đŒđąđŹđąđšđ§đšđ« 𝐱 𝐙𝐹𝐭𝐱𝐭 đȘđžÌˆ đ„đš đŻđžđ©đ«đš đ­đžÌˆ đ©đžÌˆđ«đŁđžđ­đŹđĄđŠđž!

đŒđąđŹđąđšđ§đšđ« 𝐱 𝐙𝐹𝐭𝐱𝐭 đȘđžÌˆ đ„đš đŻđžđ©đ«đš đ­đžÌˆ đ©đžÌˆđ«đŁđžđ­đŹđĄđŠđž!

NdĂ«rsa kĂ«mbanat e kishave kanĂ« nisur tĂ« bien nĂ« tĂ« gjithĂ« ShqipĂ«rinĂ« dhe mijĂ«ra besimtarĂ« ortodoksĂ« dhe qytetarĂ« shqiptarĂ« nderojnĂ« kortezhin me trupin e FortlumturisĂ« sĂ« Tij, Anastas Janullatos, njĂ« kalendar ortodoks (i vetmi qĂ« ndodhet nĂ« qelinĂ« time çuditĂ«risht), mĂ« nxit qĂ« nĂ« pamundĂ«si pĂ«r t’iu bashkuar kĂ«tyre homazheve ndaj kĂ«tij personaliteti tĂ« jashtĂ«zakonshĂ«m tĂ« nivelit botĂ«ror, tĂ« mos rri pa ndarĂ« me ju disa copĂ«za kujtimesh tĂ« gdhendura fort nĂ« kujtesĂ«n time.
ËshtĂ« pikĂ«risht kalendari ortodoks pĂ«r vitin 2025 qĂ« Fortlumturia e Tij mĂ« dĂ«rgoi me rastin e Krishtlindjeve dhe Vitit tĂ« Ri.
ÇuditĂ«risht askush tjetĂ«r nuk u kujtua tĂ« mĂ« dĂ«rgonte njĂ« kalendar nĂ« dhuratat e Vitit tĂ« Ri, kur nĂ« fakt, kalendari kĂ«tu ku ndodhem unĂ« Ă«shtĂ« shumĂ« i rĂ«ndĂ«sishĂ«m pĂ«r tĂ« kuptuar se koha rrjedh dhe se ajo nuk duhet shpĂ«rdoruar.
Sepse këtu, pa kalendar, e hëna nuk ka dallim nga e diela.
Përveç vlerës praktike të kalendarit dhe festave apo ditëve të rëndësishme të ortodoksisë, ai shërben edhe si një promovues i mrekullueshëm dhe tepër konçiz i veprave të jashtëzakonshme që Fortlumturia e Tij ka ndërtuar në vendin tonë që nga 24 qershori 1992 kur Prof. Dr. Anastasi u zgjodh Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.
Gjithçka nisi nga hiri dhe Fortlumturia e Tij ishte i vetmi hierark deri në vitin 1998, kur u krijua Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Nën kujdesin e Tij të veçantë, u arsimuan një brez i ri klerikësh shqiptarë të të gjitha gradave çka është edhe investimi më i rëndësishëm për vazhdimësinë e suksesshme të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ndërkohë në 33 vite u ndërtuan 161 kisha të reja dhe u riparuan 170 kisha, përveç restaurimit të 69 manastireve e kishave- monumente kulture.
Po kështu u ngritën mbi 80 kopshte, shkolla, qëndra rinore, qëndra shëndetësore, mensa për të varfërit, shtëpi pushimi për fëmijë, etj.
FalĂ« personalitetit tĂ« Tij nĂ« nivel botĂ«ror, Kisha jonĂ« u pĂ«rfaqĂ«sua nĂ« nivelet mĂ« tĂ« larta tĂ« KĂ«shillit BotĂ«ror tĂ« Kishave ku Kryepeshkopi ynĂ« arriti tĂ« ishte edhe President i saj ashtu siç u zgjodh edhe President Nderi i OrganizatĂ«s mĂ« tĂ« madhe NdĂ«rfetare “FetĂ« pĂ«r Paqen” nĂ« 2009.
Vetëm për trashëgiminë kulturore nën përkujdesjen e Tij u shpenzuan 12 milionë euro dhe po kështu jo vetëm u restauruan 600 ikona, por u përgatit edhe një brez i ri artistësh ikonografë.
Pa harruar këtu kontributet gjatë krizave humanitare si ajo e Kosovës ku 33 mijë shqiptarë u mikpritën me bujari dhe përkujdesje nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.
