KODI I SJELLJES SË PARTISË SË LIRISË

KODI I SJELLJES SË PARTISË SË LIRISË

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi

 

  1. Kodi i Sjelljes së PL-së ka për qëllim:
  2. a) të orientojë anëtarin dhe/ose funksionarin e PL-së të ushtrojë të drejtat dhe detyrat e tij, në përputhje me parimet etike dhe standardet e duhura të sjelljes, si dhe të forcojë integritetin e tij personal dhe profesional gjatë kohëzgjatjes së anëtarësimit dhe/ose mandatit të funksionit që mban;
  3. b) të bëjë të mundur ushtrimin e veprimtarisë së anëtarit dhe/ose funksionarit të PL-së në një mjedis bashkëpunues e besimi reciprok;
  4. c) të orientojë anëtarin dhe/ose funksionarin drejt praktikave më të mira të sjelljes personale dhe profesionale, duke e mbrojtur atë ndaj ndërhyrjeve të pahijshme e të paligjshme;

ç) të rrisë transparencën e veprimtarisë së anëtarit dhe/ose funksionarit, si dhe përgjegjshmërinë e tij, me qëllim forcimin e besueshmërisë në strukturat e PL-së dhe në publik;

  1. d) të informojë anëtarësinë për standardet etike, të cilat do të mundësojnë komunikimin dhe vlerësimin e marrëdhënieve me anëtarin dhe/ose funksionarin e PL-së.
  2. Për përmbushjen e qëllimit, sipas pikës 1 të këtij neni, Kodi përmban rregullat bazë mbi standardet e sjelljes së anëtarit dhe/ose funksionarit të PL-së gjatë ushtrimit të veprimtarisë partiake dhe/ose administrative dhe të veprimtarisë jopartiake dhe/ose joadministrative, që prek mandatin e anëtarit dhe/ose funksionarit.
  3. Në këtë Kod, termat “anëtar” dhe “funksionar”, nënkuptojnë cilindo person, pavarësisht gjinisë.

 

Neni 2

Fusha e zbatimit

 

  1. Kodi zbatohet për të gjitha aspektet e jetës publike të anëtarit dhe/ose funksionarit. Ai nuk rregullon aspekte të jetës private, përveçse kur jeta private e tij cenon dukshëm besimin publik te anëtari dhe/ose funksionari dhe/ose te Partia e Lirisë.
  2. Detyrimet e këtij Kodi përmbushen duke respektuar rregullat e parashikuara në këtë Kod, Statutin e Partisë së Lirisë, Statutin e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Statutin e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe parimet e Programit të Partisë së Lirisë.

 

Neni 3

Parime të përgjithshme

 

  1. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së, gjatë ushtrimit të mandatit dhe/ose funksionit, duhet:
  2. a) të shprehë vullnetin për t’u anëtarësuar dhe/ose promovuar në funksione të ndryshme në strukturat e PL-së, duke pranuar programin, statutin e saj dhe këtë Kod, si dhe të respektojë e të zbatojë me rigorozitet të gjitha detyrimet që burojnë prej tyre;
  3. b) të garantojë dhë mbrojë lirinë e shprehjes së çdo anëtari dhe/ose funksionari të PL-së, për çdo problem që ka të bëjë me organizimin, funksionimin dhe gjithë veprimtarinë politike dhe organizative të PL-së; për rolin dhe performancën e përfaqësuesve dhe të zgjedhurve të saj; për dokumente themelore dhe çështje të tjera me interes;
  4. c) të garantojë dhe të respektojë demokracinë e brendshme të partisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në të gjitha forumet dhe organet e PL-së, si dhe të drejtën për të krijuar fraksione brenda strukturave të PL-së;

ç) të respektojë parimet e kolegjialitetit dhe transparencës në vendimmarrjen dhe drejtimin e çdo forumi të PL-së;

