Fjala e ish-Presidentit të Kosovës, z.Fatmir Sejdiu në Forumin Rajonal “Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes”

Fjala e ish-Presidentit të Kosovës, z.Fatmir Sejdiu në Forumin Rajonal “Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes”

Zonja dhe zotërinj, të nderuar të ftuar dhe kolegë organizatorë Forumit Rajonal ‘Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes’.

 

Ndërsa mblidhemi këtu sot për të diskutuar sfidat gjeopolitike me të cilat përballen shtetet dhe rajoni ynë, ne e njohim peshën e përgjegjësive tona.

Angazhimi ynë i përbashkët për paqen, stabilitetin dhe përparimin na lidh së bashku edhe kur përballemi me çështje komplekse që kërkojnë vëmëndjen tonë.

Do ta shfrytëzoj këtë fjalim për të theksuar disa sfida që mendoj qe do të jenë testuese për ne dhe rajonin në vitet dhe dekadat në fillim, në një kontekst gjeopolitik që po ndryshon me shpejtësi.

Politika ndërkombëtare ka kaluar nga një moment bipolar (në periudhën e Luftës së Ftohtë), në një periudhë unipolare (vitet 1990 dhe vitet 2000) dhe duket se tani kemi hyrë në një periudhë të multipolaritetit, ku fuqia është më e shpërndarë në kuptim të aktorëve dhe gjeografikisht.

Këto ndryshime reflektojnë në rajonin tonë dhe shtetin tonë, Kosovën, të cilën e kam drejtuar si President në vitet 2006-2010, duke vënë në pah sektorë dhe fusha që kanë nevojë për vëmendjen tonë.

E para nga këto mendoj që është siguria dhe marrëdhëniet politike ndërmjet shteteve të rajonit.

Bota ka ndryshuar ndjeshëm që nga shkurti i vitit 2022 kur Rusia nisi sulmin kundër Ukrainës. Tensionet gjeopolitike janë përshkallëzuar dhe Ballkani Perëndimor mbetet një pikë me potencial destabilizues.

Për Kosovën, mungesa e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë vazhdon të pengojë progresin në struktura euroatlantike.

Më 24 shtator 2023 në Banjskë, u bë e qartë edhe njëherë brishtësia e situatës së sigurisë në terren, ku një grup paramilitar serb e që botërisht dihet se kishte ndihmën nga strukturat shtetërore serbe, tentoi të ndizte valët e konfliktit në veriun e Kosovës.

Serbia nuk i është bashkangjitur sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë duke treguar se nuk ka ndryshuar partnerin strategjik që gjatë gjithë historisë 200 vjeçare ka prodhuar kriza dhe konflikte në rajonin tonë.

Serbia vazhdon të armatoset, por kundër kujt? Kundër paqes dhe prosperitetit të rajonit.

 

Të dashur miq,

Sa i përket raporteve me Serbinë, të gjithë ne, duke përfshirë mediatorët perëndimorë, duhet ta trajtojme këtë ngërç me urgjencë, duke kërkuar zgjidhje afatgjatë, jo improvizime afatshkurtëra.

Me gjerësisht, çështja e sigurisë nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën e Serbinë, pasi viteve të fundit kemi parë tensione në rritje ndërmjet shteteve të rajonit dhe të gjithë aktorët duhet të përdorim gjithë fuqinë tonë për të mos lejuar që rajoni të rrëshqasë drejt konfliktit.

Roli i Perëndimit në këtë sferë do të vazhdojë të mbetet kyç. Angazhimi ynë për sigurinë rajonale kërkon që ne të adresojmë ankesat historike dhe të krijojmë kushte për paqe të qëndrueshme.

Këto ndryshime megjithatë nuk cënojnë arritjet e deritanishme të Kosovës si shtet i pavarur.

Fatkeqësisht, lidhur me këtë, qëndrimi i pesë shteteve të BE-së dhe katër shteteve anëtare të NATO-s vazhdon të mbetet në linjë kundërshtuese, për të mos thënë me Kremlinin, bllokues dhe cënues i stabilitetit dhe sigurisë në Europë.

Garancia e suksesit të marrëveshjes për normalizim ka të bëjë me unifikimin e politikës së BE-së dhe strukturave europolitike karshi shtetit të Kosovës.

Kosova nuk mund ta ndryshojë askënd, por mund të sigurohet që të ketë një dozë fleksibiliteti si rrugë e kompromisit me aleatët perëndimorë, ky si parakusht për t’u bërë ballë sfidave të sigurisë në vitet dhe dekadat në vijim.

Mbi të gjitha, për të siguruar që aktorët malinjë kanë gjithnjë e më pak hapësirë të ushtrojnë ndikimin e tyre, se rajoni ka nevojë për një politikë të hapur të zgjerimit të BE-së.

