Intervistë e Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili dhënë për televizionin “Top Channel”

Intervistë e Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili dhënë për televizionin “Top Channel”

petritvasili09022013

Z. Vasili, ka dy rryma në këto momente. Në që thotë se bashkëpunimi po shkon mirë dhe një tjetër që ka një lloj dyshimi për këtë bashkëpunim me PS-së dhe LSI-së. Në fakt deri në këto momente, si po shkon qoftë edhe hartimi i programit të përbashkët për 300 ditët e parë të qeverisjes?

Po punohet për një program integral 4-vjeçar, sigurisht me një prioritet për të definuar veprimet e shpejta për 300 ditët e para, sepse situata në të cilën ndodhet vendi, qoftë nga pikëpamja ekonomike, por edhe në mënyrën e funksionimit të shtetit e kërkon një veprim emergjent në mënyrë të veçantë për 300 ditët e para. Sigurisht, që ka kohezion, ekziston një klimë konstruktive e ndërtimit të një programi sa më të përgjegjshëm dhe realist mbi të gjitha dhe kjo frymë sigurisht ka sjellë atë risi që është përcjellë nga publiku i gjerë, ku për herë të parë po punohet gjerësisht mbi programin dhe nuk ekziston një përqendrim apo një merak i madh se kush do të ishin emrat përfaqësues.

Pra, kemi lëvizur drejt parimeve të shëndosha drejt një programi të përgjegjshëm dhe duke mos u përqendruar tek emrat e përveçëm, që shpeshherë na largojnë fokusin themelor dhe harrojmë atë që është thelbi për të cilin shqiptarët na kanë votuar. Pra, të kemi një program që të realizohet e ku të mirat t’i ndjejnë qytetarët. Në këtë pikëpamje kohezioni ka qenë besoj jo i vështirë, sepse duke pasur një profil të majtë të spikatur, LSI-ja në njërën anë dhe PS-ja në anë tjetër, duke pasur dimensionin social shumë të shprehur të të dy programeve, sigurisht konvergjenca është arritur pa vështirësi, sepse do të ishte shumë e vështirë nëse do të kishim profile politike dhe ideologjike të ndryshme. Kjo sigurisht do të krijonte vështirësi dhe do të krijonte pesimizëm apo hamendje dhe dyshime që diçka nuk shkon mirë. Përkundrazi, unë jam i detyruar t’i zhgënjej skeptikët në këtë rast. Ka një klimë shumë të mirë bashkëpunimi dhe mjaft momente të programeve tona po përqasen duke krijuar një kohezion, e cila e lehtëson punën e qeverisë së ardhshme në drejtim të implementimit të këtij programi.

Pra ju thoni se deri në këto momente nuk është diskutuar dhe nuk është hedhur në tryezë qoftë edhe diskutimi i emrave konkret përsa i përket qeverisë?

Absolutisht jo. I tërë përqendrimi dhe fokusi ka qenë pikërisht përpilimi i një programi realist sepse ju keni përcjellë, që jo thjesht koordinatorët, por tërë grupe e punës kanë pasur problematikën e një informacioni të cunguar, i cili vjen nga qeveria dhe një transparencë e cila mungon, por që nuk e ka penguar që të definojë linjat politike e programore se ku do të ecë secili sektor në mënyrë të veçantë edhe në veprime konkrete. Dhe kjo e dallon këtë program nga të gjitha programet qeverisëse më parë dhe në këtë pikëpamje çështja e emrave dhe çështje të këtij niveli nuk janë absolutisht fokusi dhe nuk mund të ishin fokusi, sepse në fund të fundit në shtatorin e ardhshëm do të votëbesohet një program qeverisës që është thelbi. Oponenca dhe debati do të përqendrohet te programi dhe realizimi i tij dhe jo tek emrat e përveçëm. Kushdo që të jetë do të ketë përgjegjësi për të realizuar këtë program në mënyrë konkrete dhe për herë të parë përgjegjshmëria që të kemi një program të realizueshëm dhe të prekshëm realizohet për herë të parë në praktikë. Më parë, ju e dini që është ecur me logjikën e një programi që është shkruar në dy ditët e fundit, përcaktohen njerëzit më parë dhe programi u shkonte kostumit të individëve. Kjo është pikërisht një logjikë krejtësisht e gabuar, një filozofi e cila të çon në dështim të sigurt, kurse ky drejtim pincipial në mënyrë krejtësisht të ndryshme, pra program solid realist dhe konkret dhe më tutje personat përkatës që e realizojnë. Kjo është ajo rruga logjike ku duhet të ecë politika tash e mot edhe në të ardhmen.

