Platforma Jonë Politike 2021

PËRMIRËSIMI

PËRMIRËSIMI

Permiresimi i Vazhdueshëm i Qeverisjes dhe Zbatimit të Ligjit

 

Shqipëria Evropiane është Shqipëria e qytetarëve dhe e qytetarisë. Jetesa në një mjedis me rregulla të qendrueshme, transparente dhe të sigurta është detyrë e çdo sistemi politik. LSI konsideron themelore pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisje. Kjo e bën qeverisjen më të drejtpërdrejtë dhe më të pranueshme për vetë qytetarët. Synimi ynë është ta bëjmë politikën si një praktikë të mbështetur në ndërveprimet shoqërore.

 

Raporti mes qeverisësve dhe të qeverisurve ka nevojë të bazohet mbi besimin, ligjin, përgjegjëshmërinë, e kontrollin dhe jo mbi fatalitetin dhe pamundësinë e ndryshimit.

LSI garanton vazhdimësinë e çdo produkti pozitiv që është prodhuar nga proceset demokratike të derisotme, ashtu siç mbetet e angazhuar për të ndryshuar e për të ecur më shpejt në përmirësimin e çdo procesi që cënon parimet e pjesëmarrjes dhe transparencës.

 

Procesi i përzgjedhjes së përfaqësimit politik mbetet ende në një cikël që prodhon kriza, prandaj ne jemi të angazhuar që të përmirësojmë vazhdimisht këtë proces. Detyrë e vazhdueshme mbetet realizimi faktik i barazisë së votës së shqiptarëve.

Themelore për një përfaqësim të drejtë është që çdo shtetas shqiptar, përfshirë edhe emigrantët, të realizojë ushtrimin real të së drejtës kushtetuese të votës, në vendet ku ata jetojnë e punojnë.