 

Plani i rritjes së BE-së është lajm i mirë, por duhet të jetë mbështetës, jo zëvëndësim, për procesin e zgjerimit.

Nje sfidë tjetër testuese ka të bëjë me ekonominë, e cila lidhet direkt me kualitetin e jetës së qytetarëve.

Kosova sikur edhe rajoni ka përjetuar ndryshim të sistemit ekonomik dhe ne nuk mund të injorojmë sfidat që vazhdojnë. Punët dhe fuqia blerëse mbeten shqetësime në të gjithë shtetin tonë.por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe kjo konfirmohet nga anketa dhe hulumtime të ndryshme në vazhdimësi.

Rajoni ka nevojë për investime në arsim, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm për të fuqizuar qytetarët tanë dhe për të forcuar pozitën e tyre ekonomike.

Ndërsa disa kombe lulëzojnë ekonomikisht, të tjerë luftojnë me papunësinë,varfërinë dhe pabarazinë.

Sidoqoftë, investimet dhe rritja ekonomike ,por jo për të rritur shpenzimet e armatimit dhe ato ushtarake, as për të planifikuar kohën më të mirë për të sulmuar tjetrin (diçka që shohim hapur në Serbi), për të krijuar prosperitet dhe mirëqënie për familjet dhe njerëzit.

 

Ndryshimet demografike dhe ikja e trurit

Kosova dhe gjithë rajoni po përballen me ndryshime demografike që ndikojnë në të ardhmen tonë dhe shtresës së shkolluar dhe aftësuar për shtetet e Perëndimit.

Fenomeni i eksodit të trurit – ku të rinjtë tanë të talentuar, kërkojnë mundësi jashtë vëndit – përbën një sfidë të rëndësishme.

Ne duhet ta kthejmë këtë prirje duke ofruar arsim cilësor dhe duke krijuar një mjedis ku profesionistët e rinj mund të prosperojnë duke u bërë pjesë e tregut global.

Kështu, secili shtet i Ballkanit Perëndimor po humbet profesionistë vit pas viti. Largimi i trurit dobëson ekonomitë tona dhe mbyt inovacionin.

 

Politika proaktive rajonale.

Kam përshtypjen se rajoni ynë, Ballkani Perëndimor, ka nevojë të krijojë në të ardhmen një politikë më proaktive, në vend se reaktive. Organizimi proaktiv duhet të ketë vizion, imagjinatë dhe gjykim objektiv.

Me largpamësi politike, përkushtim të fortë dhe maturi, bëhet e mundur të notohet si rajon në rrymat e politikës ndërkombëtare.

Me këtë vizion, Kosova dhe gjithë rajoni do të kishte luftuar për të siguruar vendin e saj real dhe kontribues në skenën botërore.

Mendoj se ne si rajon ngecim për të ndërtuar politika të vizionit, ose që paramendojnë gjërat që kanë për të ndodhur.

Politika proaktive dhe vizioni nuk janë të plota pa aleancat me Perëndimin, këto e plotësojnë njëra – tjetrën.

Si një vend i vogël, Kosova e njeh rëndësinë e aleancave. Partnerët tanë perëndimorë SHBA dhe BE, miqtë që na qëndruan pranë në orët tona më të errëta, mbeten vendimtarë.

Ne duhet t’i ruajmë këto aleanca, duke i ushqyer me kujdes. Si rajon mendoj se këtu duhet të tregojmë unitet, sepse kjo është forca jonë sot dhe duhet të mbetet edhe në të ardhmen.

Harmonizimi i politikës rajonale me rendin botëror që po ndryshon.

Vitet e fundit, veçanërisht pas shkurtit të vitit 2022 është qartësuar se Rendi Botëror po ndryshon. Politika proaktive dhe aleancat me Perëndimin kanë si qëllim përshtatjen me ndryshimin e peizazheve të politikës ndërkombëtare.

Në këtë kontekst Ballkanit Perëndimor në të ardhmen i duhen dy dialogje jetike: Me vetveten dhe me Perëndimin.

Çdo gjykim objektiv që na udhëheq është pasojë e këtyre dy bisedave që rajoni duhet t’i ketë.

Dhe për këtë duhen parë të mirat e përbashkëta dhe jo të këqijat e veçanta rajonale duke provuar që ato t’ia imponojë fqinjit dhe gjithë rajonit.

Ne nuk do të vlerësohemi për gjithë vlerat që Ballkani Perëndimor i dha historisë dhe civilizimit botëror.

 

Më mirë thënë, është koha e fundit që ne të vleresojmë vetëveten në mënyrë që të vlerësohemi nga të tjerët dhe kjo do të na japë shumë mundësi për të qënë pjesë aktive e proceseve gjeopolitike jo vetëm në rajon, por edhe më gjërë.

 

Ju faleminderit!