Tryeza për Arsimin e Partisë së Lirisë – 20 Janar 2024

Tryeza për Arsimin e Partisë së Lirisë – 20 Janar 2024

Meta: Arsimi kryeprioriteti ynë kombëtar. Ja propozimet e Partisë së Lirisë për rimëkëmbjen e Arsimit në Shqipëri

Është kënaqësi të marr pjesë në këtë diskutim kaq konstruktiv, por edhe alternativ, i cili tregon më së qarti se Partia e Lirisë e konsideron realisht arsimin si një kryeprioritet kombëtar. Ne besojmë se investimi më madhor për të ardhmen e vendit tonë është pikërisht investimi në arsim. Sot nuk është aspak e lehtë, të jesh mësues, të jesh edukator i brezit të ri, por nuk është e lehtë të jesh as nxënës apo student, sepse sfidat dhe vështirësitë me të cilat ata po përballen janë të jashtëzakonshme dhe arsimi vijon të jetë për fat të keq një sektor i nënfinancuar, madje do të thosha i përbuzur nga qeveria aktuale. Sepse këtë e tregojnë vërtet shifrat, ato janë të vërtetat më të padiskutueshme. Sepse prioritet për qeverinë nuk është as dija, as arsimi, as edukimi, kultura, as mësuesit dhe studentët, por janë oligarkët, inceneratorët imagjinarë, PPP-të dhe tenderat korruptivë. Prandaj edhe nëse investohet 4 miliardë për arsimin, investohet 900 miliardë për gjithë këto të tjerat. Kjo është rëndësia që i jep kjo qeveri arsimit dhe me arsimin është e lidhur çdo familje shqiptare. Sepse çdo familje shqiptare ka një nxënës, ka një fëmijë, ka një nip, ka një mbesë, ka një prind që është i përfshirë në këtë sistem dhe mbi të gjitha nga zhvillimi i arsimit, nga zhvillimi dhe edukimi i gjeneratave të reja varet e gjithë mbarëvajtja e shoqërisë dhe suksesi i saj.

Pra edhe njëherë, 4 miliardë investohen për arsimin nga 900 miliardë që investohet për gjithçka tjetër, ku prioriteti janë patjetër PPP-të. Sepse paratë shkojnë me prioritet atje ku vidhen më lehtë, ndërkohë që duhet të shkonin për rritjen e nivelit arsimor, për përmirësimin e kushteve në shkolla, për subvencionimin dhe mbështetjen e studentëve, siç ndodh edhe në Kosovë, për rritjen e pagave të mësuesëve dhe të pedagogëve. Duke i dhënë vetëm 2.2% të PBB-së arsimit në tërësi dhe 0.05% kërkimit shkencor, është e qartë se kësaj qeverie as nuk i bëhet vonë për arsimin, për mësuesit, për pedagogët, për nxënësit dhe për studentët, ndërkohë që Bosnja shpenzon 5% të buxhetit të shtetit për arsimin, Kosova 4.7%, Mali i Zi 4.2%, Serbia 4%/. Përsa i takon kërkimit shkencor, ne investojmë 56 herë më pak se sa mesatarja e Bashkimit Europian.

Sa më pak që investon shteti për arsimin, dhe u dhanë të gjitha të dhënat krahasuese edhe me përpara dhjetë viteve, ku ka një rënie të dukshme drastike të investimeve për arsimin, pra së më pak që investon shteti, aq më shumë investojnë nga halli, nga nevoja, nga domosdoshmëria familjet shqiptare. Prandaj jemi sot në këtë situatë, që një familje shqiptare në tërësinë e shpenzimeve të saj investon për arsimin 4 herë më shumë se sa një familje në Bashkimin Europian. Këto shpenzime vijnë në rritje progresive nga viti në vit, nga 2020 që ishte 3.1%, nga 2021 që ishte 3.2% dhe tani 3.5%. Kemi vënë re se sa herë që flitet për arsmin, qeveria flet thjesht për godina, por jo për politika dhe reforma të qëndrueshme e cilësore arsimore, aq më tepër për të forcuar autonominë e Universiteteve apo të botës akademike. Shohim që investohet dhe bëhen inaugurime fasadash në fushën e arsimit, sepse qëllimi kryesor edhe në arsim është vjedha në emër të tij. Rasti më flagrant është Bashkia e Tiranës që në 7 vite apo më shumë mblodhi mbi 50 milionë euro taksa për infrastrukturën arsimore për 17 shkolla që kurrë nuk u ndërtuan.

