01 Jul Fjala e Kryetarit të Partisë “Aleanca për Shqiptarët” dhe ministrit të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, z.Arben Taravari në Forumin Rajonal “Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes”
Përshëndetje të gjithëve,
Të nderuar të pranishëm,zonja dhe zotërinj,
I nderuari Presidenti Meta, faleminderit për ftesën!
Edhe unë shfrytëzoj rastin të shpreh ngushëllime për të madhin Ismail Kadare.
Mendoj se tre autoritetet kryesorë të cilët ishin promovues kryesorë të shqiptareve këto 2-3 dekadat e fundit, padyshim ishte Ferid Murati, Nëna Terezë dhe Ismail Kadare.
Kur më erdhi ftesa për të folur për një temë të tillë, për gjeostrategjinë, ndjeva interes për të dëgjuar, por edhe për të vepruar.
Gjeopolitika e vendeve tona ka një urgjencë, e unë si neurolog me specializim, kur thuhet urgjencë nuk e pëlqej shumë këtë fjalë, sepse shpërndan disi panik, por nga ana tjetër është e vërteta dhe e vërteta meriton respekt.
Pavarësisht që jemi popull iluziv ne ballkanasit dhe orën duam sa ta kemi vetë, kësaj here është koha që duhet racionalitet dhe qartësi.
Them kështu sepse besoj se këto akrepa po shkojnë drejt numrave kritikë.
Ballkani zien çdo çast nga zhvillime dhe dinamika politike të cilat, shtuar edhe vapën përvëluese, bëjnë që gadishulli të mbajë me nder trofeun si toka e legjendave, por janë pikërisht historitë e këtyre tokave, e stërgjyshërve tanë, të cilët i kanë dhënë vlera e parime themelore vetë Europës, në tavolinën e së cilës nuk duam që të shkojmë si të ftuar, por si anëtarë të saj.
Ne kemi nevojë për bashkim, kjo domosdoshmëri nuk është shfaqur kurrë më dominante se kaq.
Jo larg maleve tona, bëhet një luftë e cila po e mban botën pezull.
Ukraina është këmbana e shqetësimit të Europës dhe duhet të jetë e vendosur në parimet e saj për liri, sovranitet dhe demokraci.
Kur gjermani i zgjuar Konrad Adenauer, pati idenë gjeniale që të hidhen themelet e Bashkimit Europian, u duk se kishte vetëm kontekst ekonomik, por të gjithë ata që kishin pak më shumë vizion, e kuptuan se ky kancelar i faqeve të ndritura të Gjermanisë, po shkruante mrekullinë e një kontinenti të bashkuar.
Si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria, janë pjesë të NATO-s, por të dyja shtetet tona kanë ngecur në procesin e integrimit europian dhe mendoj se i gjithë paneli është dakord se sfida kryesore e jona është anëtarësimi në Bashkimin Europian.
Thonë se Zoti në fillim të çon pëshpëritje e kur këto nuk i dëgjon, të çon sinjale më të forta.
Të gjitha përpjekjet tona të dështuara, herë nga paaftësia e shpesh herë nga korrupsioni e nga qeveritë e korruptuara, kanë qënë pikërisht pëshpëritjet se duhet të ndryshojmë sistemin dhe strategjinë.
Jam i gëzuar të them se në Maqedoninë e Veriut, në ditët e para të një ndryshimi historik, e tha edhe Presidenti Meta, ka absolutisht prioritet të hedhim hapat e duhura drejt Bashkimit Europian.
Shpesh herë udhëheqësit tanë kanë fajësuar Europën se nuk na do, nuk na pranon, na çon deri në derë dhe pastaj na thotë nuk e keni çelësin, ky mentalitet është shumë i kuptueshëm për ne që jemi tanët.
Ne e dimë shumë mirë që në Ballkan ka një faktum për të qënë të veçantë e aspak realistë në perceptimin e realitetit.
Thonë se fatin e kemi të mbrapshtë por ndoshta më saktë do të ishte të thuhej se jemi vetë të mbrapshtë.
Një nga prapashtesat tona më kurioze aspak burrërore është, në Ballkan fajin e ka gjithmonë dikush tjetër.
Me çdo kusht, në çdo rast, është gati si një kondicio-sinekuenon, faji tek ne nuk mbetet as jetim, si zakonisht mbetet në botë. Tek ne faji e ka gjithnjë atësinë, i dihet emri dhe mbiemri, është gjithmonë ai tjetri.
Është sa absurde edhe iluzive t’i largohemi koreografisë tonë të gabuar drejt festivalit Europian, si i pëlqente burrave të shteteve të quanin kontinentin tonë.
Jemi ne dhe vetëm ne përgjegjës për ndalimin e procesit të integrimit.
Bashkimi Europian në mënyrë sistematike ka qënë edhe është aleati ynë kryesor dhe vazhdon të jetë.
Investimet marramëndëse financiare tregojnë qartë për seriozitetin e tyre. Mosrealizimi i projekteve të kërkuara nga ne ka dëshmur se ende jemi të gatshëm për të qënë pjesë e Unionit.
Kur bëhet cheek in dhe nuk e kalojmë themi se nuk është e mundur të jemi kaq të paaftë, madje të shkojmë deri aty sa të aludojmë se ka cinizma klasikë nga ana e Bashkimit Europian.
Sigurisht këto janë justifikime të qeverive që e mbajnë aderimin në Europë si flamur politik, meritë kjo është e tyre, por sa herë që kushtet kinse të vështira europiane nuk realizohen, e interpretojmë si sjellje ironike të Bashkimit Europian.
Stërgjyshërit tanë kanë qënë arkitektë kryesorë të Europës që sot duam t’i bashkohemi.
Europa është shtëpia e re e premtuar për fëmijët tanë, është ëndrra jonë dhe ne jemi sigurisht dëshira e saj.
Nga ana tjetër politikat e kohës e diktojnë edhe vet BE-ne, që të jetë e qartë kristal në domosdoshmërinë e gadishullit tonë, në familjen e saj.
Pranimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian do të përshpejtonte zgjidhjen e shumë problemeve të brendshme që kemi dhe është një lloj katarsis dhe modifikim i situatës në disa dimensione.
Të respektuar,
Ballkani ka probleme, jemi shtete në ndërtim, por sfida më e madhe dhe kryesorja për orët që jetojmë është integrimi europian.
Kjo gjeopolitikë e jona duhet të orientojë çdo veprim drejt këtij procesi.
Si anëtarë të NATO-s tregojmë qartë se cilat janë vlerat dhe parimet tona dhe të kalojmë edhe provimin europian.
Në fund, e uroj këtë takim që të nxiti punën për të shkuar aty ku i përkasim, ne që i dhamë emrin kontinentit, mbajmë pasaporta të çmuara historie, por si duket ka ardhur koha të ribëjmë pasaportën, sepse kësaj që kemi i ka kaluar afati.
Le të punojmë të vendosur për të realizuar kushtet që tek e fundit na kërkojnë që të ndërtojmë institucione të ndershme e korrekte ndaj qytetarit, liri dhe zbatim ligji.
Uroj që herës tjetër ta zhvillojmë këtë takim për t’i uruar anëtarësinë njëri – tjetrit!
Uroj që paqja të jetë e vetmja zgjidhje e Europës dhe uroj që të ketë përfundim të luftës në Ukrainë sa më shpejt.
Faleminderit!