19 Dec Sokol Dervishaj: Problematika e energjisë elektrike, CEZ-i të respektojë marrëveshjen me palën shqiptare
Zv. ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka zhvilluar një debat me pyetje-përgjigje në kohë reale
Në vazhdën e takimeve të zhvilluara më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një tjetër debat “live” me pyetje dhe përgjigje në rrjetin social “Facebook”. Zv. ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Sokol Dervishaj, ka zhvilluar një debat me pyetje-përgjigje në kohë reale. Z. Dervishaj iu është përgjigjur pyetjeve të një auditori të gjerë për çështje të ndryshme të ekonomisë, veçanërisht të përqendruara në çështjen e CEZ-it dhe të privatizimit të Albpetrolit.
I pyetur nëse pas deklaratës që ai ka bërë në lidhje me problematikën që është shfaqur nga CEZ-i ka pasur masa ka pasur masa ndaj kësaj kompanie, Z. Dervishaj i është përgjigjur se në një moment të caktuar ka pasur një problematikë jashtëzakonisht të agravuar kur ÇEZ-i vendosi t’u ndërpresë energjinë elektrike ujësjellësve. Sipas tij duke ua prerë ujësjellësve ua ndërpret edhe klientëve që furnizohen me ujë përmes ujësjellësve por edhe shumë institucioneve të tjera që ofrojnë shërbime mjaft të rëndësishme siç mund të jetë spitalet, shkollat apo institucionet e tjera shtetërore. “Absolutisht që një deklaratë nuk mjafton për të ngritur punët por në rastin konkret deklarata ka bërë efektin e saj sepse energjia elektrike u rikthye menjëherë nëpër ujësjellës. Por, kjo nuk do të thotë se ishte vetëm efekti i deklaratës, por angazhimi i të gjithë strukturave përkatëse të shtetit, veçanërisht të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ministrit dhe të gjithë të tjerëve në një komunikim me ÇEZ-in për t’ua bërë të qartë që përveçse është një detyrim ligjor përmbushja e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve apo të gjithë aktiviteteve të tjera me rëndësi jetike për qytetarin dhe për vendin. Në një farë mënyre treguam që shteti nuk i lë pas dore detyrimet e veta dhe detyrimi kryesor është mirëqenia e qytetarëve. Furnizimi me ujë të pijshëm është një nga detyrimet kryesore, një element i domosdoshëm, i pazëvendësueshëm dhe i pafalshëm për t’u trajtuar në mënyrë politike apo t’u trajtuar në mënyrë teknike sikurse ÇEZ-i pretendoi dhe praktikisht sot problematika e ÇEZ-it nuk ka mbaruar, as me ujësjellësit por që ky shërbim jetik ofrohet. Megjithatë, nga ana tjetër duhet të kemi parasysh diçka që sikurse ÇEZ-i ka bërë një veprim arbitrar për të cilin ne kemi reaguar me shumë forcë si një cenim i interesit publik, i cenimit të sigurisë publike dhe qytetare, por edhe me efekte të theksuara për sigurinë kombëtare. Nga ana tjetër është edhe detyrimi i palëve për të shlyer detyrimet e tyre ndaj një shërbimi që u ofrohet. Pra, është një marrëdhënie reciproke ku të dyja palët duhet të përmbushin në mënyrë korrekte transparente dhe detyrimet e tyre. Ndërkohë që veprimi i ÇEZ-it për të gjithë kompleksitetin e situatës ishte një veprim papërgjegjshëm dhe reagimi i tyre për shkak të një reagimi emergjent dhe të fortë të shtetit dhe të mekanizma të tij, veçanërisht të METE-s, realizoi rikthimin e energjisë ujësjellësve për t’u bërë të mundur shërbimin ndaj qytetarëve”, tha Zv. ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Sokol Dervishaj. Ndërkohë që i pyetur nga një i ri se a nuk gjendet dot një mënyrë që çdokush të paguajë atë që harxhon dhe të mos ketë më ndërhyrje abuzive dhe a është menduar ndonjë zgjidhje për këtë probleme, Z. Dervishaj ka shpjeguar në themel të gjithë problematikën që është shfaqur që nga privatizimi e dëri më tani . Sipas tij problematika ka të bëjë me faktin që CEZ-i nuk i ka qëndruar detyrimeve të tij por nga ana tjetër edhe pala shqiptare duhet të respektojë të sajat. “Së pari dua të bëj një argumentim jo vetëm personal por edhe të argumentuar me shumë kolegë të LSI-së. ka një problematikë të veçantë edhe për çështjen e privatizime, sidomos për sektorët strategjikë. Ka ndodhur që privatizimi duke u kthyer në një qëllim në vetvete apo duke u parë thjesht si mekanizëm i një transaksioni financiar