E ndërkohë që kontributet e Tij janë të jashtëzakonshme dhe unikale për ta shndërruar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë edhe në një qëndër të veprimtarive ndërkombëtare jo vetëm fetare por edhe kulturore dhe akademike, për fat të keq edhe keqkuptimet ndaj Tij kanë qenë jo të pakta vetëm për shkak të origjinës së Tij greke.
Në vitin 2000 kur vizitova Kishën e Bostonit si Kryeministër, në një moment të veçantë i kërkoj At Artur Liolin, që më priste, që të rrinim 5 minuta vetëm.
Të lutem e pyes, më fol sinqerisht për Kryepeshkopin Anastas, sepse ka shumë debate rreth tij dhe si duhet të sillemi?
PĂ«rgjigjia e tij ishte shumĂ« shteruese: “NĂ«se do e shikoni si grek gjithmonĂ« do e paragjykoni, por nĂ«se do e shikoni si misionar do merrni vendime tĂ« drejta”.
Kjo qasje më ndihmoi shumë në disa vendime të rëndësishme që isha i detyruar të merrja për shkak të pozitave të mia.
Së pari lidhur me miratimin e vendit ku sot qëndron madhështore Katedralja e re në qendër të Tiranës.
Si sot e kujtoj se vetĂ«m 1 javĂ« pasi si KryeministĂ«r i sapozgjedhur kisha pritur gjithĂ« drejtuesit e komuniteteve fetare duke i garantuar se do tĂ« bĂ«ja çdo gjĂ« pĂ«r t’u kthyer pronat e tyre, Fortlumturia mĂ« kĂ«rkoi takim.
“Duke u nisur nga takimi me ju ku shprehĂ«t gadishmĂ«rinĂ« pĂ«r kthimin e pronave tona, unĂ« jam kĂ«tu pĂ«r t’ju kĂ«rkuar qĂ« tĂ« zgjidhim çështjen e Katedrales”, – mĂ« tha.
PatjetĂ«r i them unĂ« qĂ« do t’ua kthejmĂ«.
“Por ka njĂ« problem, – tha Fortlumturia, se prona jonĂ« Ă«shtĂ« atje ku Ă«shtĂ« ndĂ«rtuar ‘Hotel Tirana’, ndaj ne nuk insistojmĂ« pĂ«r tĂ«, sepse duam tĂ« ndĂ«rtojmĂ« njĂ« Katedrale tĂ« bukur e dinjitoze dhe jo tĂ« prishim diçka.
Ndaj ju lutemi qĂ« tĂ« na kompensoni me njĂ« tokĂ« tĂ« njĂ«vlershme pranĂ« qendrĂ«s dhe me hapĂ«sirĂ« tĂ« mjaftueshme”.
“Padiskutim, – i them unĂ«, do pĂ«rpiqemi tĂ« gjejmĂ« njĂ« hapĂ«sirĂ« dinjitoze pranĂ« qendrĂ«s.
Ndërkohë Fortlumturia hodhi hapin e dytë.
“Ne e kemi studiuar kĂ«tĂ« situatĂ« mĂ« thotĂ« dhe vendi mĂ« i pĂ«rshtatshĂ«m dhe nuk krijon probleme, Ă«shtĂ« kĂ«tu (dhe tregon hapĂ«sirĂ«n midis godinĂ«s sĂ« PartisĂ« Socialiste dhe MinistrisĂ« sĂ« Mbrojtjes)”.
Unë u gjenda i befasuar dhe për të fituar pak kohë, i them se ne do shohim edhe hapësira të tjera të njëvlershme pranë qendrës dhe nëse nuk do të gjejmë patjetër do të miratojmë këtu ku kërkoni ju.
Nuk ishte e pasikletshme të merrje një vendim të tillë në atë kohë kur PS-ja sulmohej jo rrallë si parti pro greke, etj.
Por vërtet që nuk kishte një hapësirë tjetër pa probleme rreth qendrës së Tiranës.
KĂ«shtu qĂ« njĂ« ditĂ« shkoj te selia e PS pĂ«r tĂ« pirĂ« njĂ« kafe dhe u them si rastĂ«sisht disa ekspertĂ«ve tĂ« saj se kam rĂ«nĂ« nĂ« hall me Kryepeshkopin se i kam premtuar qĂ« do t’i gjej njĂ« vend pĂ«r tĂ« ndĂ«rtuar Katedralen se nuk mund t’ja kthejmĂ« ‘Hotel TiranĂ«n’.
Po gjeja më thanë ata.
E ka gjetur vetë u thashë unë duke u treguar nga dritaret e PS që shikonin kioskat, te lulishtja para Ministrisë së Mbrojtjes.
Ai kërkon këtë hapësirë dhe një të dytë si kjo nuk ka rreth qendrës së Tiranës.