  1. d) të respektojë votimin e fshehtë dhe me kandidatura alternative mbi bazë të parimit një anëtar – një votë;
  2. dh) të mbrojë referendumin e brendshëm, si mekanizëm të përfaqësimit direkt të vullnetit të anëtarëve, lidhur me çështje të rëndësishme të organizimit të brendshëm, ndryshimeve statutore e programore dhe vendimmarrje të caktuara, strategjike të partisë;
  3. e) të mos përdorë gjuhë urrejtje, fyese apo denigruese ndaj anëtarëve dhe/ose funksionarëve të tjerë të PL-së, si dhe në komunikim publik;

ë) të shmangë konfliktin e interesit me funksionin dhe të mos shfrytëzojë pozitën për interesin e tij personal;

  1. f) të jetë model për anëtarësinë dhe të sillet në mënyrë që të nxisë zbatimin e standardeve më të larta të sjelljes edhe për të rinjtë që përfshihen në forumet e PL-së;
  2. g) të ruajë konfidencialitetin e informacionit që ka në zotërim, për shkak të funksionit që ai kryen, pa cenuar zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga parashikimet statutore dhe/ose legjislacioni në fuqi.

 

Neni 4

Detyrat e anëtarit dhe/ose funksionarit të PL-së

 

  1. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së merr pjesë rregullisht në veprimtarinë politike të PL-së dhe strukturave të saj, ku është zgjedhur ose komanduar, në përputhje me Statutin e PL-së.
  2. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së ushtron mandatin dhe/ose funksionin ku është zgjedhur ose komanduar dhe mbikëqyr zbatimin e parashikimeve të Programit, Statutit dhe këtij Kodi, si dhe vendimeve dhe/ose udhëzimeve të tjera, të miratuara nga strukturat e PL-së në nivel qendror dhe/ose vendor.
  3. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së paguan rregullisht kuotizacionet e anëtarësisë, sipas funksionit që mban në strukturat e PL-së dhe bazuar në shumën e përcaktuar me vendim të strukturave drejtuese të PL-së, përgjegjëse për përcaktimin e masës së kuotizacionit.
  4. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së duhet të respektojë disiplinën e partisë dhe të kontribuojë në forcimin e kohezionit të saj;

 

  1. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së duhet të pranojë vendimet e shumicës e të respektojë mendimin ndryshe;

 

  1. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së duhet të punojë për rritjen e ndikimit të PL-së në komunitetin përkatës dhe të përpiqet të shtojë rradhët e PL-së;

 

  1. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së duhet të mos përfshihet në veprimtari apo sjellje të cilat janë kompromentuese për PL-në dhe që cënojnë imazhin e saj dhe të tij.

 

 

 

KREU II

SJELLJA NË ZYRAT DHE AKTIVITETET E PL-SË

Neni 5

Dispozitë e përgjithshme

 

  1. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së, gjatë ushtrimit të mandatit dhe/ose funksionit, shfaq standardet më të larta të sjelljes së qytetëruar, dinjitoze dhe të etikës korrekte të komunikimit publik.

 

  1. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së, përfshin dhe trajton pa diskriminim dhe me humanizëm shqetësimet e nevojat e anëtarësisë në strukturat përkatëse të PL-së.

 

 

Neni 6

Gjuha fyese dhe diskriminuese

 

  1. Përdorimi në zyrat e PL-së dhe komunikimin publik i gjuhës së urrejtjes dhe asaj diskriminuese, së pahijshme, fyese ose kërcënuese, ofendimet dhe sulmet fizike personale janë rreptësisht të ndaluara.

 

  1. Anëtarit dhe/ose funksionarit të PL-së i ndalohet:

 

  1. a) të përdorë një gjuhë të shprehuri, e cila nxit urrejtjen dhe diskriminimin në bazë të racës, gjinisë, moshës, origjinës kombëtare, përkatësisë etnike, besimit fetar, prejardhjes sociale, aftësisë së kufizuar, gjendjes ekonomike, arsimore, shoqërore ose shëndetësore, gjendjes civile, familjare ose martesore, orientimit seksual, identitetit gjinor, përgjegjësisë prindërore, predispozicionit gjenetik, përkatësisë në një grup të veçantë ose për çdo shkak tjetër;

 

  1. b) të shfaqë forma diskriminimi dhe stereotipizimi në komunikimin e përditshëm, në fjalime politike, si dhe në komunikimin publik.