Siç e ka thënë edhe një mendje e ndritur, Arsimi dhe edukimi nuk është lyerje apo mbushje e një kohe, por është ndriçimi i një zjarri, i një drite. Dhe siç thoshte poeti ynë i madh Naim Frashëri: dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë. Por për fat të keq, kjo qeveri është përpjekur që këtë zjarr ta shuajë vit pas viti.

Nuk është rastësi që Rilindja e ka rrokullisur vendin me shpejtësi drejt honit të injorancës, me një arsim që nuk prodhon dijen e duhur dhe as njerëz të ditur, por injorancë pa fund dhe dëftesa dhe diploma fiktive.

Këtë e konstatoi së fundmi në mënyrën më të qartë testi ndërkombëtar PISA 2022, që dha alarmin për rritjen e nivelit të anafalbetizmit në Shqipëri, përfshirë atë funksional, si dhe për rënien dramatike të nivelit të përfaqësimit të dijeve. Sipas rezultateve të PISA-s, Shqipëria është në vendin e 69-të nga 80 vende që u bënë pjesë e testimit, pra jemi shumë më keq se çishim në vendin në vitin 2018, jemi akoma më tmerr se çishim në vitin 2015 dhe jemi më katastrofë se çishim në vitin 2012, duke u renditur poshtë Serbisë, e cila është në vendin e 38-të apo Mali i Zi që është në vendi e 50-të apo të Maqedonisë fqinje që është në vendin e 56-të. Jemi në këtë situatë sepse qeveria shpenzon shumë më pak për arsimin dhe kjo detyrimisht rëndon automatikisht buxhetin e familjeve shqiptare që shpenzojnë për arsimimin e fëmijëve të tyre katër herë më shumë se sa shpenzon një familje europiane.

 

Shkatërrimi i arsimit është i qëllimshëm. Dy janë shtyllat e shpopullimit të kësaj bande në pushtet: braktisja e bujqësisë, e blegtorisë, e fshatit dhe e zonave rurale që ka ndodhur me ritme të frikshme dhe së dyti edhe braktisja e arsimit. Ka rrethe apo bashki, ku ka më shumë shkolla e godina se sa ka nxënës, ku një mësues mbledh 8-9 fëmijë, njëri është në klasë të parë, apo klasë të tetë dhe bën sikur u bën mësim të gjithëve. Kjo është situata ku është katandisur arsimi në Shqipëri dhe shkatërrimi i arsimit ka qenë dhe mbetet pjesë e axhendës së qëllimshme antikombëtare të shpopullimit.

Shikoni kush janë dy nga fushat më të diskriminuara, atë e tregon buxheti: bujqësia dhe arsimi. Sa është kontributi i bujqësisë? Është i jashtëzakonshëm. Sa merr bujqësia? Pothuajse asgjë. Edhe ato fonde që vijnë për bujqësinë, një pjesë e madhe shkojnë në destinacione të tjera si për inceneratorët, prandaj edhe u bllokuan fondet nga Bashkimi Europian. Sepse nuk ekziston bujqësia dhe arsimi si prioritet, sepse prioritet është shpopullimi. Ndaj edhe Shqipëria renditet e teta në botë për nivelin më të lartë të emigrimit të trurit, krah vendeve që janë në luftë. Jemi pas Palestinës, pas Haitit, pas Eritresë, pas Somalisë, Xhamajkës dhe Mikronezisë. Një në tre maturantë mezi pret të largohet nga Shqipëria dhe mbi 54.000 studentë janë larguar nga viti 2013. Universitetet nëpër rrethe pothuajse janë mbyllur, me dhjetëra programe studimi mbyllen çdo vit dhe ka raste që ka më shumë pedagogë se sa studentë.

Shqipëria është e fundit në rajon dhe në Europë për kërkimin shkencor dhe padiskutim për trajtimin financiar të mësuesve dhe pedagogëve, që nuk kërkojnë më shumë se sa një pagesë, që të paktën të jetë sa ajo e kolegëve të tyre në Kosovën fqinje.

