
Intervistë ekskluzive e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta dhënë për portalin “Syri. net”
Pyetje: Z. Meta, seanca paraprake vendosi kalimin e çështjes për gjykim. Cilat janë kontestimet tuaja?
Ndodhi ajo që pritej, pasi “shorti” nuk është më i rastësishëm.
Gjykimi në seancën paraprake provoi jo vetëm inekzistencën e provave apo fakteve penale kundër Ilir Metës, por regjistroi edhe shumë gënjeshtra e mashtrime nga akuza para gjykatës.
Vetë gjykatësja kërkoi që gjykimi në themel të shoqërohet me hetimet e pakryera nga akuza deri tani, sidomos pyetjen e dëshmitarëve të rëndësishëm, që keqpërdor akuza pa asnjë provë kundër meje sidomos për lobimin.
Pra gjykatësja vendosi që akuza të pyesi shtetasin shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku për shembull.
Pyetja lind, pse ky shtetas nuk është pyetur kurrë në këto 4-5 vite hetimi për lobimin.
Pra a ka paguar ky zotëri për llogari të LSI?
Nëse po, a ka patur ai autorizim nga dikush në LSI?
Dhe nëse përgjigjia prapë do ishte po, duhet të vihej emri i personit konkret.
Sepse kontrata LSI-GSIS ka qenë shumë e mirëpërcaktuar edhe për pjesën e nënkontraktimit.
Pra askush nuk mund të shërbente si nënkontraktor pa dijeninë e LSI.
Po kështu, nëse GSIS apo Adrian Shatku do kishin shkelur ligjin amerikan do kishin një proces penal në SHBA.
Është e qartë se Adrian Shatku ka patur kontratë për interesat e tij me GSIS atëherë, e cila vazhdon edhe sot që nuk ka lidhje me LSI apo PL.
Është fiks e njëjta histori si me McKeon grup dhe Dorelita ku akuza nga 1 milion dollarë u shfry në 15 mijë dollarë, aq sa ishin deklaruar në mënyrë të ligjshme nga LSI që në janar 2017.
Pra akuza nuk ka dashur të bëjë veprime të ligjshme bazuar mbi kontratën GSIS – LSI vetëm për të krijuar mjegull e hamendësime.
Po kështu, siç e dini, ekziston një ligj për ekstradimin midis SHBA dhe Shqipërisë që mund ta përdorin të dy palët.
Pra mund ta përdorë pala amerikane për të ekstraduar Ilir Metën që të përgjigjet për çdo shkelje të ligjit amerikan apo mund ta përdorë SPAK-u për të ekstraduar Z. Shatku për shkelje të ligjit të Shqipërisë.
Letërporositë që janë dërguar nuk janë bazuar te kontrata e regjistruar në Shqipëri dhe SHBA, por kanë qenë të mbushura me gënjeshtra dhe manipulime që ne do i bëjmë publike në ditët dhe javët në vijim.
Normalisht seanca paraprake duhet t’i kthente pas akuzës, hetimin për lobimin, duke i kërkuar të bënte të gjitha këto veprime hetimore të shmangura qëllimisht.
Ose marrim rastin e gjoja ndërhyrjes time, e cila nuk ekziston askund as si indicie në dosje, për të ndryshuar një ligj për minierat kur kam qenë Kryetar Kuvendi.
Vetë akuza e pranon se amendamentin e ka propozuar një ish-deputete socialiste, por të cilën nuk e marrin dot në pyetje se nuk e dinë se ku ndodhet.
Ne i kemi kërkuar gjykatës të kërkojë e administrojë si provë materiale seancën parlamentare kur është diskutuar dhe miratuar ky ndryshim, që të dëgjojë edhe fjalimin e Edi Ramës me këtë rast.
Natyrisht që gjykata e refuzoi kërkesën që të pyetej Edi Rama, i cili kishte 66 vota për miratimin e ligjit.