 

  1. Në rast të shkeljeve të parashikuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, ndaj anëtarit dhe/ose funksionarit të PL-së zbatohen masat disiplinore, të parashikuara në nenet 21 dhe 21 të këtij Kodi.

 

Neni 7

Votimi për të tretët

 

  1. Gjatë votimit në strukturat e PL-së, anëtari dhe/ose funksionari i PL-së ndalohet të votojë në emër të një kolegu tjetër, i cili nuk është i pranishëm në vendin e votimit.

 

  1. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së që nuk është i pranishëm në procesin e votimit, ndalohet që t’i delegojë votën e tij një kolegu.

 

  1. Votimi për të tretët konsiderohet shkelje e rëndë e Kodit të Sjelljes së PL-së dhe Statutit të saj.

 

Neni 8

Paraqitja e funksionarit të PL-së në veprimtaritë politike

 

  1. Funksionari i PL-së, në veprimtaritë politike të PL-së dhe më gjerë:

 

  1. a) ruan solemnitetin dhe imazhin e PL-së;

 

  1. b) shfaq tiparet më të mira të personalitetit të tij;

 

  1. c) i drejtohet kolegëve dhe anëtarësisë me fjalë kortezie;

 

ç) paraqitet me veshje zyrtare ose gjysëm zyrtare, në përshtatje me funksionin që kryen dhe aktivitetin në të cilin merr pjesë. Për qëllim të këtij neni, veshja e funksionarit duhet të përmbushë standardet e profesionalizmit dhe të modestisë, pa u bërë shkak debati dhe tërheqje vëmendjeje nga anëtarësia dhe publiku i gjerë;

 

  1. d) mban marrëdhënie korrekte profesionale dhe personale me këdo që e takon në cilësinë e funksionarit të PL-së.

 

  1. Funksionarit i ndalohet:

 

  1. a) të paraqitet në gjendje të mungesës ose të uljes së ndjeshme të ekuilibrit fizik dhe/ose mendor për shkak të konsumimit të alkoolit dhe/ose të substancave narkotike ose psikotrope;

 

  1. b) të kryejë veprime të tjera ose gjestikulacione të pahijshme, përçmuese dhe ofenduese ndaj kolegëve, anëtarësisë dhe të ftuarve apo ftuesve, që ndikojnë negativisht në perceptimin e publikut për partinë dhe funksionarin.

 

  1. Partia e Lirisë krijon mundësi për gruan funksionare dhe stafin, që kanë fëmijë të mitur, të marrë pjesë në veprimtarinë partiake bashkë me të.

 

Neni 9

Përdorimi i burimeve dhe stafit

 

  1. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së përdor kohën e punës, burimet, stafin dhe pronën e PL-së vetëm për të kryer aktivitete në funksion të detyrës që i është ngarkuar.

 

  1. Funksionari i PL-së, pavarësisht gjinisë ose forumit të PL-së ku ai aderon, nëpërmjet llogarive të veçanta të krijuara për këtë qëllim, ka akses në burimet financiare publike të PL-së dhe i përdor ato pa pengesë, në zbatim të projektit dhe/ose aktivitetit të miratuar me vendim të Kryesisë së forumit ku aderon, i cili në çdo rast duhet të marrë miratimin e Kryesisë së PL-së.

 

  1. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së nuk duhet të vendosë stafin e partisë, në pozita që bien ndesh me parimet dhe dispozitat e parashikuara në Programin, Statutin dhe këtë Kod, ose ta përdorë atë për qëllime personale të pahijshme e të paligjshme.

 

Neni 10

Ndalimi i ngacmimit seksual

 

  1. Anëtarit dhe/ose funksionarit të PL-së i ndalohet çdo sjellje me natyrë seksuale që prek dinjitetin e cilitdo dhe që konsiderohet e padëshiruar, e papranueshme, e papërshtatshme dhe ofenduese për personin tjetër, si dhe krijon një mjedis aktivizimi dhe/ose pune shqetësues, të paqëndrueshëm, armiqësor dhe frikësues. Për qëllim të këtij neni, sjellja e tij përfshin dhe nuk kufizohet në veprime fizike, fjalë, gjeste ose çdo lloj komunikimi virtual.