Çfarë të themi? Të themi që mesatarja e pagës midis mësuesve në Shqipëri dhe në rajon është skandaloze. Mjafton t’i kthehemi përsëri Lumit Buna. Matanë Bunës, një mësues shqiptar në Ulqin apo në Tuz paguhet me 9983 Euro në vit. Kaq është mesatarja në Malin e Zi, pra gati 800 euro në muaj. Këtej nga pjesa e Bunës sonë, nga Velipoja apo nga Dajçi paguhet 4233 Euro në vit, kështu paguhet në të gjithë Shqipërinë, por po them që mes një lumi shohim një diferencë kaq të madhe. Pse? Sepse Mali i Zi e ka prioritet arsimin, prandaj është Mali i Zi edhe në procesin e integrimit europian, është 12 vjet para nesh. Dëgjova “KryeRilindasin” para disa ditësh, që thoshte në një fjalim se ne jemi bërë një shembull për Serbinë dhe Malin e Zi. Ne jemi faqja e zezë përsa i takon integrimit europian në rajonin tonë, sepse ne kemi qenë para Serbisë dhe para Malit të Zi. Ato nuk ekzistonin fare në procesin e Stabilizim-Asoocimit në vitin 2001, ne jemi përfshirë në procesin e Stabilizim-Asoocimit. Ne kemi nënshkuar në vitin 2006 Marrëveshjen e Stabilizim-Asoocimit me Bashkimin Europian, ndërsa ato e kanë nënshkruar dy vite pas nesh, por ato i kanë çelur negociatat në 2012-ën Mali i Zi, në 2014-ën Serbia. Mali i Zi pothuajse i ka mbyllur të gjitha kapitujt, Serbia pjesën më të madhe, ndërsa ne jemi akoma tek fishekzjarret që hidhen për herë të pestë dhe për herë të gjashtë. Dhe nuk është rastësi, sepse atje arsimi është një prioritet i padiskutueshëm. Nuk është vetëm Mali i Zi që e ka pagën mesatare të mësuesit 9983 Euro në vit, kemi Maqedoninë 7231 Euro në vit, vetëm ne jemi aty ku jemi, saqë mësuesit tanë mezi presin stinën e verës, që të shkojnë, jo të bëjnë pushime me familjet, por të shkojnë të bëjnë një punë që të sigurojnë disa të ardhura shtesë për të përballuar shpenzimet vjetore të familjeve të tyre.

Ndaj edhe cilësia e arsimit vjen në rënie dhe injoranca rritet, sepse qeveria është e vendosur të mos e mbështesë në buxhet arsimin në mënyrë që të nxisë edhe shpopullimin, të mos financojë kërkimin shkencor, por të vazhdojë të shtojë koncensionet për oligarkët, të mos mbështesë dhe të mos subvencionojë studentët dhe as të rrisë pagat e pedagogëve, por të financojë inceneratorët.

Dhe rasti i fundit I Këshillit të Bashkisë së Tiranës, që heq fondet nga arsimi dhe i çon fondet tek inceneratori është tregues që Rilindja kudo në të gjitha nivelet këtë prioritet ka.

Edukimi dhe Arsimi është një e mirë publike, ashtu siç është edhe një e drejtë themelore njerëzore. Ai është thelbësor për t’u realizuar individualisht dhe njëkohësisht dhe për të kontribuar dhe ndërtuar një shoqëri demokratike, të hapur, tolerante, paqësore për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

Sfida e përgatitjes së fëmijëve dhe rinjve tanë me njohuritë e duhura dhe aftësitë shkencore për tu përfshirë sa më lehtësisht në tregun e punës brenda dhe jashtë vendit në institucionet publike dhe sipërmarrjet private mbetet prioriteti ynë. Ndaj është e domosdoshme që institucionet tona arsimore, publike të përdorin metodat më bashkëkohore për tu mundësuar studentëve zhvillimin e një mendimi sa më kritik dhe krijues dhe aftësinë që ata të përvetësojnë më shpejt dijet dhe sidomos të orientohen më lehtë drejt tregut të punës.