i cili në momentin e parë mund të rezultojë shumë i suksesshëm. CEZ-i ka qenë i tillë në atë moment sepse janë arkëtuar mbi 110 milionë euro si transaksion financiar fillestar për të marrë pronësinë e 76% të aksioneve të operatorit të sistemit të shpërndarjes. Megjithatë e rëndësishme është se çfarë efektesh dhe se si operon ky privatizim në kohë. CEZ ka rezultuar një privatizim jo i suksesshëm. Absolutisht që ky është një skenar shumë kompleks dhe shumë i koklavitur dhe pa dyshim që kërkon një trajtim dhe një vëmendje shumë të veçantë nga të gjitha palët, nga shteti dhe kompania. Këto vite kanë treguar që CEZ-i në Shqipëri ka pasur jashtëzakonisht shumë probleme. Nuk ka administruar siç duhet përgjegjësitë, nuk ka financuar si dhe sa duhet në sistem, në infrastrukturë dhe në burime njerëzore. Në përgjithësi është përballuar dhe me vështirësi të agravuara edhe për shkak të mofunksionimit të tij apo të mosperformimit në një nivel profesional të caktuar. Humbjet në rrjet janë rritur. Një nga detyrat se pse është hedhur në privatizim Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka qenë pikërisht për të rritur cilësisht ofrimin e këtij shërbimi. Dhe kjo ishte detyra në momentin e privatizimit. Pra në qoftë se ka humbje në rrjet për shkak të ndërhyrjeve ky detyrim në bazë të marrëveshjes ishte një detyrim i CEZ-it për tu mbuluar nëpërmjet rritjes së nivelit të investimeve në përmirësimin e infrastrukturës së sistemit të shpërndarjes. Kjo nuk është bërë në asnjë rast. Padyshim që problematika e krijuar nga kjo marrëdhënie që nuk ka funksionuar është jashtëzakonisht e madhe. Duhet të kemi parasysh që CEZ-i ka një mori shumë të madhe kusuresh. Performimi i tij në Shqipëri është i një niveli mediokër. Nga ana tjetër pala shqiptare ka detyrimin ligjor për të paguar një mall të cilin e marrin. Qytetarët në një pjesë të madhe të rasteve kanë fatura të papaguara. Është absolutisht e vërtetë që CEZ në momente të caktuara apo në vazhdimësi ka mbingarkuar qytetarët me fatura afrofe, me fatura për një shërbim të paofruar, sikurse përmendëm pak më parë rastin e ujësjellësit, ka edhe institucione apo ente publike të cilat nuk e paguajnë energjinë elektrike që konsumojnë. Dhe natyrisht kur shteti në vetvete është një model i keq, qytetari kthehet në një model akoma dhe më të keq. Kjo nuk do të thotë që justifikojmë CEZ-in me këtë, por kjo do të thotë që duhet ndërgjegjësuar në maksimum qytetari, publiku, institucioni, për të përmbushur detyrimin e tyre për të paguar një detyrim që ato marrin. Absolutisht që kur ka raste abuzimesh ka institucione, ka mekanizma të cilat edhe i ndajnë kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim. Ka një mori problematikash që kanë të bëjnë me menaxhimin, kanë të bëjnë me kulturën e pagimit, kanë të bëjnë me administrimin e CEZ-it dhe mbi të gjitha kanë të bëjnë me marrëdhënien midis CEZ-it me institucionet shtetërore”, u shpreh Zv. ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Sokol Dervishaj. Ndërkohë që i pyetur në lidhje me privatizimin e Albpetrolit dhe se sa afër është Kompania Vetro Energy për ta pr
ivatizuar pasurinë e nëntokës shqiptare, z. Dervishaj deklaroi se nuk ka lidhje privatizimi me pasurinë e nëntokës shqiptare pasi nëntoka shqiptare, qofshin këto hidrokarbure, në rastin konkret nafta apo gazi, apo pasuritë e tjera minerare dhe pasuritë nëntokësore, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë janë pasuri e popullit shqiptar, pra, janë pasuri të patjetërsueshme. “Ajo që ne po bëjmë apo ky privatizim në vetvete përfaqëson privatizimin e aksioneve të Kompanisë Albpetrol dhe të drejtave për shfrytëzimin e këtyre pasurive, jo pasuritë në vetvete. Pasuritë janë të patjetërsueshme dhe të paprivatizueshme. Dhe e drejta e shfrytëzimit të nëntokës është një e drejtë që jepet në bazë të ligjeve të caktuara, në bazë të marrëveshjeve të caktuara, në bazë të marrëveshjeve të hidrokarbureve të cilat kanë një zgjatje prej 25 vitesh dhe në rast se bihet dakord mund ato të zgjaten më tej, duke përmbushur gjatë kësaj periudhe detyrimet reciproke kontraktuale. Ajo që mund t’iu them për