 

  1. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së përpiqet të sigurojë dhe të mbajë një mjedis pune pa ngacmime seksuale. Kur merr dijeni të ndonjë pretendimi për ngacmim seksual, ai reagon menjëherë, duke kërkuar evidentimin dhe hetimin e rastit, si dhe raporton sipas përcaktimeve të bëra në nenet 21 dhe 22 të këtij Kodi, duke mundësuar që viktima e ngacmimit seksual të mos frikësohet, të mos denigrohet dhe të mos injorohet pretendimi i tij/saj.

 

 

Neni 11

Mirësjellja e strukturave të PL-së

 

  1. Kur funksionari i ri mban fjalimin e parë, ai përshëndetet nga drejtuesi i strukturës ku merr funksionin, si dhe respektohet nga të gjithë anëtarët dhe/ose funksionarët pjesëmarrës në aktivitet.

 

Neni 12

Orientimi dhe këshillimi i funksionarit

 

  1. Në çdo fillim mandati dhe/ose funksioni, por edhe në vijim të tij, zhvillohen veprimtari orientimi, këshillimi dhe shkëmbimi të përvojave ndërmjet funksionarëve të rinj dhe atyre me përvojë më të gjatë politike, si dhe stafit të PL-së.

 

  1. Kodi i Sjelljes së PL-së, si dhe të gjitha aktet bazë të miratuara nga strukturat e PL-së, që kanë lidhje me ushtrimin e funksionit, u vihen në dispozicion të gjithë funksionarëve të rinj.

 

  1. Funksionari i PL-së, para se të veprojë për një çështje etike, kur është në dyshim për rrjedhën e veprimit të kryer prej tij, ose që mund të kryejë, mund të konsultohet me strukturën përgjegjëse për zbatimin e këtij Kodi.

 

 

KREU III

KONFLIKTI I INTERESIT

Neni 13

Konflikti i interesit

 

  1. Konflikti i interesit është situata kur një anëtar dhe/ose funksionar i PL-së është subjekt i një interesi privat, që mund të ndikojë në kryerjen siç duhet të përgjegjësive dhe detyrave publike, që ai merr për shkak të angazhimit në PL dhe mirëbesimit që PL-ja i jep, duke e bërë pjesë të organeve kolegjiale të zgjedhura nga qytetarët.
  2. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së, që ushtron një përgjegjësi dhe/ose detyrë publike, për të ruajtur imazhin dhe dinjitetin e PL-së dhe të tij, duhet të respektojë rigorozisht gjithë kërkesat apo ndalesat që parashikohen nga legjislacioni në fuqi, për parandalimin e konfliktit të interesit.
  3. Kur konflikti i interesit prek anëtarin e Komisionit të Garancive Statutore dhe Kodit të Sjelljes, për çështjet që ka në shqyrtim ky Komision, anëtari ka detyrimin të tërhiqet menjëherë nga shqyrtimi, duke arsyetuar vendimin e tij, të cilin ia drejton Komisionit. Kur konflikti i interesit të anëtarit të Komisionit, konstatohet nga të tjerë, bëhet kërkesë drejtuar Komisionit, për përjashtimin e tij nga shqyrtimi i çështjes.
  4. Në rastet e parashikuara në pikën 3 të këtij neni, Komisioni i Garancive Statutore dhe Kodit të Sjelljes merr vendimin për të zëvendësuar anëtarin e tërhequr ose të përjashtuar, me një tjetër anëtar, i cili zgjidhet nga radhët e juristëve të partisë. Ky anëtar i ri, mban mandatin në mënyrë të përkohshme, deri në përfundim të shqyrtimit të çështjes në fjalë.

