Fjalimi në Parlament i Ministrit për Transportin dhe Infrastrukturën, z. Edmond Haxhinasto

Fjalimi në Parlament i Ministrit për Transportin dhe Infrastrukturën, z. Edmond Haxhinasto

edmondhaxhinasto14092013-1

“Të nderuar deputetë!

Programi që ka paraqitur mazhoranca e re është i bazuar dhe ndërtuar mbi një sërë parimesh themelore të mirëqeverisjes dhe zhvillimit. Është e rëndësishme dhe e theksoj qysh në krye të herës që këtë program e mbështeten mbi një milion shqiptarë. Duhet të reflektojmë këtë fakt se shqiptarët shpeshherë, edhe në këtë rast, kanë pasur vizionin, urtësinë, zgjuarsinë për të bërë zgjedhjen e duhur. Ky program së pari trajton dhe zgjidh problemet e mëdha që ka vendi. Problemet e mëdha që ka qytetari, por edhe vetë sistemi. Sistemi institucional, por edhe vetë modeli ekonomik.

Programi trajton papunësinë dhe pasojat që sjell ajo, jep një model të ri për ekonominë. Kërkon burime të reja për të rritur zhvillimin dhe për të financuar zhvillimin. Ka një vizion të ri në menaxhimin e punëve në menaxhimin e shtetit, në menaxhimin e ekonomisë. Sjell një besim të ri si te qytetari dhe te konsumatori, por edhe tek punëdhënësit, te komuniteti i biznesit që shpeshherë trajtohet si alien nga qeverisja. Sjell gjithashtu edhe një vizion modern se ku duhet të investojë qeveria, si duhet të investuar për të ardhmen. Kryesisht duke investuar tek kapitali njerëzor, duke investuar tek arsimi, veçanërisht tek ai profesional që ndikon drejtpërdrejtë në realizimin e rritjes ekonomike dhe në plotësimin e objektivit tonë madhor, punësimit. Ky program sjell edhe një koncept të ri në të bërit politikë që është përgjegjshmëria ndaj qytetarit, realizimi i premtimeve, garantimi i këtyre realizimeve bazohet te llogaridhënia, bazohet pikërisht pra te realizimi i atyre që premtohet.

 

Programi ynë ka në qendër Evropën, fillon dhe mbaron me Evropën, ka si objektiv themelor përgatitjen e një vendi që ka nevojë të realizojë shumë gjëra për të ndërtuar më shumë Evropë brenda tij dhe pastaj për të shkuar e për t’u bashkuar me të. Të ndërtosh më shumë Evropë do të thotë të ndërtosh më shumë standarde në konceptin qeverisës, më shumë standarde në legjislacion dhe jo vetëm si referenca të thata ligjore por në realizimin e tij. Do të thotë të ndërtosh më shumë standarde në metodën bipartizane të hartimit të ligjeve, do të thotë të realizosh më shumë standarde me metodën bipartizane të realizimit të detyrimeve për integrimin evropian. Gjithashtu ky model sjell një model të qëndrueshëm, një propozim të qëndrueshëm për modelin ekonomik, i cili duhet të jetë konkurrues, sepse duhet të jemi konkurrues për të shkuar në Evropë. Duhet të jemi konkurrues për ta bërë modelim të qëndrueshëm për të realizuar punësimin e shqiptarëve dhe për të realizuar të gjithë objektivat e tjera për t’i shërbyer shqiptarëve. Por mbi të gjitha më shumë standarde do të thotë më shumë punësim, veçanërisht ato shtresa që përbëjnë potencial të madh edhe në aspektin ekonomik për të gjeneruar rritje, që janë të rinjtë, janë gratë, që të jenë ata kontribuues të zhvillimit. Dhe ky është edhe një nga aspektet e tjera, që e shikon qytetarin si kontribuues të madh të realizimit të objektivave madhore që ne kemi.

Po kështu standard do të thotë t’i vendosësh cilësi të re nga një këndvështrim i ri, nga në këndvështrim humanist, nga një këndvështrim solidar për ato që duam të realizojmë. Flasim për cilësinë e shërbimeve, për shëndetësinë, për arsimin, por flasim gjithashtu edhe shërbime të tjera, që kanë nevojë për një cilësi shumë më të madhe. Flasim për koston e shërbimeve, flasim për ujin, për kanalizimet, për cilësinë e tyre, për mbetjet, për mjedisin jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen. Pra ky program që ne kemi paraqitur ka brenda tij sensin realist. Ka ambicie pa diskutim, por ka dhe realizmin në realizimin e objektivave që paraqiten dhe jo si doktrina apo ideoligjizime, por si shërbime konkrete për qytetarin. Pra ky është standardi më i madh që duam të realizojmë edhe në procesin e integrimit evropian, që t’i ofrojmë shërbime më të mira qytetarit, t’i ofrojmë cilësi më të madhe jete qytetarit. Dhe kjo kryhet duke realizuar ato që ka në program, jo referencat e thata ndaj njëri dokument apo tjetrit, por pikërisht standardin që duam të realizojmë.