privatizimin e Albpetrol, sepse përveç se zv/ministër jam edhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Oferta dhe i grupit të negocimit, mos prisni t’iu them gjëra që janë pjesë e këtij negocimi sepse jam i detyruar të ruaj konfidencialitetin e këtij procesi përsa kohë ai është duke u zhvilluar. Ajo që unë dua t’iu sqaroj është që në bazë të vlerësimit të ofertave, në bashkëpunim me konsulentët ndërkombëtarë, që në rastin konkret është Paton Bogs, është bërë vlerësimi i ofertave, sikurse ju mund ta mbani mend. Vlerësimi i ofertave bëhet në dy mënyra, në dy aspekte, vlerësimi i ofertës financiare dhe asaj teknike. Oferta financiare në rastin konkret për të gjithë konkurrentët kishte vlerën e 75 pikëve nga 100 për qind të mundshme dhe 25 për qind e pikëve ishin të ofertës teknike apo të vlerësimit teknik. Absolutisht që oferta është e papërballueshme për të mos u testuar. A ka pasur problematika procesi? Patjetër që ka pasur problematika. Ne e kemi deklaruar se me përfundimin e afateve ligjore të negocimit të kontratës së shitjes së aksioneve e cila përfaqëson hapin paraprak drejt kalimit të titujve të pronësisë totale të Albpetrolit. Ligji dhe vendim i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar një periudhë 30 ditore nga momenti i shpalljes së vendimit të Këshillit të Ministrave të kompanisë fituese. Praktikisht në 3 tetor është marrë vendimi i KM. Në 3 nëntor përfundoi afati i parë 30 ditor. Duke qenë se procedurat nuk përfunduan brenda këtij afati, kompania fituese kërkoi në datën 1 nëntor në mos gaboj një shtyrje të afatit të negocimit në përputhje me procedurat standarde dhe vendimin e KM dhe të gjitha detyrimet reciproke të saj. Ne ia dhamë këtë mundësi. Në datë 3 dhjetor mbaroi afati ligjor i negocimit të kontratës. Edhe sot që flasim nuk kemi një deklaratë të shkruar por kemi një deklarim publik të ofertuesit i cili deklaron se ka bërë progres në sigurimin e një elementi mjaft të rëndësishëm financiar, ligjor dhe procedural i cili është depozitimi i garancisë së kontratës në vlerën 20 për qind të vlerës totale të ofertës. Do të verifikohet vlefshmëria e saj, në rast se ajo do të vijë dhe më tutje nëse do të gjykohet e arsyeshme do të vazhdojmë negocimin me kompaninë. Megjithatë procesi nuk përfundon këtu sepse përveç kompanisë së vendit të parë është edhe një kompani në vendin e dytë, një në vendin e tretë. Por të gjitha këto janë vendimmarrje që do të merren në ditët në vijim, hap pas hapi. Ne nuk jemi këtu për të privatizuar në objekt çfarëdo por një nga asetet më të rëndësishme të ekonomisë kombëtare dhe një nga ato asete që cilësohet si asete apo veprimtari strategjike”, u shpreh ai. Ndërkohë në lidhje me faktin se çfarë do të bëhet me punonjësit që janë në Albpetrol z. Dervishaj tha se në negocimin e marrëveshjes së hidrokarbureve apo në radhë të parë kontratës së shitjes në secilën prej kompanive e cila mund të vazhdojë negocimin, qoftë kompania e parë, apo të tjera në fazë në rast se do të ketë një vendim të tillë, një nga pikat kryesore të negocimit do jetë padyshim dhe e ardhmja e atyre naftëtarëve, specialistëve, inxhinierëve, financierëve, të cilët punojnë në sektorin e Albpetrolit. “Një nga çështjet kryesore është që ata jo vetëm mos të dalin në rrugë, edhe në rast se do ketë një shkurtim sikurse ka pasur në vite, pasi duhet të kemi parasysh diçka që jemi në një periudhe ekonomie të decentralizuar ku teknologjia avancon përditë e më shumë dhe proceset nga procese humane kthehen në procese teknologjike, ka pasur dhe shkurtime të numrit të punonjësve por e rëndësishme është që shteti me masat dhe vendimmarrjet e tij me karakter social këtë kategori ta trajtojë në mënyrë sa më të ndershme, sa më dinjitoze dhe pa dyshim ti kthejë mbrapsht vlerat dhe gjithë kontributin që ata kanë dhënë ndër vite. Absolutisht që është një proces kompleks dhe që është një pikë delikate në këtë diskutim dhe në këtë negocim”, tha ndër të tjera Zv. ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Sokol Dervishaj. Takimi në “Facebook” i LSI-së u moderua nga gazetari Rezear Xhaxhiu në kohë reale online në internet.