 

KREU IV

TRANSPARENCA DHE MBROJTJA E INFORMACIONIT GJATË USHTRIMIT TË MANDATIT DHE/OSE FUNKSIONIT

 

Neni 14

Transparenca e veprimtarisë së anëtarit dhe/ose funksionarit

 

  1. Gjatë ushtrimit të mandatit dhe/ose funksionit të tij, anëtari dhe/ose funksionari i PL-së është transparent në komunikimin me anëtarësinë, kolegët, strukturat e partisë, si dhe me publikun e mediat.
  2. Një anëtar dhe/ose funksionar i PL-së duhet të ushtrojë të drejtat e tij publike dhe politike me transparencë maksimale. Çdo propozim politik dhe/apo ligjor i paraqitur prej tij, si dhe çdo kontribut tjetër në vendimet politike ose në vendime të tjera të marra në parti apo institucionet publike ku është zgjedhur, shoqërohet me një justifikim të qartë.

 

Neni 15

Transparenca financiare dhe aksesi i forumeve në financat publike të PL-së

 

  1. PL-ja, nëpërmjet faqes zyrtare të saj, informon anëtarësinë për masën e fondeve publike vjetore, që përfiton pas shpërndarjes, bazuar në ligjin për zgjedhjet.
  2. Anëtarët dhe/ose funksionarët e PL-së duhet të raportojnë pranë Kryesisë së PL-së, çdo donacion që marrin nga të tretë, në cilësinë e anëtarit dhe/ose funksionarit të PL-së. Donacionet në këtë Kod do të kenë të njëjtin kuptim si ai i parashikuar në legjislacionin në fuqi për partitë politike dhe zgjedhjet.
  3. Çdo vit kalendarik, pas shpërndarjes së fondeve publike për partitë politike, PL-ja i garanton forumeve të saj të gruas dhe të të rinjve akses në financat publike të saj, deri në masën 10% për secilin forum, të cilat kalojnë në llogaritë e veçanta të secilit forum.

 

Neni 16

Transparenca e projekteve

 

  1. Kur organizatat e shoqërisë civile ose grupet e interesit kanë siguruar fonde për projekte që sigurojnë asistencë për hartim politikash dhe/ose legjislacioni, në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me partinë ose forumet e saj, personi përgjegjës për financat e partisë, në bashkëpunim me anëtarin dhe/ose funksionarin e PL-së që është caktuar ose përzgjedhur për drejtimin e projektit, bëjnë transparencën financiare të projektit dhe publikojnë shpenzimet, sipas kushteve dhe afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për transparencën financiare të partive politike dhe për zgjedhjet.

 

Neni 17

Ruajtja e informacionit të klasifikuar

 

  1. Pas mbarimit të mandatit dhe/ose funksionit, anëtari dhe/ose funksionari i PL-së nuk duhet ta përdorë për interes personal informacionin konfidencial të klasifikuar si të tillë, të marrë gjatë kryerjes së mandatit dhe/ose funksionit.

 

KREU V

VLERËSIMI DHE INTERPRETIMI I KODIT TË SJELLJES

Neni 18

Vlerësimi periodik dhe rishikimi i Kodit

 

  1. Kodi i Sjelljes së Partisë së Lirisë, çdo fillimviti, i nënshtrohet vlerësimit të plotë të standardeve etike të miratuara dhe për ndikimin që këto standarde kanë pasur në punën politike dhe publike të anëtarit dhe/ose funksionarit të PL-së. Ky vlerësim kryhet nga Komisioni i Garancive Statutore dhe Kodit të Sjelljes.
  2. Raporti i vlerësimit i paraqitet Kryesisë së PL-së në mbledhjen më të parë dhe publikohet në faqen zyrtare të partisë.
  3. Çdo anëtar, funksionar apo strukturë e PL-së, mund të ndërmarrë nismën për rishikimin dhe ndryshimin e Kodit të Sjelljes, bazuar në çështjet që paraqet raporti, sipas pikës 2 të këtij neni.

 

 

Neni 19

Interpretimi i Kodit të Sjelljes

 

  1. Kur ngrihen pretendime lidhur me interpretimin e këtij Kodi gjatë zhvillimit të mbledhjeve të strukturave të PL-së, është kompetencë e drejtuesit të strukturës përkatëse për të vendosur mbi pretendimin e ngritur.
  2. Anëtari dhe/ose funksionari i PL-së, i interesuar, brenda 5 ditëve, mund t’i paraqesë kërkesë Komisionit të Garancive Statutore dhe Kodit të Sjelljes, i cili, brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës, duhet të bëjë interpretimin përfundimtar për çështjen e pretenduar në pikën 1 të këtij neni.