Kemi nevojë për një arsim të lartë, roli thelbësor i të cilit të jetë edukimi shkencor në cilësi, etikë dhe përgjegjësi, siç kemi nevojë të forcojmë autoritetin dhe të respektojmë autonominë e Universitetit, duke e mbajtur sa më larg politikës.

Elitat intelektuale të cilat do të udhëheqin vendin në dekadat që vijnë krijohen në bangat e shkollës dhe dalin pikërisht nga auditoret e Universitetit, ndaj duhet të frenojmë urgjentisht largimin e trurit dhe të forcave më krijuese dhe të talentuara të shoqërisë, duke u ofruar të rinjve dhe të mirëarsimuarëve tanë më shumë shpresë dhe alternativa pune, që plotësojnë pritshmëritë e tyre, por zhvillojnë edhe ekonominë e vendit.

 

 

Për të gjitha këto, me shumë të drejtë edhe ju keni propozuar në mënyrë shumë konkrete disa alternativa, të cilat kërkojnë një konsensus gjithëpërfshirës të të gjithë aktorëve politikë, por edhe në fushën e arsimit në vendit.

 

  1. Duhet që Kuvendi të miratojë sa më parë një ligj për nivelin dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në nivelin 5% të PBB. Aq sa çka qenë në fakt premtimi i Rilindjes para 11 vjetësh! Aq sa çështë mesatarja e Bashkimit Europian, aq sa e ka dhe Bosnja.

Aktualisht, buxheti i vitit 2024 financon në vlerën 2.29% të PBB, më i ulti në rajon dhe i pamjaftueshëm për të adresuar problemet e shumta të arsimit, që kanë ardhur duke u shtuar. Vetëm me buxhetin e duhur dhe mund ta nxjerrim arsimin shqiptar nga gremina ku ka rënë dhe që PISA na i tregoi më së qarti dhe më së miri se kushdo tjetër.

 

  1. Niveli i pagave të mësuesve në piramidën e pagave të miratohet me ligj me shumicë të cilësuar. Pra të jetë një prioritet i të gjitha forcave politike, në qeveri dhe në opozitë. Kjo duhet për t’I dhënë siguri që fëmijëve përpara se të mendojnë të zgjedhin një profesion të tyre, se duke zgjedhur që të jenë nesër mësues do të kenë një pagë dinjitoze me të cilën mund të mbajnë me dinjitet familjen e tyre. Apo duke zgjedhur një profesion apo një degë të vështirë, do tja vlejë ai mund dhe ai sakrificë për të mësuar në atë shkollë apo në atë degë, sepse edhe shpërblimi do të jetë dinjitoz. Nuk mjafton një maxhorancë e thjeshtë për vendime kaq të rëndësishme që prekin direkt të ardhmen afatgjatë të arsimit dhe të vet vendit.

 

  1. Kuvendi duhet të vendosë nivel dysheme për financimin e inovacionit. Aktualisht, inovacioni në Shqipëri financohet në masën 0.05% e PBB, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 2.2%. Rritja e financimit është hapi i parë konkret në këtë drejtim, ku deri tani ka vetëm propagandë boshe.

 

  1. Ligjet kryesore të arsimit duhet të miratohen me shumicë të cilësuar në Parlament. Gjithashtu me shumicë të cilësuar duhet të miratohen edhe strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat, dhe politikat arsimore. Sepse këto janë vendime kaq jetike për vendin, ku është e domosdoshme dakordësia e të gjithëve për të siguruar politika afatgjata.

 

  1. Mësuesia dhe shkencat duhet të konsiderohen degë me prioritet të jashtëzakonshëm. Si rrjedhojë, duhet të motivohen dhe trajtohen në mënyrë të tillë që të nxisin motivimin e studentëve. Për shkak të braktisjes së këtyre degëve sot, rrezikojmë që në pak vite të mbetemi pa mësues.

 

  1. Investime prioritare në degët e teknologjisë së informacionit. Ky sektor tashmë është kthyer në sfidë të kohës dhe kërkon përgatitjen e profesionistëve të zotë, ndryshe do të humbasim çdo mundësi për të qenë konkurrues nesër si vend, por edhe çdo i ri dhe çdo qytetar i këtij vendi.