Dhe për të bërë më konkrete dhe më të qartë këtë le të ndalem pak tek infrastruktura. Nuk ka në fakt as këndvështrim politik, as këndvështrim apo komentim ideologjik, por ka një përqasje faktuale me atë që kemi propozuar. Më leni të bëjë disa pyetje: A kemi nevojë për zgjidhjen e disa problemeve që unë do të përmend? Janë realizuar investime të mëdha dhe unë pa diskutim që e kam edhe guximin politik që të them se janë bërë investime të konsiderueshme, por a ka probleme? Sigurisht që ka. A ka probleme me impaktin që kanë sjellë këto investime, duke marrë për bazë edhe investimin kryesor që është realizuar Rrugën e Kombit? A ka pasur impakt social, a është përmirësuar jeta e qytetarëve atje nga ky investim? Ne do ta ndërtojmë konceptin e përcaktimit dhe shpërndarjes së investimeve. Do të vëmë si prioritare ato me impakt më të madh, jo vetëm për t’i shërbyer njerëzve që është objektivi madhor, por mbi të gjitha për t’i shërbyer rritjes ekonomike, për t’i shërbyer sigurisë dhe punësimit. A kemi harmonizuar ne planet tona me ato të fqinjëve? Po vijmë nga Kosova, ku u takuam me Kryeministrin dhe disa kolegë. Dhe shikoj shumë qartë që planet tona zhvillimore të këtij sektori duhet të ishin përputhur prej kohësh me ato të zhvillimit të Kosovës. Ne do ta bëjmë dhe do ta realizojmë konkretisht. Vazhdojmë më tej, a kemi një borxh të madh sot ndaj kompanive që kanë realizuar një pjesë të mirë të veprave publike? A duhet ta zgjidhim këtë problem? Si mund të jetë biznesi pjesë e zhvillimit të vendit në qoftë se qeveria adopton këtë lloj përqasje ndaj tij? Nëse ekzistojnë fatura të tilla, mbi 100 milionë dollarëshe si detyrim, çfarë duhet të bëjmë? Do të financojmë zhvillimin me para që i përkasin biznesit? Në mënyrë absolute jo. Do të vendosim një partneritet të ri me biznesin. Ai do të jetë pjesë e udhëtimit tonë, do të jetë pjesë e realizimit të objektivave por me respekt maksimal ndaj tij dhe me mbështetje maksimale ndaj tij.

A kemi nevojë për standarde të tjera teknike për standarde të tjera të sinjalistikës, të mjedisit, të eliminimit të pikave të zeza, siç quhen ku vdesin dhe plagosen shqiptarë? A kemi nevojë për të përmirësuar dhe për të mirëmbajtur rrugët që kemi? Po degradon në mënyrë të frikshme cilësia e Rrugës së Kombit, investimi më i madh që kemi bërë. Një copë guri ndoshta mbi 2 tonë është në mes të asaj rruge nëse shkoni sot për në Morinë dhe kjo vjen thjesht nga mënyra e keqe e menaxhimit të kësaj vepre me rëndësi kombëtare. Pra janë standarde, janë standarde që mungojnë. A kemi nevojë që qytetarëve t’u shërbejmë më mirë, t’u japim shërbime më cilësore në transport, tran
sportin ndërurban, në transportin ajror që të rripen qytetarët shqiptarë me çmime tmerrësisht të larta? A kemi nevojë apo jo? Sigurisht që kemi. A kemi nevojë për të pasur më shumë kujdes, për ta trajtuar mjedisin në mënyrë më të përgjegjshme? A kemi nevojë të përcaktojmë standarde në trajtimin e ujit? A kemi nevojë të përcaktojmë standarde në teknologjinë e trajtimit të mbetjeve, që Shqipëria të mos bëhet një vend ku mbillen plehrat dhe ujërat që shumta që vendi ka si pasuri të shkojnë e të ndotin mjedisin edhe përtej tyre? Sigurisht që kemi. A duhet bërë kjo? Sigurisht që duhet bërë dhe kjo është në këtë program. A kemi probleme me hekurudhën në Shqipëri, sepse duhet të shkojmë në Evropë? A kemi një vizion për të ofruar një sistem të integruar të transportit në Shqipëri? A kemi nevojë të lidhemi me fqinjët? Sigurisht që kemi dhe këtë zgjidhje jep ky program. Pra, të nderuar kolegë, ajo që dua të them në përfundim është që jo vetëm që ky program e ka këtë cilësi, cilësinë e njohjes së problemit, cilësinë e zgjidhjes së problemit, por mbi të gjitha ai ka dhe garancinë dhe mbështetjen e një milionë shqiptarëve. Ju faleminderit!