 

Neni 20

Autoriteti përgjegjës për zbatimin e Kodit

 

  1. Komisioni i Garancive Statutore dhe Kodit të Sjelljes është autoriteti përgjegjës për zbatimin e Kodit të Sjelljes së PL-së.

 

  1. Komisioni i Garancive Statutore dhe Kodit të Sjelljes së PL-së përbëhet nga një numër tek anëtarësh juristë, të cilët zgjidhen nga anëtarësia e Komitetit Drejtues Kombëtar, me propozim nga Kryesia e PL-së.

 

KREU VI

MASAT DHE SANKSIONET

Neni 21

Masat disiplinore për anëtarin e PL-së

 

  1. Çdo anëtar i PL-së, që shkel në mënyrë të përsëritur detyrimet e parashikuara në këtë Kod, i nënshtrohet në mënyrë të përshkallëzuar marrjes së masave disiplinore.

 

  1. Masat disiplinore janë:
  2. Këshillimi;
  3. Pezullimi i anëtarësisë;
  4. Çregjistrimi.

 

  1. Kërkesa për dhënien e masës disiplinore në rastin e anëtarit të PL-së, i drejtohet Komisionit të Garancive Statutore dhe të Kodit të Sjelljes, nga çdo anëtar dhe/ose funksionar ndaj të cilit janë kryer veprimet dhe ndalimet e përcaktuara në këtë Kod.

 

  1. Kërkesa duhet të përmbajë një përshkrim të hollësishëm mbi shkeljen e konstatuar, si dhe masën disiplinore të propozuar.

 

  1. Procedurën për dhënien e masës disiplinore ndaj anëtarit të PL-së, e fillon Komisioni i Garancive Statutore dhe Kodit të Sjelljes, i cili duhet të marrë vendim brenda 30 ditëve.

 

  1. Ankimimi i vendimit të marrë nga Komisioni i Garancive Statutore dhe të Kodit të Sjelljes, i drejtohet Kryesisë së PL-së, e cila e shqyrton dhe merr vendim në mbledhjen më të afërt.

 

Neni 22

Masat disiplinore për funksionarin e PL-së

 

  1. Çdo funksionar i PL-së, që shkel në mënyrë të përsëritur detyrimet e parashikuara në këtë Kod, i nënshtrohet në mënyrë të përshkallëzuar marrjes së masave disiplinore.

 

  1. Masat disiplinore janë:
  2. Këshillimi;
  3. Pezullimi nga funksioni;

 

 

  1. Kërkesa për dhënien e masës disiplinore në rastin e funksionarit të PL-së, i drejtohet forumit ose organit që e ka zgjedhur ose komanduar atë, nga çdo anëtar dhe/ose funksionar ndaj të cilit janë kryer veprimet dhe ndalimet e përcaktuara në këtë Kod.

 

  1. Kërkesa duhet të përmbajë një përshkrim të hollësishëm mbi shkeljen e konstatuar, si dhe masën disiplinore të propozuar.

 

  1. Procedurën për dhënien e masës disiplinore ndaj funksionarit të PL-së, e fillon Komisioni i Garancive Statutore dhe Kodit të Sjelljes, i cili duhet të marrë vendim brenda 30 ditëve.

 

  1. Ankimimi i vendimit të marrë nga Komisioni i Garancive Statutore dhe të Kodit të Sjelljes, i drejtohet Kryesisë së PL-së, e cila e shqyrton dhe merr vendim në mbledhjen më të afërt.

 

 

KREU VII

DISPOZITA TË FUNDIT

 

Neni 23

Statusi i dokumentit

 

  1. Kodi i Sjelljes së PL-së miratohet nga Komiteti Drejtues Kombëtar i PL-së me shumicën e votave të anëtarëve pjesëmarrës.

 

  1. Kodi i Sjelljes së PL-së bëhet pjesë e dokumenteve themelore të PL-së dhe publikohet në faqen zyrtare të saj

 

 

Neni 24

Hyrja në fuqi

 

Ky Kod hyn në fuqi menjëherë.