 

  1. Arsimi Profesional duhet të jetë domosdoshmërisht në varësi të Ministrisë së Arsimit. Lidhur me domosdoshmërinë e reformimit të tij, duhen studime të thelluara tregu mbi kërkesën dhe nevojën që ka sot dhe do të ketë nesër vendi. Duhen hartuar strategji të reja që harmonizojnë kërkesat e një tregu gjithnjë në zhvillim dhe dinamik, me profesionistët që përgatisin këto shkolla. Me prioritet duhen parë degët si: elektroauto, mekanik, elektriçist, teknik të pajisjeve teknologjike, në turizëm dhe shërbime. Aktualisht, shkollat profesionale nuk përgatisin të rinj të aftë për të hyrë pas studimeve direkt në tregun e punës.

 

E kam theksuar dhe më përpara, është një shkollë e mesme profesionale në qytetin e Shkodrës, “Peter Maringer”, është një shkollë e cila është mbështetur nga qeveria austriake dhe është sipas modelit të tyre. Është modeli që duhet të shpërndahet në çdo qytet të rëndësishëm të vendit tonë. T’i japim fund shkollave fiktive që vetëm prodhojnë diploma dhe pastaj të rinjtë të tjera diploma marrin dhe të tjera punë detyrohen të bëjnë.

 

Së fundmi, dua të shpreh dhe një shqetësim që u theksua dhe nga kolegët dhe koleget e tjera këtu, që ka të bëjë me perspektivën e errët që shohin të gjithë ata të cilët kanë studiuar dhe vazhdojnë të studiojnë jashtë për tu kthyer në vendin e tyre. Profesor Rusell King është një figurë shumë e shquar britanike dhe ndër më të shquarit përsa i takon studimeve migratore dhe ka bërë studime të posaçme për rajonin tonë dhe për Shqipërinë. Studimet e tij tregojnë se 62% e mijëra të rinjve shqiptarë që kanë kryer studimet për doktoratura në Universitetet e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës punojnë në universitetet, në laboratorët dhe në institucionet shkencore të këtyre vendeve. Pra 62% e tyre janë integruar në nivele shumë të mira dhe ata përfaqësojnë një potencial të jashtëzakonshëm të madh për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit nëse do të kishte një politikë që i tërhiqte për t’u riintegruar. Por për fat të keq, sipas vrojtimeve të profesor King, 94% e tyre duan të qëndrojnë jashtë, nuk u shkon në mendje që të kthehen në Shqipëri. Pra vetëm 6% e tyre e shohin si opsion kthimin në vendin tonë. Dhe një tjetër lajm negativ, sipas studimeve të tij, është se 79% e rinisë sonë universitare dëshiron të emigrojë jashtë vendit, pra mezi pret që të marrë diplomë që të largohet nga vendi.

Në këto kushte, kur e ardhmja e të rinjve shqiptarë është më e zymtë se kurrë dhe kur sakrificat e panumërta të familjeve për shkollimin e tyre rrezikojnë të ikin dëm, mobilizimi në vijim i të gjitha kapaciteteve intelektuale, me ide, propozime, iniciativa konkrete, nisma ligjore si edhe këto që u theksuan në këtë tryezë, për transformimin nga rrënjët të arsimit, do të ketë mbështetjen dhe përkrahjen e flaktë të Partisë së Lirisë.

Do ta mbyll këtë diskutim me disa thënie shumë të rëndësishme për Arsimin dhe Lirinë. Arsimi është çelësi për të hapur dyert e lirisë, sepse vetëm të mirëarsimuarit janë njerëz të lirë. Është edukimi që garanton daljen nga errësira në dritë dhe është arma më e fuqishme për të ndryshuar botën.

Ju falenderoj shumë për këtë konferencë të rëndësishme të pedagogëve, të studentëve, të akademikëve të Partisë së Lirisë dhe të ftuarëve të tjerë, dhe besoj se do të kemi një vazhdimësi të këtij debati, ashtu sikurse besoj se deputetët tanë dhe sidomos deputetja Erisa Xhixho, e cila ka qenë tepër aktive në çështjet e arsimit dhe të edukimit, do të ndërmarrin nisma konkrete edhe në Kuvendin e Shqipërisë për të rritur ndërgjegjësimin e ndryshimit me themel të politikave për arsimin.