Ka pak skepticizëm për këtë kohezion që ju thoni. A mendoni se koalicioni PS-LSI do të zgjasë dhe do t’i rezistojë kohës?

Ky koalicion sigurisht që është një koalicion që do të zgjasë në kohë dhe kjo buron nga natyrshmëria e filozofisë së njëjtë. Kemi individualitete të spikatura, edhe LSI-ja dhe PS-ja po ecim në shtratin e së majtës, e cila është një fuqi politike dhe elektorale e padiskutueshme në elektoratin shqiptar. Kjo tashmë ka konfirmime pa fund dhe besoj se nuk ka dilema edhe më skeptiku, kështu që në këtë hulli filozofike programore jemi në natyrshmërinë tonë. Të gjitha kombinacionet e tjera kanë qenë të panatyrshme dhe sigurisht të diktuara nga momenti dhe emergjenca besoj që ka një pjekuri politike të madhe dhe lidershipe të konsoliduar në të dy krahët, të cilët kanë të gjithë pjekurinë për të ecur përpara dhe ngjizja e koalicionit mbi kartën e parimeve, jo mbi kartën e ndarjes së ca interesave, por mbi disa principe të shëndosha që garantojnë të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe integrimit mbi të gjitha sigurisht eliminojnë çdo premisë për ndarje ku sigurisht do të kemi diskutime konstruktive të vazhdueshme për të përmirësuar vazhdimisht programin në cilësinë e qeverisjes. Ky koalicion nuk do të kënaqet kurrë me atë që ka arritur, me atë që vazhdon të arrijë dhe kjo ambicie pozitive do të jetë një shtysë pozitive, por nuk ka asnjë premisë të asnjë lloji që të shënonte nevojën e një ndarje apo gjëra të tjera. Besoj që edhe eksperiencat e kaluara kanë qenë një thesar i madh në të mirë dhe në të keq dhe sot besoj që, më të qetë dhe më të pjekur se kurrë, ky koalicion ka edhe një mbështetje të madhe të qytetarëve. Ka mundësi të administrojë pushtetin e tij për disa mandate, sepse mendoj që sfida e një mandati është një sfidë e kryer dhe përgjigjet pozitive do të jenë të dukshme dhe optimiste që në fillimet e tij.

Përveç programit që ju po diskutoni dhe emrave që ju thoni se nuk janë hedhur ende në tryezë, a është një nga tezat apo një nga bazat e sigurta që LSI-ja do të kërkojë ndryshimet kushtetuese, pora rikthimi i Kushtetutës siç ka qenë para vitit 2008, që ishte edhe nisja e çarjes mes LSI-së dhe PS-së?

Në këtë pikëpamje ne duhet të dallojmë prioritetet. Sot kemi një vend me probleme te thella ekonomike dhe sociale. Nuk jam në momentin e një patetizmin elektoral, por varfëria ekstreme dhe në zonat më të pakuptueshme, po të doni edhe në zonën ku unë kam kandiduar, është ulur këmbëkryq. Ky realitet kritik në mjaft fusha të tij kërkon përgjigje të forta të qeverisë e të një ekipi kompakt, dikur opozitar e tashmë një mazhorancë e fuqishme dhe nuk duhet të shpërqendrohemi nga asnjë temë tjetër në këtë moment përveçse nën një qeverisje efikase, rezultative dhe
me rezultate që qytetarët i prekin, pasi në optimizëm kanë votuar për këtë mazhorancë të re. Ky optimizëm nuk duhet të zbehet dhe rezultati do të jetë i prekshëm në çdo familje. Politika do të funksionojë në 360 gradë, çdo temë diskutimi do të ulet në tavolinë, edhe kodi zgjedhor mund të ishte një temë e cila kërkon përmirësime të rëndësishme në drejtim të administrimit të votës dhe elemente të tjera. Mbase edhe Kushtetuta edhe në një moment të dytë, ndonëse mendoj që kuadri kushtetues aktual ka pësuar ndryshime dhe përmirësime të njëpasnjëshme në sajë të kompromiseve të forcave të mëdha politike dhe disa momente të saj ka tentuar të kthehet në normalitet. Nuk mendoj se është saktësisht e njëjta Kushtetutë si ajo e 2008-s, ajo që është sot në fuqi. Sigurisht nuk ka tabu, por problemet kritike siç ishin dikur bllokimi i presidentit, kemi sot të përcaktuar në Kushtetutë mënyrën e konkurrimit zgjedhor, kemi kufizim të mandateve të disa institucioneve kushtetuese. Pra, disa përgjigje të rëndësishme janë dhënë ndërkohë, kështu që nuk mendoj që ndryshimi i Kushtetutës paraqet të njëjtën emergjencë dhe të njëjtën nevojë të një veprim shumë të shpejtë si më parë. Sigurisht do të jetë pjesë e diskutimit, përmirësimi gjithmonë i jetës politike pse jo dhe juridike të vendit, po nuk e shoh më si një emergjencë e cila duhet të jetë kryetema e diskutimeve tona. Kryetema dhe sfida jonë do të jetë qeverisja dhe asnjë gjë tjetër.