Ndërkohë dua t’ju sqaroj se ky ligj nuk ka lidhje me një biznesmen të vetëm, por me 242 biznese në sektorin minerar që kishte kosto zero për buxhetin e shtetit dhe forconte sigurinë në të gjitha galeritë ku operonin bizneset private.
Për më tepër, ky ndryshim ligji ishte kërkuar nga Shoqata e Minierave.
Pra po shkohet drejt një gjykimi në themel ndërkohë që ka plot veprime hetimore që duhej të kryheshin më parë.
Kemi një përshkallëzim të cënimit të procesit të rregullt ligjor, por kjo kështu ka nisur e s’mund të vazhdojë ndryshe.
Për mua në çdo rast është pozitive që tani të publikojmë të gjitha manipulimet që ndodhen në fashikuj.
E nënvizoj, standardet e hetimit kanë qenë fiks si standardet e rrëmbimit kriminal të 21 Tetorit 2024.
Shikojini me vëmendje ato pamje edhe njëherë dhe do shikoni forca “speciale” me pantallona të ndryshme, pasi gjysma ishin banditë të përzgjedhur nga Gysi dhe Ilir Proda nga bandat kriminale.
Ndaj edhe sot e kësaj dite, kallëzimi ynë “fle” në Prokurori.
A kemi besim te gjykimi? Ky është proces vetëm politik, por edhe kriminal se mbështetet mbi manipulime dhe shantazhe.
Zero provë, zero fakt penal dhe zero dëshmitar kundër Ilir Metës, përveç kallëzuesve të rremë me probleme me drejtësinë, siç do provohet gjatë gjykimit në themel.
Asnjë akt, vendim apo mosveprim i Ilir Metës nuk ka qenë në shkelje të ligjit apo në dëm të interesit publik.
Unë i ftoj të gjithë gazetarët dhe përfaqësitë diplomatike të ndjekin çdo seancë se do argëtohen.
Gjykatësi më i mirë për mua është populli shqiptar dhe koha që po vjen.
Për sa i takon shortit nuk kam ç’të them se ai jo vetëm “nuk gabon kurrë”, por është bërë më i rëndësishëm se vetë gjyqtarët.
Ja për shembull, shikoni shortin që më bie mua në Gjykatën e Lartë, nuk gabon kurrë.
Gjithmonë i bie Z. Ilir Panda, të cilin unë e kam shkarkuar si Ministër Drejtësie në vitin 2000.
Pyetje: A e keni besuar se një ditë ju do të ishit viktima e Reformës në Drejtësi që ju e përsërisni se e votuat, madje me 140 vota?
Asnjëherë nuk kam pretenduar të jem i “paprekshëm” apo t’i shmangem drejtësisë edhe kur ajo është e shtrembër dhe e verbër.
Në shtator 1992 m’u hoq imuniteti që kur isha 23 vjeç, vetëm pse i hoqa nga duart “turmës” në Poliçan 2 drejtues policie.
Çdo javë prokurorët kur më merrnin në pyetje, më thoshin se duhej të ikja se javën tjetër do më arrestonin.
Unë u thosha më mirë bëjeni sot dhe nuk keni pse e shtyni një javë kot.
Po kështu, një nga dy drejtuesit e policisë, që unë i “lirova” firmosi një deklaratë mashtruese sikur unë u kisha bërë presion.
Çuditërisht ky ishte edhe nga Skrapari.
Por një mirditor si z. Pashk Tusha, nuk pranoi ta firmoste gënjeshtrën, ndaj dhe nuk më arrestuan.
Ndërkohë që Nano kishte marrë masat që unë të shkoja ose në Itali, se ishte ende Kraksi në pushtet, ose në Greqi te PASOK-u.
Por unë isha zgjedhur nga një popull që nuk mund ta braktisja.
