22 Dec Vasili : Standardet e zgjedhjeve jetike për demokracinë. Nuk behet show politik me zgjedhje dhe standardet e tyre
Jemi në këtë komunikim së bashku lidhur me një problematikë tepër delikate, siç është ajo e zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2013. Është e njohur nga i gjithë opinioni publik por edhe nga e gjithë politika shqiptare rëndësia e jashtëzakonshme e këtyre zgjedhjeve, në mënyrë të veçantë mënyra e organizimit të tyre dhe standardi që këto zgjedhje do të realizojnë.Jemi këtu për të përcjellë një shqetësim, i cili po bëhet evident ditë pas dite, lidhur me bllokimet dhe obstruksionizmin reciprok që po ndodh në mënyrë të veçantë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku në mënyrë të dukshme një nga elementet kyç të administrimit të zgjedhjeve siç është ai i ngritjes së Zonave të Administrimit Zgjedhor, është bllokuar më së fundi dje duke e shndërruar këtë diskutim thjesht dhe vetëm në një debat politik shterpë.
Ndërkohë që lidhur me këtë çështje argumentet kryesorë dhe ku administrimi i shpejtë dhe efektiv i zgjedhjeve në njërën anë dhe nxjerrja e rezultatit të tyre me cilësinë e duhur dhe në kohën më të shpejtë të mundshme nga ana tjetër janë pikërisht prerogativat të cilat duhet të ndërtojnë pikërisht arsyetimin dhe veprimin përkatës politik.
Kjo situatë absolutisht duhet të zhbllokohet në mënyrën më të shpejtë të mundshme sepse koha në dispozicion është mjaft e pakët dhe eksperienca e mjaft zgjedhjeve të mëparshme ka treguar se marrja e vendimeve me shumë kohë vonesë ka influencuar drejtpërdrejtë në cilësinë e zgjedhjeve të realizuara sepse koha e mundësuar për të trajnuar të gjithë ata administratorë të procesit zgjedhor ka qenë e pakët, e pamjaftueshme ose në momente të caktuara aq inekzistente saqë edhe trajnimi i tyre është kthyer në një trajnim fiktiv.
Ndaj të gjitha këto ngjarje të cilat kanë rrjedhur në zgjedhje të njëpasnjëshme dhe që kanë qenë në tërësinë e tyre mjaft negative nuk duhet në asnjë mënyrë të përsëriten. Situata që po përvijohet me këtë bllokim reciprok të njëpasnjëshëm ditë pas ditë por e rendon këtë situatë në mënyrë të pajustifikueshme.
Mendimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është ky: Administrimi zgjedhor dhe realizimi i standardeve të zgjedhjeve nuk kanë nevojë për protagonizëm politik nga cilido krah që ai të vijë. Ka nevojë për për rikthimin në memorie të atyre zgjedhjeve me probleme të cilat e kanë penalizuar Shqipërinë dhe integrimin e vendit dhe besoj se nuk ka nevojë më për asnjë nevojë për një shpjegim të mëtejshëm për të treguar rëndësinë e tyre dhe për realizimin e tyre me cilësi. Kështu që përfundimisht kjo situatë duhet të zhbllokohet në mënyrë të menjëhershme.
Nuk duhet humbur më asnjë orë e vlefshme për të miratuar këtë element kyç të infrastrukturës së administrimit të zgjedhjeve e që lidhet drejtpërdrejtë me nxjerrjen e rezultatit të tyre.
Partitë politike të cilat kanë sigurisht përfaqësim politik në në mënyrë të veçantë KQZ, si institucioni qendror për administrimin e zgjedhjeve, të kontribuojnë me konstruktivitet për ecjen përpara të situatës dhe absolutisht në asnjë rast të mos përdoren pakicat bllokuese për këtë apo për atë qëllim. Në të gjitha ato momente kur kompromisi politik do të jetë i domosdoshëm të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme në mënyrë që e gjitha infrastruktura zgjedhore të jetë e gatshme shumë kohë më para për t’i lënë mundësinë trajnimit dhe realizimit të zgjedhjeve me cilësi.
Këto zgjedhje, siç dihet, kanë për të qenë dhe do të jenë një element shumë i rëndësishëm në vlerësimin politik të Shqipërisë edhe nga Europa lidhur me çështjen e integrimit europian.
Pra duhen parë edhe në këtë optikë tepër të rëndësishme të këtij integrimi që përbën dhe kryeobjektivin politik të politikës shqiptare në tërësi por edhe të popullit shqiptar në tërësinë e tij.
Kështu që thënë e gjithë kjo Lëvizja Socialiste për Integrim nga ana e saj do të vihet në dispozicion plotësisht dhe nuk do të luajë në asnjë rast rolin e bllokuesit apo të pozicionit destruktiv. Do të vazhdojë të jetë një kontribuuese konstruktive në Parlament por edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Dhe ftojmë edhe të gjitha forcat e tjera politike, përfaqësuese në këtë komision, të mbajnë të njëjtin pozicion konstruktiv për të zhbllokuar sa më parë situatën.
Z. Vasili LSI është shprehur pro shtimit të numrit të ZAZ-ve ndërkohë që kemi një tjetër qëndrim për sa i takon mandateve të Kukësit ku ju jeni bashkuar me Partinë Socialiste për ngritjen e një komisioni hetimor. Cili është komenti juaj?
Lëvizja Socialiste për Integrim në të gjitha rastet, qoftë në lidhje me ngritjen e ZAZ-ve apo qoftë në lidhje me ngritjen e komisionit hetimor, as nuk ka bashkuar dhe as nuk ka ndarë votat me kërkënd. Ne kemi mbajtur pozicionin tonë parimor për të dyja çështjet. Në të parin kemi pasur pozicionin se shtimi i ZAZ-ve do të ndihmonte për një administrim më të shpejtë dhe më efektiv të zgjedhjeve duke evituar mbingarkesat dhe vonesat në nxjerrjen e rezultateve. Në të dytin kemi votuar në emër të transparencës,pra një transparence që eviton e eliminon çdo lloj dyshimi, rezerve apo pakënaqësie të thellë e cila do të shënjonte negativisht zgjedhjet e ardhshme. Në të dyja rastet qëndrimi i LSI-së është qëndrim nën dritën e një identiteti politik të fortë.