Nuk dua të flas sot për reagimet absurde që vinin jo nga mungesa e dëshirës, por frika e sulmeve politike, se si mund të interpretohej kjo leje midis PS dhe Ministrisë së Mbrojtjes, por dua të nënvizoj faktin se Fortlumturia çdo hap e kishte të studiuar dhe mirëplanifikuar dhe dinte ta mbante fjalën.
Gjithmonë më thoshte do kemi një Katedrale që do e zbukurojë Tiranën dhe do u shërbejë të gjithëve.
KĂ«shtu ndodhi.
Inagurimi i saj ishte një lajm botëror, sepse udhëheqësit më të lartë botërorë e europianë morën pjesë dhe ky ishte një promovim i shkëlqyer i Shqipërisë si një vend i lirisë së besimit.
Ndërsa rastin e dytë që do ndaja sot me ju është ai i çështjes së shtetësisë së Tij shqiptare e pazgjidhur për 25 vite.
Sa herë takohesha me Fortlumturinë në detyrat e ndryshme para se të bëhesha President i Republikës, ai gjithmonë me shumë përulësi e keqardhje e ngrinte këtë çështje.
UnĂ« e mirĂ«kuptoja por edhe isha disi “komod” sepse kjo ishte njĂ« çështje ekskluzive e Presidentit tĂ« RepublikĂ«s.
Me rastin e zgjedhjes time President, padyshim që Fortlumturia ishte ndër të parët që më takoi për të më uruar.
Ndërkohë dhe unë isha i përgatitur për çështjen që atë e mundonte më shumë.
Pas të gjitha verifikimeve të bëra ishte e qartë se nuk kishte asnjë problem për të dhënë një të drejtë që ligji ia kishte dhënë me kohë.
Natyrisht që kishte një debat nëse Fortlumturia do ndiqte procedurat e zakonshme që çdo shtetas i huaj ndjek pas 5 viteve qëndrimi në Shqipëri, duke shkuar në polici e bërë kërkesën për të marrë shtetësinë apo do ta merrte drejtpërdrejtë nga Presidenti i Republikës për shkak të meritave të veçanta.
Rruga e parë ishte e tejkaluar për këtë rast sepse Fortlumturia jo vetëm që nuk kishte 5 vite, por 25 vite rezident në Shqipëri e mbi të gjitha ai ishte udhëheqësi i një komuniteti shumë të madh e të rëdësishëm të vendit tonë.
Për më tepër kontributi i Tij ishte i rrallë dhe po kështu edhe mosha dhe fisnikëria e tij meritonin respektin më të lartë.
Pa merak i them unë për çështjen e shtetësisë, ajo do të zgjidhet brenda një viti. Se kur, më duhet ta mendoj.
A kishte rast më të mirë se në ditën e Krishtlindjes të vitit 2017 ta bëja këtë akt shoqëruar edhe me një vlerësim publik bashkë me urimet për festën.
Por ajo që dua të veçoj ishte reagimi i tij atë ditë kur mori dekretin në duart e tij sipas Drejtorit tim të Kabinetit, z. Arben Cici.
I lumturuar kishte thënë: Më në fund do të vdes si shqiptar.
E ndërsa vendlindja e tij ja bëri të gjitha nderimet, Ai zgjodhi Shqipërinë si vendprehjen e tij, sepse mbi të gjitha Ai ishte misionar dhe për më shumë se një të tretën e jetës së tij ia përkushtoi ringritjes nga hiri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kjo Ă«shtĂ« edhe arsyeja pse ai gjithĂ« mirĂ«sjĂ«llje refuzoi propozimin pĂ«r t’u zgjedhur President i GreqisĂ«.
Po kĂ«shtu edhe urtĂ«sia e tij si misionar dhe durimtar me njĂ« largpamĂ«si tĂ« jashtĂ«zakonshme shprehej, kur e sulmonin, se me “gurĂ«t” qĂ« mĂ« hedhin do tĂ« ndĂ«rtoj kisha tĂ« tjera.
Ndoshta ne nuk u treguam aq largpamĂ«s sa duhej pĂ«r ta “shfrytĂ«zuar” mĂ« mirĂ« personalitetin e tij njohur botĂ«ror, mĂ« shumĂ« pĂ«r tĂ« mirĂ«n e vendit tonĂ«, por Fortlumturia me zgjedhjen e ShqipĂ«risĂ« si vendprehjen e tij, pĂ«rsĂ«ri na ka lĂ«nĂ« mundĂ«sinĂ« qĂ« tĂ« shfrytĂ«zojmĂ« trashĂ«giminĂ« e Tij dhe kujtimin e tij mĂ« nĂ« tĂ« ardhmen.
Të prehet në paqen e merituar!