Ne skraparlinjtë e vjetër zgjedhim edhe të vdesim në beteja, por kurrë t’i dorëzohemi askujt e sidomos pushtuesve.
Nuk jam unë viktima e Reformës në Drejtësi që u bë me 140 vota, por Reforma në Drejtësi u përmbys me 69 vota kur u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm nga Rama dhe grupi i strukturuar diplomatik sorosist.
Viktima të vërteta janë sot qytetarët shqiptarë me ato 200 mijë dosjet e pagjykuara dhe 1 milion shqiptarët e larguar.
Unë mbetem një luftëtar i paepur në mbrojtje të sovranitetit të popullit shqiptar dhe interesit kombëtar.
Ilir Meta nuk është rasti kur rrethanat dhe përshkallëzimi i presionit triumfon mbi karakterin, bindjen dhe origjinën bio patriotike.
Unë e di mirë fundin e kësaj historie dhe kjo përvojë e re veçse më ka ripërtërirë në çdo aspekt dhe më ka trajnuar për triumfin e kauzave të mia në të ardhmen.
5 Prioritetet për 4 milion shqiptarë plus është programi më i qartë, i cili do bëhet realitet i padiskutueshëm.
Popullimi do triumfojë mbi shpopullimin, Shqipëria fuqi eksportuese do triumfojë mbi atë që importon edhe ushqimin e kafshëve e jo vetëm të njerëzve.
Në 27 muaj që kam qeverisur vendin, rritja ekonomike ka qenë mbi 8%.
Vendi nuk mund të merrte më shumë se 200 milion dollarë borxh dhe këto vetëm për energjinë dhe ujin.
Në 29 Tetor 1999, kur unë u bëra Kryeministër, Shqipëria kishte vetem 6 km autostradë, deri para Qafës së Kasharit.
Në 27 muaj u bë një revolucion i paparë në ndërtimin e rrugëve dhe jam i lumtur që asnjë prej tyre nuk ka lëvizur edhe sot, që nga rruga Gjirokastër-Kakavijë, Korçë-Kapshticë, rruga e Qafës së Llogarasë, rruga e re e parë e bërë krejt me fondet e buxhetit të shtetit që nga projektimi e realizimi si Lezhë-Shkodër, e pafund të tilla.
Kjo ndodhi se u bënë privatizime spektakolare e transparente, se u ul informaliteti në dogana e tatime e shumë reforma të tjera, që në Qershor 2001 e përfshinë Shqipërinë në procesin e Stabilizim Asocimit në Samitin e Goteborgut, ndërkohë që Mali i Zi e Serbia nuk ekzistonin fare në këtë proces.
Sot Shqipëria është me një rritje të mjerueshme ekonomike dhe me një rishpërndarje shumë të polarizuar që shton varfërimin.
Vetëm vitin e fundit vendi humbi 11 vende në renditjen botërore të Transparency Internacional për sa i takon nivelit të korrupsionit.
Tani Edi Rama vendosi të pezullojë edhe drejtësinë e tij dhe kështu të bllokojë përsëri procesin e integrimit europian.
Po kështu, pa pyetur askënd i bashkëngjitet Vuçiçit për një projekt as Lindje, as Perëndim, por vetëm pastrim parash dhe krim të organizuar shtetëror.
Ky projekt edhe antiKosovë nuk është i ri dhe do marri përgjigjen e merituar.
Askush nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e tij.
Dhe kjo vlen si për askënd tjetër për Edi Ramën.
E kaluara e tij e errët nuk mund të jetë e ardhmja e shqiptarëve të lirë, patriotë dhe europianë.
Të gjithë e dinë se unë jam këtu se kam mbrojtur Liqenin e Ujmanit dhe Detin e Shqipërisë.
Vendlindja e Isa Boletinit nuk mund të jetë toka e askujt, sepse pa Isa Boletinin dhe sakrificat e shqiptarëve të Kosovës, nuk mund të kishte pavarësi të Shqipërisë.