Dy krerët e së majtës, z. Rama dhe z. Meta kanë rënë dakord edhe për ndarjen e mandatit të ministrit nga mandati i deputetit. Ka një lloj skepticizmi le të themi. A ka probleme për këtë pikë, si e shikoni a krijon pak oshilacion kjo gjë?

Unë do të nisem nga në konstatim dhe do të shkoj tek një përfundim. Konstatimi ynë ka qenë që kemi pasur një parlament që funksiononte keq dhe në një moment të caktuar në mënyrë të shëmtuar, duke bllokuar motorin e jetës politike të vendit dhe të qeverisjes së vendit, sepse ligjvënësi funksiononte me probleme. Kemi pasur një opozitë e cila shpeshherë tentohej të dhunohej në të drejtat e saj. Kemi pasur një funksionim nga pikëpamja teknik, por edhe të etikës që linte dukshëm për të dëshiruar. Kërkohet pra një rithemelim i jetës parlamentare dhe prania në pozicionin më të lartë të Ilir Metës është mesazhi i parë i fortë e rikthimit në një parlamentarizëm produktiv, njëkohësisht legjislacioni i prodhuar atje me cilësi të re me debat të gjerë, me grupe interesi e gjithçka, lehtëson goxha punën e qeverisjes. E ndërkohë për t’u kthyer tek pyetja juaj do të thotë që ne maksimizojmë punën dhe eficiencën e dy institucioneve. Nga kjo kemi veçse të mira, legjislacioni i dobët ka qenë vërejtja e vazhdueshme e Këshillit të Evropës, qeverisja joefikase bazuar në një legjislacion të pazbatueshëm ishte problemi i madh i qeverisjes. Pra kjo ndarje e mandateve krijon eficiencë maksimale. As nuk është ndonjë praktikë e re, as nuk është një gjetje shqiptare. Një vend që do të kalojë shpejt problemet e tij duhet të ketë eficiencë maksimale dhe çdo veprim në këtë drejtim është i mirëpritur. Çdo veprim tjetër që ruan ritmet e ulëta, ruan stanjacionin apo ruan eficiencën minimale të institucioneve reciproke apo të mos plotësimit reciprok të detyrimeve ndaj qytetarëve dhe ndaj elektoratit nuk i duhet kurrkujt. Ndaj sigurisht me ekzigjencë maksimale kjo bie mirë dhe nuk ka ndonjë moment për t’u kritikuar. Në fund të fundit ata që do ta kenë këtë problem, sepse nuk ma do mendja që të gjithë ministrat do të kërkojnë të jenë patjetër edhe deputetë, kjo varet nga Kryeministri Rama që ta zgjidhë, por edhe ata që do të kenë kanë pasur besimin e partisë së tyre për të qenë fitues, sepse listat proporcionale sigurisht kanë preferencat e partisë për të qenë në pozicione më të rëndësishme e favorizuese, prapë do të kenë një shans të ri të jashtëzakonshëm politik për afirmimin e tyre ku në CV-në e tyre politike do të ketë një moment për një lançim akoma më të rëndësishëm dhe një moment për t’u ndjerë sikur diçka u është marrë. Kështu që në këtë pikëpamje besoj se ekipi i një partie është fitues kur parti qeveris mirë dhe ka një performanë të mirë në parlament por nuk mund të jetë ndryshe nëse do të ishte shumë efikase në parlament por nuk është efikase në qeverisje. Pra të dyja duhet të funksionojnë në maksimumin e tyre dhe kjo reformë besoj se çon ujë pozitivisht në këtë drejtim.