Silva Caka: Është emergjencë kombëtare që qeverisja vendore të rikthehet tek qytetarët

Silva Caka: Është emergjencë kombëtare që qeverisja vendore të rikthehet tek qytetarët

Marrëdhënia mes pushtetit qendror dhe atij vendor, nëse mund të bëjmë një analogji nga jeta e përditshme, është si marrëdhënia mes nënës dhe fëmijës. Teoritë moderne të psikologjisë thonë së nëse nëna e nxit dhe e brumos fëmijën me vetëbesim, pavarësi dhe forcë, gjasat më të mëdha janë që fëmija të bëhet i zoti i vetes në rritje; e kundërta ndodh me fëmijët të cilët kontrollohen në çdo hap nga nëna dhe nuk lejohen të njohin dhe zhvillojnë veten e tyre. Ata me siguri nuk do të jetojnë dot si të pavarur, duke rrezikuar të mbartin dhe trashëgojnë traumat e krijuara në vegjëli.
Në rastin e Shqipërisë, fatkeqësisht nëna, pra qeveria qendrore, jo vetëm që ka maninë të kontrollojë gjithçka, por ka edhe vese të paligjshme, të cilat domosdo trashëgohen edhe tek qeverisja vendore.

Në 5 vitet e fundit të qeverisjes së Rilindjes, të cilat fatkeqësisht përkojnë edhe me kapjen tërësore të pushtetit vendor, qeverisja qendrore, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka kapur prej fyti pushtetin vendor, duke humbur 2 tiparet kryesore të tij: decentralizimin dhe autonominë.

Një dorë të madhe në vjedhjen e këtyre dy elementeve dallues të qeverisjes vendore, sigurisht e ka dhënë edhe noteri i vendimeve të Rilindjes, Parlamenti i Shqipërisë. Procesi ligjvënës, ka mbyllur sytë e veshët dhe është dorëzuar përpara dëshirave të ethshme të Rilindjes për të thithur brenda vetes kompetencat e pushtetit vendor.

Mjafton të marrim në një analizë të shkurtër vetëm tre ligje, të cilat tregojnë qartë synimet pushtuese të qeverisjes qendrore ndaj asaj vendore:
Së pari, ligji nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”. Ky ligj shkeli në mënyrë flagrante parimin e decentralizimit, pasi me krijimin e disa rajoneve, të cilat janë antikushtetuese, qeveria kufizon direkt çdo iniciativë që mund të kenë dhe ndërmarrin organet e qeverisjes vendore, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, për të vendosur vetë për problemet që hyjnë në juridiksionin e tyre.
Së dyti, ndryshimet në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndodhura në Qershor të vitit 2019, ku u amenduan nenet 54 dhe 55 të ligjit, të cilat prekën kompetencat e Këshillave Bashkiakë lidhur me tjetërsimin dhe dhënien në përdorim të pronës publike tek të tretët, gjithashtu edhe kuorumin e nevojshëm për realizimin e këtyre veprimeve. Këto ndryshime, të ndodhura përpara shembjes së Teatrit Kombëtar, i hapën rrugën pikërisht këtij krimi dhe shumë të tjerëve më pas, ku prona publike tjetërsohej dhe jepej në përdorim sipas interesave klienteliste të kryetarëve të bashkive. Këto ndryshime u tentuan të shiten nga Rilindja si një kompetencë e shtuar për këshillat vendorë, por nuk ishin asgjë tjetër përveçse vullnet i vesuar dhe aspak i sinqertë karshi qeverisjes vendore. Kjo marrëzi u noterizua jo një, por dy herë nga Parlamenti i Shqipërisë, i cili e miratoi qorrazi edhe pas kthimit të tij nga Presidenti. Këtë ligj, ne e çuam edhe në Gjykatën Kushtetuese, por Gjykata Kushtetuese nuk u shqetësua për pronën publike, duke u mjaftuar me moslegjitimimin e palës, a thua se prona publike nuk është në interes të të gjithëve ne.
Së treti dhe ndoshta një nga goditjet më të mëdha që mund t’i jetë dhënë qeverisjes vendore nga qeveria mëmë, është pikërisht ligji antikushtetues, emri i të cilit u frymëzua nga portali partiak i bashkëqeverisjes dhe që sigurisht do të sillte frymën e patronazhimit të institucioneve të qeverisjes vendore. Ligji nr. 107/2021 “Për bashkëqeverisjen”, u miratua nga Parlamenti në kundërshtim të hapur me disa ligje, si ai për të drejtën e informimit, Kodin e Procedurave Administrative, për bilbilfryrësat etj. Por dyzimi i kompetencave nuk ishte më e keqja që mund të sillte ky ligj; krijimi i Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, i vendoste institucionet e qeverisjes vendore në një pozitë varësie, e cila denatyron karakterin e tyre autonom. Agjencia jo vetëm i kontrollon veprimtarinë e ketyre institucioneve dhe punonjësve të tyre, por merr edhe rolin e xhelatit dhe shpeshherë edhe atë të gjobëvënësit.

Në morinë e ligjeve të miratuara nga Parlamenti sigurisht ka edhe shumë të tjera, të cilat kanë prekur apo cenuar decentralizimin dhe autonominë vendore dhe të gjitha këto të marra së bashku, kanë prodhuar një qeveri qendrore të varur, të kapur, të korruptuar dhe nëse i referohemi analogjisë në hyrje të fjalës, të paaftë për t’u kujdesur për veten (27 bashki në prag falimentimi).
Në Dhjetor të vitit që lamë pas, të zgjedhurit vendorë të Partisë së Lirisë, miratuan një rezolutë, e cila në thelb të saj kishte ruajtjen me çdo formë e mënyrë të dy parimeve bazë të decentralizimit dhe autonomisë vendore, pa lënë mënjanë transparencën dhe llogaridhënien. E megjithatë, për arsyet e sipërpërmendura, por edhe për faktin që qeverisja vendore po pasqyron gjithnjë e më shumë veset kriminale të qeverisjes qendrore, është emergjencë kombëtare që Parlamenti, si organi ligjbërës e ligjvënës, të ndalojë së noterizuari çdo projektligj që shkon për kapjen e qeverisjes vendore. Është emergjencë kombëtare që qeverisja vendore të rikthehet tek qytetarët dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëpërmjet nismave të mira e dinjitoze në Parlament.