të bëhesh pjesë e “klubit” të BE pa çmontuar strukturat kriminale në të gjithë piramidën shtetërore do të thotë të shkatërrosh standardet dhe sigurinë e BE.
Këtë edhe nëse do e pranonin politikanët europianë, nuk do e pranonin qytetarët dhe mediat europiane.
Ju e shihni se veç të tjerash Tirana dhe Shqipëria janë kthyer në një nga bazat logjistike më të rrezikshme, ku përmes kompanive mashtruese (call center) vidhen miliarda euro të qytetarëve italianë, gjermanë, spanjollë, etj.
Kjo ndodh nën mbrojtjen e shtetit dhe policisë. Nuk po flas këtu për përmbytjen e Europës me drogë nga krimi i organizuar shqiptar.
Dihet se në Francë, Belgjikë, Holandë, etj., në zbardhjen e përgjimeve të grupeve kriminale ndërkombëtare gjuha e parë e përdorur është shqiptare dhe as angleze apo italiane.
Duke qenë vendi më i madh i BE dihet që Gjermania mban edhe përgjegjësinë më të madhe për vendimmarrjen edhe pse formalisht është një anëtare e Unionit si Qipro, Luksemburgu apo Estonia.
Por këta i ka kapur sindroma anti-Shtraus.
Dihet e Shtrausi kaloi fare rastësisht përmes Shqipërisë për në Greqi. Por udhëheqësit komunistë e mbajtën me pahir më gjatë. Ai u prek nga mikpritja, bukuria dhe varfëria e Shqipërisë ndaj kur u kthye në Gjermani, hartoi një plan për ta ndihmuar Shqipërinë që të dilte nga mjerimi.
Kur ai u rikthye me një plan të qartë për mbështetjen ekonomike, byroistët i kapi paranoja e nxorrën preteksin se nuk i linte Kushtetuta të merrnin ndihma.
Edhe Edi Ramën tani nuk e lejojnë grupet e gjithëpushtetshme kriminale, që Shqipëria të anëtarësohet në Europë dhe shqiptarët të përfitojnë mirëqënien dhe standardet e merituara në çdo aspekt, që të mos largohen nga vendi.
Ndaj tani fjalën e kanë shqiptarët, përfshirë edhe socialistët e ndershëm dhe patriot, që vuajnë në këtë regjim-bandë, si të tjerët.
Për Gjermaninë dhe Europën është dëm shkatërrimtar të pranojnë një shtet të kriminalizuar në gjirin e tyre.
Por dëmi më katastrofik i pret qytetarët shqiptarë nëse i nënshtrohen këtij regjimi kleptokratik, antieuropian por edhe antishqiptar.
Pyetje: Ç’do të thotë për SPAK dhe drejtësinë e re bllokimi i heqjës së imunitetit të Znj. Balluku?
Unë nuk e njoh dosjen Balluku dhe nuk mund të flas për të vetëm nga mediat.
Unë di që jam i pari që pasi kam kaluar në janar 2024 në rrugën e re Korçë-Ersekë, kam paralajmëruar rrezikun e shembjes së saj dhe fatkeqësisht kjo ndodhi një javë më vonë.
Unë shkova prapë atje me Tedi Blushin dhe gazetarët dhe u tmerrova se atje kishte vetëm dhe dhe zhavor e një cipë asphalt.
Nuk pashë atje asnjë prokuror me ekspertë që të fotografonin ato pamje kriminale, që të hetonin nëse ishin zbatuar standardet teknike.
Kohët e fundit kjo situatë është bërë sistemike me gjithë veprat publike të ndërtuara nga Edi Rama, i cili është provuar se i shpall fituesit me mesazhe telefonike.
A është e fajshme apo e pafajshme Znj. Balluku këtë duhet ta provojë gjykata.
Por që Edi Rama, po pengon drejtësinë të hetojë plotësisht, kjo është shumë evidente.
Me sa di unë ekziston një nen për ata që pengojnë drejtësinë.
Pyetje: A do të ishte dështimi i drejtësisë edhe dështimi i ndërkombëtarëve? Aq më tepër që ata janë financuesit kryesorë të saj?
Dështimi i Drejtësisë ka qenë dhe do të mbetet dështimi i shqiptarëve, siç e tregojnë të gjitha statistikat krahasuese qoftë edhe me 10 vite më parë kur u miratua reforma.
Siç e dëshmon dhe largimi i 1 milion shqiptarëve.
Gënjeshtra më e madhe është se ndërkombëtarët janë financuesit kryesorë, kur e vërteta është krejt ndryshe, pai financuesit kryesorë kanë qenë dhe mbeten qytetarët shqiptarë.
Për fat të keq, shqiptarët që janë financuesit kryesorë të Drejtësisë së Re janë edhe viktimat kryesore të dështimit të saj.
Rritja e pandalshme e korrupsionit, sipas edhe Transparency Internacional, përkeqësimi i indekseve të zbatimit të ligjit, rritja e stokut të dosjeve nga 20 mijë në mbi 200 mijë apo 2-3 fishimi i kohëzgjatjes, shtimi marramendës i kostove të qytetarëve për ndjekjen e një proçesi gjyqësor sidomos pas hartës së re gjyqësore, që i shkriu shumicën e gjykatave në rrethe, janë dëme të pallogaritshme.
Këto pasoja janë krejt të kundërta me premtimet pompoze e shpresëdhënëse 10 vite më parë.
Të mos harrojmë se edhe vetë ndërkombëtarët janë viktima të dështimit të kësaj reforme në shumë drejtime që nga vjedhja e fondeve që BE jep për shqiptarët, si ato për bujqësinë e jo vetëm, por edhe miliardat e eurove që vidhen nga Shqipëria përmes kompanive call center që mbrohen nga shteti, e deri te pasojat në vendet e tyre nga fuqizimi i grupeve kriminale shqiptare.
Pyetje: Po ju, a ndjeni përgjegjësi për dështimin e kësaj Reforme që u miratua me 140 vota?
Aspak, sepse qëllimet ishin krejt të tjera dhe jo ato që përmenda më parë, të cilat nuk erdhën nga reforma që u votua me 140 vota sipas rekomandimeve të Venecias, por nga tjetërsimi i qëllimshëm dhe malinj që iu bë asaj gjatë zbatimit antikushtetues, për të cilin nuk ka përgjegjësi vetëm Rama, por edhe ambasadorët sorosiste që justifikonin shkeljet e qëllimshme të Kushtetutës, si për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota ( nga 84 sipas Kushtetutës) e gjithë zinxhirin e hetimit.
Po kështu, ndaj vendi mbeti 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese pasi që nga 27 Janari 2017, kur u hodh shorti i parë i KED, funksionimi i saj u sabotua qëllimisht që Rama të kontrollonte çdo gjë e të mos kontrollohej nga askush.
Këto ditë kur po lexoja emrat e shpallur nga shorti i hedhur për KED në 27 Janar 2017, u “dhashë të drejtë” deri diku atyre që përdori Rama për të minuar KED bazuar në gënjeshtra.
Aty veç shumë personaliteteve që kishin dalë nuk mund të bëheshin kukulla të askujt pashë edhe emrin e Z. Gentian Trenova, që në atë kohë nuk më thoshte gjë.
Por pak më vonë shpërtheu skandali i Dosjes së Dibrës ku përfshihej gjithë zinxhiri komandues elektoral me Ramën në krye që u bë viral në gjithë botën.
Ndaj si mund të pranonin ata një KED me gjyqtarë dhe prokurorë që hetonin krimin elektoral, zemrën e gjithë piramidës kriminale?
Ndërkohë jam i qetë sepse që në vitin 2016 dhe deri më 24 korrik 2022 i kam paralajmëruar zyrtarisht edhe si Kryetar Kuvendi, por edhe President i Republikës, SHBA, BE, Britaninë e Madhe për pasojat e mëdha që do të vinin nga shkelja e Kushtetutës, me ligje dhe vendime antikushtetuese për t’i dhënë Ramës kapjen e plotë të hetimit dhe gjykatave e sidomos asaj kushtetuese për të cilën thirra edhe Mitingun historic të 2 Marsit 2020.
Këto paralajmërime i kishte bërë edhe vetë Komisioni i Venecias në rekomandimet e tij shumë të vlefshme në Mars 2016.
Por dikush donte ta kthente Shqipërinë në parajsën e tij të pastrimit të parave dhe ky ishte Soros. Këtë nuk mund ta realizonte pa ia dhënë drejtësinë në dorë Ramës. Për këtë fatkeqësisht përdori edhe shumë diplomat amerikanë dhe europianë, pa harruar edhe Charles McGonigal.
Natyrisht ambasadorët e sotëm në Tiranë e kanë të vështirë ta kuptojnë se çfarë kanë bërë disa nga paraardhësit e tyre vite më parë.
Por edhe ata që e kuptojnë, kurrë nuk do ta pranojnë publikisht.
Për më tepër që janë harxhuar shumë para të taksapaguesve të tyre edhe në dëmin e tyre.
Libri im i 22 korrikut do të ndriçojë me fakte, dokumenta dhe prova (jo indicia) komplotin që iu bë sovranitetit të vendit dhe qytetarëve tanë por edhe minimit të integrimit europian, siç po provohet qartë edhe sot.
Mos harroni se ai votimi me 140 vota u bë që të merrej edhe rekomandimi i BE për çeljen e negociatave.